2018-05-24

Shkrimtari gjerman,Hans Joachim Lanksch, e ka fituar çmimin “Azem Shkreli” të edicionit të 16-të të takimeve ndërkombëtare letrare.


Shkrimtari gjerman u vlerësua për kontributin e tij të dhënë në letërsinë shqipe, duke përkthyer në gjuhën gjermane disa vepra të shkrimtarëve shqiptarë.

Gjatë takimit qendror të edicionit të 16-të me radhë të “Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli”, shkrimtarit gjerman u nda çmimi kryesor.

Hans Joachim Lanksch tha se ndihet i privilegjuar me përzgjedhjen e tij si fitues sivjetmë i takimeve letrare “Azem Shkreli”.

“Kuptohet se çdo çmim është një nder dhe gëzim i madh për atë që fiton. Për mua çmimi “Azem Shkreli” është një nder i veçantë, për disa arsye: e para Azemin e kam pasur mik, jam takuar për herën e parë në vitin 1986 në Brezovicë dhe jam takuar çdo herë kur ka qenë në Gjermani”, tha ai.

Si arsye të dytë që ndjehet mirë për marrjen e këtij çmimi është se një shkrimtar i huaj po e merr atë, duke u vlerësuar për kontributin e dhënë në letërsinë shqipe.

Hans Joachim Lanksch gjatë karrierës se tij ka përkthyer në gjuhën gjermane disa vepra të shkrimtarëve shqiptarë, ndër to edhe veprat e shkrimtarit Azem Shkreli.

Edicioni i 16-të i “Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli”, ishte nikoqir i shumë shkrimtarëve nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë takimit shpalosën vargje të bukura të poezive të tyre.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, Engelbert Zefaj tha se takimet letrare “Azem Shkreli” çdo vit po sjellin figura të shquara të letërsisë në qytetin e Pejës.



Hans-Joachim Lanksch

Intervistë me Hans-Joachim Lanksch


-Mund të na kujtoni takimin tuaj të parë me Martin Camajn, dhe si vazhdoi më pas lidhja mes jush?

Për herë të parë e pashë Martin Camajn kur isha student i ri, në semestrin e dytë a të tretë, në nji ligjeratë të profesorit Alois Schmaus për filologjinë e gjuhëve ballkanike. Më ra ndër sy nji burrë shtatmadh dhe i pashëm që e fliste gjermanishten me theks të çuditshëm dhe mjaft ekzotik për veshin tim. Doktorantët dhe studentët e tjerë të vjetër silleshin rreth burrit shtatmadh me theks të çuditshëm, burrë ky që rrezatote autoritet dhe dije. Mbas ligjerate, studentët kishin zakon me ndęjtë në nji kafené ballë përballë universitetit, te "Papa Schmidt" ("Baba Shmit") ku, përndryshe, profesori ynë Schmaus (i cili fliste rrjedhshëm rusishten, serbishten, çekishten, bullgarishten, shqipen, rumanishten, greqishten, turqishten dhe arabishten dhe i cili nuk mund të jetote pa kave dhe cigare) kishte zakon me u takue me studentët e tij për të diskutue problemet e tyne. Mbas ligjeratës së profesorit Schmaus, te "Papa Schmidt", burri shtatmadh dhe me theks të çuditshëm u tregue si nji qendër e rrethit të studentëve dhe si këshilltar i tyne. Dy studentë u zhytën në bisedë me tę dhe ia banë pyetje për problemet e tyne me gratë. Ky i ndigjote ata me vëmendje, mendohej mirë dhe u fliste qetë, ngadalë dhe në mënyrë të matun tue i këshillue me pjekuni të admirueshme për marrëdhaniet me gra. Ky qe takimi im i parë me Martin Camajn.
Disa semestra mâ vonë u vendosa me mësue gjuhën për të cilën profesori Schmaus na fliste me aq dashuni e pasion, shqipen, ku pedagogin e shqipes e kisha shě burrin shtatmadh e me theks ekzotik. Me kohë, marrëdhania mësues-nxanës dhe mbasandej autor-përkthyes u bâ miqësi.

