2018-05-06

TRAGJIZMI GREK,MEGALI IDEA DHE PANHELEMIZMI



Prof.Dr.Resmi Osmani 


 Esse



1
Fqinjët tanë lindorë, grekët, që bashkë me ne (shqiptarët), janë nga popujt më të lashtë të gadishullit Ilirik, qysh në zanafillë të tyre, shquhen për shpirtin luftarak dhe për një tragjizëm të thellë në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit, në raport me njëri-tjetrin dhe të tjerët. Çka ngjallte në ta shpirtin luftarak dhe kuturisjet vetjake apo në grup për veprme heroike dhe i jep emërin një periudhe të tërë historike, në epokën e bronzit dhe hekurit, që u quajt heroike. Të ardhur nga lindja në trojet pellasgjike, me mendje pjellore dhe imagjinatë të pazakontë, ata moren mitet zotat dhe besimin e pellazgëve vendës dhe duke i plazmuar sipas kushteve historike dhe psiqikës dhe predispozitave të tyre shpirtërore, ndertuan universin e tyre ireal dhe imagjinar të zotave: në qiell, mbi tokë dhë nëntokë, i cili më pas, me zhvillimin e forcave prodhuese, u shqua dhe u shoqërua me zhvillim të arteve, duke lënë pas një trashëgimi të llojit klasik e te papërsëritshëm, një letërsi epike të teatrit antik dhe një filozofi e cila me pyetjet “pse dhe si,” përpiqej të vendoste dhe spjegonte rendin e gjërave në natyrë dhe shoqërinë e atëhershme dhe me veprat e Pitagores, Platonit, Aristotelit, Sokratit etj.hodhi bazat e filozofisë perndimore.
Duke u nisur që nga panteoni Olimpik, ajo, që ndër vetijat bie më së shumti në sy, është absolutizmi e tirania, tragjizmi, fataliteti dhe shpirti luftarak. Aty, në sferëen qiellore, midis hyjnoreve të perëndishëm, sipas radhës hierarqike, etërve dhe bijve e bijave, pas kaosit, me shfaqien e tyre, u zhvillua një luftë e egër dhe e pamëshirshme, me kacafytje, shqyerje, thyerje eshtrash, djegie e shkrumbosje, gremisje humnerave, me sëmundje të lemerishme, degdisje e zbime të bijve larg Olimpit, midis të vdekshmëve. E gjitha kjo për një shumësi shkaqesh, por para së gjithash, per pushtet, por edhe për vese të perëndishme: hatërmbetje ,mosbindje, refuzime apo fyerje.
Kroni, ati i Zeusit, që të merrte pushtetin vrau babën e vet, Uranin dhe u martua me të motrën Rean. Si atëhere dhe më pas, për te qenë sundues mbi zotat dhe hyjnoret e tjere, mbi tokën dhe fatet e njerëzve, lufta ishte e egër dhe me pasoja tragjike. Kroni nga frika se mos humbiste pushtetin nga pasardhësit, i gelltiste të sapolindurit e tij nga Rea. Zeusi, kryezoti, u bë i tille pasi mposhti me lufte te atin dhe me pas gjigandet. Por edhe ai kur i thanë orakujt se fëmija që do të lindëte nga shtatzania e gruas së tij Metidës i rrezikonte fronin, e gëlltiti atë dhe nga koka e tij lindi Atena. Motivi kryesor i ketyrte luftrave ishte sundimi, pushteti apsolut e i pakufizuar. Zotat dhe perënditë ishin