2018-05-29

Poezi nga Lola Shehu



Çështje burrash


Është çështje burrash, të mbledhësh kuvende

E si burrë të kuvendosh

Të gjesh, të parin e fjalës! Të gjesh, fjalën e parë

Të lërosh token kur është në vlagë

E vetëm atëherë, të hedhësh farë!

Është çështje burrash, të drejtosh trashgimtarët

Të bëhen të ndershëm, punëtorë, trima e guximtarë

T`i mësosh, si t`ì bëhen, Zot Atdheut

Jo tradhëtarë e hileqarë

Çështje burrash është, ndonjëherë edhe të dehesh keq

Deri në atë pikën kur gjunjët s`të mbajnë

Të ndjehesh mbret,T`mos turpërohesh nga sytë e kalimtarëve

T`ì shash, pa izgjedhur fjalët

Të shkrihesh së qeshuri,

Kur sheh se të padehurit bëjnë moral e zgjedhin fjalët

Që me fjalë të zgjedhura të shajnë!

Është çështje burrash të dashurosh pa frikë

Me shpirt e zemër, me epsh e zjarr

Në sy të botës

Në dritë të diellit

Nën cipën evirgjër në hënë të plotë

Nën barkun e yjëzuar të qiellit!


Çështje burrash është, të durosh plagët

Të burgosësh lotët

Digë tu bëhesh,të mos dalin jashtë

Të kafshosh dhimbjet që shpojnë e therin

Deri në ashtë!


Është çështje grashë,

Të bëhesh Arë

Të mbash vlagë, të çelësh farë

Të shijosh dhimbjet e lindjes, sharmin e lehonisë

Burim të bëhesh!

Gjak e qumësht i praruar të gurgullojë në damarë

Jam grua!

Lotët

I mora

Pajë!





P.S.. Kjo poezi u vlerësua me çmim të dytë në manifestimin Mbarëkombëtar letrar Pejë, 26 Maj 2018



Unë dhe shiu


Kapërceu ky gjumë sonte

Si e kotur dremita pak minuta në kolltuk

Jashtë, bie një shi i rrëmbyer pranvere

Rrëkezat dancojnë valse në ullukë

Piklat përplasen zhurmshëm mbi çati

Mes xhamash, shënjon një dritë vetëtime

Në mëndje, pëshpërimë vjen shprehja jote

Mbylli sytë, u bë vonë shpirtja ime

Shiu dhe unë, sonte nuk dashkemi të flemë

Qiellin përgjysmë kam vendosur ta ndaj

Ai, të shpëlaj grimca pluhuri mbi gjethe

Grimca ëndrrash, rreth qerpikësh të shpëlaj



RIKTHIM


Po rikthehem tek ti, e imja poezi,

Po rikthehem sërish, i ëmbli vargu im,

Më ndje, që të largova padashur si një fëmi,

Teksa priste të ushqehej në gjirin tim…!

I mblodha fjalët, një nga një i ledhatova,

Pluhurin e viteve, ua fshiva nëpër natë

Pak drit’ e frymë, nga shpirti im u hodha,

Dhe ato nisën të flasin, të rreshtohen varg…

Vargje që pa kuptuar, mblidheshin në strofa,

Vargje që zemrën time, e bënë të rrahë fort

Vargje që për dashuritë e mia, gjëmonin si lodra

Dashuri, që nga shpirti im, zbrazeshin në lot!


Veshur të kam

Veshur të kam në trupin tim

si këmishë me kopsa këputur ,as të mbërthej, as të zbërthej dot

të sjell rreth trupit me krahë kapërthyer

e ashtu të mbështjell,

të shtrëngoj, të shtrëngoj fort aq fort e s’ngopem

Pastaj dorëzohem…

se ti, e bën qenien time të pafuqi

Trupi yt, si këmishë timin mbështjell

aroma jote m’futet thellësive të shpirtit

pritja më mposht, më mpin,

s’jam më vetvete,nuk di kush jam…

veshur të kam…

të ndjej thellë, edhe më thellë akoma ,më thellë nën lëkurë

Ndjej inde që përputhen plotësisht, që puthen e përputhen,

që zihen e duhen, që luftojnë e dorëzohen

që dorëzohen ,për t’u dashuruar sërish…



SIME BIJE…


Bija ime, ti fllad i ylbertë,

Drit’ e syve, gjak i zemrës time

Kur ti linde, drejt meje u çel

Një agim i mbushur plot dritërime.

