2018-05-05

Piktura, gjahu dhe krimi në pëlhurën e prozës së Kadaresë

Fragment

Kalorësi skifter

Piktura, gjahu dhe krimi në pëlhurën e prozës së Kadaresë


Nga Laura Smaqi

Prania e pikturës në një krijim letrar, porej poezisë tek romani, është jo fort e rrallë. “E ftuar” në letërsi, piktura mund të luajë role të ndryshme, që nisin me dekorin dhe shkojnë drejt funksioneve shumë më komplekse. Janë të shumtë shembujt e kësaj pranie, të funksionalizuar me synime të ndryshme, të cilat gjenerojnë efektet përkatëse. Në mënyrë të veçantë romani gotik, poezia e Bodlerit, Wilde, dhe mjaft autorë bashkëkohorë kanë krijuar një linjë të veçantë krijimesh, në të cilat artet bashkojnë fuqitë, duke shtuar sugjestionin e duke ndikuar ndërsjelltas. Në rastin që po trajtojmë, piktura “Kalorësi skifter”, që i jep titullin romanit të Kadaresë, luan një rol jo vetëm qendror, por njëherësh atë të një magneti që i tërheq të gjitha fijet dhe është bartës i enigmës. Autori jep të dhëna jo të plota, por që e bëjnë jo të vështirë njohjen me pikturën reale. “Emrin e piktorit e të tablosë, të tablosë së vetme që mund të vendosej në atë mur, ai nuk e mbante mend mirë. Kishte mundësi që të ishte e Rembrandt ose e Rubensit, ose e ndonjë bashkëkohësi të tyre. Kishte gjasë që të quhej “Kalorësi me skifter”, por as për këtë nuk ishte i sigurt. E kishte parë vite më parë, në rininë e tij, në muzeun e një qyteti skandinav, emrin e të cilit gjithashtu nuk e kujtonte dot. E vetmja gjë e sigurt ishte se ishte qytet e jo kryeqytet. Sa për tablonë…në të ishte pikturuar një kalorës që mbante në dorë një skifter gjahu…Kalorësi është ftuar në një gjah…Fytyra e tij ka një shprehje misterioze, që mund të shkoqitet në gjithfarë mënyrash…Pra, me sa më kujtohet, ai…do të shkojë në atë gjah…megjithatë fytyra e tij është plot enigmë…Është piktura e të ftuarit në gjah…Është thelbi i gjithçkaje. Dhe dyshimi dhe misteri në fytyrën e tij, është misteri i gjithkujt që vjen nga larg, që bujt, qoftë njeri, apo hije…Në fund të fundit, ne nuk mund ta dimë kurrë se ç’ka në kokë ai që vjen…” (Kadare, Kalorësi me skifter, në Përballë pasqyrës së një gruaje, Onufri 2005.)

Interesi që zgjon tabloja e romanit, në mënyrë thuajse të pashmangshme ngjall dëshirën për ta parë dhe për ta njohur këtë pikturë, e cila i jep një ngarkesë të veçantë veprës. Nisur nga titulli “Kalorësi me skifter” (ose me fajkua) ajo i takon një tabloje të Rembrandit, realizuar rreth viteve 1662-1665, ekspozuar në muzeun e Goteborgut në Suedi. Bëhet fjalë për portretin e një aristokrati, në dorën e të cilit qëndron një fajkua gjahu. Portreti është tipik i Rembrandit, sidomos i periudhës së fundit të krijimtarisë së tij, së cilës i takon, periudhë ku theksohet vëmendja e piktorit ndaj simbolikës, në raport me figurativen. Por në realitet, piktura në fjalë ka dhe një tjetër titull, Bavo van Gent, i cili i jep kuptim krejtësisht të ndryshëm portretit dhe interpretimit të tij.

Fjala është për Shën Bavon e Gentit, me mbiemër të parë Alloëin, lindur në fillim të shek. VII në Hesbaye, në një familje fisnike dhe të pasur. Që kur ishte i ri, dhe shpresa të shkëlqyera dhe shumë u thirr në qeverisjen e vendit, të ndarë atëhere në 4 konte, gjë që i ka shtyrë biografët t’i japin titullin e kontit dhe ndonjëherë dhe të dukës. Por, sjelljet e tij, për fat të keq, nuk i përgjigjeshin as talenteve, as pozicionit të tij të lartë, ishin të shthurura, dhe ashpërsia ndaj vartëseve kriminale. Ardhja në jetë e vajzës arriti ta përmirësojë disi, por kthesa e madhe ndodh pas vdekjes së gruas, dhe pas predikimeve të shën Amandit, apostullit të Menapiens-it. Konti u mundua të ndreqë padrejtësitë e shkuara, një pjesë të pasurisë së tij të madhe ua dha të varfërve dhe tjetrën për financimin dhe mirëmbajtjen e manastireve të Gandit. Ai vizitoi kuvendet më me emër, në mënyrë që të njihej me përulësinë dhe vetitë e tjera të besimtarit përmes shembullit të tyre. U kthye në dishepull të shën Amandit, dhe e ndoqi në peligrinazhin e tij apostolic. Më pas u kthye në Gand, ku ndërtoi një qelë të vogël në zgavrën e një peme, dhe bëri një jetë eremiti e asketi për tre vjet.