para së gjithash luftëetarë : në qiell, mbi e nën toke dhe në det. Zbrisnin në tokë dhe sipas simpative njeridashëse përziheshin me fatet dhe jetëen e njerëzve. Forca e veprimit dhe drejtesia e gjykimit të tyre ishte kthyer ne fatalitet te padiskutueshem. E vetmja mënyrë për t’i zbutur dhe pasjen e miradisë së tyre, ishin flitë,(pa përjashtuar edhe ato njerëzore) libacionet dhe dhurimet. Dënimet që jepnin ishin tejet tragjike: Apoloni dhe Artemida vranë fëmijët e Niobës se ajo guxoi dhe u mburr që kishte lindur katërmbëdhjete fëmijë ndaj dyve që kishte lindur Latona. Prometeu, zjarrdhuruesi i njerëzve, u lidh me pranga në shkëmb, ku shqiponja i hante mëelçinë. Tragjike ishin edhe dënimet xhelozuese e cmirëzeza per Narcisin, Adonisin etj. Në botën e nendheut ku sundonte Hadi, denimet ishin të llahtarshme. Mjafton te kujtohen vuajtjet e përjetshme të Sizifit me gurin mbi shpinë dhe të Tantalit, që i zhytur në ujë nuk mund të shuante etjen.Poseidoni ngrinte në det furtuna e tramundana që shkatërronin lundrimin. Pa sjellë të tjerë shembuj me të cilët mitologjia e lashte greke është e mbushur cit, duhet pranuar se mizoritë dhuna dhe tragjizmi i tyre s’kanë të numëruar.
Ata, apo ato, që nuk ishin të njëmendtë, ishin krijesa të mendjeve njerëzore dhe u imagjinuan dhe u bënë të tillë e të atilla, jo vetëm për t’i patur frikë, e pranuar si sundimtarë, por edhe për të patur të drejtën e shkakut të parë (precedent) për të vepruar si ato. Nga hierarkia e perëndive të adhuruara, këto “vese” hyjnore, s’kishin si te mos përvetoheshin , imitoheshin dhe praktikoheshin, në jetën dhe praktikën njerëzore të shoqërisë së atëhershme tribale greke.
2
Guximi dhe e drejta për të vepruar si hyjnorët, kanë qenë frymëzimi për kuturisjen e heronjve mitikë për vepra heroike, të dyja këto dukuri kanë qenë të lidhura dhe kanë ushqyer njëra-tjetrën. Në themel të tyre është mizoria dhe tragjizmi i veprimeve, vrasja dhe masakrimi i kundërshtarëve, mjaftonte që të shpinte në arritjen e synimeve. Dhe synimi kryesor ishte sundimi dhe pushtimi, robërimi, grabitja e plaçkitja. Në fillim brenda tribuse e polisit, pastaj midis poliseve te afërt, më pas në gjeohapësirën greke, e pastaj me fuqizimin ekoniomiko-ushtarak, jashte territoreve te tyre. Udhetimet dhe kuturisjet e heronjve mitikë, kanë qene jo vetëm eksploruese të vendeve dhe popujve të tjerë, por kryesisht për qëllime grabitqare. Argonautët në ekspeditën e të cilëve u përfshinë heronjtëe më të lavdishëem mitikë, udhëtuan për në Kolkidën e largët për të grabitur bashkën e dashit të artë, që e zotëronte mbreti Ejet , të tjerë me Herakliun, u turrën në skajin perëndimor për t’i grabitur Atalantit mollët e arta të kopshtit të Hesperideve. Gjithkund si grabitës e jo si miq.
