2018-06-01

DRITAN HABIPAJ – POETI QË MË FRYMËZON ME PERLAT E TIJ




Zekerija Idrizi


I nderuar Dritan Habipaj, ti e din që unë nuk shkruaj poezi, por ama e dua shumë këtë art më të bukurin letrar. Vërtet e dua. Për çdo ditë shoqërohem me poezitë, duke shijuar ato kuptimet dhe misteret e tyre, mistiken, ezoteriken… Shijoj thellësisht ato simbolet, metaforat, më saktë, shijoj atë ajkën hyjnore që ngjizet kaq magjikshëm në çdo fjalë e varg . Pra shijoj atë muzën e poetit/poetes, që origjinën e ka nga gurrat e mistershme të përtejbotës. Së këndejmi dhe ajo më tërheq , më fascinon, madje dhe ëmbël më provokon, duke më dhuruar frymëzimet më sublime në krijimtarinë time… Pra, jam një fans fanatik, një “rob” i devotshëm i poezisë, madje edhe i artit mistik dhe i muzikës spirituale në veçanti…
Pikërisht kështu ndjehem për çdo herë kur lexoj edhe poezitë nga opusi yt letrar vjershëror. Më kanë pëlqyer të gjitha që unë kam lexuar, veçanërisht ca prej tyre, që për mendimin dhe shijen time janë perla, janë margaritarë të rrallë letrarë … Dhe këtë unë ta them sinqerisht. Nuk të bëj qejf. Nuk është në natyrën time të mikloj njerëzit. Unë, thjeshtë, nuk jam as kritik letrar. Unë, në fakt, vetëm ndjeki me fanatizëm dëshirat dhe kërkesat e botës sime spirituale, të imagjinatës dhe botës sime artistike dhe krijuese njëkohësisht. Para së gjithash e mbi të gjitha, pavarësisht cilësisë dhe vëllimit të krijimtarisë sime modeste, unë kam afshin e leximit. Po, po, afshin e leximit, për të kaluar kështu në pozitën e një lexuesi të tërëjetshëm. Pyes tani retorikisht: a ka në këtë botë relative ndjenjë më të ëmbël se sa të qëndrosh përhershëm në pozitën e një lexuesi të apasionuar të librave, të letërsisë, duke shijuar ëmbëlsisht artin më magjik të tyre. Po këtë vlerë, e kam vënë re te postimet tua, e ke dhe ti, teksa të shoh jo rrallë herë të jesh i shoqëruar me libra e autorë nga më të ndryshmit vendorë e ndërkombëtarë.
Në saje të asaj çfarë kam lexuar, më së shumti më ka pëlqyer fakti që ti kurrë nuk je dorëzuar, pavarësisht përplasjes me sfidat gjithëfarëshe të jetës, nga të cilat askush nga ne nuk është imun, e as mund të jetë ndonjëherë. Dhe thua me plot shpirt në një varg:

“U rrita si një fëmijë me plot ëndrra
Shumë herë kam shpëtuar dhe botën.
Të tjera herë edhe kam dështuar,
Por prap jam ringritur si një ushtar i përbetuar!”

Madje-madje, ti nuk je udhëhequr kurrë, as dje e as sot, në jetë tënden krijimtare nga pretendime meskine dhe egocentrike për të fituar nam, emër o dekoratë për “krijesat” tua letrare, dhe ti e ke shprehur qartazi këtë disa herë në vargjet tua. Natyrshmëria, modestia dhe një shpirt e karakter i çeliktë e universal janë virtyte imanente të një personaliteti të fuqishëm njerëzor, i cili, pa mëdyshje, lë gjurmë në histori…
Ti e din që unë jam një teolog profesionalisht, por që gjithnjë në jetë timen jam përpjekur, mandej përpiqem edhe sot e kësaj dite, që të vë në shërbim të së mirës sonë të përgjthshme gjitha vlerat sakrale religjioze, jo vetëm në planin kombëtar por edhe në atë gjithënjerëzor planetarisht. Mirëpo, unë jam koshient në faktin që s’di për të satën herë në histori, si dje ashtu edhe sot, kanë ditur të devijojnë rrugën sublime këto vlera fetare, të bastardohen e fabrikohen, për t’u vënë në shërbime djallëzore, deri dhe kriminale e terroriste. Domethënë jam një shërbetor varfanjak, skajshëm mistik, që mëton të vë një tullë në godinën e madhe të jetës. Dhe ti thua në një varg me shumë të drejtë:

“Sepse kësaj toke,
Nuk iu deshën
Hoxhallarë e priftërinjë
Që shesin flamur e shesin mëmëdhenë
Por ç’ishin këta mizorë
Që uratat na i blenë?