-Ju u bëtë përkthyesi i Martin Camajt në gjermanisht, përse zgjodhët pikërisht letërsinë e tij, çfarë ju tërhoqi më shumë tek letërsia e tij?

Kurrë nuk kam vendosë me u bâ përkthyes i Camajt a lëre i poezisë shqipe. Nji ditë kena konstatue që unë përkthejsha poezi të ekspresionistit slloven Sreçko Kosovel, ndërsa profesori shkruete poezi. Kur më tha se do të ma sillte dikur librin e vet, mbetesha mjaft skeptik – dihet se, zakonisht, letërsia e profesorave dhe e diplomatëve âsht e dobët... Kur u ballafaqova me poezitë e Martin Camajt, më magjepste bukuria e tyne, ndërthurja e tingujve, muzika intime e tingujve të gjuhës së tyne, ritmi i mrekullueshëm i kangëve popullore. Mbas shikimit në bukurinë e jashtme të këtyne poezive, më tërhoqi kombinacioni i kompleksitetit të tyne me thjeshtësinë e dukjes së tyne, më fascinoi simbioza e arkaikes me modernën dmth. ato ishin poezi moderne mbi nji substrat arkaik elementesh të letërsisë gojore, më pëlqente trajta e tyne eliptike, lapidare dhe lakonike. Poezitë e Martin Camajt përmbajnë pikërisht aq fjalë sa duhen, asnji mâ tepër dhe as edhe nji mâ pak. Më tërhoqi shkalla e naltë abstrakcioni, hermetizmi dhe simbolizimi në vjershat e Camajt, e çmojsha autenticitetin dhe sinqeritetin e poezive të tij ku nuk ka as poza as fraza as zbukurime kallpe të vizionit të poetit, nuk ka idile të rreme, nuk ka idealizime dhe as heroizime.
Unë mbetesha si i shituem prej bukurisë së jashtme e të mbrendshme të poezisë camajane, isha i bindun se kjo poezi duhet të përkthehet e të njihet përjashta Shqipniet. Njikohësisht isha i bindun se kjo poezi nuk mund të përkthehet, se pasunia e gjuhës së saj nuk mund të jepet me mjetet e gjuhës sime, gjermanishte. Prapëseprapi, kapesha fyt për fyt me poezinë e Camajt dhe me gjuhën e saj. Kur u pa se poezia e Camajt, megjithatę, mund të përkthehet, ramë dakord që të përktheja poezi të vëllimit "Njeriu më vete e me tjerë" (i cili në Shqipní zakonisht citohet gabim si "me të tjerë") si eksperiment, pa obligime dhe pa qëllime botimi. Eksperimenti, simbas mendimit tonë, doli mbarë dhe mâ në fund vendosëm me e botue.

-Si do ta vlerësonit letërsinë e Camajt në raport me evoluimin e letërsisë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë e më gjërë?

