2018-05-16

Zoran Vukotiqi lirohet nga akuza për vrasjen e 4 civilëve shqiptarë më 1999

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.


Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.


Zoran Vukotiq, i akuzuar për vrasjen e 4 civilëve shqiptarë më 5 maj të vitit 1999, është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Kjo edhe pse Darius Sieliczki, kryetar i trupit gjykues, ka thënë se Vukotiqi “qëllimisht i rrahu dhe më pas i vrau Enver Rrustollin, Hamdi Fazliun, Avdulla Fazliun dhe Fahredin Fazliun në shtëpinë e familjes Fazliu, pasi edhe kishte rrahur e plaçkitur civilë të tjerë shqiptar”


Palët e dëmtuara udhëzohen për padi civile për kompensim dëmi.

Sieliczki, pas vendimit të trupit gjykues, tha se “nuk kishte dyshim për faktet, gjërat që kanë ndodhur në maj të vitit 1999, por ka pasur dyshime të mëdha lidhur me pjesëmarrjen e Zoran Vukotiqit në këto veprime si person përgjegjës për të gjitha ato të këqija që u kishin ndodhur familjeve”.

Përveç këtij rasti ku u lirua, ndaj Vukotiqit mbesin edhe dy aktakuza për krime lufte, raste që janë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Dëshmitari i propozuar nga Prokuroria, Bedri Fazliu, ka dëshmuar  në gjykimin e Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Fazliu rrëfeu për përjetimet e tij dhe të të afërmve më 5 maj 1999.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, dëshmitari tregoi se atë ditë ishte në shtëpinë e axhës së tij.

“Unë atë ditë isha në shtëpinë e axhës, duke ia prerë atij flokët. Kur i kam kry e kam ndi një zhurmë mbrapa shtëpisë. Ka ardh shoqja dhe më ka thanë se po i rrehin në atë shtëpi disa njerëz dhe pas kësaj unë kam shkuar prej shtëpisë së axhës në shtëpinë time dhe jam zgjatë mbi mur duke u mundu me shiku çka po ndodhë aty “, tha dëshmitari.

Më pas, Bedri Fazliu tha se aty kishte parë dy persona: tani të pandehurin Zoran Vukotiq si dhe një tjetër të quajtur Gorolub Paunoviq.

“Goroljub Paunoviq mbante një thikë në njërën dorë kurse në dorën tjetër një pistoletë. Ai kishte shkuar në drejtim të një gruaje të re, e cila mbante një fëmijë në dorë duke tentuar t’ia merrte nga dora dhe në momentin kur gruaja kishte kundërshtuar që t’ia jap fëmijën ai kishte filluar t’i godasë me kondak të armës atë dhe dy gra të tjera të cilat kishin qenë më të”, shpjegoi dëshmitari.

Duke iu referuar një skice të prezantuar në Gjykatë, dëshmitari gjithashtu tregoi se prej shtëpisë së axhës kishte dalë për të shkuar në shtëpinë e Rasim Hajrizit, ku kishin qenë duke qëndruar babai dhe vëllezërit e tij.

Ai tregoi se kishte shkuar për t’i lajmëruar Hamdi, Avdullah dhe Fahredin Fazliun si dhe Enver Rrustollin, të cilët kishin qenë duke qëndruar në një pllakë betoni, për ngjarjen që e kishte parë lidhur më ato gratë dhe fëmijën.

Tutje dëshmitari tregoi se si Zoran Vukotiq kishte qëndruar afër një shtylle elektrike te shtëpia e Ahmet Sahitit me pushkë në dorë dhe brenda në shtëpi të tij kishte qëndruar edhe Gorolub Paunoviq, të cilin nuk e kishte parë por për këtë kishte mësuar më vonë. Kurse nga shtëpia e Adem Dergutit kishte parë se në shtëpinë e Izet Morinës kishte hyrë Gorolub Paunoviq dhe Zoran Vukotiq, të cilët i kishin rrahur gratë dhe me dhunë ua kishin marr arin. Gjithashtu ata kishin rrahur edhe një djalë të ri 15 vjeçar.

Dëshmitari shpjegoi se si e kishte parë Zoran Vukotiqin kur e kishte marrë nga shtepia e Adem Dergutit vëllain e tij dhe e kishte dërguar në shtëpinë e tij.

Tutje ai tregoi se si kishte ndodh ngjarja pasi që i pandehuri Vukotiq dhe Gorolub Punoviq e kishin dërguar vëllain e tij në shtëpi.

