2018-06-30

DELIRI I MADHËSHTISË: NGA “KOMBËTAR HOXHATËT 1878 – 1912” DERI TE “MESIHU I KOMUNIZMIT PLANETAR”…

Agron Luka

Historia kombëtaro – vataniste, vazhdon të vërtitet rreth stërmullarit të ish zyrtarëve otomanistë dhe kultit të individit të ideatorit të sektit të komunizmit specifik, E. Hoxha!

Flamurët kombëtar të evenimentit të Ismail Bej Qemalit me 28 nëntor 1912, sanksionuar nga Kushtetuta e vitit 1998, si “Dita e Flamurit”, nuk ishin asnjëri identik mes tyre dhe me ndonjë të pretenduar: “si flamuri nacional i Gj. Kastriotit i shek XV ose i pasardhësve Kastriotë të shek XVI”!

A ka patur një apo disa fotografi origjinale të gjithë Delegatëve të Kuvendit të Vlorës, 28 nëntor -7 dhjetor 1912, ose më ndryshe kishte fotografi të vitit 1912 apo të vitit 1913?! Ka ndonjë dorë shkurtuese e retushuese mbi këto fotografi?

Mashtrimi simbas vijës dhe kryeskenarit të ideuar nga E. Hoxha: mbi “kontributet” e Beqir Hoxhës, në të ashtuquajturën “Lidhja shqipëtare e Prizrendit”; mashtrim – manipulimi me “Foton e dashur të vegjëlisë” për xhaxhain “ateist”, Mullah Baba Hysen Hoxha: “si mendimtar e propagandues, për t’i ndritur rrugën popullit, si krijues i një feje të re, si kontribues dhe pjesmarrës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, në shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit kombëtar”! Ky falsifikim ishte imponuar, në Kujtimet, në literaturat, në interpretimet e dokumenteve historike, në faktografitë, në fotografitë e montuara dhe në skenaret e filmave artistikë, të servilëve të realizmit socialist-hoxhist!)

Paksa Parathënie…

Dihet tashmë se Enver Hoxha, qysh nga rinia e hershme, na e kishte mbajtur veten si një studiues vullnetar i teorisë marksiste…; pak më vonë dhe përgjatë “luftës nacional – çlirimtare e revolucionit socialist”, filloi të demonstronte një preferencë si stalinist – leninist; në finale: duke zanafilluar aty nga vitet 1953-1956, duke ia marrë dorën edhe ai vetë kësaj shkënce, fillozofie dhe praktike, filloit të ëndëronte se, ishte Ai “teoricieni e klasiku i fundit i zbritur me mision”, i një lloj sekti si Komunizmi Islamik i Kazermës, me diktaturë politike dhe ushtarake.

Këtë farë sekti a feje-besimi hibrid të ri të komunizmit me çallmë – sarëk (një rrangalle e gjysmës së parë të shek XIX), çështë e vërteta E. Hoxha ia plagjiatoi, njëfarë gjenerali Wilich.

(“… Wilich era qualcosa di piu, egli era un profeta completo, convinto della sua missione personale di liberatore predestinato del proletariato tedesco, e come tale, pretendente diretto alla dittatura politica non meno che a quella militare. Al comunismo cristiano-primitivo predicato prima da Weitling si aggiunse in tal modo una specie di Islàm comunistico. Ma la propaganda di questa nuova religione rimase limitata in un primo tempo alla caserma di profughi sottoposta al commando di Wilich”. Cit., nga F. Engels, “Per la storia della Lega dei Comunisti”, 1885, tradotto da “Marx – Engels, Ausgewählte Schriften”, II, Mosca, 1934, pp. 1-26)

Gjeneral – Korroneli Hoxha (I vetëgraduar si Zogu I, feldmarshall dhe si Osman Gazepi…), e ringjalli këtë kalë gërdallë gjysëm të ngordhur, e maskoi dhe e përsosi me një sasi rekord veprash, saqë pretendoi se, “feja e tij e re social -komuniste” mund të kishte një vlerë unike dhe mund të zbatohej ndër “popujt e kombet revolucionare nga natyra” të orjentit, nga Maroku deri në Indonezi! Nga ky bazament revolucionar, duke modifikuar edhe teorinë e Luftës së Kllasave e cila do të shtyhej dhe do të zbatohej gjatë gjith socializmit edhe përgjatë fazave të para të një komunizmi fillestar, mund të arrihej tek finalia “Uma – Komunizmi Universal Planetar”!

Teoricieni ynë, ishte i lindur në atë pjesë “të disa popujve të vegjël të Evropës” të cilët propaganda imperialisto-revizioniste ishte përpjekur t’i injoronte e t’i denigronte: si trashigimtarë të një kulture të lashtë, si bartës të konvertuar të një feje e kulture ndriçuese arabo-islamike superiore ndaj kulturës oksidentale. Mbi të gjitha, kjo “Bota imperialiste – revizioniste socialimperialiste”, nuk i kishte patar fare në kandar, aftësitë potenciale kreative mendore e shpirtërore, që fshiheshin sidomos tek populli i vogël i shqiponjave të zeza! (“Shënime për Lindjen e Mesme”, bot. 1984, f 432, f 434 etj)

“Mesihu i Ri, i Komunizmit Botëror” (siç e quajti me ironi të thellë prof. A. Pipa, cit.), mburrej se, përsa i çështjes kombëtare shqipëtare, i kishte patur nja dy pararendës si shpikësa të “feve të reja kombëtaro – ethnike shqiponjatare”! Në fakt këta “patriotë”, kishin qenë zyrtarë e fetarë njëkohësisht të emëruar me rrogë si kolaboratorë të okupatorit ottoman. Thuhet se numri i jashtëzakonshëm me mbiemrin rekord Hoxha, ndër shqipëtarët lidhet edhe me privilegjin se kasta fetare nuk merrej nizamë/ushtar.