Ti shpirt i shpirtit tim të brishtë

Ti rrahje zemre , melodi

Ti dashuri, që ndez lumturitë

Ti, më hyjnorja simfoni…

Ti , që netët m’i ke zbardhëlluar

Tek doçkat e vogla zgjat gjith’gëzim

Ti dritë, mbi qerpikët e mi lëshuar

Ti lot drithërues i lotit tim !

Ti ylli që ndrin ëndrrave të mia

Mirëserdhe në të ëmblin gjirin tim

Ti engjëll i bardhë, ku vallëzon dashuria

Ti ndjenjë sublime, në thellësi të shpirtit Tim!



MOS MË PREMTO…


Ti mos më premto për të nesërmen, që as vet se di

Sot, më bëj të ndjehem flutur, të fluturoj në qiell,

Hënës t’i vjedh dritën, diellit t’i marr zjarrin,

Ekuatorin ta marr, në Antarktidë ta sjell…

M’i shkri akullnajat me zjarrin e shpirtit

E unë ,si gjethe të dridhem nga prekja jote,

Me puthjet e zjarrta t’a djegim këtë vend,

Le të ndjehemi sot, mbretërit e kësaj bote.

Më bëj të ndjehem fllad, të përkëdhel fytyrën,

Më bëj te ndjehem lule, ti çel të gjitha sythet,

Më bëj te ndjehem diell, gjithësinë ta ngroh,

Më dashuro sot, se nesër, ndoshta bota përmbyset!



TI S’E DI Ç’ËSHTË DASHURIA



Të thuash shpesh “të dua”, vallë kjo quhet dashuri?

Të thuash dhe të duash vërtetë, është krejt gjë tjetër.

Dashuria është ndjenjë, është gjak zemre, lot e pafajësi,

Dashuria, nuk është dy firma, në librin e celebrimit të vjetër!

Të thuash, “të dua”, janë veç dy fjalë si fije kashte e tharë,

Dashuria është mijëra fije, mijëra ngasje , mijëra ndjesi,

Dashuria është fllad, është flakë, është diell ,rrebesh e acar

Dashuria është puls në lëkurë që rreh në çmenduri

Dashuria është libër i hapur, është gjethe vjeshte,

Që vallëzon edhe kur era me shi e përplas pa mëshirë,

Dashuria është gjëmim, është furtunë, është tallaz jete,

Dashuria është aroma e trupave që dihasin djersirë…





LAMTUMIRË, DUKE U PUTHUR!




Një përqafim, e një puthje lamtumire të nisa

Të lagur, të kripur, të mbytur nga lotët e mi.

Disa vargje dikur shkruar, shiu i lotëve, i fshiu

Disa vargje shpirti, dedikim mbetur nga ti!

Jo nuk desha , nuk desha ashtu të prisheshin

Dhe as kujtim të mbeteshin, nuk doja gjithsesi.

Enigmën e zgjidhen lotët ,diamantët e heshtur

Vargjeve të tua, u thanë lamtumirë sytë e mi!