“Në shtëpinë time e kam parë Zoran Vukotiqin duke e mbajt vëllain, ndërsa Gorolubi ka shkuar në shtëpinë e axhës, e ka marrë edhe axhën dhe e ka sjellë në shtëpinë time, kurse në shtëpinë përballë ka qenë edhe Enver Rrustolli dhe Hamdi Fazliu”, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitari rrëfeu si ishin vrarë Enver Rrustolli dhe Hamdi, Fahredin dhe Avdulla Fazliu.

“Enveri ka thanë me shku me i pshtu se ata nuk kanë pare e i vrajnë. Janë hy brenda Hamdia dhe Enveri, brenda ka qenë Zorani me axhën dhe me Fahredinin. Pasi që kanë hi këta brenda nuk ka zgjatë shumë janë dëgju armët kur kanë kërsitë“, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitari shpjegoi se ai kishte qenë prapa grilave të një rrushi kur i pandehuri Vukotiq dhe personi tjetër i quajtur Gorolub Paunoviq kishin dalë nga shtëpia e tij dhe dëshmitari kishte ikur dhe kishte shkuar te shtëpia e Adem Gergurit, ku më pas gruaja e tij kishte shkuar dhe i kishte treguar se i kishin vrarë Hamdi, Fahredin e Avdulla Fazliun si dhe Enver Rrustollin.

Pas pyetjes se prokurorit Elez Blakaj se çfarë kishte bërë ai pasi që e kishte njoftuar bashkëshortja për vrasjen, ai tregoi se kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte parë kufomat.

“Unë kam shku në shtëpi. Kur kam hi e kam pa axhën i cili ishte në korridor dhe ishte ende gjallë, ndërsa brenda kanë qenë të vrarë Hamdia, Enveri dhe Fahredini”, tha dëshmitari.

Bedri Fazliu tregoi se të gjithë të lartcekurit ishin vrarë në prezencën e gruas së tij dhe të vëllait të tij, ndërsa derisa përshkruante mënyrën se si ishin qëlluar secili nga të vrarit dëshmitari nuk arriti t’i kontrollojë emocionet dhe filloi të qante në seancë.

Sipas asaj se çfarë i kishte treguar gruaja e tij, e cila kishte qenë prezent në momentin e vrasjes, Zoran Vukotiq dhe Gorolub Paunoviq e kishin pyetur njëri-tjetrin se çfarë do të bëjnë më pas, ndërsa Zorani i ishte përgjigjur kolegut të tij se po i vrasin, duke i qëlluar më pas të ndjerit.

Në bazë të deklarateës së dëshmitarit, i pari që ishte vrarë kishte qenë Enver Rrustolli ndërsa pas tij Hamdi Fazliu. Ndërsa Vukotiq kishte nxjerrë pistoletën duke e qëlluar axhën e tij Avdulla Fazliun dhe më pas Gorolub Paunoviq ishte kthyer dhe e kishte qëlluar vëllain e tij Fahredin Fazliun në kokë.

Gjithashtu, në seancë dëshmitari tregoi se kufomat ishin varrosur nga një kompani e disa romëve dhe se askush nga familja e tyre nuk kishte guxuar të shkojë për t’i varrosur.

Në pyetjen e prokurorit Blakaj se pse emrat e të ndjerëve në disa dokumentacione kanë qenë me mbiemër Shallci kurse ai deklarohej se ishte Fazliu, dëshmitari shpjegoi se rrobat e të vdekurve kur ishin varrosur nga romët iu ishin ndërruar në mes tyre, ndërsa ata kishin qenë nga fshati Shallc për atë.
“Ditën kur i kanë marr romit i kanë varros edhe rrobat në trup të xhenazeve ua kanë ndërru. Ata kur i kanë varros me mbiemrin Shallci, ndërsa gjatë rivarrimit pantollat e babës i ka pas vëllai veshun ndërsa pantollat e vëllait baba, kurse romët ua kanë shkru Shallci“, shpjegoi dëshmitari.

Kurse në pyetjen e mbrojtësit të viktimave Burhan Maxhuni se a e kishte pasur të vështirë që ta identifikonte në seancë Zoran Vukotiqin dëshmitari deklaroi se e kishte njohur edhe pse tash ai ishte më i dobët se atëherëë dhe flokët i ka më të shkurta por kryesisht ishte i njëjti.


