2018-06-01

GJUHA POETIKE




Xheladin Çitaku

“ Gjuha është më shumë se sistem i përcjelljes së mendimeve. Ajo është veshja e padukshme që na zbukuron shpirtin dhe të gjitha shprehjeve të saj u jep formë të paracaktuar. Kur shprehja ka rëndësi të jashtëzakonshme, ne e quajmë letërsi…” ( EDUARD SAPIR, “ Hyrje në studimin e ligjërimit”, cituar nga ANTON N. BERSISHA, “Çështje torike të letërsisë” ).

Letërsia si tërësi dhe poezia si veçanti e shprehjes letrare-artistike ndërtohet në bazën e kreativitetit shprehës të botës shpirtërore të autorit, duke përfillur “jashtëzakonshmërinë” e rëndësisë së shprehjes gjuhësore, si veçori specifike për gjuhën e poezisë. Tërësia e strukturimit gjuhësor të poetikës është faktori që shquan mënyrën e plasimit të ndjeshmërisë emocionale a sajimit imagjinar të autorit tek perceptuesi; është forma e komunikimit të poezisë me auditorin dhe me aktualitetin, të cilin mëton ta shprehë, duke shtruar kuptimësitë përmes vargut.
Gjuha poetike përfaqëson qenësinë kuptimore, format e përvijimit të kësaj qenësie, unitetin kontekstual poetik, plasimin e mesazhit të paracaktuar, krijimin e efektit emocional përjetues tek lexuesi. Në këtë kontekst, gjuha poetike ka rolin e veçantë edhe në përcaktimin e vlerësimit të përgjithshëm të poezisë apo një vepre të caktuar, si njësi organike e poetizuar, përcaktimin e nivelit të përjetimit estetik, në bazën e estetizimit shprehës që konfigurohet përmes kësaj gjuhe. Prandaj edhe shqyrtimi, vlerësimi dhe qëndrimi ndaj një krijimi poetik, ndaj një “prodhimi” shpirtëror, bëhet nga ajo që ravijëzohet shprehshmërisht, duke përfshirë këtu edhe kuptimësitë asumptive (supozuese), të cilat gjuha poetike i inkorporon brënda figuracionit stilistik, intonacionit të fjalës, përjetimit ndjenjor e estetik.
Aspektet dhe momentet që shpreh poezia kërkojnë sistemin shprehimor-gjuhësor ekuivalent me gjerësitë përfshirëse, të cilat tabloizojnë botën e brendshme, duke e transformuar atë në një transponim të paracaktuar strukturor dhe tekstual të kuptimeve figurative, të shkëputur nga shprehitë e zakonshme dhe kuptimet konkrete të realitetit. Në këtë kënd, gjuha poetike del si “veshje e padukshme që na zbukuron shpirtin…”
Përbërsit gjuhësor organizohen në sistemin e tërësishëm kuptimor, i cili shpreh subjektiven e autorit, refleksionin e tij, përjetimin, ndjeshmërinë, gjithnjë me fjalën e specifikuar nga këta përbërës, konformë shtjellimit të motivit, shtjellim që ka strukturim të veçantë gjuhësor. Arti i fjalës ndërvepron në krijimin poetik si strukturim i nderlikuar gërshetimesh të elementeve përcaktuese të poetikës.
Si e tillë, gjuha poetike është traseja, është infrastruktura me të cilën vijëzohet kreatura që buron nga brenësia ndjenjore, emocionale, nga sajesat e produktivitetit imagjinar, duke dhënë, kështu, një konturim të kapshëm artistik, të pikturuar shumëngjyrshëm, të kompozuar harmonishëm pikërisht nga forca shprehëse e fjalëve, nga relatat e krijuara në lidhjet dhe kombinatorikën e tyre në tekstualitetin dhe kuptimësitë poetike. Dimensioni i tillë (dimensioni gjuhësor) është dimensioni qenësor i shprehjes së gjerësisë dhe thellësisë në poezi…

No comments:

Post a Comment