2018-05-08

A duhet të shqetësohemi nga propaganda ruse ?

Image result for putin

Ndërsa Europa po debaton nëse është e nevojshme të luftohet propaganda në një nivel legjislativ, Rusia nuk ka humbur kohë, dhe ka krijuar tashmë tek qytetari rus imazhin e një “armiku europian”.

Për të provuar se si propaganda ruse ka një fushë veprimi shumë më të gjerë, sesa mendojnë shumë zyrtarë në Bashkimin Europian, ekspertët e Grupit Analitik të Luftës Hibride (HWAG) nga Qendra e Medias për Krimet në Ukrainë, filluan kërkimet mbi “Imazhin e Europës në Mediat Ruse” , për të ilustruar se si mediat e kontrolluara nga Kremlini, ia përshkruajnë Europën popullit rus.

Popullsia ruse, është e ndjeshme ndaj përmbajtjes propagandistike për shkak të shumë faktorëve. Sipas një studimi sociologjik rus, vetëm 5 për qind e rusëve mund të flasin një gjuhë të huaj (zakonisht anglisht), 6 për qind shohin apo lexojnë lajme nga mediat e huaja, dhe vetëm 7 për qind kanë udhëtuar ndonjëherë më larg se sa vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Kjo krijon një mjedis, në të cilin burimet më me ndikim të informacionit bëhen ato shtetërore. Kjo konfirmohet nga një statistikë tjetër. Sipas anketës së Qendrës ruse për Hulumtime të Opinionit Publik në vitin 2015, shumica e rusëve i marrin lajmet nga kanalet televizive federale dhe rajonale, duke i konsideruar ato si më të besueshmet.

Për këtë arsye, ne e përqendruam studimin tonë mbi lajmet dhe emisionet kryesore politike, mbi mediat më me ndikim të financuara nga Kremlini. Këto janë tri kanalet televizive kryesore ruse – First Channel, Russia 1 dhe NTV (NNT).

Për të shmangur akuzat për njëanshmëri politike, ishte e rëndësishme të bëheshin disa analiza cilësore dhe sasiore të të dhënave të grumbulluara. Gjatë viteve 2014-2017, kanalet kryesore televizive ruse trasnsmetuan më shumë se 45.000 lajme negative për Europën, SHBA-në dhe Ukrainën.

Pjesa më e madhe e tyre, përbëhet nga lajme për vendet europiane. Europa, përmendet në një kontekst negativ mesatarisht 18 herë në ditë. Të dhënat u grumbulluan nga një agjenci e specializuar ruse, që ofron shërbime të monitorimit dhe analizës së medias.

Lajmi u vlerësua si “negativ”, kur kishte një ton të ashpër dhe retorikë shprehëse negative, lidhur me subjektin në fjalë. Gjithsej, përqindja mesatare e lajmeve negative me ato pozitive apo neutrale në vendet evropiane është 85 me 15 për qind.

Dikush mund të kundërshtojë, duke thënë se kjo është një tendencë botërore e lajmit televiziv, të cilat përqendrohen zakonisht tek historitë negative. Megjithatë, vetëm 2 vende tregohen me tone pozitive ose neutrale më shpesh se të tjerat:Këto janë Bjellorusia (40 për qind neutrale/pozitive, 60 për qind negative) dhe Zvicra (43 për qind neutrale/pozitive, 57 për qind negative).

Sipas programit të kanaleve televizive ruse, vetëm këto vende janë më të sigurta dhe të qëndrueshme. Grupi i Analizës së Luftës Hybride (HËAG), i kategorizoi pjesët e mbledhura të lajmit negativ në gjashtë histori kryesore:

Tmerret e jetës

Kjo narrativë, bazohet kryesisht në histori rreth fatkeqësive natyrore dhe industriale, aksidenteve dhe krimeve, dhe synon të bindë qytetarët rusë se jeta në vendet europiane është e pasigurtë dhe plot rreziqe.

Këto tregime, bazohen zakonisht në ngjarje të parëndësishme, të cilat tregohen si diçka në shkallë të gjerë, apo edhe si një prirje. Kjo lloj narrative përmend kryesisht Francën (16 për qind), Italinë (13 për qind), Gjermaninë (10 për qind), Mbretërinë e Bashkuar (9 për qind) dhe Spanjën (7 për qind).

Perëndimi në rënie

Kjo narrativë, është ndërtuar kryesisht mbi pohimet për mungesën e unitetit, dhe rënien e vlerave morale në vendet europiane, duke përdorur shprehje të tilla si “BE po copëtohet”, “BE është një krijesë artificiale” dhe se “vlerat europiane nuk kanë një bazë të vërtetë”.

Europianët përshkruhen si njerëz me vlera të dobëta dhe të çoroditura. Rusët, përkundrazi, i kundërvihen evropianëve si “bartës të vlerave shpirtërore dhe reale”, dhe atyre që duhet të luftojnë për këta të fundit, ndonjëherë në mënyrë agresive.

Protestat

Të gjithë në Evropë po protestojnë:rojet, punonjësit në sistemin shëndetësor, fermerët, nëpunësit, stafi i Kullës Eifel etj, duke shfaqur mos dakordësinë e tyre me politikën e qeverive – thonë mediat ruse. Menaxhimi joefikas dhe i dobët, çon në pakënaqësi; zërat e njerëzve nuk dëgjohen, dhe kështu njerëzit detyrohen të dalin në rrugë, për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Terrorizmi

Edhe pse sulmet terroriste, mbulohen nga të gjitha mediat në mbarë botën, mediat ruse po përpiqen të krijojnë përshtypjen se për Europën, terrorizmi është një kërcënim i përhershëm. Ndonjëherë edhe krimet që nuk kanë aspak motive terroriste, etiketohen si sulme terroriste. Historia shoqërohet pothuajse gjithmonë me komente mbi dobësinë e policisë dhe shërbimeve të sigurisë.

Kriza e refugjatëve

Kriza e refugjatëve, është interpretuar si një “pasojë e fajit të Europës”, pasi ajo mbështeti SHBA-në, kur kjo e fundit u përfshi në konfliktin sirian. Panorama e përgjithshme që i është shfaqur audiencës, është katastrofa: mijëra emigrantë të uritur dhe të rrezikshëm që janë dyndur në qytetet evropiane, që dëbojnë banorët vendas, kryejnë krime dhe sulme terroriste.

Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë

Mediat ruse, promovojnë mesazhin se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dëmtojnë seriozisht Bashkimin Eurpian, dhe se gjithnjë e më shumë vende të unionit duan t’i anulojnë ato për të mbijetuar. Rusët, përshkruhen shpesh si njerëz që nuk kanë nevojë sistemin e famshëm europian të mirëqenies sociale, për shkak se kanë një busull morale më të vlefshme.

Pra, vetëm në shikim të parë, europianët duket sikur nuk kanë pse të shqetësohen për propagandën e brendshme ruse. Mënyra se si shteti rus i përshkruan evropianët tek popullata e vet, ka ndikim jo vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndërkulturore midis Rusisë dhe vendeve të tjera, por edhe në gadishmërinë e Moskës për të mbështetur politikën e presidentit Putin.

Dhe në planin afatgjatë, kjo mund të ketë pasoja shumë dramatike, siç ka ndodhur me Ukrainën.

Shënim: Liubov Tsybulska, është zëvendësdrejtore e Grupit Analitik të Luftës Hibride në Qendrën Mediale të Krimeve në Ukrainë.

No comments:

Post a Comment