2018-05-07

Dosjet e UDB-së në Kosovë nuk po hapen, pasi UDB-ja ende po e udhëheq Kosovën


UDB-ashët kontrollojnë shtetin, BLLOKOHET HAPJA E DOSJEVE


PUSHTETIT AKTUAL U KONVENOJNË SPIUNËT E SERBISË

Mehmeti: Dosjet e UDB-së në Kosovë nuk po hapen, pasi UDB-ja ende po e udhëheq Kosovën


"A e dini ju se ka këshilltarë që sot paguhen nga UDB-ja dhe janë në Qeveri, në Presidencë, në Kuvend dhe në çdo bandë politike, a e dini ju se Hashim Thaçi i ka dy këshilltarë që kanë bashkëpunuar me UDB-në serbe dhe se akoma bashkëpunojnë me krerët serbë? Dhe, le të marrë guximin dikush nga Presidenca e të demantojnë dhe unë do t'i them me emër dhe mbiemër se me kë kanë bashkëpunuar në Prizren dhe në Prishtinë", tha analisti Reshat Badallaj për "Kosova Sot"

E dhe pse Kosova po kalon afro 20 vjet, dy dekada të plota, pas çlirimit nga okupatori serb, deri më tani askush nuk e kërkoi zbardhjen e dosjeve sekrete të UDB-së. Analistët politikë dhe qytetarët e anketuar konsiderojnë se në këtë drejtim ky do të duhej të ishte hapi i parë pas çlirimit për të vepruar dhe distancuar nga ajo strukturë kriminale, zbardhja e dosjeve sekrete të UDB-së, sepse gjithmonë pas çdo përmbysje të sistemeve të kaluara, me luftë ose pa të, automatikishtkërkohen bashkëpunëtorët, të cilët i shërbyen sistemit tjetër për të mbijetuar respektivisht sunduar. Sipas opinionistëve të gazetës, arsyeja se pse kjo nuk ka ndodhur në Kosovë është fakti se pasi në institucionet e reja të shtetit akoma po vazhdojmë të kemi sunduesit e njëjtë të sistemeve të kaluara të Serbisë, ose bijtë e mbetjet e tyre, por të konvertuar e kamufluar në kinse "patriotë" të vendit. Në një shkrim autorial të veprimtarit dhe analistit Reshat Sahitaj, ai e shtron pyetjen se si shpjegohet që pas luftës në skenë na dolën personalitetet e sistemit të kaluar, si: Baton Haxhiu, Shkëlzen Maliqi e shumë e shumë të tjerë, që i ndihmuan Serbisë para luftës, i ndihmuan fshehtas gjatë luftës dhe tani edhe më shumë pas luftës?Analisti Sahitaj shkruan se mesazhi që bën fotografia e fundit, e bërë më 5 maj në shtëpinë e Sami Lushtakut, është mesazh që Serbia ia dërgon popullit shqiptar për të na bërë me dije se Serbia edhe sot e kontrollon Kosovën nga i vogli deri te më i madhi personalitet politik e kulturor. "Fotografia e fundit, e bërë më 5 maj në shtëpinë e Sami Lushtakut, nuk ka tjetër koment përpos mesazhit që Serbia ia dërgon popullit shqiptar për të na bërë më dije se Serbia e kontrollon Kosovën nga i vogëli deri te më i madhi personalitet politik e kulturor". Sipas vlerësimit të opinionistëve, por edhe të qytetarëve, po qe se nuk zbardhen dosjet sekrete të UDB-së më shpejt, Kosova do të mbetet e varur dhe e nënshtruar e sunduar nga Serbia, përmes njerëzve të saj të instaluar, deri në majat e pushtetit edhe për shumë dekada të ardhshme, prandaj duhet që zbardhja e dosjeve të ketë një qëllim, e ai është që bashkëpunëtorët e UDB-së të largohen nga postet politike në rend të parë, e në rend të dytë ata të mos kenë asnjë post me përgjegjësi, si drejtorë të shkollave, të medieve etj. Gazetari ka kërkuar prononcimin edhe të të apostrofuarve Baton Haxhiu, Shkëlzen Maliqi dhe Veton Surroi, por nuk janë përgjigjur.