Simbas meje, në letrat shqipe Martin Camaj i përket treshës së poetëve mâ të mëdhenj të shekullit që kaloi, bashkë me Lasgushin dhe Frederik Rreshpen. Në përmasa europiane dhe botnore jam i mendimit se Camaj i takon kategorisë së klasikëve të modernës e cila mund të përcaktohet me emna si Rafael Alberti, Jorge Guillén, Vicente Aleixandre, Juan Ramón Jiménez, César Vallejo, Octavio Paz, Frantishek Halas, Bohumil Hrabal, Vitjeslav Nezval, Ossip Mandelshtam, Eugenio Montale, Salvatore Quasimodo, Giuseppe Ungaretti etj. Camajt do t'i takote nji vend në radhët e tyne. Mirëpo, për fat të keq, Martin Camaj nuk ka nji lobi të fortë, ai nuk njihet ende si do të duhej dhe sa e meriton letërsia e tij. Më 2005, me rastin e tetëdhetëvjetorit të lindjes së tij, askuj s'i ra ndër mend me shpallë nji "Vit i Camajt"... (Ashtu si as Kasëm Trebeshina për tetëdhetëvjetorin e sivjetëm nuk do ketë nji "Vit i Trebeshinës"). Nuk ekziston nji makinerí lëvduese dhe himnizuese që e përmend pandërpré Camajn. Martin Camaj ishte nji njeri i qetë dhe modest, letërsinë e kishte obsesion dhe jo "mision" ku nuk ishte në karakterin e tij me e trumbetue parreshtun veprën e tij letrare në të katër anët e botës.
Letërsia e Martin Camajt zhvillohej paralelisht me moszhvillimin e letërsisë së socrealit, ajo zhvillohej kryekëput pamvarësisht prej socrealit. Prej poezive fillestare tejet konvencionale, poezia e Camajt u zhvillue në poezi moderne dhe individuale me vargun e lirë deri në kulmin e saj të prozës poetike fort simbolike të vëllimit "Dranja".
Në vakuumin që krijohej mbas grahmës së makthit socreal, Martin Camaj mundet me kenë nji udhërrëfyes për brezat e rinj shkrimtarësh. Jo për ta imitue, ruejna Zot, por si model i seriozitetit të punës, i konsekuencës me të cilën ai e ndiqte rrugën e vet individuale, si model i punës letrare pa kompromis dhe, para së gjithash, si model për përpunimin akribik dhe kreativ të gjuhës.

-Si një njeri që sheh nga afër procesin letrar në botë, si do ta vlerësonit letërsinë që bëhet sot, dhe çfarë ka ndryshe sot nga ajo që mundohej të përcillte brezi i Camajt?

Me sa mund ta shoh, letërsia gjithnji e mâ shumë trivializohet, seksualizohet dhe sipërfaqëzohet. Po humbet pesha dhe vlera e fjalës. Në poezi, në vend të ekonomisë së fjalës që e ushtrote Camaj, ka dyndalla të vërteta fjalësh. Fjala letrare po pëson nji inflacion të randë.

-Si kanë qënë kontaktet e para me Shqipërinë të Lankshit. Çfarë keni gjetur në udhëtimet e tua në Shqipëri nga ajo që ruanit nga kujtimet e Camajt?