Ti ,ishe ndjenja ime, dashuria ime e humbur

S’e di në ç’gjuhë shkruar, mbetur pa përkthim

Dhe pse lamtumirën, e dhamë duke u puthur

Sot, je thjesht e shkuar, nesër, thjesht vegim…


Ndarja

Sot, u zgjova ndryshe,u zgjova pa ty

E lodhur,si zog i trembur krahëvrar

Trukuar vetiu sytë e trishtë,rrathë nën sy

Nën lëkurën e zbehtë , dallueshëm ca dammar`

Instiktivisht,duart prekën fytyrën, u ndalën në gush

Gishtat u ngatërruan, në gjerdanin nga ti dhuratë

Me forcën e dhimbjes e tërhoqa , qafa u ndez prush

Kristalet u thërrmuan si shpirtëra të ngratë…

Nuk dua të pështillem ndjenjash ,nuk dua të vuaj

Por ndarja dhimbka shumë dreqi ta haj

Trupin që digjet, akulli shpirtit s’po mundet ta shuaj

Ktë dhimbje mbi supet e brishta, s’po mundem ta mbaj…


Karbunarës

Ti vendlindja ime rrebele ,vullkan i heshtur

Rrebele dhe ëmbël , ashtu si dashuria

Me fushat e paana e kodrat kurorë hijeshuar

Ti djepi , që rrite e përkunde ëndërrat e mia

Mbështillem në shpërganjt e tu endur në vegjë

Thurur nga duart e rreshkura të Nanës time

Ti Karbunara ime mallë, balt` e gur i nxehtë

Ti vendi im kokfortë,ti krenaria e fisnikëria ime

Në rrugët e tua dua të shkel zbathur,zbathur të shkel

Të më dhembin gjunjët tek vrapoj e rrëzohem

Të dremis fushave të jeshilta mes lulëkuqesh plot

Aromës tënde të dehem e ndjenjës tënde të ngrohem

Mos kujto se kam ikur,jo jo kokën gjithmon`e kam pas

Shpirtin dhe zemrën i kam atje,atje i kam tek ti

Tek ti kam fëmijërinë ,puthjet,lotët ,përkëdheljet

Në netët e gjata , princesh kalëruar ëndërrash vi …


A mundem dot?

Me buzëqeshjen time, mund të gënjej bukur,

Të shkëlqej si diell kur brenda kam stuhi,

Ëndrrash të fluturoj edhe krahëkëputur,

E qiellin ta ndez flakë si me magji.

Të maskoj aq bukur trishtimin e syve,

Lotët që djegin hithër, t’i kapërdij ndër vete,

Pastaj hënë e plotë të mbretëroj mes yjeve,

Si varkë e pamposhtur të lundroj ndër dete.

Të maskoj mjeshtërisht, edhe buzën që dridhet,

Kur trishtimi ma ka mposhtur keqas shpirtin,

Të rend pas diellit, kur në perëndim përvidhet,

T’ju them s’më vjen keq, as për vitet që ikin.

T’i them e t’i them gjithë botës që jam kaq e lumtur,

Edhe kur shpirti më dhemb e ndër sy kam lot,

Të sundoj oqeanet, me busull të humbur,

Po veten time, a do mundem ta gënjej dot?



Duel i heshtur…

I thua pareshtur
Je kaq e bukur
Ajo, ndjehet sirenë deti, lahet në sytë e tu
Ndërsa ti,
Si një kampion i zhytjeve të thella
Noton në detin e jugut…
Tek fustani dallgë, ngritur përmbi gju
Pothuajse, e ke zhveshur të gjithën,
Pa e prekur….me sy
Në mes të rrugës,..
Mes kalimtarëve
Magjepsur, të DY..
Përpiqet më kot t`i vidhet shikimit tënd
Të maskoj hiret
T`i shpëtoj joshjes që po e çmend..
I ngjyrosen, mollëzat,
E ke fituar duelin….
E bën të flas kuturu
Ajo, të përgjërohet me pëshpërima…
Mos të lutem, mos bëj kështu!
Jo…Këtu!
Ngre shallin…
Mundohet të mbuloj dlirësinë e zhveshur
Vështrimi yt i pabindur,
Rrëshket më poshtë,
më guximshëm
Tek këmbët mbi këmbë,
harkuar… shkujdesur…


MENDIMI I PARË

Mëngjeseve larë në vesë
Kur jemi zgjuar të përqafuar
Në netët pa hënë
Kur s`mbaj mend pse jemi grindur
E jemi zgjuar buzëvrarë
Me sy të ënjtur
Mbushur rrathë mavi
Zemëruar e trishtuar
Në netët e pakta
Kur s`kemi fjetur në të njëjtin shtrat
A ndoshta
As në të njëjtën dhomë
Në qytete larg njeri tjetrit
Rrallë, po shumë rrallë
Edhe në të tjera shtete
Asnjëherë s`të kam pyetur
Po gjithmonë kam dashur të di
Dhe ende dua ta di
Nëse jam
Mendimi i parë, i zgjimit tënd…



PAKT ME PERËNDITË

As në ëndërr s`kisha mundur të të shoh
Mbi pendla shtegëtarësh, fluturonte malli për ty
Sythet i bulëzoi larg. në një vend të ngrohtë
Mbi mollëzat ngrirë akull, e solli një vesë shi

Rrëkezat e brishta, zbritën në luginën e etur
E piva çdo pikë, si të kisha fjetur në Sahara
Vrapova këmbëzbathur stepave të thata prej kohësh
Ngarkuar si hamall, mallin tënd në krah

Oooh sa më paska marrë malli për sytë e tu
Ndërrimin e stinëve, nuk di sa gjatë e paskam pritë
Një yll i larë në serm, zbriti gjithë naze nga qielli blu
Buzëbrëmja, ndërroi destinacionin, në çast u bë ditë

Mos vallë i dashur, fluturove me zogjt në shtegëtim?
O si agjent i regjur, trajektoren iu përgjove me satelit?
E pamundur të gjesh vendin, ku piklojnë grimca malli
Vetëm nëse më parë ke pas bërë pakt me përënditë.



