2018-05-22

Ahmadou Kourouma : Allahu nuk është i detyruar

Romani “Allah n'est pas obligé“(Allahu nuk është i detyruar...) rrëfen historinë e një fëmije jetim që niset të shkojë te tezja në Liberi dhe bëhet fëmijë-ushtar.



Ahmadou Kourouma është një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë frankofone. Romani i tij i parë “Les Soleils des indépendances”(Diejt e pavarësisë), çmimi Francité, çmimi Tour-Landry i Akademisë franceze, çmimi i Akademisë Belge më 1968, është një analizë kritike për qeveritë post-koloniale. Romani “Allah n'est pas obligé“(Allahu nuk është i detyruar...) është nderuar me çmimin Renaudot dhe Goncourt des lycéens
“Allahu nuk është i detyruar te jetë i drejtë në gjithçka që ai bën mbi tokë”, thotë shpesh rrëfyesi i romanit të jashtëzakonshëm që ka për autori shkrimtarin Ahmadou Kourouma. Kjo është credo-ja nëpërmjet së cilës ai duron tmerret e jetës në të cilën ai është lindur. Birahima (ky është emri i personazhit kryesor) është një ushtar-fëmijë, i cili merr pjesë në luftërat që përfshinë gjithë Afrikën Perëndimore gjatë viteve 1990, një seancë të së cilës e përjetuan edhe shqiptarët në trazirat e 1997-ës. Por kur kreu i bandës, bajraktari, vritet, çeta me ushtarë e fëmijë marrin arratinë. Birahima e gjen veten,së bashku edhe me fëmijë të tjerë, duke kërcyer sa nga një palë luftuese në tjetrën, secila e drejtuar nga karaktere të veçanta e të shumëngjyrshme. Ai i ofron të gjithëve shërbimet e tij e zgjedh atë që ka racionet më të mira ushqimore dhe kallashnikovët më të rinj. Këta fëmijë kontrollohen nëpërmjet drogave, lutjeve e ushqimit; ushtarët-fëmijë janë aseti më i vlefshëm e, për këtë arsye, më i mirëushqyeri i ushtrisë, por më së shumti nga fakti i thjeshtë se çetat janë familja e vetme që ata kanë. Për këta luftëtarë, me emra si Tete Brulee dhe Kapiten Kid, të cilët grinden e qëllohen me njëri-tjetrin e më pas shpërthejnë në të qeshura, qëllimi i vetëm, ashtu si Birahima, është vetëm një: të gjejnë një familje, çfarëdo familje...

No comments:

Post a Comment