Në Shqipní, deri më tash, kam kenë dy herë. 2002-ën me rastin e akordimit të "Pendës së Artë" për Martin Camajn e të "Pendës së Argjendtë" për mue, dhe 2003-ën me rastin e takimit të shkrimtarëve shqiptarë me përkthyesat e huej në Shkodër, gjithsejt 9 dit. Malësinë mbishkodrane të Camajt s'e kam pá, kam pá Tiranën, Shkodrën, Krujën dhe rrugën prej Tiranët deri në Shkodër. Për Shkodrën kisha nji përfytyrim në bazë të kujtimeve të Martin Camajt e të prozave të Ernest Koliqit. Ballafaqimi me realitetin e sotëm shkodran qe nji shok i thellë. Qysh rrugës Tiranë-Shkodër kisha përshtypjen sikur të isha në ndonji vend të Botës së Tretë. Vorfní kudo. Fshatna pa të rinj. Makina të vjetra të hedhuna në përrue. Plake dhe pleq me veshje lecka-lecka. Rrënime anëmbanë. Tmerr! Shkodra e lanun mbas dore sa që s'të vjen me besue se çfarë shohin sytë e tu. Nji qytet në rënie. Rrugë historike veç gropa-gropa. Godina pa ngjyrë e pa suva. Dhe në mes të qytetit xhamia e madhe e re, e bardhë dhe – si duket – e ndërtueme me paratë saudite vahabite... Katedralja gjatë meshës së mëngjesit në nji ditë pune pothuej e zbraztë, rreth altarit nji grusht klerikësh të stërplakun...
Në "Fshatin e Paqes" ku banojshim gjatë ditve të Takimeve, kisha nji takim fort të posaçëm. U duk Atë Zef Pllumi, me të cilin njihesha me anë të telefonit, letrave dhe telefakseve kur ishte drejtor kishe në Tiranë. Kur e pashë Atin e nderuem, nuk isha në gjendje me folë me tę, ia krisa të qarit me gulçima, i paaftë me shqiptue as edhe nji fjalë. Lot më erdhën vetvetiu, nuk isha në gjendje me kontrollue të qarit. Atë Zefi, shtatvogël, plak dhe me sy therës që kishin pá dhe përjetue aq shumë në jetën e tij, n'atë moment pa dashje ma rikujtoi gjithë botën e pasun shpirtnore dhe mendore në të cilën ishte rritë dhe formësue Martin Camaj, ma rikujtoi Shqipninë "time" që ma kishte rrëfye mësuesi dhe miku im i cili si nxanës e kishte pá në rrugët e Shkodrës Atë Fishtën dhe Atë Mjedën, ma rikujtoi nji kulturë të pasun që s'âsht mâ. Nji botë e perëndueme.
Ndryshe ishte Tirana e bujshme, me mercedesat e mafiozëve, me reklamën vigane të "Vodafone" përballë monumentit të Skënderbeut, me shtëpinë e shëmtueme në të cilën jeton Kasëm Trebeshina me familje. Due me theksue se për mue dukunitë negative që mundesh me i pá në Shqipní nuk kanë randësí prioritare dhe nuk ma zhdukin por ma rrisin motivacionin me u angazhue për këtë vend të shpartalluem prej tiranisë komuniste. Prioritet për mue kanë miq e kolegë që i kam në Shqipní, prioritet pra e kanë njerëzit dhe jo pasojat e katastrofave të dikurshme e të sotme politike.

-Si do ta vlerësoni ecurinë e letërsisë shqipe këto vite. Duke qënë se është një letërsi post-komunistë sa ka mundur ajo të jetë e njëjtë në tregun e letrave bashkohore?

Me sa kam mundësi me ndjekë ecurinë e letërsisë shqipe këto vite, ajo më duket mjaft interesante dhe shpresëdhanëse. Ajo âsht tue u emancipue, tue kërkue rrugën e vet larg kallëpeve socrealiste, tue kërkue identitetin e vet të ri. Ajo përftoi dhe përfton talente të reja, megjithëse ato e kanë të vështirë që të ndihet dhe merret në dijení zani i tyne. Duket se "të vjetrit" ende e zotnojnë tregun e librit e të letërsisë në Shqipní. Megjithatę, me ecuninë e kohës do të zverdhen veprat e të "vjetërve" dhe do të dalin në shesh veprat e atyne që tash konsiderohen si "të rinjtë". Kështu e ka rrjedha e letërsisë edhe në vende të tjera. Tani për tani, "të rinjtë" e kanë të vështirë me u afirmue edhe për shkak se veprat e tyne janë me pretendime mjaft të mëdhá, veprat e tyne nuk lexohen kollaj, nuk mund të konsumohen lehtë posaçërisht jo prej lexuesve që nuk janë të mësuem me lekturë me kërkesa të nalta. Në këtë mes mendoj se dështon shtypi dhe periodiku shqiptar i cili do ta kishte detyrën me i përhapë veprat e pendave të reja dhe me i "edukue" lexuesit për t'i aftësue për lektura mâ të vështira. Mos të flasim për shtëpitë botuese.

-Ju e keni njohur letërsinë shqipe nga gjuha e Camajt, në gegërisht. Çfarë mendoni për këtë lloj të shkruari?