SKENAR I HERSHËM

Kur ishim të dashuruar
Për të të vënë në provë,
Mbase edhe për tu përkëdhelur
Vendosa një ditë mos të vi në takim
Për të shmangur pendimin në çastin e fundit
Të gjitha veshjet i krodha në kazan
Mbeta me një palë nallane në këmbë
Veshtur në trup, një të dalë boje fustan
Në orën e takimit, shtërngoja zemrën në duar
Dhe si gurë mulliri rrotullohesha në oborr
Matanë portës sime, më zunë sytë një djalë të vogël
Ishte fqinja që dinte sekretin, e m`a bënte më dorë
Nën kurorën e ullirit, nxinin nga zemërimi sytë e tu ngjyrë ulli
U ndjeva triumfatore, se t`a shkela krenarinë e burrit
Nuk e kishe kapërdirë mungesën time,
Kishe ardhur,Ti.
Sonte,
Kam ndërmend të ringjis në skenë të njëjtin skenar
Tani, kam shumë më shumë veshje, ndaj
Sa munda, i mbylla në lavatriçe
Pjesën e mbetur, i nxora të lagen në shi
Me shpresën…Se do ta shkelësh sërish krenarinë e burrit
Me shpresën… Se drejt meje, do vraposh sërish, Ti
Paskam dremitur ca…



NATË E BEKUAR

Kësaj nate dimri,
Ia vrava heshtjen
Me zë klithmë të stonuar
Mbi kitarë,
Ndizej flakë shpirti i kitaristit
Ndër vargje poezie
Shpirti trishtë qe shkruar…
Me zërin tim të grisur
Ia vrava heshtjen e motshme
Kësaj nate të bekuar.


Sa mall paskam


Sa mall paskam sonte ksaj nate të heshtur, sa brenga e mall
Mall e dhimbje për një të vetëm tingull, për tëndin zë
Mbetur pas ndër fjalë përkëdhelje,ndër çaste grindje e zënkash
Përlotur e thërras kujtimesh të trishta se s’mundem ta dëgjoj më



Në ktë natë të akullt Dhjetori, dua ti falem në gjunjë mëkatit tim
Se shpesh edhe kam thënë boll,mjaft` më lodhe me kaq shum` fjalë
Buza dridhet k’saj qetësie të mallkuar që pa mëshirë frymën më merr
Kjo heshtje e pafund që më mpak, më mpak e vret ashtu ngadalë



Tashmë,tashmë s’ mundem të të dëgjoj hareshëm të qeshësh
Eh ta dish sa dhimbje ndjej ,eh ta dish sa shumë malli më ka marr
Të më thërrasësh në emër, të klithësh e klithmash të nxjerrësh dufin e shpirtit
Të dridhen muret si dikur, kur të dy grindeshim e ulërinim si të marrë



Tani ,si re e e ngarkuar stuhish, mbytem ndër oqeane lotësh
Të lexoj buzët , përkthej mundimshëm pëshpërimat pa zë
Më ndjek ai zë ëndërrash gënjeshtare,mbrapsh udhëtoj kohësh
Në ktë gënjeshtër të madhe pafundësisht,pafundësisht dua të flë…

Atë ditë Dhjetori, më kujtohet edhe qielli gjëmonte heshtur pa zë…




Kaq pak kërkoj..



Shpesh mëngjeseve, dua të ndjehem fëmijë
të mos e nxitoj zgjimin,
të rrokullisem nën çarçafë
t’i fërkoj sytë kur rrezja më vallzon mbi qerpikë
ndërsa një dorë magjike m’i ledhaton flokët derdhur në jastëk…
Ëmbël t’mi puthë sytë dhe unë si ëndërr të çohem,
të ndal para pasqyrës dhe flokët ti mpleks gërshet
t’i lidh bukur dy fjongo si dikur me kordelet plot ngjyra
t’i flas gjithë naze pasqyrës, o krejt pa frikë ta pyes:
Hë, m’thuaj tani, kush është më e blertë unë apo natyra?!
Dhe të mos frikem aspak nga përgjigja e marrë,
të ndjehem e përkëdhelur, ashtu e vogël, e brishtë
T’i përthyej mbi pasqyrë krejt rrezet e arta të shpirtit