Ashtu si në pallatet e hyjnorëve, krimi zbriti edhe në pallatet e mbretërve dhe sundimtarëve. Krimet e motivuara nga etja për pushtet brenda familjeve dinastike, veçanërisht, janë rrënqethëese. Me tipiket janë ato të Atridëve në Mikenë. Në pallatin mbretëror, vrasjet dhe mizorite nuk njohin asnjë cak. Atreu, për shkaqe adulteri por edhe sundimi, bën një akt kanibalesk: vret femijët e të vëllait Tiestit dhe ia bën gjellë për t’i ngrënë, Agamemnoni flijon në altar të, bijën Ifigjeninë dhe vritet vetë nga e shoqja Klitemnestra. Oresti vret të ëmën Klitemnestrën dhe të dashurin e saj Egistin. Edipi, pas një sërë rrethanash e fatalitetesh vret të atin dhe martohet me të ëmën. Medea, për shkak të tradhëtis së Jasonit, vret fëmijët e saj dhe lista e krimeve tragjike mund të zgjatesh pa fund. Krimi në familje është trajtuar në veprat e tragjikeve të mëdhenj grekë të shkujve V-VI para erës së re: Eskili, Sofokliu, Euripidi etj. Thelbi i këtyre tragjedive tronditëse, nuk shtë thjesht rrëfimi i ngjarjeve por gjykimi i qetë dhe shtjellimi i nocioneve morale te se drejtes dhe te se padrejtës , i hakmarrjes dhe gjakmarrjes dukei i parë këto nocione morale si vendkëmbyese, si në një reaksion kimik reversibël: Ajo që është e drejtë, po u tejkalua, mund të kthehet kundëer teje, dhe kur e keqja nga pala tjetër, tejkalohet ndaj teje, kthehet ne të mbarën tënde dhe të jep të drejtën e veprimit pëer hakmarrje dhe shpagesë. Sidoqoftë, gjithë veprimet kanë karakter tragjik dhe gjaku derdhet lumë edhe kur vihet në vend e drejta edhe kur zbatohet hakmarrja, pasi gjaku i derdhur duhet larë me gjak të ri dhe vdekja duhet të shpaguhet me vdekje. Është kjo gjakmarrja klasike.
Në çdo rast, janë të pranishëm zotat, që mbajnë anësi e këshillojnë apo mbrojnë herë njërën e herëe tjetrën palë. Raportet e së drejtës me të padrejtën, duken më ashiqare në trilogjinë e Eskilit Sa kohë akejtë sulmonin per të rikthyer helenën në Spartë, ishin në të drejtën e tyre dhe zotat i mbështetën, por pas pushtimit dhe krimeve mizore, kjo e drejtë u tejkalua dhe zotat i dënuan : në lundrimin për kthimin në shtëpi, ngritën një furtunë që shkatrroi flotën dhe ushtrinë e tyre, apo degdisi disa nga prijësit në vende të largta. Me fund tragjik janë edhe kthimet e heronjve pas luftës trojane, mjafton të kujtohet ploja e Odiseut mbi mtonjësit.
3
Guximi, fryma heroike dhe bindja në vërtetsinë e orakujve dhe shfaqieve me forma njerëezore të perëndive këshilluese, bënë që popujt e atëhershëm, (që popullonin hapësirën që më pas u quajt Hellas, nuk përbënin komb e nuk kishin një emër të përbashkët, por mbanin emërat e vendeve që banonin: spartanë, argeas, tebanë, eubeas, korintas, athinjotë apo atikas, mirmidonë, feakas,etj.), të fillonin luftrat dhe pushtimet. Këto luftëra dhe pushtime ishin sa heroike aq dhe tragjike, me vdekje dhe gjak. Midis poliseve greke, kishte luftra të pandërprera për pushtim, sundim , grabitje dhe plaçkitje, zotrim të skllevërve dhe te mirave të popullit tjetër. Lufta e parë e madhe e fiseve të njësuara jashtë trojeve të tyre ishte ajo kundër Trojës, që zgjati dhjetë vjet. Pas zbritjes nga veriu i gadishullit ilirik te Dorëve, pushtimit prej tyre te Tesalisë, Peleponezit Atikës dhe ishujve, shkatërrimit të qytetrimit mikenas, nisi epoka e kolonizimeve dhe e kërkimit të hapësirave jetike e përhapjes së fiseve në Azinë e Vogël. Anatoli, Frigji, Kapadoki, Kiliki etj. Qytetet dore të Megarës dhe Korintit, kolonizuan Italinë e Jugut, Apoloninë, Dyrrahun, Farosin dhe Isian në bregun dalmat, Qipron, brigjet e Detit të Zi, në Afrikë, etj. Popujt helenik te gadishullit u kthyen në fuqinë koloniale më të madhe të kohës, kryesisht në lindje. Në ndëerkohë, vijonin edhe luftërat e brendshme për hegjemoni; Argosi kundër Tebës, Sparta kundër Athinës, Lufta e Peleponezit me disa ndërprerje zgjati afro tridhjet vjet. Më pas u shfaq për herë të parë rreziku I pushtimit të një armiku të jashtën ai Persian, që helenët e prballuan me guxim dhe heroizëm. Luftërat s’kishin të mbaruar, erdhën më pas luftrat me maqedoninë e Filipit dhe Aleksandrit që nënshtruan dhe poshtëruan gjithë greqinë.