Për nji shkrimtar që flet dhe mendon gegnisht, të shkruemit gegnisht më duket mënyra mâ e natyrshme shkrimi. Nëse nji shkrimtar geg sheh andrra në gjuhën e njisueme, le të shkruejë njisuemisht. Përveç kësaj, etablimi me dekret i gjuhës së farkëtueme simbas marrëzive të "gjuhëtarit" sovjetik Marr, imponimi arbitrar i kësaj gjuhe mbi dy të treta të popullsisë shqipe (gege) gjatë sundimit stalinist mbet ende nji problem i pazgjidhun. Gegnishtja âsht nji idiomë e mrekullueshme. Në pendën e nji letrari geg, gegnishtja âsht po aq e bukur sa tosknishtja në pendën e nji shkrimtari tosk. Përdhunimi i shqipes prej marrëzive të gjuhëtarëve amatorë Marr, Stalin e Hoxha dhe të shërbëtorëve të tyne duhet rishikue. E shoh me kënaqësi të madhe që ka nji çetë të vogël, po kryeneçe letrarësh dhe publicistësh gegë që shkruejnë dhe botojnë gegnisht.
Tash disa vjet dikush – s'më kujtohet mâ se kush – e shtroi pyetjen se çfarë vlere do të kishte vepra e Martin Camajt po të ishte shkrue në njisuemishte. Pyetja më duket pyetje posaçërisht idiote. Nuk âsht fjala vetëm se vepra e tij do të kishte rotacizma dhe lidhoren në vend të paskajores, por ajo nuk do të kishte as zanore hundore dhe as nji sistem kuantitativ rrokjesh dhe, para së gjithash, nuk do të kishte frazeologjinë e pasun geg dhe as idiomatizmat e mrekullueshëm të gegnishtes.

-Mendoni se evoluimi i mjeteve teknike ashtu si shumë kritikë sot në botë po i largon njerëzit gjithnjë e më tepër nga librat?

Nuk besoj se kritika i largon njerëzit prej librit. Përkundrazi, kritika e zgjon dhe stimulon oreksin e lexuesit. Nëse kritiku shkruen nji recension pozitiv, lexuesi i urtë të nesërmen shkon në librarí dhe e blen librin në fjalë. Mendoj se âsht mâ tepër ritmi jetësor gjithnji e mâ shumë në rritje që e tërhjek lexuesin prej librit. Bota jonë nervoze dhe hektike. Mjetet teknike si kompjuteri të cilat kinse na e lehtësojnë jetën dhe kursejnë kohë, por në të vërtetë na krijojnë edhe mâ shumë trysni kohore mbasi na mundësojnë me punue edhe mâ shpejt edhe mâ shumë. Murtaja e televizionit e tërhjek shumë vëmendje, kohë e energji. Nji rol të madh në këtë mes luen edhe shembja e vlerave dhe globalizimi i mosvlerave (shih për shembull rastin e shundit blasfemik të Dan Brown-it), banalizimi dhe sipërfaqëzimi i kulturës (p.sh. "letërsia e lehtë", veçanërisht ajo amerikane).

-Si është roli i kritikës sot në krahasim me shkrimtarët, ka më shumë kritikë apo njerëz që duan të bëjnë letërsi?

Nëse flasim për Shqipninë, kritika letrare sidomos ajo serioze më duket nji dukuni pothuej e pakenë. Ka tepër shumë nxanësa dhe studentë që duen me "bâ letërsí". Mirëpo, për fat të bardhë, ka dhe mjaft njerëz që jo vetëm duen me bâ letërsí por që edhe shkruejnë letërsí, letërsí të vërtetë.

-Si e shihni interesin ndaj letërsisë shqipe jo vetëm në gjuhën ku ju përktheni në gjermanisht, por edhe në gjuhë të tjera. Sa interes ka për të?