Përgjithësisht qyteti i tij Gjirokastra, një fshat i madh me shtëpi guri, shtrihej në një shpat mali reth një ish kështjelle të meremetuar e rindërtuar disa herë gjatë periudhave bizantine e otomane mesjetare. Aty rreth v.1430, na kish qenë edhe si qendra administrative otomane e Sanxhakut Arvanid…

Në kohën e xhaxhit Enver, nga ky qytet dollën disa korifenj të letrave dhe shkëncëtarë të shquar të gjuhës shqipe, të cilë përkrahnin hipotezën e rilindasve të autonomisë kulturore, se gjuha shqipe na kishte ekzistuar qysh nga koha primordiale e Hyut Zeus shqiponjës në Tomorr… Në kohën e Dashurisë së Madhe, Enver – Mao dhe anasjelltas Mao – Enver, kënga “Gjirokastra në shpat mali”, njihej dhe këndohej në të gjithë 800 000 milionshe…

Çështja e lëvizjes nacional-çlirimtare shqiptare ndaj pushtimit feudal dhe kolonial turk, ishte trajtuar disa herë nga literaturat social-demokrate/komuniste evropiane. Në Kongresin e Dytë të Internacionales Komuniste, në qershor të vitit 1920, V. I. Lenini, përsa i përket disa shteteve dhe nacioneve më të prapambetura, nënvizonte në disa skica, se duhej patur parasysh: “11. … së treti, se është e domosdoshme të luftohen panislamizmi dhe rrymat e tjera të këtij lloji (panturqizmi A.L.), që orvaten ta lidhin lëvizjen çlirimtare kundër imperializmit evropian dhe amerikan me forcimin e pozitave të hanëve, çifligarëve, mullahëve etj; …”. (“Vepra të Zgjedhura”, bot. 1958, Vëll II, f 712, etj.)

Enveri, qysh kur I kishte rënë në vesh ky lloj diskutim –orjentimi, nuk para ishte dakort…

Të kihet parasysh, rreth 5 shekuj okupacion feudalo e borgjez kolonial dhe e ashtuquajtura Shqiperia, nuk kishte caktuar në shek XX, as një datë – ditë, qoftë edhe simbolike si Dita e Çlirimit nga ushtritë okupatore osmano-turke, madje nuk e ka as sot e kësaj dite! …

Edhe çështja e një krijimi të, Shteteve të Bashkuara të Evropës, ishte hedhur dhe diskutuar në fillim dhe pastaj edhe në mesin e shek XX… (V. I. Lenin, “Mbi parullën e Shteteve të bashkuara të Evropës”, S.-D., gusht 1915, Vep. të Zgj. Vëll. I, Cit. f 744-747)

Më 1955, ndodhi një krisje e parë: disa parti komuniste, socialiste e social-demokrate dhe intelektualë të majtë të Evropës Perendimore dhe ndonjë element aty-këtu edhe nga Evropa Lindore, u shprehën pro idesë së një Evrope të unifikuar, e cila mund të fillohej edhe me sistemin kapitalist evropian, duke hedhur hapa drejt një çarmatimi konvencional dhe çarmatimi nuclear e termonuklear, me zgjedhje të lira pluraliste partiake, me bashkekzistencë e konkurrencë paqësore të sistemeve ekonomike, me ribashkimin paqësor të dy Gjermanive, simbas Marëveshjeve të Potsdamit etj. Më 1954, edhe vetë BRSS me Hrushovin, kishte paraqitur një Kërkesë Zyrtare për pranimin në NATO… E. Hoxha, ndërkohë tinëzisht kishte filluar të kritizeronte, fshihte këmbët e gjarpërit dhe në një rast konkret, kishte dhënë udhëzime luftënxitëse, të cilat delegati shqiptar Gjovalin Luka nuk ia zbatoi …

(Shih, Gj. Luka, “Lufta kundër militarizmit, çështje e masave të popujve evropianë”, fjala e mbajtur në Konferencën Evropiane Perendim – Lindje, Varshavë, shkurt 1955, Shënime, dokumente, Komunikata e Përbashkët, etj. “Gjovalin Luka, Reflektime, Bisedime, Divergjenca e Debate me Enver Hoxhën”, f 340-350, bot. 2012)

Teoricieni inë, sidomos qysh nga vdekia e Baba Stalinit, vegjetonte, bluante dhe formulonte tjatër mendim. Fillimisht, E. Hoxha ishte entuziast në ekstrem, kur shpresonte të lidhte aleancën e madhe kino-islamike, ku Ai do të ishte si “Princi i humbur në shkretëtirë i Jueçzhejve, në Aleancën kundra Djajve të Bardhë/rracës evropoide”… Hoxha ynë ishte plotësisht dakort me Citatin e Maos: “Edhe sikur të zhdukej gjysma e botës, mbas shkapetjes atomike amerikano – sovjetike, gjysma tjetër që do mbetetj do të ngrinte një qytetërim 1000 herë më të lartë”…

Qysh në fillim, Enveri i dërgoi “Maos së Dashur” në Kinë si kapar, Nexhmijen dhe Ritën, pastaj vajti edhe vetë …

Hoxha, mbasi u prish me Maon e Dashur dhe me Kinën Popullore, sepse kjo medemek “tradhëtoi mbështetjen për popujt revolucionarë”, e shihte të ardhmen e Shqipërisë të lidhur me kordonin umbinikal, me vendet islamike!
Dhe kur tollumbacia kineze u shfry, Enveri, filloi të prodhonte – falsifikonte “dokumente”, ku “profeti” na kishte patur “dyshime për Kinën” qysh nga fillimi!

