2018-06-30

Gjendja e shqiptarëve në kohën e Krizës Lindore

Marrëveshja e Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit Pëlqej0 Marrëveshja e Shën Stefanit (1878)


Gjatë periudhës së shkatërrimit të Perandorisë Osmane dhe Krizës Lindore, shqiptarët refuzuan të marrin pjesë në anën e Portës në luftimet kundër popujve fqinjë, megjithatë viset e banuara me shqiptarë ishin objekt i interesimit të vendeve fqinje dhe ideve të tyre për zgjerim tokësor. Pozitën e shqiptarëve posaçërisht e komplikoi ajo që një pjesë e Fuqive të Mëdha (Austro-Hungaria dhe Italia) shprehnin pretendime të drejtpërdrejta ndaj viseve shqiptare, ndërsa një pjesë (Rusia) i përkrahnin vendet fqinje në aspiratat e tyre tokësore.

Gjatë viteve 1876-1877 në Mirditë shpërtheu kryengritje kundër osmane. Kjo kryengritje u shua nga forcat osmane dhe nuk arriti të zgjerohet në pjesët tjera të banuara me shqiptarë, megjithatë tregoi se populli shqiptar nuk mund të lihet pas dore në projektet të cilat kishin lidhje me rendin e ri të Ballkanit.

Lufta ruso-turke dhe Paqja e Shën Stefanit

Në vitin 1877 Rusia e sulmoi Perandorinë Osmane me çka filloi lufta ruso-turke. Kjo luftë ndikoi në dobësimin e sundimit të Perandorisë Osmane në Ballkan dhe një pjese të popujve ballkanikë u mundësoi t’i realizojnë kërkesat për formimin e shteteve të tyre kombëtare.

Për një kohë të shkurtër ushtritë ruse arritën në afërsi të Stambollit, ndërsa ushtritë serbe dhe malazeze filluan veprime luftarake kundër Perandorisë Osmane duke depërtuar në viset e banuara me shqiptarë (vilajetet e Kosovës dhe Shkodrës). Greqia iu bashkëngjit këtyre aktiviteteve dhe me përkrahje të kryengritjes kundër osmane të vullnetarëve epirotë në Shqipërinë Jugore përpiqej që këtë pjesë t’ia bashkëngjit Greqisë.

Perandoria Osmane, e cila e humbi luftën, ishte e detyruar që më 3 mars të vitit 1878 të nënshkruajë marrëveshje me Rusinë. Sipas asaj marrëveshjeje, e njohur si e Shën Stefanit (sipas vendit në të cilin është nënshkruar), Perandoria Osmane e humbi pjesën më të madhe të tokave të Ballkanit, ndërsa Serbia, Mali i Zi, Rumania dhe Bullgaria u bënë shtete të pavarura. Në atë marrëveshje fare nuk përmendeshin shqiptarët dhe viset në të cilat jetonin shqiptarët u ndanë ndërmjet shteteve të posakrijuara fqinje (Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi), ose mbetën nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Ndryshimet tokësore shkaktuan protesta te populli shqiptar, i cili shprehu gatishmëri të qartë që t’u kundërvihet atyre vendimeve, gjë që solli deri te krijimi i komiteteve dhe besëlidhjeve ndërkrahinore. Në ato rrethana edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare i filloi veprimet për pavarësim të tërësishëm të Shqipërisë. Në fund të vitit 1877 veprimtarët shqiptarë u mblodhën në Stamboll dhe formuan organizatë kombëtare e cila duhej t’i përfaqësojë interesat e të gjithë shqiptarëve. Organizata u quajt “Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit Shqiptar”, i njohur si Komiteti i Stambollit. Atë e përbënin veprimtarë nga të gjitha viset e banuara me shqiptarë, ndërsa në krye të këtij komiteti u zgjodh Abdyl Frashëri.

Me marrëveshjen e Shën Stefanit (me të cilën Rusia u pajis me fuqi të madhe) nuk ishin të kënaqura as shtetet tjera evropiane (të cilat atë e përjetonin si kërcënim për veten dhe për interesat e tyre) dhe për këtë arsye në qershor të vitit 1878 e thirrën Kongresin e Berlinit.