Lufta, etja për pushtime, kolonizime, nënshtrim të popujve të tjerë, ekspansioni kulturor dhe i vlerave shpirtërore, u kthye në frymë, në forcë vepruese. Edhe pse term i perdorur nga historiografët modernë, helenizmi u bë prirje sunduese për tu shndërruar më pas në ideologji. Me luftërat e Aleksandrit, helenizmi u shtri nga Olimpi në Himalaje.
Këtij ekspansioni i dha fund pushtimi romak.
4
Kaluan shekuj. U pranua krishterimi si besim monoteist. Helenët e morën këtë besim të ri me ortodoksizëm e fanatizëm dhe u bënë shprehësit më në zë të tij. U nda perandoria romake. U ngrit dhe ra perandoria Bizantine. Erdhi pushtimi turk. Në Ballkan nisën revolucionet per pavarësim. Në të drejtën e tyre kombëtare, për të qenë të lirë, e ushqyer kjo edhe nga kujtimi i miteve,krenarisë për atë që kishin qenë, historisë, bëmave dhe frymës heroike të ruajtura e trashëguara nga mitet dhe të frymëzuara nga ortodoksizmi, me përballjen e kryqit kundër gjysmëhënës, grekët u hodhën në kryengritje dhe më 1831, me ndihmën e fuqive europiane fituan pavarësinë. Një pavarësi e cunguar. Jashtë shtetit grek të shpallur, mbetën shumë territore të banuara nga grekë.
Problemi i pavarësisë mbetei i hapur e i papërfunduar. Këtu ndodh një rizgjim, vjen si një jehonë e largët e kaluara, e asaj që dikur kishte qenë, e frymës luftarake, heroike dhe tragjike që nis të ushqejë frymën nacionaliste, që projekton një shtet grek të ardhshëm, në kufijtë e perandorisë bizantine, qoftë edhe në dëm të popujve të tjerë, pavarësisht nga ndryshimet historike dhe territoriale, duke pranuar çdo sakrificë por edhe çdo mjet e mundësi: luftrat e ardhshme, spastrimet, vrasjet, djegiet, shpopullimet, shpërnguljet etj.
Këtu nis tejkalimi i së drejtës. Çdo gjë për vete, asgjë për të tjerët. Lindi kësisoj ideologjia e re e Megali Idesë, e Idesë së Madhe. Ideatori dhe ideologu i parë i saj qe më 1844 kryeministri i atëhershëm Jani Koleti. Një epirot, ish mjek, nw shërbim të Myftar Pashës, birit të Ali Tepelenës. Po atë vit, ministri i jashtëm i qeverisë greke, deklaroi ne parlament se: Mbretëria e Greqisë nuk është Greqi. Kjo ëeshtë pjesa e vogël e varfër e Greqisë. Ka dy qendra të mëdha të helenizmit. Athina është kryeqyteti i mbretërisë, Kostantinopoja është kryeqyteti i madh, qyteti i ëndrrës dhe i shpresës për të gjithë grekët.