Interesi ndaj letërsisë shqipe duket ka nji traditë në Francë. Francezët janë me nji kulturë mâ të gjanë e të hapun se popuj të tjerë. Në Francë interesohen, fjala vjen, edhe për letërsinë rumune e cila âsht mjaft e panjohun në vendet e ndryshme europiane. Përjashta Francës, interesimi për letrat shqipe s'âsht tepër i madh. Këtu, duhen diferencue kategori të ndryshme. Tjetër âsht interesimi për letërsinë shqipe dhe tjetër âsht interesimi për veprat e kryeshkrimtarit a gjeniut të saj. Për atę të fundit, ka nji traditë interesimi në vendet gjermanishtfolëse ku i janë përkthye dhe i përkthehen edhe mâ tęj shumë vepra. Kohëve të fundit mjaft interesim ka edhe për librat e Fatos Kongolit, përkthye gjermanisht prej Joachim Roehm-it. Përndryshe, sa i përket interesimit për letërsinë shqipe prapë duhet me diferencue. Tjetër âsht interesimi i shtëpive botuese dhe tjetër âsht interesimi i publikut lexues. Interesimi i botuesve âsht pothuej i njęjtë me zero, ndërsa publiku lexues me sa vjen në kontakt me letërsinë shqipe entuziazmohet mjaft për tę. Njifarë tradite interesimi për letrat shqipe ka dhe në Italí, falë ndërmjetësimeve të arbreshëve të atjeshëm. Në vendet e tjera, shikue realisht, interesimi për letërsinë shqipe âsht bukur modest, përfshî këtu dhe botën anglofone ku tani përkthehen konvejer përkthimet frëngjisht veprash të kryeshkrimtarit a gjeniut të letrave shqipe.
Kishte me kenë e këshillueshme po të ndiqte edhe Shqipnia rrugën që e ndjekin vendet mâ të mençme si Hungaria dhe Bullgaria të cilat paratë e tyne të kulturës nuk i fusin në spektaklokulturën e në festivale pompuoze ndërkombëtare por e përkrahin, edhe financiarisht, botimin e përkthimeve prej letërsisë së tyne. Rezultati âsht që sot letërsitë hungareze dhe bullgareze njihen mjaft në vendet gjermanofone.

-Sipas jush, çfarë duhet të ndryshojë në konceptin e letrarëve të rinj shqiptarë?

Asgjâ nëse nuk kanë ndonji koncept. Nëse kanë nji koncept mendoj se do duhej ta përflakin. Poza prej letrari âsht kompatibile me koncepte, letërsia – simbas meje – jo. Letërsia e mirëfilltë nuk duron koncepte. Ajo ka nevojë për autenticitet dhe kreativitet. Dhe për individualitet. Krimi mâ i randë i stalinizmit ndaj letërsisë, përveç dhunimit të së vërtetës, ka kenë kolektivizimi i letërsisë, shtypja e egër e individualitetit krijues. Letrarët e rinj shqiptarë janë në rrugë të mirë poqese emancipohen prej letërsisë së kolektivizueme. Âsht mirë nëse hulumtojnë për individualitetin e vet dhe e zhvillojnë atę. Kishte me kenë kobzezë po të kishin rá në njifarë kolektivizmi të ri, drejtue kundër kolektivizmit të vjetër. Nuk mund të emancipohesh prej grupeve, klaneve a klikave të vjetra me grupe, klane a klika të reja. Shkolla a rryma e vjetër nuk mund të mposhtet me nji shkollë të re. Nga ana tjetër, as nuk mundesh me u emancipue nëse fraternizohesh me gardën e vjetër. Për fat të mirë, ka penda mjaft të pamvaruna që e ndjekin patundun rrugën e vet individuale tue u ndęjtë larg grupimeve, guruve letrarë, rrymave, modave, konjunkturave etj. Ndër individualitetet e tilla letrare kisha me cekë disa emna, veç sa për shembull, si Romeo Çollaku, Gazmend Krasniqi, Ridvan Dibra, Brikena Smajli etj. Siç e thashë pak mâ parë, ndër shkrimtarët e brezave të rinj ka syresh që shkruejnë letërsi aspak të lehtë. Te ata kisha me apelue mos me lëshue pę, mos me bâ kompromis. Atyne due me ua vű në dukje nji thanie të Martin Camajt: "Unë nuk mundem me shkrue me urdhën që të më kuptojnë të gjithë"...


No comments:

Post a Comment