2018-05-30

BREDHARAKU

Image result for Vjollca Tiku Pasku

Vjollca Tiku Pasku


Ai ecte në rrugë duke mbajtur në shpirt një kupë vuajtjesh. Aromat e pranverës që kishte shpërthyer, i dukeshin si aromat e luleve që do kishte arkivoli i tij. Këngën e bilbilave e kthente në një muzikë funebër, që do ta shoqëronte deri në banesën e fundit. Në qiell ku dominonte kaltërsia, thellë thellë fshiheshin ato re të errta që do zbraznin vrerin e lëngët në kokën e tij. Zogjtë i imagjinonte sikur ishin lajmëtarët lidhës mes qiellit dhe tokës. Asnjë mëkat nuk mund të fshihej dot, sepse këngëtarët e shkruanin në këngën e tyre, dhe e kthenin në melodi. Trëndafilat ulnin kokën kur kalonte ai. Më pas i pëshpëritnin me njëri -tjetrin. Furtuna e mbledhur se shpejti do të shpërthente. Kapakët e syve i përloste vazhdimisht dhe kripa ia bënte syrin të kuq. Hidhërimi i tretej përmes dhëmbëve të shtrënguara. Imagjinonte se vdekja po i vinte dhe fashoja e bardhë do i qarkonte nofullat e do të ishte vula përfundimtare. Ah sikur mendimi se”ishte i sëmurë dhe vdekja ishte pranë” endur për ditë dhe net me radhë të ishte i gabuar. Ishte tridhjetë vjet, emigrant në Greqi. I vetëm kishte bredhur në çdo skutë të Greqisë. Ishte qejfli i madh femrash. Kishte shijuar gra të ngjyrave dhe racave të ndryshme. I ishte fiksuar se kishte AIDS. Tani qëndronte para derës së laboratorit të analizave njësoj si përpara portës ku do të dilte dënimi me vdekje. U mbajt fort pas kangjellave që rrethonin lulishten e vogël, zgjati dorën dhe këputi një zambak të kuq. Drita e kuqe iu duk si një qiri i ndezur në dorë e tij, dhe qenia e tij po pëshpëriste një lutje.
“O Zot më fal. Nuk do bredh më. Do krijoj një lidhje serioze , dhe të kem një familje të shëndoshë. O Zot mos ma pre jetën në mes, do të bëhem njeri i mirë.” Hapi derën e laboratorit si derën ë ekzekutimit dhe hyri brenda.
-Dua te flas me doktoreshën –i pëshpëriti ai infermieres, duke iu marrë goja. Doktoresha një grua e urtë e shtruar dhe mbi të gjitha një profesioniste e zonja e dëgjoi me durim dhe e qetësoi me zërin e saj karakteristik.
-Nëse keni marrë masa mbrojtëse çdo rast kur keni kontaktuar , rreziku është i vogël, megjithatë analizat do ta tregojnë. Por sido që të tregojnë analizat ato duhen përsëritur pas gjashtë muajve –tha ajo.
Ai u ul gjysmë i qetësuar dhe infermierja i mori gjak nëpërmjet një pickimi të lehtë fluture.
Flutura gjigante e vdekjes po i largohej ngadalë nga zëri shërues i doktoreshës.
Teksa shikonte atë masë të vogël të gjakut që rridhte nga damari i tij mendonte se “pikërisht ajo masë ndante dimensionet e jetës me vdekjen. Viruset vrasëse fshiheshin dhe prisnin ta kafshonin , ta godisnin, ta mundonin derisa ti merrnin jetën, duke shfrytëzuar epshin e kënaqësisë dhe ndoshta pakujdesisë në ndonjë rast. Kështu diafragma e frymëmarrjes do ndalej dhe jeta merrte fund. Jo nuk është e vërtetë. Kërma ime nuk do të hahet që tani nga krimbat”
Pas katër orësh ankthi, mori përgjigjen e analizave. Ishin negativ. Falënderoi doktoreshën dhe i gëzuar ngriti sytë drejtë qiellit e tha.
“ O Zot nuk e kisha seriozisht atë lutje” dhe iku.



****

Vjollca Tiku Pasku lindi në Fier me 12 qershor 1969. Në vitin 1987 mbaroj gjimnazin e ri, sot Perikli Ikonomi . Me pas vazhdoi studimet për teknologji ushqimore . Punoi si teknologe për 3 vjet . Ne 1996 emigroj ne Greqi së bashku me familjen . U kthye sërish në vendlindje ne 2009. Për pesë vjet punoi në biznesin e saj familjar, për të emigruar serish në Gjermani ku punon dhe jeton aktualisht. Ka filluar te shkruaje shumë herët megjithëse botimi i parë është në vitin 2013 me librin "Firzarmonika e ndjenjave" duke pritur dritën e botimit edhe libra të tjerë në poezi dhe prozë.

No comments:

Post a Comment