Më 1967, Enveri, meqenëse tashmë i pëlqehej ta mbante veten jo, vetëm si, “çapini jeshil që i jepte këshilla dhe helm bullarit të verdhë”, por edhe si: “drejtuesi teorik i revolucionit botëror edhe më i madh se Ma Ce Duni, sepse hipokrizia kineze vetë ia kishte ushqyer”, na kishte shkruar në konfidencën e vetmisë së Ditarit, në sofitën e ftohtë të shtëpisë në Bllok: “Unë i dua dhe i respektoj popujt arabë, pse janë përparimtarë, liridashë e luftëtarë… Revolucioni në popujt arabë, në Azi, në Afrikë e gjetkë ecën dhe do të ecë përpara… Maoja dhe udhëheqësit e tjerë kinezë duhet sa më parë të bëjnë kthesë, të largohen nga taktika hiq e mos e këput, se ky qëndrim dëmton vetë Kinën dhe të gjith botën”…

(“Shënime për Lindjen e Mesme”, bot. 1984, f 55-59, “Popujt arabë janë liridashës e luftëtarë”, nxjerrë nga Ditari Politik, 9 qershor 1967)

Nga pleqëria, teoricieni botëror, na la një libër amanet, “Shënime për Lindjen e Mesme”, bot. 1984, ku “argumentonte” të gjitha avantazhet që kishte kjo Bota Islame ndaj pjesës tjetër të botës së paaftë, të komprometuar e të konsumuar, të imperialistëve kapitalistë dhe social – imperialistëve revizionistë.



“Rrapi Gjenealogjik i I Hoxhatëve të Ergjërisë dhe origjina gege!


Specialistët biografë dhe njohësit e afërt gjirokastritë, e sjellin origjinën e parardhësve të shokut E. Hoxha, nga një ish bari dhishë e delesh, gegë me origjinë nga Mirdita, me fe katolike, i larguar për çështje gjaqesh e mercenarizmi dhe më vonë i konvertuar në mysliman … Këta madje i kishin bërë edhe një “Rrap Gjenealogjik”. (shih fig. 1)

Fillimisht, simbas prof. A. Pipa, këta u përshtatën me sektin bektashi Shia Suffi dhe aty nga fund shek XIX a nga fillimi i shek XX, sa duket u kthyen në syni hoxhallinj/synetllinj. (A. Pipa, “Stalinizmi Shqiptar, Enver Hoxha një gënjeshtar i pandreqshëm”, bot, në gaz. SHEKULLI, 15 korrik 2007, f 14-15)

Nga Kujtimet e babait tim Gjovalin Luka dhe nga vetë deklarimet (e seleksionuara, të rregulluara e të falsifikuara) në Stenogramën Zyrtare të E. Hoxhës, gjatë një Debati që ata kishin patur në 18 qershor 1955, ndërsa Enveri e pyeste, “nëse e konsideronte Nexhmien si gege”, papritur indirekt na dilte se, Enver Hoxha e mbante edhe veten e tij me origjinë të largët si gegë!

Ja një copëz e atij Debati:

Gj. Luka: … Por, gjykojeni pak: si ka mundësi që në Byronë Politike, aktualisht nuk ka asnjë nga veriu! …

Enver Hoxha: … Të shohim, në Byronë Politike është Enveri, Mehmeti, Liria, Hysniu, Koleka, Gogua, Manushi, Pilua, Rita, të gjithë nga jugu. Mbetet vetëm Beqir Balluku që është nga Shqipëria e Mesme dhe nga veriu asnjë… Po mirë është llogjikshme që të mendosh se duhet të vijë një gegë, ti ose unë nuk e di se kush, po një gegë sipas teje atje duhet. …

(A. Luka, “Gjovalin Luka, Reflekrime, Bisedime, Divergjenca e Debate me Enver Hoxhën”, bot. 2012. Nxjerrë sipas “Kujtime” të Gj. Luka dhe sipas, “P.P.SH. – Sekretaria e K.Q. – PROÇES – VERBAL … A.Q.SH., F 10/G III, M/V. 1955 A.P III; D. 25/4 fl 2-32)

Kjo, lloj deklarate, si një lloj pohimi konfindencial dhe njëkohësisht shumë kontradiktore e arrogante, kaq e çuditi dhe e surprizoi babain tim, saqë me një mëndie e formuloi ta pyeste direkt:

– Pse gegë jeni me origjinë ju shoku Enver?! Gegët përfaqësoni ju në Byronë Politike?! Po ju vetë sapo e pohuat se jeni toskë nga jugu dhe se në Byronë Politike nuk ka asnjë nga veriu, meqënëse shoku Beqir, nuk mund të konsiderohet si përfaqësues i veriut, – po menjëherë e kuptoi se kjo do ta tërbonte më zi komandantin, madje edhe në fytyrë i lexohej “etja për gjak”…



“Më të hedhurit” (në “Sokakun e të Marrëve) Beqiri dhe Hyseni …


Vonë, filloi të skjarohej havaja, se çfarë pretendonte e ku rrahte Enver djali dhe e shoqia Nexhmie – Hyllia ambicioze, që rrëmihnin në Arkivin Qëndror …

Beqir Hoxha, vëllai i gjyshit Nexhip, të beledijereizit otoman Hysen Hoxha, na paskësh qenë anëtar i “Lidhjes Shqipëtare të Prizrendit për Gjirokastrën”, i dekoruar marshallah edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, si “patriot i madh”! Beqiri na paskish qenë krahu teorik i Avdylit… Në Gjirokastër, flitej se kish qarkulluar një lloj thënie si ironi folklorike, “si florinjtë e Beqir Hoxhës”(?!) …

Disa dekada më vonë ironia e fatit dhe e koiçidencës, do ta deshte që komandanti Enver Hoxha, nën preteksin e “shtetizimeve të revolucionit socialist”, plaçkiti me dhunë shtazarake si nazistët, të gjith floririn dhe diamantet e Shqipërisë, duke u konfiskuar deri edhe dhëmbët e gojës dhe të gjitha stolitë e pajave dhe unazave personale …

Simbas një riprodhimi dialogu gojor në Kujtimet e Enverit, të ndodhur në vitin 1916, jekoja Ane Gjyloja, na i kish thënë tekstualisht Baba Hysen Hoxhës: – Edhe vëllai i gjyshit tënd, Nexhipit, Beqiri², më thosh nënoja, – ka qenë kështu i hedhur, ai merrte pjesë edhe në kundërshtimet që i bëheshin Turqisë, bile shkruante edhe Telegramet kundër mizorive të Evropës që kërkonte të copëtonte atdheun tonë.” (Cit. sipas, “Vite të Vegjëlisë, Kujtime për Gjirokastrën”, bot. 1983, f 85; shën 2, sqaron dekorimin nga Kuvendi Popullor i Haxhi Leshit…)

Shihni: Evropa (stërgjyshja mitologjike kurva e Zeusit…) paskësh dashur ta copëtonte Shqipërinë, kurse Turqia (njerka adoptuese e jeniçerëve) kishte dashur ta mbante të bashkuar me 5-6 vilejete me milete komi dhe me një unitet territorial me Sulltanat Khalifatin Osman!

