2018-05-22

Qyteti Ilir në Kepin e Rodonit


Një fragment i çmontuar një furre prodhimi qeramike, prezenca e skarciteteve nga furrat antike dhe dy gurë peshe, janë elementët që i kanë bërë arkeologët të besojnë se janë në gjurmë të një qyteti antik në Kepin e Rodonit.


I njohur për plazhin, natyrën e virgjër, një kishë të vjetër dhe fortifikimet e ndërtuara prej Skënderbeut, Kepi i Rodonit u fut në listën e vendeve joshëse për arkeologët pas gjetjeve pranë tij të dy anijeve 2300 vjeçare të mbytura pranë tij.

Zbulimet nënujore të dy anijeve i bindën specialistët për pasurinë arkeologjike të territorit dhe sondazhet e javëve të fundit, që po kryhen nga një grup arkeologësh u kanë dhënë të drejtë.

Veç furrës dhe mbetjeve të tjera, dy gurë peshe që shërbejnë edhe në tezgjahe, u zbuluan disa metra larg materialit ndërtimor, duke shtuar provat për një qytezë që mund të datohet rreth shekullit të 4-rt para erës sonë.

“Jemi në kërkim të një vendbanimi qytetar, çka vërtetohet nga sasia e madhe e mbetjeve të tullave dhe tjegullave, prodhime që nisin nga shek. 4-rt para erës së re dhe që u gjetën në luginën ku ndodhet kisha e Shna Ndoit, në breg të detit-tha për BIRN, prof. as. Dr. Eduard Shehi, arkeolog i periudhës romake. Të frymëzuar nga gjetjet dhe shpresa se mund të zgjerojnë punimet, arkeologët shpresojnë që të paktën një pjesë e territorit të tij mund të kthehet në një park natyror, turistik dhe arkeologjik, për të mbrojtur nga dëmtimet dhe ndërtimet.

Kërkimet për qytetin antik
Specialistët kanë krijuar bindjen se qyteza e mundshme duhet kërkuar mbi njërën prej kodrave, që tashmë është e mbuluar plotësisht nga shkurret, por provat për të pritet të dalin nga gërmime të mëvonshme.

Kërkesa është pritur mirë nga Instituti i Arkeologjisë dhe kërkimet për qytezën pritet të fillojnë në shtator. “Kërkesa u prit pozitivisht nga Këshilli Shkencor i Institutit të Arkeologjisë, dhe që na jep mundësinë të rifillojmë kërkimet në shtator, kur edhe numri i turistëve në zonë është më i vogël”-tha arekologu Adrian Anastasi.

Kepi i Rodonit, është një nga zonat më tërheqëse të bregdetit shqiptar, qindra vjet më parë ai besohet se ka qenë një qendër e banuar ilire e cila ka humbur plotësisht dhe arkeologët shpesojnë se mund ta rigjejnë.

Megjithëse në fazë fillestare, të dhënat e deritanishme nga gërmimet arkeologjike të filluar janëvet ë fundit janë shpresëdhënëse.

Kërkimet në zonë u frymëzuan pasi pesë vjet më parë, kur nisi monitorimi i bregdetit, arkeologu nënujor Adrian Anastasi gjeti në afërsi dy relikte anijesh. “Gjatë zhytjeve zbuluam dy relikte anijesh, që i përkasin shek. 4-3 para erës sonë”-tha për BIRN dr. Adrian Anastasi. Më shumë se 2300 vjet më parë këto anije, të cilat u emërtuam simbolikisht “Rodon 1” dhe “Rodon 2”, besohet se transportonin drejt Durrësit dhe destinacioneve të tjera mesdhetare ngarkesa të përziera me amfora korintike B dhe MGS V, si dhe tulla, tjegulla e qeramikë fine.

Këtyre gjetjeve iu shtuan edhe elementët prej plumbi të spirancave të anijeve. Specialistët po ashtu besojnë se në ujrat pranë Kepit të Rodonit në 20 vitet e fundit janë grabitur egërsisht objekte arkeologjike.

Kërkime për një far dhe një manastir
Megjithatë Kepi i Rodonit ishte një territor i njohur për specialistët e monumenteve. Gjerak Karaiskaj, Apollon Baçe dhe Pirro Thomo janë ndër autorët kryesorë që kanë hedhur dritë mbi disa prej elementëve arkeologjikë të zbuluar disa dekada më parë. Por sondazhet e kësaj pranvere po krijojnë një imazh tjetër për të kaluarën e largët të territorit prej disa dhjetra hektarësh, që laget nga të tre anët prej ujrave detare.
Me sa duket veç Kalasë së Skënderbeut, e cila është edhe pika më e njohur nga turistët, që kërkojnë të zbulojnë gadishullin me vlera të veçanta natyrore, arkeologët gjatë javëve të kaluara kanë marrë në konsideratë edhe praninë e një fari ndriçues. Prof. as. Dr. Brikena Shkodra, me ndihmën e studentit të arkeologjisë, Krist Anastasi, ka vëzhguar imtësisht pjesën very-perëndimore të Kepit të Rodonit.

Të dhënat arkeologjike ajo i mbështet edhe në hartat e albanologëve dhe historianëve të kapërcyellit nga shek. 19-20. “Studiuesi hungarez Teodor Ipen 100 vjet më parë dokumenton praninë e një fari në Kep, të cilin na duhet ta datojmë saktësisht”-thotë për BIRN, Brikena Shkodra, e cila shton se shtresëzimet arkeologjike janë të dukshme në të dy krahët e gadishullit.

Një tjetër kërkim është përqëndruar në gjedjen e rrënojave të Manastirit të Shën Klarës, ku qëndroi deri në fund të jetës së saj Mamica, motra e Skënderbeutheroit kombëtar. Arkeologët po studiojnë mundësinë që manastiri të ndodhet pranë Kishës së Shna Ndout.

Rreziku i dëmtimeve
Kepi i Rodonit përbën një nga territoret më pak të njohura të bregdetit shqiptar. Izolimi i gjatë e ka ruajtur të paprekur bimësinë mesdhetare dhe kodrinat, që janë “sulmuar” vetëm nga erozioni agresiv detar i Adriatikut.

Vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit kjo mrekulli e natyrës mund të vizitohet lirisht, për shkak të lehtësisë që krijon rruga automobilistike. Po kjo ka sjellë rrezikun e ndërtimeve pa kriter, që ka dëmtuar ndjeshëm pjesë të tjera në bregdetin e Durrësit deri tani është shmangur edhe për shkak të pronësisë që ka mbi një pjesë të territorit Kisha Françeskane.

Arkeologët shpresojnë se zbulimet arkeologjike mund të shërbejnë si një hap i parë për rishikimin e statusit që ka Kepi i Rodonit. Krijimi i një parku natyror e mjedisor, me elementë arkeologjikë, të vizitueshëm në çdo stinë do t’i jepte një impuls të ndjeshëm turizmit në këtë zonë, vetëm 50 km larg Tiranës dhe Durrësit.

“Zonifikimi arkeologjik përbën hapin e parë, që pengon ndërhyrjet dëmtuese në të githë Kepin” – tha dr.Adrian Anastasi. Kërkimet e deritanishme kanë hedhur dritë mbi hipotezën e një vendbanimi ilir të prodhimit në zonë, ndërsa krijimi i një Parku natyror-arkeologjik në të ardhmen do të mbështetet sipas Anastasit edhe nga arkeologjia nënujore

No comments:

Post a Comment