Themelimi i Lidhjes së Prizrenit, kërkesat e saj dhe veprimet e para

Paqja e Shën Stefanit dhe caktimi i datës së mbajtjes së Kongresit të Berlinit i shtoi aktivitetet për krijimin e organizatës politiko-ushtarake e cila do ta bashkojë lëvizjen shqiptare. Si rezultat i kësaj, më 19 qershor të vitit 1878 në Prizren u soll vendimi që të krijohet organizata me funksione politike dhe ushtarake e quajtur “Lidhja e Prizrenit”. Në kuvendin themelues merrnin pjesë përfaqësues nga të gjitha viset ku jetonin shqiptarë dhe pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit u formuan edhe degët e saj në të gjitha ato vise, si për shembull në sanxhakun e Shkupit ku udhëhiqte Jashar Bej Shkupi. Që në aktet e para Lidhja e Prizrenit morri një pjesë të funksioneve udhëheqëse nga Porta e Lartë dhe me këtë filloi procesi për krijimin e shtetit autonom shqiptar.

Kuvendi i Prizrenit ua shpalli Fuqive të Mëdha vendosmërinë e shqiptarëve që të mos lejohet ndarja e tokave në të cilat jetojnë. Lidhja miratoi programin i cili i përmbante qëndrimet për bashkimin e vilajeteve ku jetonin shqiptarët në një vilajet, si dhe për formimin e shtetit autonom të shqiptarëve. Në program parashihej të formohet administrata e Lidhjes dhe të krijohen organe autonome të cilat do të mbledhin tatime dhe organe të cilat do të ishin përgjegjëse për ruajtjen e rendit (forca ushtarake të “Vilajeteve të Bashkuara” dhe policia).

Vendimet e Kongresit të Berlinit dhe reagimi i shqiptarëve

Në Kongresin e Berlinit u bë rishikimi i tërësishëm i Marrëveshjes së Shën Stefanit, ndërsa për statusin e Perandorisë Osmane bashkërisht vendosnin fuqitë evropiane. Me vendimet e reja, Perandoria Osmane e humbi pjesën më të madhe të tokave evropiane, u zvogëlua ndikimi i Rusisë, u rrit fuqia e Austro-Hungarisë dhe Britanisë së Madhe, ndërsa shtetet e posakrijuara ballkanike fituan tokë shumë më të vogël se sa ishte paraparë me marrëveshjen e Shën Stefanit.

Në vendimet e Kongresit të Berlinit Shqipëria trajtohej vetëm si term gjeografik, ndërsa viset e banuara me shqiptarë u ndanë ndërmjet disa shteteve. Vendimi i tillë nuk ishte i pranueshëm për shqiptarët. Këtë e dinin vendet të cilat vendosnin, prandaj në gusht të vitit 1878 në Shqipëri u dërgua Mehmet Ali pasha i cili duhej t’i bind shqiptarët që t’i dorëzojnë këto vise. Këtë nismë e kundërshtoi Lidhja dhe në përleshjet në Gjakovë Mehmet Ali pasha u vra.

Kundërshtimi shprehej në shumë protesta të organizuara në këtë periudhë. U formua delegacioni i përbërë nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, i cili duhej t’i përfaqësojë shqiptarët para Fuqive të Mëdha. U bënë shumë përleshje me shtetet përreth (veçanërisht me Malin e Zi) të cilat kishin për qëllim të pengohet copëtimi i viseve të banuara me shqiptarë.

Nga memorandumi i 13 qershorit 1878 për nevojën e krijimit të shtetit autonom shqiptar dhe kundër ndarjes së shqiptarëve, i bartur nga një zyrtar i lartë anglez:
“... Ata shprehin shpresën se kërkesat e tyre do të shqyrtohen nga Kongresi, ndonëse ata janë i vetmi komb pa një përfaqësues. Përmes gjithë vështirësive shqiptarët kanë mundur të ruajnë pavarësinë e tyre, veçoritë, traditat dhe gjuhën kombëtare dhe qofshin katolikë, ortodoksë ose myslimanë, i urrejnë jo vetëm sunduesit e tyre turq, po edhe gjithë të huajt e tjerë.”