Se çfarë ka qenë realisht Xhemieti Ihtilahti Islamie e 10 qershorit 1878, i organizuar në Xhaminë Bajraktarlije në Prizrend, me dijeninë dhe ndërhyrjen direkte të Sulltan Abdyl Hamidit II dhe si u transformua si, “Lidhja Shqipëtare e Prizrendit”, pastaj se çfarë fantazish thuri Enveri për “Degën e Lidhjes së Prizrendit dhe Lidhjen e Ergjërisë dhe Frashërit (bashkë edhe me K. Frashërin), që ishin akoma edhe më panturke e islamike se vetë Lidhja e Prizrendit, as ka nevojë fare t’i trajtojmë këtu, shpresoj se i kemi kryer e botuar me kohë disa studime…

“Historiani”, E. Hoxha kishte shkruar: “Duhet të isha tetë ose nëntë vjeç … Në mur të qoshkut, afër penxheresë, babai (dmth xhaxha Hyseni – Çeni, në vitet 1916 – 1917. Sqarim yni A.L.), kishte varur një fotografi ku kishin dalë shumë burra të veshur me të zeza. Në mes tyre ishte edhe një plak me flokë dhe me mjekërr të bardhë. Ishte Ismail Qemali.

Prapa tij, – na thosh babai, jam edhe unë, ja ky me sarëk të bardhë. Të gjithë jemi mbledhur në Kuvend në Vlorë, kur ngritëm flamurin, shpallëm Pavarësinë dhe formuam Qeverinë e parë të Vlorës, me Ismail Qemalë në krye. …
Kjo fotografi ishte nga gjërat më të dashura të shtëpisë sonë të vjetër që na u dogj… Kërkova mos gjeja ndonjë kopje të asaj fotografie… por më kot. Duhej të kalonin kaq dekada dhe më 28 nëntor 1972, kur vizituam Muzeun e Pavarësisë ja, në një nga dhomat, unë shoh fotografinë aq të dashur për mua, fotografinë e zmadhuar të Kuvëndit të Vlorës. Ndenjta i shtangur, e shikoja, e shikoja dhe vazhdoja ta shikoja, saqë ciceroni, i cili kish kohë që kishte mbaruar shpjegimet e tija, u habit që po rrija aq shumë para saj.

Mos u habit, – i them, – se gjeta një thesar që më kishte humbur. … Mjerisht, kur na u
dogj shtëpia, u dogj edhe sunduku me palla, edhe fotografia.

E dashura fotografi e rinisë time. Sa kujtime të ëmbla dhe të hidhura më zgjon ti! Ti më kujtove, veçanërisht jetën dhe luftën patriotike të Baba Çenit, këtij burri që vdiq i thjeshtë dhe i respektuar. Askush nuk ia kujtoi ç’kishte punuar, veç Partsë sonë, e cila si për gjithë patriotët e tjerë, shkroi edhe për Baba Çenin dhe, gjithashtu e dekoroi për aktivitetin e tij patriotik”…

…Që atë ditë të 28 nëntorit unë u bëra mik me Papapano Çuçin…

Vuru shpëndërën mullalerëve, – më tha plaku, – ata janë lëpirësahanësh, ata dinë vetëm të kërkojnë dhe të marrin ilefe dhe të llomotitin përrallat e Kuranit.
Po edhe ti, baba, e këndon Kuranin, unë të shoh çdo natë që e këndon.
Unë këndoj Kuranin? Shko mor qërohu! Ato që këndoj unë janë libra të historisë, të filozofisë, bile kundra Kuranit! …
Babai ishte njeri i mësuar, ai e dinte mirë turqishten, arabishten dhe persishten, studionte filozofët grekë. Ishte njeri pa fe. … Ai (Baba Çeni), ishte 60 vjet para meje në Vlorë. Unë isha atëhere 4 vjeç, por jeta e tij, mësimet e tij lanë mbresa të thella në ndërgjegjien time. Ato më rritën me frymën patriotike dhe unë jam kryelartë për Baba Çenin e thjeshtë, trim dhe patriot.

(E. Hoxha, “Vite të Vegjëlisë, Kujtime për Gjirokastrën”, bot. i parë 1983, kapitulli “Nëntorë të Largët”, f 77 – 90, shkruar në Vlorë, më 28 nëntor 1972)

Ishte “më se e justifikuar” që vetë Enveri, Partia/PPSH-ja dhe Kuvendi Popullor ta dekoronte edhe xhaxha-baba Çenin, me medalje me motivacionin: “për aktivitet të shquar patriotik” si ish zyrtar dhe fetar i okupatorit turko-osman-islamik…

“Fotoja e dashur e vegjëlisë” u botua në f 81, të Kujtimeve për Gjirokastrën (cit.), ishte e paisur me një shigjetë ku të gjashtin në rreshtin e dytë, tregonte Baba Mullahun Hysen me uniformë të zezë hoxhe dhe me sarëk të bardhë në kokë, ngjitur me një hoxhë tjetër. (shih fotografinë e skanuar, fig. 2) Kjo foto, me sa duket ishte shkurtuar ca nga të dy anët dhe sigurisht me qëllim ishte hequr 17 vjeçari koloneli Ahmed Zogu, sigurisht me qëllim.