Në vazhdën e kësaj, unë kapa dhe mesazhin tjetër shumë të fuqishëm dhe këshillëdhënës njëherësh te vargu yt:

“E dini çfarë mendoj unë?
Juve që keni lindur për poezi,
Më mirë mos u merrni me politikë,
Se dhe vet muza do t’ju mbaj mëri!
Shkruani, o poetë e poetesha!
Është e vetmja gjë ngushëlluese për ju.
Bëni dhe tregime, proza, e vjersha
Këtë natë me yje, bëhuni dhe blu!”

Mandej unë kam shijuar mirë dhe pothuaj të gjitha ato perlat tua poetike që himnizojnë dashurinë, atë dashurinë platonike, idilike. Do kisha veçuar veçanërisht poezitë vijuese, që për mua ishin perla të rralla: “Vegim”, “Det brenda një oqeani”, “Nuk dua të dashuroj përsëri”, “Eja sonte”, “Nëse vjen”, “Ndjenjat e mia”, “Shndërrim kujtimesh”, “Poetes, “A harrohesh ti” (këtë titull unë e nxorra nga vargjet), sidomos ajo me titull “Ti Kleopatra ime”, që do ta lexoj dhe tani për ta shijuar më mirë:

“Ti Kleopatra ime
Mbretëreshë e krejt qenies time
Duhej që gjarpëri mos të të helmonte
Pa pirë eliksirin e përjetësisë.
Ti u fike si një qiri
Ndërsa unë vuajta humbjen tënde
Gjersa u varrosa përsëgjalli
Si një i pavdekshëm për të të ardhur pranë”
(shkas-Mumja- Ane Riche)

Po kështu dhe ajo tjetra përplot këshilla shpirti për thurjen me plot sens të një vargu me titull “Kur shkruan”. Poezi kjo mjaft instruktive.
Akoma më bukur e ke shpërfaqur ndjenjën e dashurisë te poezia “I pa gjumë”, ku në fund thoni:

“..të fle, si foshja e sapo lindur
Ngjizur në emër të dashuris’…
Por, unë dua të jem i lumtur
Pa dashuri, s’dua të vdes”

Mandej atë poezinë tënde perlë me titull “Ok, por kthehu sërish!”, e kam shijuar tamam thellë sikur dikur kur lexoja perlat dashurore pa limit të Omar Khajamit. Vërtet po, nuk të bëj qejfin. Mandej ajo prozëza yte poetike “Forcë e pashtershme malli” m’ka mahnitur fare me metaforat që ngërthen në vete.
“Kjo poezi është në fakt një pikturë e vizatuar me fjalë!”, konstatoi bukur mikja jonë poete Evisa Haderi Mele për perlën tënde poetike “Si mund?!” Po këtë ndjenjë pata dhe unë kur e lexova. Apo dhe ajo poezia tjetër ytja me titull “Me një ëndërr”, për të cilën u prononcua zonjë Tea Dika, duke thënë: “Kjo poezi është ndër poezitë tua më bukura! Vargje djaloshare që ti Dritan i ke thurur kaq bukur artistikisht, sikur t’i kishe shkruar mbi telat e një kitare…”
Por poezia që bëri të më rrëqethet mishtë e kurmit ishte ajo me titull “Vakti i një ëndërrimtari”, teksa ti në vargun e fundit konstaton:

“Hëngra më shumë bukë se djathë
Dhe u shtriva si di’kur isha fëmijë
Gjumi ishte ëmbëlsira ime
Teksa me ëndërrat më shuante
Të madhen uri!”