Burimi: Ramiz Abdyli – Lidhja Shqiptare e Prizrenit në Burimet Angleze, II, Prishtinë 2004, fq. 40.


Veprimet për themelimin e Shtetit Shqiptar

Në nëntor të vitit 1878 u mbajt Kuvendi i Dibrës në të cilin u soll programi me kërkesa autonomiste. Edhe pse Porta e Lartë nuk u shpreh botërisht kundër këtyre kërkesave, ajo ngadalësoi përgjigjen.

Kërkesat e Lidhjes për autonomi fituan përkrahje tek populli shqiptar. Si rezultat i Kongresit të Dibrës në të gjitha qytetet ku vepronte Lidhja u formuan gjyqet e saja. Për shembull, në Shkup ekzistonin gjyqe të dyfishta (osmane dhe të Lidhjes) ndërsa popullsia kishte të drejtë të zgjedhë se cilit gjyq do t’i drejtohet. Një pjesë e madhe e popullsisë i zgjidhte gjyqet e Lidhjes.

Në muajin dhjetor të vitit 1880 në Vilajetin e Kosovës filluan veprimet e armatosura kundër administratës së Portës së Lartë. Në këto aktivitete merrnin pjesë vetëm ata që e përkrahnin programin autonomist. Kuvendi i largoi nga organet drejtuese të Lidhjes ata të cilët ishin kundër autonomisë dhe e shpalli Komitetin Kombëtar të Lidhjes. Si kryetar i Qeverisë së Përkohshme u emërua Ymer Prizreni. Qeveria e Përkohshme i organizoi forcat e saja të rregullta ushtarake dhe policore dhe e vendosi administratën e re shqiptare në viset që çliroheshin, u krijuan edhe organet e Qeverisë së Përkohshme të Lidhjes në vendet më të rëndësishme.

Si përgjigje ndaj këtyre aktiviteteve Porta e Lartë organizoi ekspeditë të madhe ushtarake e cila i shtypi forcat e Lidhjes dhe më në fund e shkatërroi atë me pushtimin e Prizrenit, ku gjendej selia e Qeverisë së Përkohshme. Pas shkatërrimit të Lidhjes së Prizrenit, Perandoria Osmane formoi gjyqe ushtarake në të cilat mijëra shqiptarë, veprimtarë dhe luftëtarë të Lidhjes u dënuan me burgosje ose u internuan në viset e largëta të Perandorisë.


KRYENGRITJA SHQIPTARE KUNDËROSMANE E VITIT 1912 DHE LUFTËRAT BALLKANIKE

Kryengritja shqiptare kundërosmane e vitit 1912

Pas shpërndarjes së Lidhjes së Prizrenit vazhduan kryengritjet kundërosmane, të cilat kishin kryesisht karakter lokal. Duke e marrë parasysh faktin se nuk ekzistonte një qendër e vetme e udhëheqjes së tyre, forcat osmane e kishin të lehtë për t’i shtypur.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në fitoren e Revolucionit Xhonturk dhe kryengritjet e zhvilluara në vitet 1910-11 paraqitnin hap të rëndësishëm përpara në ripërtëritjen e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Njëkohësisht mundësoi që çështja shqiptare të parashtrohet jo vetëm në nivelin ballkanik por edhe në atë evropian si problem që duhet të zgjidhet.

Në kushte të këtilla filluan përgatitjet për kryengritje të përgjithshme kundërosmane. Nga njëra anë u fillua puna për krijimin e një qendre të përbashkët të udhëheqjes, ndërsa nga ana tjetër, vazhdoi lufta parlamentare për realizimin e kërkesave kombëtare nga ana e deputetëve shqiptarë në strukturat e pushtetit të Perandorisë Osmane. Kështu, më 11 janar 1912, Hasan Prishtina mbajti fjalim para Parlamentit me të cilin e paralajmëroi qeverinë osmane se po qe se nuk plotësohen kërkesat kombëtare shqiptare, në Shqipëri do të shpërthejë kryengritje dhe se ai personalisht do të vihet në krye të saj.

