2018-05-22

Besnik Mustafaj: Politika më ka dëmtuar shumë, por eksperienca më bëri të njoh pushtetin nga brenda





Besnik Mustafaj: Politika më ka dëmtuar shumë, por eksperienca më bëri të njoh pushtetin nga brenda




Besnik Mustafaj (Bajram Curr, 23 shtator 1958) është një politikan, diplomat, përkthyes dhe shkrimtar i njohur shqiptar.


Në Tiranë studioi gjuhën frënge në fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.

Karriera
1981 : Mesues në rrethin e Tropojës.
1982 : Pedagog në Universitetin e Tiranës
1983 : Gazetar në gazetën "Zëri i Popullit".
1988 : Përkthyes në Institutin e Studimeve Marksiste Leniniste.
1989 : Punonjës në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve
1990 : Kryeredaktor i revistës "Bota Letrare"
1991 : Përkrah Sali Berishës dhe Azem Hajdarit drejtoi kryengritjen studentore kundër regjimit komunist.
1991 : Deputet në legjislaturën XII të Kuvendit të Shqipërisë.
Më 1991 i ofrohet nga Fatos Nano posti i ministrit të kulturës qe ai refuzon. Më 1992 i ofrohet posti i ministrit të punëve të jashtme që ai gjithashtu refuzon, por pranon postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë, ku shërbeu nga 1992 deri në 1997. Si ambasador ai arriti firmosjen e traktatit të miqësisë midis Francës dhe Shqipërisë, traktati i parë miqësie i Shqipërisë me një vend perendimor që nga paktet e Tiranës të viteve 1930. Ai gjithashtu qe negociatori i hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Më 1997 ai jep dorëheqjen pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste dhe rikthehet në Shqipëri, ku ai do të pranoj postin e drejtorit për marrëdheniet me jashtë të Partisë Demokratike.

2001 : Deputet i Tiranës.
2005 : Rizgjidhet deputet në të njejtën zonë elektorale në Tiranë.
12 shtator 2005 emerohet minister i puneve te jashtme.
Tituj të veprave
Veprat e tij janë të botuara në shumë gjuhë si shqip, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, greqisht etj. Ka fituar çmimin Mesdhetar për letërsi me librin e tij "Daullja prej letre" më 1997[1].

Motive të gëzuara (1978)
Pragu i verës (1985)
Fytyrë burri (1987)
Bregu i lumit të kthjellët (1986) 
Vera pa kthim (1989)
Shqipëria, midis krimeve dhe mirazheve
Një sagë e vogël
Daullja prej letre
Ditari i një ambasadori në Paris
Boshi
Autoportret me teleskop
Bishti i kometës
Ëndrra e doktorit - 2016

Etj.

(Floripress,Flori Bruqi)

Takimi me poezinë është si rigjetja e dashurisë së parë, si kthim në origjinë, te vetja, si bir i Adamit. Poeti Besnik Mustafaj zhvilloi dje një takim me studentë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në kuadër të “Ditënetëve të librit”, sjell Panorama. Dhe për poezinë mund të flasë vetë poezia. Mustafaj kishte zgjedhur të ndante me të rinjtë pikërisht poezitë e vëllimit të tij më të fundit me poezi, “Biri i Adamit”.

Një përmbledhje e botuar disa muaj më parë dhe që shënoi edhe rikthimin e Mustafajt si poet, pas 20 vjetësh. Një përmbledhje që përshkruante rrugëtimin e tij poetik. Një rrugëtim shpirtëror, plot dashuri për jetën, për gruan, për tjetrin. “Poezia vjen realisht shumë rrallë, vjen herë pas here, sepse është shumë naziqe, është pretencioze. Unë ndihem mirë, si në dashurinë e parë, sepse e kam filluar letërsinë, të shkruarit, me poezi. Krijimet e mia të para janë poezi dhe botimi i parë është me to. Unë ndihem shumë mirë, ndihem “i pangopur” sepse nuk vjen shpesh.