Por ama, dorën në zemër, i nderuar Dritan, duke qenë se unë çuditërisht më shumë preferoj “tragjiken”, më së shumti kam ndaluar në meditim te ato poezitë tua perla në të cilat ti, siç thua dhe vet në një varg, “ke prikturuar mijëra dhimbjet e jetës” . Thënë të drejtën, ato poezi i kam lexuar disa herë, meqë më kanë ekzaltuar skajshëm emocionalisht, shpirtërisht.
Ah, të mos harroj, ngase tani m’u kujtua, të të bëj me dije që ai tregimi yt me titull “Malli i prindit”, të cilin ia kishe kushtuar babait tënd, më ka rrënqethur aq shumë sa dhe lotët s’munda t’i përmbaj. Ja, do t’a lexoj dhe tani. Jo vetëm këtë, por do t’i rilexoj dhe gjitha të tjerat, në mënyrë që t’i shijoj akoma më mirë. Por ama më duhet fillimisht të të përgëzoj për daljen në dritë botimi të vëllimit tënd poetik me titull “FATE TË KRYQËZUARA”. Ndrittë ky libër ndër shekuj e breza! T’u shtofshin perlat, shkrimet e botimet, i nderuar mik imi nga Zhepova e Përmetit të Shqipërisë, Dritan HABIPAJ!
Dhe diçka për fund. Dua të të vë në dijeni faktin që mbresat e mia rreth krijimtarisë tënde letrare do zënë vend të veçantë në opusin tim krijues… Respekt, miku im!

CA VARGJE-POEZI TË DRITAN HABIBAJT

“… Unë nuk shkruaj për të bërë emër,
As për t’u bërë i pasur…
Unë shkruaj ndjenjën time në mijra shpirtëra,
të cileve u dhuroj kohen time, vargjet e mia…
Ndaj merrini ato si një ngushëllim shpirti,
Jo si të më ketë ikur jeta nga qejfi,
sepse unë e dua jetën.

DITË E BUKUR PËR TË VDEKUR

Të shtëna u dëgjuan në lagjen time
Dikush u vra, e dikush mori hak.
Një familje ndoshta mbeti jetime
U vra një i ri, dhe jo një i moshuar plak!
.
Terror ndjen kudo që shkel
Qytetit tim plot me vrasës e drogaxhinj.
Gjithçka më duket bardh e zi
Si një vend i qelbur me gjarpërinj.
.
Do doja larg të isha nga këtu
Të mos dëgjoja të shtëna askund.
Do doja që gjithçka të ishte si qielli blu
Ku retë e zeza të bugosur ta mbajnë nuk mund!
.
Në këto të shtëna, vriten dhe të pafaj
Që ndodhen në kohën dhe vendin e gabuar.
Ku mortja vjen me vello dhe ikën me vaj
Ç’ditë e bukur për të vdekur, “i dashuruar” (me jetën)

MEMORIA IME
.
Më pëlqen fakti që flet me mua
Pa më pyetur se kush jam.
Ku ti flet veç për ndjenjat e tua
Pa vrarë mendjen, nëse kohë kam!
.
Ty s’të shkon në mendje kurrë
Se kush apo sa vjeç mund të jem unë;
Por ndonjëherë shpirti ka nevojë të flasë
E orët të zgjasin e të zgjasin sa më shumë.
.
E di që një femër ka shumë për të thënë,
Ndaj rri e degjoj si shkëmbi valën.
Për çudi vehten ndjeva të vetmuar mbrëmë,
Kujtimet e bisedës tonë nuk ndalen.
.
Ah, sikur të mos kisha këtë sëmundje
E bisedat tona kurrë të mos i harroja.
Do isha i lumtur të korrigjoja gabimet
Që me bënë të harroj dhe femrën që doja.
.
Në jetën tonë kujtimet janë thesare,
Ku shpesh ne i groposim në harresë;
Më pas i kërkojmë si florinjtë ndër varre,
Duke u lutur veç për pak shpresë.
.
Dije e dashur, nesër do të t’kem harruar;
E do të pyes: -kush je ti?!
Por sonte ti shprehëm ç’ke për t’më treguar,
Sepse nesër pa ty në mendje, do jem unë ai!

SA E SA HERË?
.
Sa e sa fletë u grisën ashtu,
Të shkruara e të vëna në zarfe.
Të coptuara mbi tryezën e bërë me dru,
Të lyer me penel piktori në bojkafe!
.
Sa e sa ndjenja u thërrmuan aty,
Asnjëra nuk mundi të largohej paq.
Jo nuk mundi zemra të të ndalte ty,
Ajo veç të deshi, jo më shumë se aq!
.
Sa të tjera letra do shkruaj për ty?
Dhe sa herë do mpreh lapsin e mjerë?
Unë mbetem një bulëz loti e ngrirë në sy,
Që s’do mund të tretem ndonjëherë.
******

Ajo është mirë, brenda meje.
Unë s’jam mirë, asgjëkund.
Ajo rrëzoi muret, e kësaj kështjelle,
Unë s’jam mirë, se s’jam askund.
******
Kush iku, bashkë me perëndim,
S’do të kujtohet si kujtim i bukur,
Se atje perëndoi dhe shpirti i’m,
Ai shpirt, që s’u kthye kurrë pas,
Dhe pse i jam përgjëruar’e lutur.
*****
Asgjë nuk ka më rëndësi, ti, ti s’je më.
Edhe sikur të vish tani, ti, ti jo s’je më.
Edhe sikur të më zgjosh, ti, jo s’je më.
Asgjë nuk ka më rëndësi,
unë, unë s’jam, s’je as ti.