Vdiq rreth vitit 659 dhe u varros në manastirin e Gadës. Në ikonografi paraqitet si një kalorës i armatosur me një shpatë dhe me një fajkua në dorën tjetër.

Një pikturë mbi të është realizuar prej piktorit holandez Geertgen tot Sint Jans në çerekun e fundit të shek. XV, si dhe prej Bosch-it më 1490 brenda triptikut Gjykimi i fundit.

Po ashtu paraqitet edhe si eremit para se të ndërrojë jetë. Në këto imazhe, ai paraqitet gjithmonë me një fajkua dhe konsiderohet si mbrojtës i tyre. Sipas kritikëve, në tablonë e tij, Rembrandi ka paraqitur momentin kur konti, pas një hezitimi dhe dialogu jo të lehtë shpirtëror, vendos të konvertohet në kristian. Prania e kryqit të varur, gjysmë të fshehur, vë në dukje këtë moment. Kjo është edhe arsyeja që tabloja në fjalë hyn në radhën e pikturave me subjekt fetar të Rembrandit.

Ky kuptim i jepet tablosë së varur në Muze. Në momentin që ajo nga muzeu, hyn në një roman kuptueshëm merr tjetër rol, tjetër funksion dhe transfigurohet në përshtatje me vendin ku vendoset. “Kalorësi me skifter” i Rembrandit, bëhet pjesë e një kompleksi gjahu, në rezidencën e të ftuarve, në sallën qëndrore, përballë vatrës së zjarrit, e cila i jep një ndriçim të veçantë. Ajo do të jetë pika ku do të konvergojnë një varg historish. Piktura është vendosur në një kontekst që i përgjigjet titullit, jo brendisë. Sjell periudhën mesjetare, mëdyshjen që ka në fytyrë personazhi, të cilës i jepet kuptim krejt i ndryshëm. Kalorësi që lë gjithçka dhe kthehet në eremit, zëvendësohet me kalorësin që shkon me vetëdije drejt kurthit të vdekjes. Këtu nis jeta romanore e pikturës. Ajo vendoset nga arkitekti për një qëllim të caktuar që rrok dy kuptime: paralajmërimin e krimit dhe të kundërtën e tij, qetësinë apo alibinë se kumti që ajo sjell nuk do të përmbushet. Në një hapësirë gjuetie, theksohet dhe rritet pasiguria që lind prej roleve të këmbyeshme të gjahtarit dhe të gjahut.

Atmosfera mesjetare theksohet edhe përmes pranisë së Makbethit dhe Hamletit që lënë shenjat e gjurmët në roman. Arkitekti luan rolin e magjistricave të Makbethit. Ndërton një banesë gjysmë mesjetare që shfaqet si banesë kurth, banesë e vdekjes, ku ndërthuret egërsia e gjahut me pasigurinë e vazhdueshme të njeriut. Prania e pikturës, e cila kujton marrëdhëniet mes artit dhe rrëfimit të krimit, e bën të ndjeshëm dhe Hamletin. Vendin e teatrit që dëfton krimin tek Hamleti këtu e luan piktura. Sërish është arti ai që tregon të vërtetën e jetës. Interpretimi që i bëhet pikturës në roman, është në fakt një karakterizim në formën e penelatave, i thelbit të pikturës së Rembrandit. Në roman shkruhet: “Diçka i shpëtonte në shprehjen e fytyrës së njeriut të ftuar për gjah. Përndritja e dobësuar e zjarrit, herë e shtonte, herë e fikte misterin e saj…Konti e ndjente se gjendej në njërin nga ato çaste të rralla kur ndihej i aftë t’i afrohej kuptimit të fshehtë të artit. Sytë e kalorësit kishin vërtet një dyshim, por ai ishte i mpirë, i fisnikëruar nga trishtimi dhe fataliteti. Ai sapo kishte marrë ftesën për gjah dhe, ndonëse dyshonte se atje…në gjah…mund ta pësonte…, do të shkonte, megjithatë…, drejt fatit të tij.” (Kadare, Kalorësi me skifter, në Përballë pasqyrës së një gruaje)

[…]Në roman piktura mban kumtin ogurzi, shpalljen e krimit. Në një kuptim të caktuar krimi ka diçka të përbashkët me një vepër arti, pas artistit ashtu si dhe pas kriminelit gjendet diçka që i shtyn verbërisht drejt asaj që kryejnë.

Tabloja kthehet në zbuluese të një krimi, ndjekur nga tragjedia njerëzore, realiteti përthyhet sipas kuptimit që i jepet pikturës. Arti kthehet në një ftesë drejt të panjohurës, drejt një ekzistence që e tejkalon kuptimin njerëzor. Piktura shfaqet në roman qoftë si pasqyrë e heroit që aksidentalisht ndodhet në sferën e saj, si paralajmërim, apo si një urë lidhëse me të mbinatyrshmen (Kadare përmend mortjen)…[…]

No comments:

Post a Comment