Proza është edhe disiplinë në masën 90 për qind. Romani do disiplinë, që të ulesh edhe të shkruash. Ndërsa, poezia nuk e kërkon këtë disiplinë, por kërkon një energji suplementare brenda vetes, që është si shkreptimat dhe rrallë ndizet”, do të thoshte Mustafaj pas takimit, i cili u përqendrua më së shumti te leximi i poezive.

POLITIKA

I ndodhur mes poezisë dhe prozës dhe për një periudhë jo të shkurtër edhe mes letërsisë dhe politikës, Mustafaj është përpjekur gjithnjë ta gjejë një të mesme. Edhe kur politika dukej sikur ishte primare, letërsia ishte gjithnjë aty. Thotë se politika e ka ndihmuar po aq sa e ka penguar, duke i ngrënë kohë. “Politika më ka ndihmuar, përveçse më ka dëmtuar shumë, duke më marrë kohën. Ka lënë gjurmë. Ka një rivalitet të madh, sepse janë dy pushtete të ndryshme. Pushteti i politikanit është një pushtet i përkohshëm, ndërsa i të shkruarit letërsi është një pushtet etern, i përjetshëm.

Por, përveçse më ka marrë kohën, që është një padrejtësi e madhe, që ia ka bërë letërsisë edhe më ka dhënë një përfytyrim, që nuk mundet ta merrja kurrë nga jashtë, lidhur me rolin e pushtetit në deformimin e njeriut, në shkatërrimin e disa vlerave, që një poet do të donte që të zgjateshin në jetën e një individi. Pra unë besoj, se eksperienca në politikë më ka lejuar që ta njoh pushtetin nga brenda. Edhe njohja e pushtetit nga brenda i shërben shumë shkrimtarit”, tha ai.

POEZIA

Takimi i djeshëm ishte një ftesë prej poetit, drejt poezisë, të cilën ai e konsideron si pjesën më të mirë të letërsisë shqipe. “Unë besoj se poezinë shqipe e kemi shumë më të zgjeruar, sesa prozën shqipe. Unë besoj se në mesataren e përgjithshme, jo individualitete të veçanta, ne sot kemi një poezi shumë më moderne edhe më cilësore, sesa një prozë. Flas gjithnjë për një mesatare. Kjo nuk mendoj se është shprehje e mungesës së talenteve për të shkruar prozë, por mungesës së vullnetit edhe të mundësive, që kanë këta individë për të shkruar, sepse të shkruash prozë kërkon përkushtim shumë të madh, kohë fizike edhe një minimum kushtesh jetësore.

Që të shkruash një roman duhet ta bësh për përreth 5 deri në tetë orë në ditë. Këtë mundësi nuk e kanë njerëzit që duan të fitojnë bukën e gojës, ata nuk kanë këtë kohë, se duhet që të bëjnë një punë tjetër. Përveç kësaj, mendoj unë, është edhe problemi i një mungese përqendrimi, që e ka gjenerata e re, e njerëzve të letrave. Intelektualisht ka mungesë përqëndrimi, sepse merret me shumë gjëra, ndërkaq që të shkruash romane të mira, duhet që të punosh vetëm me romane”, tha Mustafaj.

I ndodhur përpara një auditori të ri, që profesionin e kanë të lidhur domosdoshmërisht me letërsinë dhe përkthimin, poeti u shpreh se është shumë e vështirë për një të ri të mbijetojë me anë të të shkruarit. “Nuk arrin që të jetosh. Prandaj, duke bërë shumë punë, duhet që të fitosh bukën e gojës. Babai duhet që t’u lërë një pasuri ose shteti duhet që të ndërhyjë për të ndihmuar talentet e vërteta.

Një letërsi e madhe, që të jetë edhe të shfaqet e madhe, edhe përpara botës edhe shqiptarëve, duhet që të shkruajë shumë romane”, tha Mustafaj. Personalisht, edhe pse ia njeh primatin poezisë, është duke shkruar një roman, të cilin shpreson ta ketë gati përpara panairit të nëntorit. “Po shkruaj një roman. Ndërsa, poezia vjen herë pas here, nuk është një burim që rrjedh, por është si një vullkan që shpërthen herë pas here. Besoj se para panairit të nëntorit do të jetë gati”, tha Mustafaj.

No comments:

Post a Comment