Në fillim të vitit 1912 gjatë kohës sa vijonte punimet Parlamenti u mbajt mbledhje e deputetëve të të gjitha viseve të banuara me shqiptarë. Në takimin e personaliteteve më të rëndësishme të jetës politike shqiptare, që u mbajt pas kësaj mbledhjeje, u vendos se është e nevojshme të fillohet kryengritje e përgjithshme. Me qëllim që kryengritja të ketë sukses më të madh, Lëvizja Kombëtare Shqiptare filloi bisedime me popujt tjerë të cilët ende ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane. Pjesë e kësaj ishin bisedimet me OBRM-n (VMRO) dhe përpjekja për të arritur bashkëpunim me maqedonasit.

Përleshjet e armatosura ndërmjet çetave shqiptare dhe forcave osmane shumë shpejt u përhapën në të katër vilajetet në të cilët jetonin shqiptarë (Vilajeti i Kosovës, Manastirit, Janinës dhe Shkodrës). Pas bisedimeve të pasuksesshme ndërmjet kryengritësve dhe përfaqësuesve të pushtetit osman në Prishtinë, u soll vendimi që kryengritja të zgjerohet drejt Shkupit. Kryengritësit parashtruan 14 kërkesa të cilat nuk u pranuan nga Porta e Lartë. Kjo solli deri te kulmi i kryengritjes dhe mijëra kryengritës të udhëhequr nga udhëheqësit e tyre e çliruan Shkupin nga forcat osmane. Në bisedimet të cilat u zhvilluan në Shkup, përfaqësuesit e Perandorisë Osmane i pranuan 12 nga 14 kërkesat e parashtruara.

Shpallja e Shtetit të Pavarur Shqiptar

Implementimi i kërkesave të pranuara u vonua sepse vëmendja e pushtetit osman ishte e kthyer kah aleanca e re të cilën e krijuan shtetet ballkanike, e cila ishte rrezik potencial për perandorinë. Shtetet të cilat hynë në përbërje të Aleancës Ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi) planifikonin ta sulmojnë Perandorinë Osmane dhe t’i sulmojnë tokat e mbetura të cilat ishin nën sundimin e saj në Ballkan. Këto plane parashihnin edhe pushtimin e tokave të banuara me shqiptarë. Planet e shteteve ballkanike u përkrahën nga Rusia, e cila priste që në atë mënyrë ta forcojë ndikimin e saj në Ballkan.

Në tetor të vitit 1912 shtetet ballkanike i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Për një kohë të shkurtër i mundën ushtritë osmane në të gjitha frontet dhe filluan të depërtojnë thellë në tokat e banuara me shqiptarë. Forcat serbe hynë në zonat e Shqipërisë së sotme verilindore dhe në Kosovë, ushtria malazeze hyri në tokat rreth Shkodrës, ndërsa ushtritë greke e okupuan Epirin. Anekënd ku depërtuan ushtritë e aleancës ballkanike u ushtrua dhunë nga e cila vuante popullsia e pambrojtur shqiptare.

Kjo i shtyu disa nga udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të ndërmarrin aktivitete të reja, të drejtuara kah Fuqitë e Mëdha. Në mbledhjen e mbajtur në Shkup e miratuan deklaratën e cila iu dorëzua përfaqësive konsullore në Shkup. Në deklaratë i njoftuan diplomatët në Shkup se nuk luftojnë që ta mbrojnë Perandorinë Osmane, por që t’i mbrojnë interesat e popullit shqiptar. Në këtë deklaratë kërkesa e deriatëhershme e shqiptarëve për krijimin e vilajetit shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane u ndryshua me kërkesën për shtetin e pavarur shqiptar.

Si rezultat i kërkesave të parashtruara në Shkup, u mbajt Kuvendi në Vlorë në të cilin merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha viseve në të cilat jetonin shqiptarët. Në Kuvend u shpall Shteti i Pavarur Shqiptar dhe u formua Qeveria, e cila në planin ndërkombëtar shfaqej si përfaqësuese e të gjithë shqiptarëve.