Sipas fantazive e frymëzimeve të kujtimeve të Enverit, që i zbrisnin, sidomos gjatë vizitave në Gjirokastër, këmb turqishte te Bitha e Rrapit të Mashkullorës, na dilte se, Mullah Hysen Hoxha (Baba Çeni) na kishe qenur një vizionar i madh, hane – hane. Fillozofi Çeno Hoxha na e kishte ideuar një fe të re dhe një perendi të re, simbas një dekllarate përkujtimore të vetë E. Hoxhës: “Baba Çeni më thosh: Ne shqiptarët lipset të lidhim një fe të re, por me një ndryshim, që perendi të jetë Shqipëria”. (Gazeta “Zëri i Popullit”, “Shoku E.H., viziton Qendrën Muzeale, Obeliskun dhe shkollën e mesme Asim Zeneli”, Kronikë telefonike nga Gjirokastra, dt. 24 mars 1978, f 1)

Kjo ”ide e ndriçme me Perendi Shqipërinë” e Baba Çenit, i linte në “hije të rrapit” edhe vetë rilindasit vizionarë si Vaso Effendi Shkodranin dhe vëllezërit Frashërllinjë, me parullën: “feja e shqiptarit asht shqiptaria”! Për ta paisur xhaxha-babanë me pasaportën e një patrioti idealist të ditur etj, E. Hoxha i kish hedhur me kohë grepat e improvizuar letrarë. Ky hoxhë e mullah, beledijereiz, mendimtar ateist, fillimisht ishte stërvitur në xhaematin e vet dhe pastaj na kish ngritur në Gjirokastër edhe një Grup Opozitar Politik”, ku prezantohej si, “përfaqësuesi i shtresave të lumpenit, zuzarëve, skuparëve, kasapëve dhe opingarëve”. Më tepër akoma, na kish krijuar edhe një aleat prift simetrik “ateist”, edhe ky prodhim Gjirokastre:

Po ai prifti kush ishte Baba?
Si, nuk e di, – më tha Babai, – ai është Papapanua, patriot i flaktë. Sa për të thënë e mban rason dhe kamillafin se ai nuk beson në Krishtin, aq sa edhe unë nuk besoj në Muhametin. Ne kemi një “perëndi”, “Atdheun, Shqipërinë. Të gjitha të tjerat janë gjepura. Ai, prifti, është babai i mësuesit tënd të shquar, patriotit Thoma Papapano….” (Libri, Kujtime për Gjrokastrën, cit., f 86- 87)
Simbas shprehjeve të Enverit, edhe pozicioni gjeografik i Gjirokastrës dhe Mashkullorës, edhe vetë rrapi, se ç’kishin diçka si forcë tërheqëse magnetike! Enveri dekllaronte: “Rrapi Mashkullorës afër Gjirokastrës së Mashkullorës, ishte dhe do të mbetet një “Rrap Historik”. Aty, shokut Enver “i zbrisnin” herë pas here, Kujtime dhe Frymëzime marksiste-leniniste të reja.

Nga “Frymëzimet e Rrapit”, një citat thoshte: “Mos harroni për asnjë çast se imperialistët, revizionistët e sotëm synojnë të na prishin lumturinë, ata komplotojnë kundër lirisë së popujve, ashtu siç kanë bërë e po bëjnë edhe këto ditë kundra popujve arabë”. (“Zëri i Popullit”, 11 nëntor 1973, f 1-2, EH, art., “Populli ynë nuk e ka ndarë kurrë “Dyfekun me gjalmë”, shpatën nga pena, trimërinë nga dituria, luftën nga puna”).

Dhe, meqënëse, “Perendia nuk ekzistonte,” siç na e kishte edukuar Enverin, xhaxhai i tij dhe mësuesi i fillores, ateisti zoti Rexho), bazuar te Perendia e Baba Çenit, i binte që “Perendia e Re” duhej të ishte edhe Shqiperia dhe sidomos,”binaja e shtëpisë së Hoxhatëve”, Enveri!

(“Zëri i Popullit”, 11 nëntor 1973, f 1)

Enveri, qysh kur ishte i vogël, padashje na kish bërë një zbulim sensasional, kishte qenë i pari arkeolog shqiptar, që me një të shtënë me gur dore, kish zbuluar disa kokalla dhe eshtra, flijime njerëzore në muret e Kalasë së Gjirokastrës!

“Më kujtohet njëherë, kur ishim të vegjël qëlluam me gurë tek kalaja, një mur dhe ranë disa kokalla. Ku i gjetët këto? – na thanë. Janë eshtra njeriu. Në kala ishte bërë një murosje në murin e saj. Ndërtuesit donin që muret të bëheshin të forta si njerëzit. Njeriu është më i fortë se gjithçka”…

(“Zëri i Popullit”, 17 mars 1978, f 2, reportazh, “Sh. Enver nderon kujtimin e patriotëve të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe të dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare”)

Si ka mundësi që ky “zbulim sensasional”, i arkeologut E. Hoxha mbeti i harruar?!

Mos kujtoni se po improvizoj unë, verifikojeni citimin e saktë! Në atë Kala, në 1936, Enveri na kishte marrë edhe “Stafetën e Kominternit” dhe Sahatin, direkt nga Maloku, duke patur S. Topullin, si jallanshahit… Ky lloj “artefakti dhe zbulimi”, na vërtetonte ritin e murim – flijimeve njerëzore në kalanë e Gjirokastrës, qysh nga lashtësia edhe përpara flijimit të Efigjenisë nga Agamenoni! Me këtë zbulim – fakt, Enveri e parakalonte edhe vetë shkrimtarin I. Kadare, i cili kish shkruar për flijimet në ura, Urën me tre harqe, për plakat hankohanëme nikoqire, për sokaqet dhe kronikat e gurta të Gjirokastrës. Zbulimi arkeologjik i fëmijëri – pleqërisë, i parakalonte dhe i linte “në Bishtin e Kavajës” edhe gjuhëtarin Çabej edhe prof. Kondën, edhe folkloristin Z. Sako, edhe tërë kompetentët autoritete evropiane nga Hani e Stadtmülleri, që kishin shkruar dhe kishin piketuar Kështjellën e Shkodrës, si epiqendra dhe tipikia në tërë gadishullin për flijimin njerëzor. Madje Zbulimi i Enverit, e zhvlerësonte edhe noblistin Ivo Andriç, që na kish vjedhur legjendën dhe e kish spostuar epiqendrën nga Drini i Shkodrës – në Drina të Bosnjes! Po na dilte se epiqendra na ishte Argjiroja…

