2018-05-30

SHKRIMTARËT SHQIPTARË KËTA DISHEPUJ TE BRAKTISUR

Vasil Tabaku.jpg


Nga VASIL TABAKU

Të lënë në hije, te papërfillur, të braktisur tërësisht, shkrimtarët shqiptarë, heshtin brenda madhështisë së tyre të pamatë, fisnikë, dinjitoz dhe stoikë…Ata nuk përfaqësohen në këtë vend nga asgjë serioze dhe gjithëpërfshirëse, nga ndonjë organizëm serioz apo instancë zyrtare…Ata janë lënë kështu për afro njëzet vjet të këtij tranzicioni pafund. Askush nuk interesohet apo tregon vëmendje qoftë edhe minimale për këta korifenj të mendimit dhe letrave shqipe, për këta demiurgë madhështorë me shpirt te madh e të mrekullueshëm që çdo ditë flijohen pak e nga pak për Atdheun, për Çështjen Shqiptare, për të bukurën dhe artin, për letërsinë kombëtare…Ata ashtu të pafjalë, me një buzëqeshje proverbiale plotë dinjitet dhe mirësi njerëzore, enden nëpër Tiranë dhe rrethe, ta pavlerësuar, të papërfillur dhe të lënë pas dore nga ca zyrtarë mediokër, cinikë, shpirtëzinjë dhe përbuzës të shkrimtarëve, këtyre gjigandëve të mendimit dhe artit të fjalës që me librat e tyre, tentojnë t’i japin dritë shpirtit njerëzor dhe të ngrenë në lartësitë e vlerave bashkëkohore letrat shqipe me të vetmen ambicie njerëzore për të thënë se Shqipëria është pjesë e thesareve të Kulturës Botërore dhe ka kontribute të çmuara në vepra letrare që kalojnë kufijtë dhe shndërrohen në vepra të vlerësuara maksimalisht dhe të përkthyera në dhjetëra gjuhë të Botës… Një libër më shumë është një pasuri e vërtetë dhe që nënkupton dritë, dashuri, kulturë dhe mençuri, por padyshim që u trishtova shumë…përurimet e librave në Tiranë por edhe kudo nëpër Shqipëri bëhen nëpër lokale dhe restorante, sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër, asnjë alternativë dhe asnjë interesim nga ana e Ministrisë së Kulturës si i vetmi institucion përgjegjës për librin dhe shkrimtarët e lënë në harresë dhe të papërfillur. Në Shqipëri është më i përfillur një domateshitës apo gjithfarë tregëtarëucësh se një artistë, piktorë, skulptorë shkrimtarë, poetë dhe krijues arti. A do të ketë ndonjëherë sadopak interesim nga shteti dhe institucionet përkatëse për krijuesit?! A do të ketë ambiente së paku dinjitoze për të përuruar veprat e shkrimtarëve shqiptarë? A do të ketë ndonjëherë në Shqipëri një vlerësim I merituar për shkrimtarët dhe krijuesit e artit në përgjithësi?! Shkrimtarët shqiptarë që me disa qindarka në xhepat e zbrazët, ulen në kafene dhe meditojnë se…valllë a do të bëhet ndonjëherë ky vend? A do të eci përpara Shqipëria ? A do të ketë dikur një vlerësim për mundin dhe punën e tyre prej galere…? Dhe në fund të fundit…a do të jenë ata të përfaqësuar diku dhe të kenë dinjitet, vlera dhe nderimin e merituar…? Ndoshta. Dikur…Mbase, një ditë…Këta mjeshtra të fjalës dhe mendimit do të meritojnë atë që i mohohet padrejtësisht , ndërsa përballë tyre kapardisen kokoroshët shtetarë me kostume firmato dhe vetura luksoze…që në fund të fundit këtij vendi të mjeruar jo vetëm që nuk i dhanë asgjë por përkundrazi e kanë plaçkitur barbarisht gjer në dhimbje. Ndërsa ata Shkrimtarët me xhepat boshë dhe paga qesharake, apo edhe më keq të papunë…kalojnë para nesh me veprat e tyre madhore mbi shpinë si Hamejtë më të lavdishëm dhe më të shquar të Kombit me kontribute të çmuara qe do t’iu mbeten shekujve…

****

Vasil Tabaku (10.9.1953). Lindi në Lushnje, në një familje me origjinë nga Gramshi. Pas disa muajsh familja e tij do të transferohet në zonën e Mallakastrës në qytetin e Ballshit, ku e kaloi fëmijërinë dhe rininë. Arsimin tetëvjeçar e kreu në Ballsh, sikurse edhe atë të mesëm në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Derivsh Hekali”.

Poeti, shkrimtari dhe publicisti Vasil Tabaku, krijimtarinë letrare–artistike e ka filluar që në bankat e shkollës tetëvjeçare, kurse botimet e para poetike i ka publikuar në vitet e shkollës së mesme, në organet e shtypit letrar të kohës.

Në vitin 1977 ka përfunduar Studimet e Larta, Fakulteti Gjuhë – Letërsi në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera, një vit më vonë ka dhënë provimet plotësuese dhe ka kryer edhe Fakultetin e Gazetarisë. Në vitin 1987 ka ndjekur për dy vjet Studimet e Larta pas Universitare në specializimin për skenarist i filmit artistik dhe ekranit televiziv, ku është diplomuar po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Në vitin 1995 ka kryer trajnim dymujor për gazetari televizive pranë TRT - Ankara, Turqi.