Megali Idea, u kthye për grekët dhe qarqet e saj sunduese në ideologji kombëtare, pjesë e psiqikës së tyre, që nga fëmija deri te plaku. U fut në programet mësimore dhe universiteti i Athinës, mori porosi që të përgatiste apostuj dhe ideologë të kësaj ideje. Kësaj ideologjie ju bë krah edhe panhelenizmi, nëpërmjet kishës ortodokse, me parimin se çdo ortodoks është grek, për këtë qysh më heret nisi dërgesat e misionarëve, ndër ta , për viset shqiptare duhet përmendur Kozma Etoliani, që e nisi veprimtarinë qysh nga gjysma e dytë e viteve 1700, siç shihet goxha heret. Tash vonë kisha greke e shpalli atë shenjtor dhe 24 gushti që është, ditvrasja e tij, përkujtohet në Kolkondas të Fierit, me të ardhur nga gjithë greqia.
5
Thonë që historia përsëritet, por në trajtë spirale, në ngjitje, nga poshtë lartë. Grekët në çdo spirale të historisë së tyre, kanë gjetur piktakime, që nisin nga lavdia e lashtëesisë me gjithë shumësinë e saj të vlerave apo të antivlerave, që ushqejnë ambicjet dhe idetë e madhështisë, për tu rikthyer sërish në atë që dikur ishte gjeohapësira helenike, pavarësisht nga ndryshimet epokale të ndodhura. Megali Idea dhe Panhelenizmi u ushqyen e u nanurisën edhe nga fuqitë e mëdha europiane: Rusia cariste ortodokse, Anglia, Franca, e veçanërisht nga Bavaria dhe shtetet e tjera gjermane, që shihnin në qytetrimin e lashtë grek, artin, letërsinë dhe filozofinë e tij, rrënjët e qytetrimit të tyre perndimor. Për këtë jepnin edhe përkrahje pa rezerva për pavarësimin dhe fuqizimin e saj. Në luftërat e shekullit XIX, sa herë I “Sëmuri i Bosforit” humbiste, Greqia veçanërisht dhe mbrteëritë e tjera të reja ballkanike, u shtonin shteteve të tyre me luftë pjesë të reja nga trojet shqiptare. Megali Idesë Greke, iu shtua edhe “Naçertanje” serbe, me të njëjtat synime, bashkimin me shtetin serb të trojeve shqiptare të veriut.Të dyja këto ideologji, u kthyen në rrezikun më të madh të shqiptarëve, por jo edhe vetëm të tyreve.
Zëdhënës, artizan dhe luftëtar i Megali Idesë, u bë kryeministri grek Venizellos,(1864-1936), që e shihte Greqinë si pasardhëse të Perandorisë Bizantine. Pas shkëputjes së Çamërisë nga Konferenca e Londrës më 1913, synimi i tij ishte gjithë Shqipëria e Jugut apo i ashtuquajturi Vorio Epir. Në ndihmë të realizimit të këtij synimi, iu drejtua edhe trashëgimisë historike tragjike, që armë të saj ka vrasjet, gjakderdhjen, përdhunimet, shkatrrimin dhe djegien e qendrave të banuara dhe shpërnguljet, për të krijuar hapsira etnikisht dhe fetarisht të pastra. Ishte kjo politika zyrtare greke që u zbatua në luftën ballkanike. Për popujt e tjerë, pasojat qenë tepër tragjike. Gjatë luftës ballkanike, Greqia pushtoi Shqipërinë e jugut. Për spastrimin e saj nga popullata vendëse e besimit myslyman në Kolonjë, Korçë, Kostur, Tepelenë, Përmet,Skrapar etj. u kryen masakra të papara për tragjizmin dhe mizorinë e tyre. Vetëm në Panarit të Kolonjës, në një fshat u masakruan afro 400 shqiptarë, kështu edhe në Hormovë të Tepelenës e gjetk, aq sa popullata, për të shpëtuar jetën, braktisi vendbanimet dhe u drejtua për në Vlorë ku u grumbulluan mijëra refugjatë.
