2018-05-30

Zëri i Amerikës ështëzëri i së vërtetës



Koncesionet e inceneratorëve të plehrave në Shqipëri, janë bërë shkak i debateve dhe akuzave politike të ndërsjellta në ditët e fundit. Këtë problem e ka prekur pak ditë më parë edhe Zëri i Amerikës, i cili ndiqet me shumë interes nga shqiptarët. Kjo ka të bëjë me besimin që kanë shqiptarët tek Zëri i Amerikës, të cilin shqiptarët e konsiderojnë si zëri i së vërtetës. Të gjithë e kanë të qartë se Zëri i Amerikës është një media shumë objektive, e paanshme dhe shumë korrekte. Zëri i Amerikës është media shtetërore e SHBA-ve dhe nuk ka asnjë mundësi të ketë qëndrime të njëanshme. Në këtë këndvështrim, askush nuk ka arsye dhe dyshimin se kjo media me shumë reputacion dhe integritet në botë, mundet të gabojë apo mundet të mbajë anësi politike.

Në debatin që po bëhet për inceneratorët e plehrave që do të ndërtohen në Shqipëri, gazetari Arben Xhixho i Zërit të Amerikës, ka marrë në intervistë kryeministrin Rama, duke e prekur edhe këtë problem, i cili për banorët e zonave ku do të ndërtohen inceneratorët e plehrave, janë shqetësim i madh. Kronika me banorët e fshatrave ku do ndërtohen inceneratorët e plehrave, thuhet nga opozita, se pas këtyre projekteve janë kompani nga zonat “Off Shore”. Pikërisht për këto shqetësime, Zëri i Amerikës brenda etikës profesionale i kërkon kryeministrit një shpjegim të qartë. Në këtë intervistë shumë serioze nga kolegu Arben Xhixho, Rama është përgjigjur në natyrën e tij të ashpër duke harruar se tashmë është në intervistë të drejtpërdrejtë me Zërin e Amerikës.

Për një moment le të gjykojmë se Rama ka folur ashpër për mediat shqiptare ashtu si gjithnjë, por që gjithnjë ka gabuar, kur mediat i etiketon kazan mediatik. Ndërkohë, a e mendon kryeministri se kur je para Zërit të Amerikës duhet kujdes politik, kulturë, edukatë sepse përfaqëson liderin që qeveris një vend, i cili është anëtar i NATO-s, është vend kandidat në BE dhe aspiron për të hapur negociatat për anëtarësim në BE?! Kjo deklaratë e z. Rama sigurisht nuk tingëllon aspak mirë në opinionin shqiptar, por me siguri kjo deklaratë e tij nuk do t’i pëlqejë aspak edhe Zërit të Amerikës si institucioni mediatik më i vërtetë në planet.

Nga ana tjetër, kemi individë politikanë nga opozita, e cila me të drejtë i komenton deklaratat e Ramës ashtu siç ka dëshirë dhe siç i interesojnë. Opozita, në mënyrë objektive ka kapur momentin ku kryeministri citon me zë të qartë “këneta politike mediatike”, por për cilat media flet kështu Rama?!

Para një debati publik ku kryeministri thotë “mos dëgjoni zhurmën e kënetave politike e mediatike”dhe kur nga ana e kundërshtarëve politikë, dikush përpiqet të bëjë avokatin për Zërin e Amerikës, kjo nuk shkon fare nga të dyja anët ku vlen të them se kjo është e neveritshme nga të dyja anët. Kështu pyes veten, sa janë shanset që politika dhe politikanët në Shqipëri të ndryshojnë? Kur do të mësojnë politikanët e nivelit më të lartë në Shqipëri, që të deklarohen me kulturë dhe etikë? Deri kur do të bëjnë Hamletin, politikanët tanë? Këto pyetje duan kohë të marrin përgjigje, por me sa gjykoj, kjo kohë është larg sepse edhe politikanët e rinj janë të infektuar nga politika e vjetër ironike.

Shumë nën zë thonë “Rama ka patur mbështetje politike nga ndërkombëtarët, Rama ka mbështetje nga Sorosi, për Ramën bëjnë lobingje në arenën ndërkombëtare kundrejt pagesave te majme, Rama është i lidhur me Hillary Clinton”. Sa qesharakë bëhen këta thashethemexhinj politikanë të vegjël në mendje. Ata, edhe pse janë në politikë ku më shumë shikojnë interesat e tyre personale, nuk e kanë aspak të qartë se Amerikës nuk i intereson aspak se kush është në pushtet, amerikanët janë të drejtpërdrejtë në qëndrimet e tyre, ata janë kritikë për cilëndo palë politike kur gabon. Amerikanët, kurrë dhe në asnjë moment nuk i kanë fërkuar krahët asnjë krahu politik, por kërkojnë që Shqipëria të udhëhiqet në mënyrë demokratike, të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Amerikanët e duan Shqipërinë drejt një prosperiteti perëndimor-europian. Për çudinë e të gjithë shqiptarëve, partitë politike gjithnjë kur janë në hall kërkojnë ndihmën e SHBA-ve, duke kthyer kokën përtej oqeanit sikur prej andej vjen shpëtimi i tyre. Pastaj ka patur shumë raste që i kanë kthyer krahët Uashingtonit, kur kritikat kanë ardhur po përtej oqeanit ku ata kërkojnë shpesh ndihmë dhe oksigjen për të mbijetuar. Jo pak herë, ambasadorët amerikanë në Shqipëri janë anatemuar me deklarata të turpshme dhe të papranueshme nga liderë dhe politikanë të nivelit më të lartë në Shqipëri.

Politikanët tanë duhet të mësojnë një herë e mirë se Zëri i Amerikës është një media transmetimesh ndërkombëtare që financohet nga qeveria amerikane nëpërmjet Bordit të Guvernatorëve për Transmetimet. Me këtë dua të theksoj se kryeministri Rama duhet të jetë shumë i kujdesshëm në qëndrimet e tij për mediat në Shqipëri,të cilat meritojnë shumë respekt sepse mbijetojnë me shumë sakrifica, por nga ana tjetër dua të them se Zëri i Amerikës nuk ka nevojë për “avokat politik” dhe as ka nevojë për servilizma politike. Zëri i Amerikës është zëri i së vërtetës dhe si i tillë duhet dëgjuar me shumë vlerësime, sepse është një media amerikane transmetimesh ndërkombëtare shumë i respektuar për profesionalizëm dhe objektivitet.

No comments:

Post a Comment