Konferenca e Londrës dhe pasojat për popullin shqiptar

Shpallja e Shtetit të Pavarur Shqiptar në Kuvendin e Vlorës ndodhi në rrethana shumë të ndërlikuara ndërkombëtare dhe kundërshti të theksuara ndërmjet Fuqive të Mëdha në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Ballkanit. Kjo i shtyu Fuqitë e Mëdha që t’i kushtojnë vëmendje të posaçme çështjes shqiptare në konferencën e cila u mbajt në Londër në vitet 1912-1913. Në konferencë u formua një komision i posaçëm ndërkombëtar dhe si rezultat i punës së saj, më 1913 u pranua ekzistimi i Shtetit të Pavarur Shqiptar.

Shtetit të Pavarur Shqiptar që u pranua në Konferencën e Londrës i takuan tokat verilindore dhe jugore të banuara me shqiptarë. Vendimi i këtillë u soll si kompromis, me qëllim që t’i iket keqësimit të marrëdhënieve mes vet Fuqive të Mëdha. Me vendimin e këtillë në masë të madhe u kënaqën pretendimet e shteteve tjera ballkanike, por nuk i morën parasysh interesat kombëtare të popullit shqiptar për krijimin e shtetit të tij etnik që paraprakisht u shprehën në Kuvendin e Vlorës.

Vendimet e sjella në Konferencën e Londrës shkaktuan pakënaqësi të madhe tek populli shqiptar në viset e banuara me shqiptarë të cilat u gjendën në përbërje të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.


SHQIPTARËT NË KOHËN E LUFTËS SË PARË BOTËRORE

Rënia e viseve të banuara me shqiptarë nën okupimin e Fuqive Qendrore dhe Antantës

Fillimi i Luftës së Parë Botërore i gjeti shqiptarët pa pushtetin e tyre qendror. Deri në atë moment, Shqipëria udhëhiqej nga princi gjerman Vilhem Vidi, ndërsa Kosova dhe viset tjera të banuara me shqiptarë gjendeshin nën pushtetin serb, malazez dhe grek. Populli shqiptar u gjend në një situatë kaotike, pa qendër të vetme koordinimi, ndërsa Shqipëria nuk doli si palë e barabartë në lojërat për fitimin e tokave.

Shqiptarët u bënë objekt i ndarjes dhe premtimeve të cilat Fuqitë e Mëdha ua jepnin shteteve ballkanike për zgjerimin e tokave të tyre. Duke filluar nga vjeshta e vitit 1914 deri në fillim të vitit 1916 serbët e okupuan Shqipërinë Veriore dhe të Mesme deri në lumin Shkumbin, malazezët e pushtuan Shkodrën, Grekët hynë në viset jugore, ndërsa italianët zotëronin me Vlorën dhe rrethinën. Në këto vise ekonomia ishte tërësisht e shkatërruar, shumë veprimtarë shqiptarë u vranë, ndërsa një numër i madh i shqiptarëve (rreth 300.000) u detyruan të shpërngulen në Turqi. Në dy vitet e ardhshme toka e Shqipërisë u shndërrua në fushëbetejë dhe disa herë u pushtua dhe u nda ndërmjet austro-hungarezëve, italianëve, bullgarëve dhe grekëve. Linja e frontit ndërmjet palëve ndërluftuese shtrihej afërsisht në linjën Vlorë-Berat-Pogradec.

Rezistenca e shqiptarëve gjatë Luftës së Parë Botërore

Që në fillim të okupimit në Shqipëri filloi të zhvillohet rezistenca dhe të formohen çeta dhe komitete kombëtare. Në SHBA u krijua Federata “Vatra” e cila i bashkonte të gjitha komitetet. Komitetet sollën program të përbashkët në të cilin kërkonin që të sigurohet pavarësia e Shqipërisë dhe të rishqyrtohen kufijtë e Shtetit Shqiptar të vitit 1913 në të cilat nuk u përfshinë të gjitha viset me popullsi shqiptare.

Në vitin 1917 zona e Korçës e cila ishte nën sundimin frëng dhe viset nën pushtetin austro-hungarez u shpallën si zona autonome. Në vitin 1917 italianët e shpallën “Shqipërinë e Pavarur” nën mbrojtjen e Italisë.