Shkodra:Gjyqësia dhe Prokuroria janë të uzurpuara nga politika

Sipas analistit Shefik Shkodra, në fillim UNMIK-u ka qenë me atëpushtetin e vet që i ka zgjedhur kudo ata që ishin lojalë ndaj Serbisë së dikurshme. "Madje edhe shumë prej tyre ishin shërbyes politikë, natyrisht duke prekur tinëzisht edhe më tutje personalitetet që ishin dhe janë për një Kosovë të re. Devotshmëria e këtyre njerëzve për ta ngritur në këmbë të veta me të gjitha institucionet e nevojshme, me njerëz të dijes e të dashurisë për këtë vend, nuk u lejuan të marrin frymë. Kjo vijoi edhe nga interesi i atyre që e quanin veten "patriotë" me zë e me formë, por realiteti tregoi diçka tjetër", u shpreh ai. "Një vlerësim i kuadrove, sidomos në vende të rëndësishme, do të duhej të ishte bërë kaherë, sidomos pas 2008-ës, në mënyrë që të pastrohet shteti. Por, gjithnjë me kujdes, pa bërë fushata e në mënyrë joseleksionuese. Të gjithë ata që ishin për të na i mbyllin sportelet dikur, madje edhe me sharje e kërcënime do të duhej që ta braktisnin institucionin në udhëheqje", vijoi më tutje Shkodra. Sipas tij, ky pushtet nuk i ka dëshiruar kuadrot e reja."Nuk e kanë dëshiruar pastrimin. Shkaku është interesi i bashkëpunimit me oligarkët dhe pasurimi i paskajshëm (për disa) pa u lodhur. Gjyqësia dhe prokuroria janë të uzurpuara nga politika", potencoi ai për "Kosova Sot".

"Shoqëria jonë nuk ka opozitë të mirëfilltë dhe nuk ka organizime qytetare që t'i hyjë një pune mjaft me rëndësi", tha Shefik Shkodra për "Kosova Sot"

ALIU:SI KA MUNDËSI QË NJERIU, I CILI PËR DEKADA TË TËRA KA BASHKËPUNUAR ME STANISHIQIN, SOT TË JETË KËSHILLTAR A MENTOR I "MAJAVE TË PUSHTETIT"?!

Analisti Bislim Aliu thekson se vërtet është diskutabile pse në Kosovë, edhe pas afro 20 vjetësh pas çlirimit nga okupatori serb, askush nuk e kërkoi zbardhjen e dosjeve sekrete të UDB-së!? Ai thotë se zbardhja e dosjeve sekrete pas përmbysjes së ndonjë sistemi është hapi i parë, posa pushteti të merret nga çliruesit, siç edhe kemi shumë raste në botë; si: Polonia, Çekosllovakia, Gjermania, por edhe ndryshimet në Shqipëri, nga sistemi totalitar në sistem pluralist! Ndaj, Shqipëria dhe Kosova janë vendet e vetme në botë që nuk e kanë bërë asnjë hap në këtë drejtim."Te ne, në Kosovë, pas luftës automatikisht ishte dashur të kërkohen bashkëpunëtorët, të cilët i shërbyen sistemit tjetër.Arsyeja se pse kjo nuk ka ndodhur në Kosovë, pasi vazhdojnë të kemi sunduesit e njëjtë të sistemeve të kaluara të Serbisë, por të konvertuar në 'patriotë' të vendit.Ndaj, ata që ishin bashkëpunëtorë të Serbisë, para luftës, gjatë luftës, por edhe pas luftës, duhet të gjykohen dhe mos të lihen që të veprojnë edhe më tej në Kosovë", u shpreh ai."Po qe se nuk zbardhen dosjet sekrete të UDB-së në Kosovë, do të mbetet e varur dhe e nënshtruar nga Serbia, përmes njerëzve të saj të instaluar deri në majat e pushtetit edhe për dekada të ardhshme.Zbardhja e dosjeve duhet të ketë një qëllim, pra bashkëpunëtorët e UDB-së, të largohen sa më parë nga postet politike, në rend të parë, e në rend të dytë, ata të mos kenë asnjë post udhëheqës dhe me përgjegjësi; si drejtorë të shkollave, të medieve, apo në vende udhëheqëse me përgjegjësi", vijoi më tutje Aliu."Si ka mundësi që njeriu, i cili për dekada të tëra, ka bashkëpunuar me Stanishiqin, para e pas luftës, sot të jetë këshilltar a mentor i "majave të pushtetit" për afro 19 vjet, e të bashkëpunojë me krerët e politikave shqiptare në të dyja shtetet shqiptare?! Përderisa ka kësi këshilltarë e mentorë në majat e politikës shtetërore, siç është rasti me B.Haxhiun, atëherë është e kuptueshme se Serbia përmes tij do të vazhdojë që ta njohë politikën e brendshme shtetërore, por besa edhe të përzihet në punët e brendshme të shtetit, siç është rasti te ne në Kosovë.Andaj, përderisa ka njerëz që me dekada kanë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë, ata nuk dëshirojnë zbardhjen e dosjeve sekrete të UDBsë, meqë do të zbardheshin fytyrat e vërteta të 'patriotizmit' veprues të tyre", potencoi ai."Është jashtëzakonisht e domosdoshme që të zbardhen këto dosje sekrete dhe të dihen njëherë e përgjithmonë fytyrat e vërteta patriotike dhe, në anën tjetër, fytyrat e rrejshme "patriotike", të cilët po veprojnë lirshëm te ne në Kosovë!", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot".

