2018-05-30

Biseksualizmi i profesionistit të shëndetit në tërësi, fenomen i degjenerimit të farmacistit në veçanti!


Image result for Arian JAUPLLARI

Arian JAUPLLARI


Në shoqërinë shqiptare gjatë 23 viteve të tranzicionit, kanë ndodhur fenomene shumë të çuditshme që po dëmtojnë rëndë kategori të caktuara profesionistësh. Këto fenomene nuk lidhen thjesht me interesat shkencore të profesionistëve, por me interesat e tyre ekonomike vetjake. Fenomeni i heteroseksualizmit profesional filloi pas viteve 90, si mënyrë e mbijetesës, në përshtatje me ndryshimet që po përjetonte shoqëria shqiptare në tranzicion. Ndërkohë, që disa profesione po humbisnin terren, disa të tjera po bëheshin më të preferuarat, duke e filluar me juristët, ekonomistët e deri së fundmi me farmacistët. Po cilat janë disa nga pasojat e këtij fenomeni?

Së pari, orientimi i çastit për gjithë shoqërinë drejt shkollës se lartë në një profesion të preferuar.

Së dyti, investimi i të ardhurave familjare për të pasur një diplomë, e cila mund të shpërblejë investimin e kryer.

Së treti, nxitjen e asaj pjese të shoqërisë, që mendonte të investohej në arsimin e mesëm profesional, drejt universiteteve me dyer të shqyera.

Së katërti, propogandimin se, brezi i ri që nuk fiton të drejtën e studimit në Universitetin Shtetëror mund ta marrë atë tek privati.

Së pesti, hapja pa kriter e universiteteve private ka tejkaluar të gjitha parashikimet e numrit të të diplomuarve.

Ky fenomen “polli”, në këtë tanzicion të zgjatur, një shtresë të re shoqërore, e cila është kategorizuar si shtresa në pritje për t’u punësuar. Kjo shtresë po shtohet me shifra marramendëse të frikshme ndërkohë që vendet e punës pakësohen. Ajo mbetet e pashpresë dhe shkon drejt degjenerimit të një shtrese parazitare . Ky parazitizëm është në radhë të parë për familjet e gjithë secilit në veçanti, por dhe shoqërisë shqiptare në tërësi. Më pasoja shumë më të rënda për të gjithë është shtrirja e këtij fenomeni edhe te profesionistët që kanë në dorë shëndetin e njerëzve, sepse vihet në rrezik jeta. Pas vitit 2005 të gjithë ata që investuan në ato fusha, që për fat të keq, më vonë i lanë ata pa punë, iu drejtuan profesioneve të shëndetit, madje u propogandua se shëndetësia është e vetmja fushë, ku mund të investohej. Kjo politikë liberale e tregut të lirë, e ka dëmtuar rëndë sistemin shëndetësor shqiptar. Vendin e parë e zuri profesioni i infermierit dhe tashmë në plan të parë ka dalë ai i farmacistit. Masivizimi i infermierëve me universitet arriti të krijojë edhe në këtë profesion shtresën në pritje. Presioni i kësaj shtrese ndaj të punësuarve më arsimin e mesëm profesional, bëri që këta të fundit të detyrohen për të blerë diploma universitare, shtuar këtu dhe presionin e punëdhënësve për largimin nga puna. Shtimi i radhëve i të të papunëve jo vetëm që nuk u ul por u shtua edhe më tepër për shkak të superprodhimit universitar. Shfryrja u gjend shumë lehtë. Mund të blejmë një diplomë farmacisti në tregun e lirë të universiteteve. I njëjti fenomen po ndodh edhe me mjekët, të cilët po ndihen të kërcënuar nga superprodhimi pasi tashmë është shtuar dhe diplomimi nga privatët, duke i kthyer sytë edha ata nga profesioni i farmacistit. Biseksualizimi brenda profesionistëve të shëndetit është përhapur shumë vitet e fundit. Ky fenomen përveç pasojave që përmendëm për të gjitha profesionet ka sjellë edhe disa pasoja shtesë:

Së pari, Zhvlerësimin e profesionit të farmacistit , deri në një profesion që mund ta ushtrojë kushdo.

Së dyti, kthim prapa si në kohën kur profesionet ishin të pa ndara.

Së treti, korrupsion dhe abuzim me profesionin si i vetmi qëllim i këtij heteroseksualiteti profesional.