Në këto krahina autonome shqiptarët kishin të drejta për vetëqeverisje, për kultivim të kulturës kombëtare, për përdorim të gjuhës shqipe dhe për hapjen e shkollave shqipe. Kjo mundësoi zhvillim të mëtejshëm dhe ngritje të vetëdijes kombëtare tek populli shqiptar.

Në zonën bullgare të okupimit gjendja ishte më e rëndë. U burgosën shumë veprimtarë, u bë rekrutimi i detyrueshëm i burrave të aftë për luftë, ndërsa ushtria për nevojat e veta merrte nga popullsia ushqim dhe kafshë.

Fundin e Luftës së Parë Botërore Shqipëria e priti e ndarë ndërmjet disa shteteve. Pjesa më e madhe e territorit të saj mbeti nën okupimin e Italisë. Pjesët rreth Korçës dhe Pogradecit mbetën nën pushtetin Francez, ndërsa ushtria serbe me ndihmën e ushtrisë franceze e pushtoi Kosovën dhe viset tjera shqiptare dhe hyri në Shqipërisë Veriore. Vendi pësoi rënie ekonomike, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë pësoi gjatë luftimeve, nga uria dhe epidemitë.

Veprimtarët shqiptarë brenda dhe jashtë shtetit mundoheshin ta pengojnë ndarjen e Shqipërisë dhe ta sigurojnë pavarësinë e saj. Grupet politike shqiptare arritën të bashkohen dhe të formojnë qeveri të përbashkët, e cila duhej ta përfaqësojë popullin shqiptar dhe t’i mbrojë interesat e tij në Konferencën Paqësore e cila planifikohej të mbahet në Paris.

Konferenca Paqësore e Parisit dhe Shqiptarët (1919-1920)

Lufta e Parë Botërore mbaroi me mbajtjen e Konferencës Paqësore në Paris. Shqiptarët shpresonin se në konferencë në mënyrë të drejtë do të zgjidhen kërkesat e tyre, megjithatë shtetet fitimtare kishin interesat e tyre në Shqipëri. Italia e kërkonte Vlorën dhe protektorat mbi “Shtetin Autonom Shqiptar” i cili duhej të formohet në Shqipërinë e Mesme, ndërsa Greqia e kërkonte Korçën dhe Gjirokastrën. Përfaqësuesit e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (SKS) u shprehën për një Shqipëri të pavarur në kufijtë e vitit 1913, por mendonin se në qoftë se ndonjë shteti i pranohet e drejta e okupimit ose e protektoratit mbi Shqipërinë atëherë edhe Mbretërisë SKS duhet t’i takojë një pjesë e saj.

Në rrethana të tilla delegacioni i Qeverisë Shqiptare shkoi në Paris dhe propozoi dy memorandume. Me memorandumin e parë kërkohej që të korrigjohen vendimet e Kongresit të Berlinit dhe të Konferencës së Londrës në lidhje me tokat shqiptare të cilat mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Kur nuk u miratua memorandumi i parë, u soll i dyti me të cilin kërkohej që SHBA-ja t’i administronte këto vise që mbetën jashtë kufijve të vitit 1913. Edhe pse çështja shqiptare u diskutua në Konferencën Paqësore, kërkesat e shqiptarëve nuk u morën parasysh.

Në Konferencën Paqësore të Parisit Shqipëria u pranua si shtet i pavarur me kufijtë e vitit 1913, të cilat përputhen me kufijtë e Shqipërisë së sotme. Kjo nuk e pengoi Italinë që edhe më tej ta mbajë nën kontroll Vlorën me viset anësore, derisa kryengritja e shqiptarëve e vitit 1920, i detyroi trupat italiane që të tërhiqen nga Shqipëria.

Shqiptarët që u gjendën jashtë kufijve të Shqipërisë (në kuadër të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe të Greqisë) e vazhduan rezistencën, të pakënaqur nga pushteti nën të cilin u gjendën, derisa rezistenca e tyre nuk u shua.

No comments:

Post a Comment