Këndej, buronte edhe teza me rëndësi mbarëbotërore: socializëm-komunizmi duhej ndërtuar si Kalaja e Gjirokastrës, duke flijuar-murosur njerëz ose duke ua prerë kokat me shpatë, herë pas here në cikle periodike, si Ali Pashë Tepelena, deri në komunizëm e pse jo edhe pak përtej tij, duke ndryshuar e kombinuar edhe vetë teorinë komuniste me teorinë e praktikat revolucionare orjentale… Shihni se deri në çfarë “faktografie” = marrije, arrinte ky i ç’akorduar! Nexhmie Hoxha dhe korrektorët e ISM-L, më vonë e çensuruan këtë “zbulimin epokal të eshtrave e kokallave”, për ta ruajtur mbase në një kohë më të përshtatëshme…

“Lufta e kllasave nuk duhet të shkojë duke u zbutur e as duke u shuar/asfiksuar, siç thonë socialdemokratët e revizionistët modernë, por përkundrazi duhet forcuar edhe në Komunizëm e përtej tij, deri në shpartallimin e plotë moralo politik, ideologjik e fizik të armikut”, thoshte ajeti i Enverit!



“100 vjetori i Pavarësisë”: Albumi, “MARUBI, Njerëz në zâ e sênde të kujdeshme”, Fototeka Kombëtare Marubi, 2012.


Se si kanë qenë një varg çëshjesh të pandriçuara, të fshehura, të keqinterpretuara, të fabrikuara, të falsifikuara etj, të Mexhlisit/Kuvendit Kombëtar të Vlorës, 28 nëntor – 7 dhjetor 1912, se sa multi flamuj e ç’flamur kombëtar të “sovranit të fundit Skënderbeu”, ringriti Plaku Mjekërbardhi i Vlorës në orën 17-30, kur ishte errësirë, shpresoj se i kam sqaruar e botuar me vakt e me kohë në disa studime …

(A. Luka, “Çështje të pa ndriçura të Pavarësisë dhe të Kuvendit të Vlorës, 28 nëntor – 7 dhjetor 1912”, bot. në gaz. Koha Jonë, 28 nëntor 2007; ky st. është cit. edhe nga B. Fevziu, në librin “100 vjet..”, bot. 2012, f 320; po nga ne, “Mëvehtësia, liria, vetqeverimi dhe masvartësia, në anën e padukshme:, gaz., Shqipëria Etnike, 9 nëntor , 8 dhjetor 2007; A. Luka, gaz. SHEKULLI, 28-29 prill 2010, f ,“Deklarata e Pavarësisë, ku u zhduk origjinali?; Flamuri me prioritetin zyrtat i I. Qemalit, shqiponja ishte monoqefale? Etj…)

E ashtuquajtura “Fotoja e Vegjëlisë së Enverit”, na rezultoi se ishte botuar, në një album “me rastin e festimeve demokrate për 100 vjetorin e Pavarësisë, festime që kulmuan edhe me atë “Festë Shqyerjen e Tortës së Madhe” te Pallati i Kulturës…

Kurator i këtj albumi madhor, ka qenë drejtori z. L. Bedeni, me konsulencën e rreth 21 specialistëve dhe me kontributet parathanëse të demokratëve, z. Jozefina Çoba-Topalli dhe ministrit të cultures, z. Aldo Bumçi etj. (Albumi, “MARUBI, Njerëz në zâ e sênde të kujdeshme”, bot. Fototeka Kombëtare Marubi, 2012, f 108-109-110-111)

Në f 111, që shpjegon foton në formatin e madh 870 mm x 276 mm, është vendosur shënimi lakonik, “Kel Marubi/1912 (rip.)”, pastaj emrat e pjesëmarrësve, përfshirë edhe emrat Hysen Efendi Gjirokastrës dhe të Ahmet Muhtari/ Zogu dhe asnjë lloj sqarimi e diskutimi tjetër! (Shih edhe riprodhimin e fotos fig. 3)

Natyrshëm lindin disa çëshje-pyetje: E ka riprodhuar realisht Kel Marubi këtë foto, brenda vitit 1912? Me çfarë fakti të ndonjë fotoje të vitit 1912, vërtetohet ky riprodhim? Ishte fotograf vëndas apo ndonjë fotograf reporter i huaj, ai që e shkrepi këtë foto? A ka edhe varjante të tjera të kësaj fotoje dhe a janë të vitit 1912 apo të ndonjë viti më vonë?!

Këto çështje duheshin sqaruar qartë, sepse dihet që më 1912, Kel Marubi dhe asnjë përfaqësi zyrtare nga Vilajeti i Shkodrës dhe kazatë e tij, nuk ka qenë në Vlorë. E bija e K. Marubit, kishte shkruar më 1962, se ishte planifikuar që një delegacion dhe një flamur kombëtar nga Shkodra, do të ishin prezent në Vlorë me dt. 28 nëntor 1912. Por, kjo gjë nuk ndodhi dhe për më tej ndodhemi në një errërirë të plotë informative… (Shih “Lufta për Çlirimin Kombëtar në vitet 1878-1912, Kujtime Veteranësh”, bot. 1962, Bernardina Harapi, “Qëndisja e një flamuri kombëtar”, f 503. Bernardina ishte e bija e patriotit Kel Marubi, dekoruar edhe si patriot më 1962 dhe motra e patriotit Gegë Marubi, të dy të dekoruar nga Enveri, Partia dhe Kuvendi Popullor…)

Fakti është se i gjith Vilajeti i Shkodrës, nuk u përfaqësua fare nga delegatë të zgjedhur apo të caktuar, dhe në këtë realitet e mergjencë, u kooptua vetëm z. Luigj Gurakuqi.