 Në këtë Gjykatë i akuzuari ka paraqitur mbrojtjen e tij lidhur me veprën penale krime kundër njerëzimit për të cilën akuzohet nga Prokuroria.

Rrjedha e seancës vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarit nga mbrojtësi i tij Miro Deleviq.

Pas pyetjes së avokatit Deleviq se ku kishte punuar, i akuzuari tha se pas përfundimit të shërbimit ushtarak kishte punuar në ndërmarrjen ndërtimore “Kosova” dhe në Gjykatën komunale .

Vukotiq po ashtu deklaroi se në vitin 1998 – 99 kishte punuar si polic rezervë në qytetin e Vushtrrisë.

Pas pyetjes së avokatit të tij, Vukotiq tregoi se ai nuk kishte shkuar vullnetarisht si rezervist i Policisë por se ishin mobilizuar.

Ndërsa lidhur me atë se çfarë do të ndodhte po që se nuk do të shkonte si polic rezervë, ai tha se me siguri do ta dërgonin si pjesë rezervë në ushtri.

Tutje në deklarimin e tij Vukotiq tregoi se pas mobilizimit ai ishte pajisur me pushkë automatike dhe pistoletë si dhe me uniformë me ngjyrë të kaltër të mbyllët.

Kurse lidhur me municionin me te cilin ishte pajisur ai tha se nuk ishte lejuar që ta përdornin pa miratimin e eprorëve dhe se nëse do ta përdornin do të dënoheshin.

“Do të ishim dënuar. Me gjasë largimi nga komponenti rezervë i Policisë, e çfarë dënimi do të merrnim nuk e di”, tha Vukotiq.

Ashtu siç edhe kishin pohuar dëshmitarët në seancat e mëhershme të mbajtura kundër të akuzuarit Zoran Vukotiq, bazuar edhe në deklarimin e tij të sotëm, ai para luftës kishte punuar në Gjykatën Komunale, përkatësisht në vendin ku ishte marrë dhe dërguar posta si dhe në vendin ku ishin marrë vërtetime lidhur me hetime.

Pas marrjes në pyetje nga ana e avokatit të tij edhe prokurori Paul Flynn i bëri disa pyetje të akuzuarit Zoran Vukotiq.

Flynn e pyeti se kur kishte punuar si polic rezervë në stacionin policor në Vushtrri kush kishte qenë mbikëqyrësi i tij. Vukotiq u shpreh se nuk dëshironte të fliste për këtë.

I akuzuari Vukotiq madje nuk i përmendi as emrat e personave të cilët kishin punuar në sektorin e njëjtë me të.

Ndërsa pas pyetjes së prokurorit se a e kishte njohur personin e quajtur Gorolub Paunoviq, për të cilin shumica e dëshmitarëve të cilët kanë dëshmuar lidhur me këtë rast kanë pohuar se e kanë parë bashkë me të akuzuarin Zoran Vukotiq në maj të vitit 1999, kur ishin vrarë katër shqiptarët, Vukotiq deklaroi se e njihte por se sipas tij ai kishte punuar në postë dhe nuk kishte të bënte me ushtrinë paramilitare.

Kurse pasi që u pyet nga prokurori se a kishte dëgjuar për vrasjen e katër shqiptarëve në qytetin e Vushtrrisë, Vukotiq deklaroi se nuk dinte asgjë dhe se nuk kishte dëgjuar madje as nga kolegët për ketë vrasje.

Lidhur me patrullimet të cilat i kishin bërë në qytet i akuzuari dhe policët e tjerë, Vukotiq deklaroi se nuk kishin shkuar çdo herë personat e njëjtë, por as për këta u shpreh se nuk dëshiron të deklarohet, ani pse prokurori Flynn disa herë e pyeti për këtë.

Në seancën e sotme ishin të pranishëm edhe palët e dëmtuara.

Ndërsa dëshmitari Bedri Fazliu, i cili edhe me herët kishte dhënë dëshminë në këtë rast, ishte ftuar nga Gjykata për të bërë disa sqarime lidhur me hartën e vendbanimit, ku kishte ndodhur ngjarja.

Nga tri aktakuzat e ngritura kundër tij Vukotiq sot në Gjykatë u paraqit lidhur me aktakuzën për vrasjen e katër shqiptarëve në qytetin e Vushtrrisë në maj të vitit 1999.

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrihnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalë jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rrustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Në lidhje me këto akuza Vukotiq është deklaruar i pafajshëm në gusht të vitit që shkoi.

No comments:

Post a Comment