Me pushtimet dhe aneksimet në Thesali, Maqedoni, Traki dhe pas pushtimit të Izmirit dhe brigjeve perëndimore të Azisë së vogël në vitet 1919-21në luftën Greko-Turke, u duk se ëndërra greke e Megali Idesë po përmbushej. Zhvillimet e mëpasme dhe disfata katastrofike greke, nga goditjet e ushtrisë turke e çmundësuan pjesërisht atë, por greqia shumfishoi territoret e shtetit të vet, duke u bërë ajo që është sot. Këto prirje dhe ndjekja e ëndrrës megaliideiste me veprimet ushtarake patën pasoja tejet tragjike për ndërluftuesit, veçanërisht për vetë ata, grekët. U çvendos nga trojet e veta një popullsi milionëshe, nga të dy krahët, përfshi dhe shqiptarë të besimit myslyman nga Çamëria, Maqedonia, Kosturi e Follorina, të cilët pasi përjetuan tmerret e luftës dhe terrorit, vdekjet nga vuajtjet, humbjen e pasurisë, u degdisn në hapësirat e Turqisë Aziatike me të cilën si lidhte asgjë.
Ky ishte fryti i hidhur i Megali Idesë.
6
Nuk mbaron me kaqë. Ëndrra megaliideiste mbahet gjallë dhe vazhdon edhe më pas, siç do ta shohim më poshtë edhe sot e kësaj dite. Përpjekjet për homogjenizimin e popullatës në trojet e pushtuar, çuan në një ksenofobi të shfrenuar. Ndaj shqiptarëve myslymanë të Çamërisë në fund të Luftës së Dytë Botërore, genocidi i nisur më 27qershor 1944 çoi në dhjetimin dhe shpëernguljen me dhunë të popullatës me një genocid e mizori tipike. Të tilla akte, por jo me aq mizori u kryen edhe kundër hebrejve, që iu dorëzuan gjermanëve dhe sllavëve të Maqedonisë gjatë luftës civile. Shteti grek nuk i njeh minoritetet. Ka një politikë konstante të asimilimit dhe greqizimit të kujtdo të kombësie tjetër, që qoftë edhe si emigrantë gjenden në Greqi. Mjafton të kujtojmë ndrrimet e emrave, konvertimet dhe pagëzimet e shumë emigrantëve shqiptarë.
Ka ndër të tjerë edhe tregues që qëndrojnë si fakte kokëforta, për qëndrimet politike megaliideiste dhe panhelenike të qarqeve të sotme politike greke, pavarësisht se kujt partie i përkasin. Qëndrimet megaliideiste dhe panhelenike mbeten njësi kostante. Ja disa shfaqie të këtyre dukurive:
Mbajtja në fuqi e ligjit të luftës me Shqipërinë. Parlamenti grek nuk e shfuqizon atë. Ndoshta është rast pa precedent. Midis dy vendeve ka një traktat miqësie, të dy vendet janë anëtare të Paktit të Atllantikut Verior(NATO), por çuditërisht ende në gjendje lufte! Pavarësisht nga sofizmat që përdoren për ta quajtur atë si të kapërcyer e të mosqenë, ky ligj është në fuqi, i shkruar e zeza mbi të bardhë, i pa shfuqizuar, gozhda e ndryshkur e këtij ligji të fosilizuar , qesharak dhe arkaik, i veshur me fantazmën e luftës është e ngulur fort në murin e parlamentit grek, por jo pa shkak, për ta përdorur kur u duhet. Aty, veç të tjerave, qëndrojnë të varura pronat dhe pasuria e patundshme e çamëve dhe shqiptarëve të tjerë të vëna nën sekuestro. Dhe kuptohet Shqipëria dhe shqiptarët si armiq!