Për më tepër, kjo çështje ngrihet sepse, po në f 285 të këtij Albumi, ka një fotografi të një pavioni të Ekspozitës së Pavarësisë 1937, të shkrepur nga Kel Marubi (Aso kohe, Fotografi I Nalt Madhnisë Tij Mbretit Zogu I), më 10 dhjetor 1937. Në atë pavion ishin ekspozuar edhe flamuri i pretenduar si më prioritari i datës 28 nëntor 1912 edhe i vitit 1914 të Princ Wiedit, një fotografi e madhe e delegatëve të Kongresit/Kuvendit të Vlorës, e inkuadruar brenda një kornize dhe gjithashtu brenda një kornize edhe një facsimile e Dokumentit/ Proçes-Verbalit të dt. 28 nëntor 1912, i cili kish edhe disa firma në anën e pasme.

Fotografia e delegatëve, paraqet në thellësi edhe një pjesë panoramike të qytetit të Vlorës dhe të hapësirës qiellore. Kush e realizoi këtë fotografi, ka ekzistuar kjo më 1912?! Ku mund të gjindet apo ka humbur edhe kjo “si kripa në ujë”?! Kush e kishte bërë këtë foto me gjith këtë shtrirje hapësire të objektivit?! Nga kjo ishin kopjuar e riprodhuar të gjitha të tjerat? Apo, ka patur disa varjante shkrepjesh? …(shih riprodhimin e fotos, fig 4)

Duhet errësira akoma e mbas një shekulli…

Deri në cilin vit gjurmohet ekzistenca e kësaj fotografie dhe për çfarë manipulimi e flasifikimi historik u përdor ajo!
Po të shkonim simbas Enverit, na del se fotoja që ai e “rizbulloi më 1972” në Vlorë, na kish qenë e viteve 1912-1917… Vini re, Baba Çeni thoshte: – Prapa tij, jam edhe unë, ja ky me sarëk të bardhë. (sipërcit.)

Ndërkaq, ja ku na del se Enver Hoxha ishte rrencak me të dyja këmbët, sepse “Fotoja e dashur e Vegjëlisë:, njihej fare mirë nga fotografët dhe historianët e tij, qysh më 1962! Me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë, ishte botuar edhe një Album fotografik.

Për ta sofistikuar të famshmin Akt-Dokument të Shpalljes së Pavarësisë edhe si Shkresë e Përkujtimshme, mbi ish faksimilen e Lef Nosit, u rras një foto e pjesmarrësve të Kuvendit të Vlorës dhe një tjetër foto te shtëpia e Hysen Sharrës, medemek të dyja të ditëve të Kuvendit 28 nëntor – 7 dhjetor 1912. Me këtë rast edhe firmat që mungonin me 28 nëntor 1912 (ku nuk plotësohej as gjysma e korumit dhe as 1 delegat për 1 kaza me të drejtë firme e përfaqësimi!), si me thënë zëvendësoheshin me fotot fizike të personave!!!

A do të guxonte kush aso kohe ta bëntë këtë falsifikim kaq të rëndë pa dijeninë e Enver Hoxhës?! Absolutisht jo…

Kjo fotografi me prezencën e Baba Hysenit/Çenit, pikësëpari nuk mund të ishte e datës 28 nëntor 1912 dhe as e datës 3 dhjetor. Hysen Efendi Gjirokastra (nqs ky person ishte identik me Baba Çeni ?), siç vërtetohet edhe nga Proçes-Verbalet e botuara nga gaz. Përlindja e Shqipënies dhe nga rev. LEKA, bashkë me delegatët gjirokastritë, kishin arritur në Vlorë, vetëm me dt. 3 dhjetor 1912, në Mbledhjen e Katërt.

(“Përlindja e Shqipëniës”, Vjet’ i II, 1914, nr. 6-11, Vlonë; ribot. Rev. LEKA, Numër Kujtimuer i XV –vjetorit të pavarësis komtare, nr. I, Mbledhja e Katërt, f 427-428)

Filmi “Nëntori i Dytë” (me Skenar të Dh. S. Shuteriqit dhe K. Blushit), improvizon, flasifikon dhe gënjen sheshit në mënyrë teatrale, kur e nxjerr Hysen Hoxhën duke pritur Ismail Bej Qemali me karrocën e Dhimitër Qarrit, te Trapi i Mifolit, me datën 25 a 26 nëntor:

– Hysen Hoxha, delegat i Gjirokastrës.

– Ju lumshin këmbët …

[Po kjo karrocë e kish prurë Ismail Beun për të prurë haberin e Hyrrietit, ia kishin ç’mbrehur kuajt dhe e kishin tërhequr mileti me gëzim mbarëpopullor…]

I bie që Hysen Hoxha të ketë ardhur e ndënjur në Vlorë nga data 25 – 28 nëntor e deri mbas datës 7 dhjetor, për të pritur edhe Ahmet Zogun për foton e delegatëve, gjë që nuk vërtetohet! Fotoja nuk mund të ishte as e datës 7 dhjetor, kur në Mbledhjen e Shtatë, kur vjen siç thuhet z. Ahmet Muhtar Beu i Matit, i identifikuar nga disa botime por edhe nga Albumi 2012, si Ahmed Zogu, koloneli 17 vjeçar. Rren filmi edhe me një skenë, ku Baba Çeni dhe Baba Dudë Karbunara, na kanë shtënë në mes Luigj Gurakuqin … kish patur hak Enveri që “Baba Çenit ia kishin ngrënë hakën”…

(Në fakt, dy baxhanakëve që e kishin “qendisur skenarin”, Dhimitririt dhe Kiços i duhej thënë: “Ju lumtë maja e stilografit…”)

Mbetet si detyrë të gjurmohet data kur është shkrepur kjo foto, mbetet të gjurmohet nëse janë futur edhe persona që nuk kanë qenë fare prezent, me anën e fotomontazhit etj.