Sot numërohen një numër i konsiderueshëm mjekësh dhe infermierësh, të cilët pranë qendrave shëndetësore, ku janë të punësuar, kanë hapur ose administrojnë farmacitë e tyre duke mbyllur ciklin e korrupsionit. Ka dhe mjekë spitalesh që operojnë me të njëjtën mënyrë dhe i mbajnë farmacitë me klientelizmin e tyre, falë mungesës kronike të barnave spitalore, derisa të marrin edhe këta diplomën e farmacistit e të mbyllin ciklin. A mund të imagjinohet që mjeku vetë të vizitojë dhe vetë të ekzekutojë recetën e tij për t’i dhënë barnat të sëmurit ?! Qysh në shekullin e IX me ligj është ndarë profesioni i mjekut nga ai i farmacistit. Nuk ka asnjë shembull të tillë në botën e qytetëruar. Po ju them me bindje se, si pasojë e këtij fenomeni korruptiv, recetave fiktive të lëshuara dhe të ekzekutuara nga këta hemafroditë profesionalë, pa përjashtuar këtu dhe lidhjet e tjera korruptive mjek farmacist në tërësi, rreth 10% e buxhetit të ISKSH shkon në favor të këtij korrupsioni. Rruga e lirë e këtyre fenomeneve erdhi si pasojë e politikave të gabuara të tregut të lirë të farmacive, por jo vetëm, edhe shërbimit të liberalizuar farmaceutik duke zhvlerësuar profesionin e farmacistit pasi atë mund ta bëjnë edhe mjekët e infermieret, ndonëse në momentin e parë nuk e kanë zgjedhur, sepse ka qenë ideja e programit më të vështirë se sa degët e tjera të mjekësisë. Kërkesat e vazhdueshme të farmacistëve dhe Urdhrit të Farmacistëve se këtë profesion duhet ta ushtrojë vetëm farmacisti, ai ka të drejtë të hapë dhe të mbajë hapur një farmaci dhe askush tjetër, nuk kanë qenë thjesht për interesa ekonomike, por për interesa të profesionistëve dhe përdoruesve të barnave. Nuk ka të drejtë që një profesionist i shëndetit të mbajë dy leje ushtrimi profesioni edhe atë të mjekut ose infermierit edhe atë të farmacistit, kjo është e ndarë qysh në krye të herës dhe nuk mund ta bashkojnë dëshirat dhe hamendjet e ndryshme për qëllime përfitimi. Këto janë profesione të rregulluara me ligje të veçanta dhe kështu do të jenë, sepse dhe eksperiencat e vendeve ku duam të integrohemi kanë këtë lloj organizimi dhe ne ju jemi referuar atyre. Pasojat e këtyre fenomeneve që përmendëm më sipër, por dhe shumë të tjerave që janë thënë e stërthënë , bien mbi kurrizin e atij që ne të gjithë përbetohemi, PACIENTIN. Ai vetëm teorikisht është në qendër të sistemit shëndetësor, sepse në fakt nuk është as në anë të tij, por një satelit që vërtitet herë më afër dhe herë më larg tij. Me të po abuzohet shëndetësisht dhe ekonomikisht. Farmacisti është profesionisti i fundit që komunikon me pacientin përpara se ai të marrë barnat. Ne profesionistët e vërtetë duhet ta duam dhe ta mbrojmë pacientin, sepse nëpërmjet kësaj mbrojmë edhe profesionin. Makutëria e jo profesionistëve dhe pseudo profesionistëve është e rrezikshme. Të gjithë ata që padrejtësisht janë futur në profesionin e farmacistit ose që kërkojnë, apo kanë ndërmend ta bëjnë këtë, duhet të ndalojnë këtu. Ligji duhet të veprojë. Nëse nuk e bëjmë sot, që ka akoma kohë, nesër do të jetë shumë vonë. Dëgjojmë të thuhet se jo të gjitha gabimet e mjekësisë i mbulon dheu. Çdo kush që e kupton këtë, duhet t’i thërrasë ndërgjegjes. Është në të mirën tonë të përbashkët që ta ruajmë dhe ta zhvillojmë më tej bashkëjetesën profesionale. Ajo është dhe do të mbetet përgjithmonë shumë më e mirë se biseksualizmi profesional.

No comments:

Post a Comment