Edhe pse që student botoi librin e parë dhe dhjetëra cikle poetike në gazetat letrare të kohës si dhe shumë artikuj studimor dhe publicistikë, pushtetarët komunist të asaj kohe, nuk i dhanë mundësinë të punonte në ndonjë qendër të zhvilluar apo shkollë qyteti, por “e detyruan?!”në shtator të vitit 1977 të filloj punën si mësues në fshatin Ninësh të Mallakastrës gjer në qershor të vitit 1978.

Më pas Vasil Tabakun do ta gjejmë në këto detyra dhe funksione profesionale:

- l978 – 1986, drejtues në Pallatin e Kulturës Ballsh.
- 1986 – 1987, gazetar në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
- 1987 – 1993, skenarist i filmit artistik në Kinostudion “Shqipëria e Re”, Tiranë.
-1992 – 1993, kryeredaktor i Revistës “Film” organ i Kinostudios dhe Film – Distribucion.
- 1993 – 1998, gazetar në Radio Televizionin Shtetëror (RTSH), Tiranë.
- 1998, hiqet nga TVSH për shkak të bindjeve të tija politike të djathta, mishëruar edhe në emisionet e tij televizive si dhe në shumë shkrime dhe analiza të botuara në shtypin e ditës si ”RD“, ”Tribuna Demokratike“, “Republika“, ”Drita“, “Albania“ etj.
- 1998 – 1999, gazetar në gazetën “Liria“, organ i shoqatës së ish të dënuarve politikë të Shqipërisë.
- 1999 - 2000, gazetar në Radio Kontakt, Tiranë.
- 2000 – 2001, gazetar në TV- ATN – 1, Tiranë.
- 2001 – 2002, kryeredaktor i gazetës „Tirana demokratike“ organ i PD Tiranë.
- 2002 – 2003, kryeredaktor i gazetës “Lajmëtari i Lirisë“ organ i shoqatës për integrim të ish të përndjekurve politikë.
- 2003 – 2004, kryeredaktor i TV – ATN - 1 dhe Reporter i Radios Ndërkombëtare „IRIB“, komentator politikë në “Radio Nacional”, bashkëpunëtor i gazetës “Bota Sot”në Zvicër etj.
- 2004 –2005, Vasil Tabaku mbetet i papunë.
- Që nga viti 2007, Vasil Tabaku punon gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH.
SHKRIME, TRAJTESA E PUBLIKIME NË FUSHËN E PUBLICISTIKËS:
Vasil Tabaku, ka botuar rreth 5450 shkrime publicistike, analiza politike, sociale, shoqërore si dhe shkrime te veçanta studimore në fushën e letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare, në këto organe: “Drita”, “Zëri i Rinisë”, në revistat: “nëntori” e “Ylli”. Pas vitit 1991 ka botuar kryesisht në: “Rilindja Demokratike (RD)”, “Tribuna Demokratike”, ”Republika”, ”55”, ”Koha Jonë”, ”Liria”, “Ballkan”, “Sot”, ”Tema”, ”Metropol”, ”Lajmëtari i Lirisë”, ”Drita”, ”Shkodra”, ”Bota Sot” në Zvicër etj. Po ashtu Vasil Tabakun e gjemë me poezi e tregime nëpër gazeta e revista si: “Drita”, “Zëri i Rinise”, “Ylli”, “nëntori” dhe më pas edhe në: “RD”, “Republika”, “Drita”, “Tema“ etj.

- Vasil Tabaku është autor i rreth dyzet e pesë dokumentarëve artistik televiziv në TVSH dhe ATN – 1. Ka realizuar me qindra emisione televizive dhe radiofonike në “TVSH”, “ATN – 1”, në “Radio Kontakt”, “Radio Nacional” dhe së fundi edhe në Radion Ndërkombëtare “IRIB”.

VEPRAT LETRARE:

1. “Hyrja e Pranverës“, poezi, 1976.
2. “Në të gjitha ditët“, poezi, 1981.
3. “Me këngën time dhe jetën“, poezi, 1987.
4. “Ndërrimi i epokave“, studime, 1988.
5. “Bota në sytë e mi”, ese, 1990.
6. „Klithmë drite“, poezi, 1998.
7. “Vit i mbrapsht“, ese politike, l998.
8. “Zgjim i dhimbjes“, ese dhe studime social – shoqërore, 1999.
9. “Vështrim i ngrirë”, poezi dhe ese, 2000.
10. “Shqipëria në udhëkryq, apo politika e kryqëzuar?”, studime dhe artikuj politikë, 2001.
11. “Shkolla Iraniane dhe Shqipëria”, studime dhe intervista me akademikë dhe personalitete të shquara, 2005.
12. “Monumentet e munguara të Demokracisë”, libër eseistiko – publicistikë, 2006.
13. ”Baleti i drerit të plagosur“, roman, 2007.
14. “SHKOLLA IRANIANE DHE SHQIPËRIA”, është përkthyer në gjuhën persishte, Teheran, 2004.

ËSHTË PREZANTUAR:

15. Hasan Hasani: “LEKSIKONI I SHKRIMTARËVE SHQIPTARË 1501 – 2001”, Prishtinë 2003.

16. Ferdinan Laholli: “ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE – ANTHELOGIE DER MODERNEN ALBANISCHEN LYRIK”, Holzminde/Germany, 2003.

Përveç kësaj veprimtarie të begatshëm që përmendëm më lart Vasil Tabaku ka në proces të finalizimit edhe dy libra, një roman dhe një libër poetik, kurse një pjese e krijimeve poetike i janë përkthyer edhe në gjermanisht, italisht dhe persisht. Ai njehë mirë italishten dhe rusishten.

No comments:

Post a Comment