Me atë rast edhe historiografia zogiste dhe ajo e Mustafa Kruja Mërlika, kishin sajuar disa rrena dhe Kujtime e Biografi, sidomos për kontributet e Zogut I, si firmatar etj, me të pa vërteta historike, siç e kemi shkruar me kohë.

Ta vazhdojmë edhe pak analizën. “Dëshmitari” dhe “miku për kokë i Hoxhatëve”, Thoma Papapano, botonte Kujtimet më 1962, mbi bërjen hazer flakë për flakë, të flamurit në Gjirokastës me dt. 28 nëntor 1912, në mbrëmje. Ai shkruante se, pas marrjes së një telegrami zyrtar nga Vlora, menjëherë u ble copa e mëndafshtë e kuqe, në dyqanin e Hasan Litos dhe ky flamur u ngrit të nesërmen me 29 nëntor 1912, në ballkonin e Prefekturës/Kazasë së Gjirokastrës, nga patrioti Idriz Guri, megjith ngurrimet dhe kundërshtimet e prefektit Fehim Bej Leskoviku. (“Lufta për Çlirimin kombëtar në vitet 1878-1912, Kujtime Veteranësh, bot. 1962, f 495)

Shokut Th. Papapano, i kujtoneshin këto hollësira, dhe ndërkaq nuk i kujtonej dhe nuk shkruante asgjë se qysh na kishte qenë kjo “forma e shqiponjës dikrenore gjirokastrite”?! Si ka mundësi që nuk i kujtonej asgjë për formë shqiponjën e zezë, se qysh e tek e sajdisën?! Mbi të gjitha, si ka mundësi që nuk i kujtonej asgjë për kontributin madhor të Baba Çenit?! Nga bënej beledijereizi e mullau ateist ato ditë?!

Në shënimin 1, të Kujtimeve të Papapanos (cit.), jepet edhe një e dhënë mjaft e rëndësishme dhe kontradiktore: pohohet se, Prefektura dhe Beledia e Gjirokastrës, deri me datën 30 nëntor 1912, na e kishin kundërshtuar dhe vonuar ngritien e flamurit! Ç’pjesë kishte Baba Çeni në këtë kundërshtim?!…

Ky libër i botuar më 1962, f 496, akoma më tepër pohonte se, më 1 dhjetor 1912, Qeveria e Përkohshme me firmën dhe hartimin e Ismail Qemalit, u kish shpërndarë një Telegram Qarkore gjithë kryetarëve/belediereizëve të Shqipërisë së Jugut në gjuhën turqishte, që të shpallnin pavarësinë dhe të ngrinin flamurin. Nuk merret vesh nëse, Qeveria e përkohshme kishte shtampuar ndërkohë edhe ndonjë formë zyrtare flamuri, apo nëse lëshonte telegrame “për flamuj kombëtarë” të imporvizuar në tym! Ruhet ndonjë shkresë për këtë?!

Kemi bindjen se me këtë Telegram Qarkore, ka vajtur edhe beledijerizi Hysen në Vlorë dhe jo siç ia qendisën-qesendisën/telendisën Shuteriqi dhe Blushi, “me dy vëllezërit siamezë…”

Në tërë këtë mesele, ajo që duket e sigurtë është se, nuk ka patur “delegatë të zgjedhur”, siç pretendon dhe e justifikon komentatori B. Fevziu (cit., f 33), por kishte patur shkresa e ftesa që zyrtarët, beledijereizët dhe kasta e lartë fetare të merrnin pjesë në atë Mexhliz – Kuvend.

Kjo foto, kishte qenë e njohur më 1937, sepse ishte botuar e cunguar te rev. Leka, 1937, me diçiturën “Përfaqësuesit e të gjitha viseve të Shqipnis qi shpallne Vetqeverimin në Vlonë 28 nanduer 1912. (cit. f 432, shih edhe fotoskanimin)

Po përse e botonte të errët dhe të cunguar këtë fotografi rev. LEKA dhe nga cili burim e kishte marrë?

Fotografia ka qenë e botuar edhe në vitin 1927, nga Teki Selenica dhe aty pranohet që fotografia është kryer dhe plotësuar më vonë me emrat e pjesmarrësve, sepse me 28 nëntor 1912 u ndodhën vetëm 42 persona, nga të cilët vetëm disa e kishin “mandatin” për të përfaqësuar nga një kaza të Vilajeteve…

(Shih T. Selenica, “Shqipria më 1927”, libër dhe Album, Tiranë 1928, f 21 e albumit boton edhe foton. Me*, botohen edhe emrat e 42 personave, me të cilët u hap Kuvendi/Mexhlisi i Vlorës…)

Më në fund ja edhe një foto surprizë, ku Baba Çeni me tamam rri maje Ismail Qemal Beut! (shih fig. 8; shihni edhe ilustrimet me fig. 9-13)

Mbi sa thamë, del pyetja edhe sa kohë akoma, do ta mbajmë Historinë e falsifikuar dhe “filmin historik”, “Nëntori i Dytë”, si rite të përvitshme të shenjta patriotiko-vataniste otomaniste?! Fort mirë dihet se skenar – tekstografia e filmit, është fund e krye një falsifikim banal i Historisë, një varjant i rafinuar dhe i kamufluar, i paçavures enveriste të shkruar më 1959-1962, me ca plotësime edhe të vitit 1977, duke e ngritur në qiell si “modeli i analizës dialektike e historike”, etj!

(“Disa pikëpamje mbi kryengritjen e fshatarësisë së Shqipërisë së Mesme, të udhëhequr nga Haxhi Qamili”, Vepra 23, f 157-175)

No comments:

Post a Comment