Është i njohur qëndrimi refraktar shurdhëria dhe verbëria e gjithë qeverive greke për problemin çam.Janë afro 300 mijë qytetarë shqiptarë me prejardhje nga ajo krahinë që ngrenë zërin për të drejtat e tyre. Por dera është e mbyllur, trokitjet bien në vesh të shurdhër. Me gjithë të vërtetat historike, të njohura e tashmë të dokumentuara, për ta problemi çam nuk ekziston, dhe pikë!
Me gjithë gllabërimin e Çamërisë dhe atij që ishte vilajeti shqiptar I Janinës në Epir, për qarqe të caktuara, oreksi megalideist i të quajturit “Vorio Epir” që sipas tyre përfshin gjith jugun e Shqipërisë e që hera herës arrin deri në Shkumbin apo Drin, mbetet aktual. Ka organizata, të quajturit sillogje, ka grupime të armatosura si MAVI, bëhen veprimtari, mbahen konferenca dhe paraqiten argumenta dhe pretendime që Vorio Epiri është Greqi dhe banorët e tij grekë! Ky zjarr vazhdon të mbahet i ndezur. Për t’i fryrë atij gjenden edhe renegatë dhe të shitur gjakprishur. Ka një politikë largshikuese dhe një strategji afatgjatë për helemizimin e jugut shqiptar: trajtimi i diferencuar i emigrantëve me perkatësi vorioepirote, pensoionet, ngritja e varrezave perkujtimore për ushtarët grekë të rënë në luftimet italo-greke në territorin shqiptar etj. etj. Në plan të parë dhe pararojë ka dalë kisha ortodokse greke me panhelenizmin, që në mënyrë sistematike, ngadalë, metodikisht shpërndan nëpërmjet ortodoksizmit frymën e helenizmit, për të rrënjosur idenë se çdo ortodoks është grek dhe se greqishtja është gjuha e Zotit!. Në krye të këtij misioni qëndron Hirësia e tij Anastas Janullatosi, i pranuar nga politikanët shqiptarë në vitet 90-të dhe, që gjoja i ardhur për riorganizimin e kishës ortodokse, në zbatim të porosive fanariote, uzurpoi Kishën Autoqefale të Shqipëerisë dhe sot e kësaj dite meshon greqisht në mes të Tiranës. Ka një sinod me shumicë greke dhe ndjehet fare mirë në kishën katedrale në qendër të Tiramës. Tashmë riorganizimi i kishës ortodokse ka përfunduar, janë ngritur objekte të kultit (nganjëherë edhe aty ku s’ka ortodoksë), seminaret dhe shkollat teologjike të drejtuara nga njerëzit e Hirësisë së Tij, kanë përgatitur klerikë të rinj, por me gjithëse kanë kaluar tashmë 25 vjet, nuk gjendet dot një klerik ortodoks, që ta zëvendësojë Fort Lumturinë e Tij Anastas. Jo se ai është i pazevendësueshëm, por ende se ka përfunduar misionin e tij.
Hija e kalit të Trojës shfaqet e veshur me veladon tëzi.
* * *
Në fund të kësaj trajtese le ti kthehemi fillimit të saj. Tragjikët e mëdhenj grekë Eskili, Sofokliu, Euripidi etj. i shkruan tragjeditë e tyre, që kur njerëzit e kohës së tyre t’i shihnin në skenë, të reflektonin sipas moralit të kohës mbi të drejtën, të keqen, hakmarrjen e gjakmarrjen, vyrtytet dhe veset njerzore dhe të realizonin atë që e quanin katarsis, pendesën dhe ndjesën.
Këtë, qarqet politike greke, nuk arrijnë ta realizojnë ende në raportin midis së drejtës dhe të padrejtës në raport me fqinjin e tyre. Ata nuk ndjejnë pendesë dhe nuk u kërkojnë falje atyre, që kanë pësuar nga padrejtësia e veprimeve të vendit të tyre.
E drejta vonon, por nuk harron.
23.04. 2015

No comments:

Post a Comment