KUR TË VDES
.
Kur vitet të më lodhin,
Si barrë me dru ngarkuar,
Këmbët t’më palosin,
Rrëzë udhës së pa’mbaruar.
.
Natie’ne baltë, i larosur,
I dorëzuar për Perëndinë
Akoma, fryma pa m’u sosur,
Do’të kujtoj, t’shtrenjtë fëmijërinë.
.
Do’të këndoj, një këngë vajtimi,
Sepse sorrat do t’më hanë,
Do’të bëhem kujtim, si Naimi,
Që sot, ç’do njeri n’mënd’e mbanë.
.
Në’me gje’çi të patretur,
Natije’në më ngrefshi lapidarë,
Ndoshta verës do’te jem i etur,
Shpirti do t’më digjet zjarrë.

PËR ÇAJUPIN DY VARGJE SHKROVA
.
Në udhët e Kajros, u gjende i vetëm.
Detin ëndërroje, t’kaloje në këmbë.
Të shkoje në vendlindje, ku nise jetën.
Ashtu trup plagosur, me shpirt q’dhembe.
.
Ëndërroje për malet e Çajupit,
Për lulet që dikur këpusje me mall.
Të pije ujë tek burimi rrëzë fushës,
Në burimin që s’shteronte as n’behar.
.
Dhe pse larg malli të treti,
Ti je këtu në ç’do cep të Shqipërisë.
Sot kujtuam përvjetorin e një mbreti,
Si relike e patriotizmit edhe letërsisë.
.
Ndaj dhe unë, dy vargje shkrova për ty,
Se jam rritur në tënden Zagorie.
ku gjurmët e tua mbetën përgjithnji,
Shumë vite u dergja ndënë tënden hije.
…………..cajupi…………………
Ne ate çajup te bukur,
Ku mban era trendeline.
Ti me vije si nje flutur,
me flisje per dashurine.
.
Aty ku kullot bagetija,
Ku ti vargje per t’o shkrove.
Per ate vend te treti largesia,
Dhe mallin kurre s’e mohove.
.

Te kerkosh nga jeta, paqen, siç kerkoj une..
Eshte shume e veshtire..
Ketu paqja vjen me capa konesh te uritura.
Ku zvarritet pranë fukarait”dhe pse ai e ushqen me mjerim”.
.
PAKËZ PAQE KËRKOJ
.
Neper disa sokaqe te perbaltur
Bredh per nje deriçke hapur.
Te kalosh naten poshte nje catie,
Dhe nese ne toke brinje-vrare do flije.
.
Te ngrohesh ne nje zjarr te ndezur me enderra,
Te ushqehesh me disa therrime ne derrase,
Te lexosh neper mure “parrulla te uritura”,
E poshte tyre, trupa-skelete te pamase.
.
Te degjosh frymen e paqte te koteles barkplote,
Si vjen perkedheli te kerkon me bishtin e saj.
Te gezohesh me paqen e kafsheve liriplote,
E te shkruash faqet me lote “mekatar i pafaj”.
.
Ku je paqja ime feminore?
Perse banon neper streheza fshehur?
Perse i ke braktisur sofrat mbreterore?
Vall, mos armiku”urrejtja” ty te ka dehur?!

SI MUND?!
.
Do doja t’a pikturoja poezine time
Ate qe shpreh ndjenjen e vertete per ty!
Ate qe me shfaqet neper vegime
Ku neteve zgjas duart ne terr, e ti s’je aty!
.
Do doja ta pikturoja me ngjyra te kuqe dhe gri,
Madje, do t’i hidhja dhe pak pluhur harrese.
Por… e dashur, si mund te pikturohet nje poezi,
Pa prekur kurre nje penel, mbremjeve te qeta me gjurme vese?!!
.
Si mund te te pikturoj ty e kaluara ime,
Ne çdo varg, strofe, apo kapitull?
Me beso, eshte me e lehte te pikturoj perendime,
Sesa te pikturoj nje poezi me mijra dhimbje pa ditur!

Dritan Habipaj
Përmet, SHQIPËRI

No comments:

Post a Comment