e thërrime ta bëj, nëse guxon e thotë:
Mjaft më, se je rritë!
Turivarur të kridhem sërish në krevat si fëmijë
t’i zhubros çarçafët, t’i rrotulloj derisa t’u merret mendja
rrëmujë t’i bëj sirtarët dhe veshjet që flenë brenda,
e askush t’mos më qortojë:
O fëmijë i keq që bën veç rrëmujë
Pastaj të vrapoj, të luaj kalldrëmesh me shoqet pa kufi
Dhe veç kur t’më grryej uria, gjithë potere të zbrazem në shtëpi,
s’po ju kërkoj asgjë të madhe,

thjesht dua të mbetem e vogël,
Jo s’dua të jem kjo që jam,
pse brenda, ndjehem thjesht fëmi!



Qiellit do t’i falem



Nëse s’mund të rri pranë teje ,po iki larg

Stoli me vete po marr puthjen e harruar

Dhe lotët dhe brengat e shpirtit tim e tënd

Si kurorë bukurie mbi atë ballë të praruar



Po marr me vete një tufë nga flokët e tu

T’i mbaj në duar t’i përkëdhel e t’u marr er`

Dhe puthjet dhe prekjet që më drithërojnë

Drita e syve tu ,t’më ndriçojë në të egrin terr



Mbi shpinë si hamall do marr gjithçka tënden

Si kalë i kërrusur do udhëtoj me brengat ngarkuar

Qiellit do t’i falem nën hënë të plotë

Pse u dashurova me një” mollë të ndaluar”…



Një çast



Sa i gjatë ky çast, një jetë pafund
Kaq kohë, të flesh e të zgjohesh, me imazhin tënd
Vegimesh deliruar, në ëndërr të kam prekë
Të kam puthur, të kam kallur, të kam ndjerë…
Vrullshëm gjaku ka shpërthyer vena e damarë
Në ëndërr jemi dashur, jemi zënë, kemi qarë
Jemi ndezur e buzët si zambakët janë çelur…
na është ndalur frymëmarja nga dihatja e shpirtit
me duart që m’dridheshin, të përkëdhelja çdo qelizë
Jam ndezur e shuar, ëndrrave me ty jam endur…
Një çast, vetëm një çast, si shtojzavalle eja, shfaqmu,
ti ndjenja ime, shpirti im, Ti, dashuri e çmendur…
vetëm një çast, më shih drejt e në sy

më shih,pa le të shembet bota
Mijra yje nga qielli do të zbresin, ziliqarë duke të parë ty
Ti derdh mbi buzë, gjithë nektarin e ëndrrave,
le të digjen trupat tanë pa u prekur,
dhe jeta le ta ndalë frymën aty!

Një çast, vetëm një çast eja shfaqmu
Dhe ky çast t’më bëhet, përjetësi

Se ëndërrat e mia mbajnë vetëm një emër

Ai emër …je Ti…



Burgosja e Shpirtit



Unë e di që ty, s’ta burgos kush shpirtin
as muret e larta, as telat, as qelitë
as rrebeshi, s’të ndryn dot brenda, asgjë,
madje ,madje as dashuria s’mundet kurrsesi…
Edhe nëse bëhen bashkë të gjitha dashuritë!
ti përsëri, do të duash të jeshë i lirë,
nuk desha kurrë të të burgosja brenda meje
e di mirë, ty s’të mjafton një shpirt
Se ti lufton me ëndrrat, të mbetesh ëndërr ke dëshirë
E di edhe këtë e di,
ndoshta, nuk di asgjë, veç rrekem se e di
në mijra forma e kam imagjinuar profilin tënd
duke të vështruar ashtu, ashtu nga një frëngji
Një profil i ngrirë, që s’flet, me vështrim diku hedhur
Që më sheh përtej imagjinate… përtej dhimbjes më sheh
që më prek dhe unë ndjej…
që më buzëqesh dhe unë rrëzëllej…
që mvrenjtesh, dhe unë në çast ngrij…
Jo, unë s’di të ngre mure, as të krijoj rrethime
Pse përndryshe, as vetë s’do t’jem e lirë…
Desha të jem ëndërr, e ti kohë ëndërrash,
kjo ëndërr e lagur ,baltosur në shi…
strukur nën frikë vetëtimash aty nën strehë
Nuk desha, kurrë nuk desha

nën atë strehë, i burgosur të jesh edhe ti!

No comments:

Post a Comment