BADALLAJ: THAÇI I KA DY KËSHILLTARË AGJENTË TË SERBISË

Analisti politik Reshat Badallaj pretendon se ai edhe personalisht ka fakte të bollshme që tregojnë dhe e bëjnë atë të jetë i bindur se bllokimi i dosjeve të UDB-së, që të mos hapen ato, qëndron në faktin se njerëzit e këtij shërbimi janë futur thellë në politikën kosovare, në institucione dhe në medie, që e dirigjojnë edhe politikën si tërësi në shërbim të Serbisë."Po si i hapen udbashët dosjet, duhet t´i hapim ne dhe t´i zbardhim spiunllëqet e tyre që janë në majat e shtetit.Me këtë pyetje jam i detyruar të shkruaj për veten, jo pse dua, por e përsëris se i vetmi me kohë mora guximin të zbuloj dosjet e langonjve, zagarëve, udbashëve..., që kanë burgosur, kanë vrarë shqiptarët dhe kanë humbur pa shenjë e pa u dukur.Kam zbuluar dosjen e spiunëve babë e birë të Baton e F.Haxhiut, kam zbuluar dosjet babë e bir, të Veton e R. Surroit, pastaj kam zbuluar dosjet babë e bir të Shkëlzen e M.Maliqit.Pastaj kam zbuluar edhe dosjet e udhëheqësve dhe themeluesve të LDK-së, që jo vetëm që kanë qenë udbashë të tmerrshëm,por edhe që i janë shitur falas UDB-ës serbe pa asnjë dinar kundër shqiptarëve, kam zbuluar dosjet jugosllave të kriminelit Bashkim Hisari në vrasjen e vëllezërve Jusuf, Bardhosh Gervalla dhe Kadri Zeka, e shumë e shumë dosje tjera që vetëm me emër me i përmend mbushen 100 e ca faqe, që të gjitha mund t´i gjeni në 'google' të gjitha dosjet e tradhtarëve të kombit, me emër e mbiemër te spiunet dhe tradhtarët në zonën kufitare, pastaj kam zbuluar dosjen e deputetit të deridjeshëm të LDK-së, që për vrasje të shqiptarëve që ishte dekoruar nga kryetari i Kryesisë së Jugosllavisë së asaj kohe, Borisav Joviqi, bile edhe me fotografi dhe ky ish-deputet i radhëve të LDK-së merrte rroga nga djersa e kosovarëve dhe shumë e shumë dosje tjera, që këto ditë do t'i publikojë edhe disa dosje pas 30 vjetësh, në faqen time në 'Facebook'", thotë Badallaj për 'Kosova Sot'.Ai tani thotë se është i sigurt që tani nuk e kërkon askush zbardhjen e dosjeve, sepse janë bashkë kriminelët, udbashët, hajnat, matrapazët dhe ata e qeverisin vendin."Kur e them këtë e them me përgjegjësi të plotë se shteti është në duart e banditëve, hajnave, kriminelëve, udbashëve, që jam i gatshëm në çdo kohë të arsyetoj ketë.A e dini ju se ka këshilltarë që sot paguhen nga UDB-ja dhe janë në Qeveri, në Presidencë, në Kuvend dhe në çdo bandë politike, a e dini ju se Hashim Thaçi ka dy këshilltarë që kanë bashkëpunuar me UDB-në serbe dhe se akoma bashkëpunojnë me krerët serbë.Dhe le të marrë guximin dikush nga Presidenca e të demantojnë dhe ne do t'i themi me emër dhe mbiemër se me kë kanë bashkëpunuar në Prizren dhe në Prishtinë.Në dorë i kam unë ata", tha Reshat Badallaj

MEHMETI: NUK PRITET QË TË ZBARDHET DOSJA E UDB-SË, PASI RRJEDHIMISHT DO TË DËRGONTE NË BURG ATA QË JANË NË KRYE TË SHTETIT

