2018-05-22

Primo Levi : Armëpushimi

Përgjatë gjithë "Armëpushimit", kësaj historie të trazuar dhe të larmishme të një pranvere lirie të pashpresuar, nota më e thekshme është ajo e një ankthi të tmerrshëm, e një trishtimi të pangushëllueshëm njerëzor.


"Armëpushimi", libri i kthimit, odiseja e Europës mes luftës dhe paqes, është vijimi i "A është vallë, njeri...?," një ndër librat më të bukur të letërsisë europiane lindur nga kampet e shfarosjes. Nëse libri i parë ishte shkruar menjëherë pas kthimit, thuajse me qëllimin për t'u çliruar së brendshmi nga barra e rëndë shpirtërore, si nevojë dëshmie, duke qenë se ai ishte një ndër të paktët hebrenj që mbijetuan në kampin e përqendrimit dhe duke iu bindur nevojës së menjëhershme për "t'u treguar të tjerëve, për t'i bërë të tjerët pjesëmarrës" të asaj tragjedie, libri i dytë është shkruar me njëfarë largësie nga ngjarjet, në një klimë më të shtruar e më të qetë.

Aventura europiano-qendrore e Levit nuk mbyllet me çlirimin e Aushvicit nga ana e Ushtrisë së Kuqe, përkundrazi, si në një shtegtim fantazmagorik, Levi bashkë me një mijë e katërqind italianë të tjerë vërtiten nëpër hapësirën e paskajshme ruse për muaj me radhë, nga janari deri në fund të vitit 1945.

Nuk dihen as sot e kësaj dite arsyet e kësaj sorollatjeje të panevojshme, ndoshta edhe thjesht për shkak të neglizhencës ose rrëmujës burokratike që mbizotëronte në Bashkimin Sovjetik të asokohshëm.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, të mbijetuarit e Aushvicit përshkojnë gjithë Europën Qendrore dhe Lindore, përmes Polonisë, Rusisë së Bardhë, Ukrainës, Rumanisë, Hungarisë dhe vetë Gjermanisë. Lufta ende s'ka mbaruar ose siç thotë greku i Levit, një ndër personazhet më të spikatura të romanit, "Luftë është përherë", Europa po shijon njëfarë "armëpushimi" para se të mbërrijë lufta tjetër, "Lufta e ftohtë" që do ta copëtonte sërish Europën.

Me vërtetësi, ironi therëse deri në sarkazëm, Levi përshkruan tipa dhe karaktere nga më të ndryshmet, tregjet klandestine të Krakovës dhe Katovicës, çmobilizimin e shthurjen e radhëve të Ushtrisë së Kuqe, tokën ruse të pafund, të pushtuar nga lavdia, mjerimi, harresa dhe forca jetësore; këneta e pyje të paprekura, trena të shkatërruar, gostitë e shfrenuara të rusëve të dehur nga fitorja; fjetoret plot ëndrra të italianëve në udhën e pasigurt të kthimit.

VLERESIME NGA KRITIKA

Një prej librave vërtet më të nevojshëm të shekullit tonë.

Philip Roth

“Armëpushimi” është historia e një marrëzie kolektive, e një ligësie, e një budallallëku të pabesueshëm, gjithashtu dhe e një naiviteti njerëzor, e një shpirti, mirësie, kokëfortësie dhe natyre të zakonshme të fatit kombinuar me sipërmarrjen. Ky është më shumë se një reportazh: është përjetimi i llahtarit në një prozë lirike e të ngjeshur. Në fund të fundit, mbetet një libër që ngre jetën në kult, sepse zgjeron horizontet, në vend që t’i eklipsojë: përforcon dëshirën për të jetuar mirë dhe ndershmërisht. Të frymëzon mirësi.

The Indipendent

Përballë tmerrit dhe shtypjes, Levi na jep mundësinë të shohim se njerëzimi nuk do të shkatërrohet krejtësisht apo lehtësisht.

The Guardian

Vepra e Levit shërben për të dekonstruktuar forcat e së keqes. Triumfi i identitetit njerëzor dhe vlerave të tij mbi patologjinë e shkatërrimit të njeriut shkëlqen kudo në shkrimësinë e Levit. Për shumë arsye, veprat e tij zënë një vend të veçantë ndërmjet pasurisë së Letërsisë së Holokaustit. [...] I pamposhtur si impulsi nekrotik, nevoja për të "treguar", për të përshkruar "tmerrin monoton të baltës" është jetike për të, sepse ai flet në emër të miliona njerëzve që vdiqën.

Toni Morrison

Fragmente nga libri

1) Në kohë luftë, për dy gjëra duhet menduar para së gjithash: së pari për këpucët, së dyti për ushqimet; dhe jo anasjellas, siç pandeh vegjëlia: se kush ka këpucë mund të gjezdisë lirshëm për të gjetur ushqim, ama e kundërta s’bëhet.

– Po lufta ka mbaruar, – kundërshtova: dhe mendoja vërtet se kishte mbaruar, si shumë të tjerë në ata muaj armëpushimi, në një kuptim shumë më universal se ç’guxoj të mendoj sot.

– Luftë është përherë, – m’u përgjigj në mënyrë të paharrueshme Mordo Nahumi.

2) Malli është një vuajtje e brishtë dhe e ëmbël, ndryshe qysh në thelb, më intime, më njerëzore se vuajtjet e tjera që kishim përballuar deri në atë kohë: rrahje, të ftohtë, uri, terror, skamje, sëmundje. Është një dhembje e kthjellët dhe e pastër, por ngulmuese: pushton gjithë minutat e ditës, s’të lejon të mendosh për asgjë tjetër, e të shtyn drejt nevojës për arrati.

3) Ishte po ai turp që e njihnim mirë, ai turp që na fuste në dhé pas seleksionimeve, apo sa herë që na takonte të shihnim, ose t’i nënshtroheshim vetë, përdhosjes: ai turp që gjermanët s’e njohën kurrë, ai turp që njeriu i drejtë ndien para krimit të kryer nga të tjerët dhe e bren ndërgjegjja që një krim i tillë ekziston, që, në mënyrë të pandreqshme, është bërë pjesë e rendit të kësaj bote, dhe vullneti i mirë i këtij njeriu nuk ka sjellë asnjë dobi ose mbase fare pak, e dëm ka shkuar gjithë mundi për t'u mbrojtur.

4) Kësisoj, edhe për ne, ora e lirisë ra e rëndë dhe e errët, na mbushi shpirtrat me hare e njëkohësisht me një ndjesi të dhembshme turpi, ndaj do të kishim dashur të pastronim ndërgjegjet dhe kujtimet tona nga shëmtia që dergjej në to; na i mbushi edhe me brengë, sepse e ndienim që kjo s’mund

të ndodhte, që kurrë më s’kish për të na ndodhur diçka kaq e mirë dhe e dëlirë sa të fshinte gjithë të shkuarën tonë, dhe damka e përdhosjes s’do të na shlyhej kurrë, s’do të shlyhej as nga kujtimet e atyre që i kanë përjetuar, as nga vendet ku ndodhi, as nga tregimet e rrëfimet që do të shkruanim. Ngase,

dhe ky është privilegji i tmerrshëm i brezit dhe i popullit tim, askush tjetër, kurrë, s’ka arritur të rrokë natyrën e pashërueshme të poshtërimit, që përhapet si epidemi. Është marrëzi të mendosh që drejtësia njerëzore do ta shfarosë.

No comments:

Post a Comment