Analisti politik Faton Mehmeti mendon se dosjet e UDB-së në Kosovë nuk po hapen pasi që, sipas tij, UDB-ja ende po e udhëheq Kosovën, pasi njerëz të saj janë akoma prijës të shtetit."Andaj, nuk pritet që të zbardhet dosja e UDB-së, pasi rrjedhimisht do të dërgonte në burg ata që janë në krye të shtetit.Dhe kjo nuk lejohet të ndodhë, e as që pritet.Në këtë sens është e kuptueshme pse ende nuk është zbardhur dosja e UDB-së, e për rrjedhojë as që pritet të ndodhë një gjë e tillë", u shpreh Mehmeti."Njerëz të UBD-së janë të fuqishëm si në politikë, në media të tyre dhe janë ekonomikisht shumë të fortë, prandaj forca e tyre është kaq e madhe dhe prezent në vendin tonë.Në fakt UDB-ja është më prezent në mesin e atyre që shtiren si heronj, trima të luftës, në emër të së cilës kanë arritur të vjedhin këtë popull të varfër dhe të falimentuar.Njerëz të Stanishiqit janë ndër faktorët kryesorë në vend, e të cilët këtë fuqi e kanë marrë për shkak të spiunazhit që kanë bërë dhe vazhdojnë ende ta bëjnë.Kjo edhe është poenta e tyre, e cila Kosovës i ka sjellë mjaft dëme të mëdha", theksoi ai."Besoj se pa u ndërruar kjo klasë politike, e cila është e lidhur me UDB-në, Kosova nuk mund të mëtojë se është çliruar nga Serbia", tha Faton Mehmeti për "Kosova Sot".

Qytetarët dyshojnë te politikanët agjentë

Qytetarë të anketuar nga gazeta lidhur me mosveprimin e asnjërës nga qeverisjet e deritanishme të pasluftës, për të zbardhur dosjet sekrete të UDBsë, dyshojnë dhe besojnë që kjo nuk bëhet pasi edhe vetë shumë nga ta mund të jenë pasardhës të afërt të brezit të ish-udbashëve, madje dyshohet se edhe në institucionet e tanishme të Kosovës ka njerëz aktivë që e kanë të kaluarën e ngarkuar me hipotekë të regjimit të UDB-së. Një mendim të tillë e ka qytetari Idriz Ejupi."Shikoni, ata që duhet me i hapë janë në vendet kyçe, qeveritarët tanë dhe ata nuk duan që ato t'i hapin vetë, sepse janë vetë pjesëmarrës në ato gjëra. Jo vetëm që janë pjesëmarrës, por edhe e kanë krijuar klanin, të gjitha janë këto dhe kështu tani shkon sistemi krejt si zinxhir, që sillet dhe nuk luan nga vendi. Sipas mendimit tim, ishalla vetëm rinia e merr qeverinë në dorë dhe bëjnë diçka, se për ndryshe sa të jenë këto klane kot e kemi", tha Ejupi për "Kosova Sot". Dyshim të tillë ka edhe qytetari Myfail Gashi."Unë mendoj që këtë veprim nuk e bëjnë, sepse kjo qeveri dihet se si ka ardhur në pushtet. Në këtë vendin tonë, në Kosovë, kanë ardhur me dhunë, me forcë, e kanëmarrë pushtetin në dorë dhe nuk munden kurrsesi që t'i zbardhin ato dosje, sepse dyshohet që edhe vetë janë pjesëmarrës të atyre dosjeve, që i kanë bërë ato krime, por një ditë, herët apo vonë, besoj se do të zbardhen patjetër", u shpreh ai. "Unë po besoj që do të vijë në pushtet një gjeneratë e re e politikanëve, një qeveri e re, që duhet njëherë e përgjithmonë t'i ndajë të këqijat dhe jo që të lihet kështu si deri më tani. Nuk është këtu vetëm puna e krimit, por edhe ka shumë hajni dhe parregullsi në qeverisje që janë bërë prej këtyre që 18 vjet rresht, për çka edhe ky popull mbaroi nga mjerimi e papunësia, kurse këta janë bërë milionerë", tha Myfail Gashi për "Kosova Sot". Po ashtu mendon edhe qytetari tjetër, Sabedin Makolli."Mua ma merr mendja që edhe vetë politika i ka fajet. Ka aty akoma njerëz komunistë, sigurisht në Parlament, edhe për këtë shkak nuk hapen dosjet. Unë mendoj se kështu duhet të presim derisa të ndërrohen politikanët. Pa u ndërruar kjo strukturë nuk ka zgjidhje", tha Makolli për "Kosova Sot".



Burimi: http://www.kosova-sot.info/lajme/269777/udb-ashet-kontrollojne-shtetin-bllokohet-hapja-e-dosjeve/

No comments:

Post a Comment