2018-06-03

Ideja e Daçiqit për “shkëmbim territoresh” dhe shqiptar ët e Luginës së Preshevës

Image result for nehat hyseni
Shkruan: Nehat Hyseni


Ky vit është deklaruar si afat i fundit për zgjidhjen e problemeve mis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe për “normalizimin” e raporteve midis tyre.
Ideja për “shkëmbim territoresh” midis Serbisë dhe Kosovës si zgjidhje e mundëshme e këtyre problemeve është përmendur, sa e di unë, nga kosovarët vetëm nga Rexhep Qosja dhe eventualisht aty-këtu nga ndonjë mbështetës i tij.
Kurse, nga pala serbe kjo çështje është inicuar zyrtarisht nga Ivica Daçiq në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel , i cili asokohe ishte kryeministër i Serbisë dhe shef i delegacionit negocius të Serbisë.
Kjo ide konsiston në shkëmbimin e territorit të veriut të Kosovës, dmth Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së veriut, që përbën reth 1/5 e territorit të Republikës së Kosovës, me territorin e Komunës së Preshevës (264 km2), një pjesë të Komunës së Bujanocit dhe Medvegjës, dmth fshatrat e banuar me shqiptarë.
Sigurisht se për shqiptarët e Luginës së Preshevës, dmth të komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, që përbëjnë reth 1250 km2, duke përfshirë edhe fshatrat serbe.
problemi më i madh dhe pengesë të pakapërcyeshme paraqet fakti se të gjithë serbët e Kosovës nuk janë të përqëndruar në një territor kompakt që ka kontinuitet etnik me Serbinë, ashtu siç kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës kontinuitet etnik dhe territorial me Republikën e Kosovës.
Kuptohet se këtu bëjnë përjashtim vetëm serbët e veriut të Kosovës, dmth katër komunat m’atanë Ibrit dhe Mitrovica veriore, të cilët përbëjnë vetëm reth 40% të serbëve të Kosovës, që kanë kontinuitet etnik dhe territorial me Serbinë.
Kurse, reth 60% e serbëve janë të shpërndarë në gjashtë komuna të tjera serbe gjithandej nëpër territorin e Republikës së Kosovës, si enklava të shpërndara dhe të shkëputura mes veti, pa kontinuitet etnik-territorial me Serbinë, dmth sikur “lëkura e leopardit”.
Prandaj, ky fakt e bënë shkëmbimin eventual të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë më të ndërlikuar dhe të pamundur.
Rrjedhimisht, edhe oferta e palës serbe me Daçiqin jo vetëm që nuk është e sinqertë, por edhe është e dëmshme për Republikën e Kosovës, si dhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Pse është i dëmshëm shkëmbimi i territoreve për Republikën e Kosovës?
Sepse, Serbia me djallëzi dashakeqe synon ndarjen e veriut të Kosovës, matanë lumit të Ibrit dhe bashkëngjitjen e pakusht të saj me Serbinë, duke përfshirë edhe liqenin e Gazivodës, si resursin më të madh ujor të Republikës së Kosovës.
Kurse për pjesën e enklavave serbe, të shpërndara gjithandej nëpër Kosovë, Serbia pretendon që të bëjë marrëveshje për shkëmbim eventual territoresh.
Pse është i dëmshëm shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë për Luginën e Preshevës?
Sepse, ky projekt i Serbisë parasheh ndarjen e territorit të Komunës së Preshevës gati përgjysmë, me vijën e Hekurudhës, dmth Korridorit 10 (Dhjetë), që përfshinë edhe Autostradën E-17, si aset me rëndësi Kapitale gjeostrategjike e gjeopolitike për Serbinë dhe për Ballkanin Perëndimor, duke i lënë një mori fshatrash shqiptare dhe ato serbe, si dhe pjesën lindore dhe malin Rujan, jashtë, dmth në Serbi.
Në komunën e Bujanocit mbi gjysma e territorit do të mbetej jasht, ndërsa, nga komuna e Medvegjës do të përfshihej vetëm reth 1/4, apo në rastin më optimist, vetëm 1/3 e territorit të kësaj komune.
Pra, me shkëmbimin eventual të territoreve, nga 1250 km2 të Luginës së Preshevës, Republikës së Kosovës do i bashkëngjiteshin vetëm reth 500-600 km2.
Kurse, reth 4-5 fishë më tepër territor të Kosovës do i bashkëngjitej Serbisë!
Duhet theksuar se në Luginë të Preshevës, ideja serbe e ish kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiqit, i cili është edhe kryetar i SPS-it, dmth partisë politike të themeluar nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, që e shtroi me insistim në tryezën e bisedeve të Brukselit në vitin 2013, por kjo ide u refuzua kategorikisht nga pala kosovare dhe nga ndërmjetësuesja e BE-së, Komisionerja e lartë, baronesha Catherine Ashton, por gjeti mbështetje për gjatë kohë edhe tek disa parti politike shqiptare të Luginës së Preshevës, në krye me PDSH-në e Ragmi Mustafës.
Këta pretendonin që këtë ide serbe ta lidhnin me vullnetin politik të shqiptarve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992.
Ky ishte një keqpërdorim flagrant dhe i papërgjegjshëm i Referendumit, që realisht çonte ujë në mullirin e politikbërjes antishqiptare të Serbisë, për qëllimet e tyre antishqiptare e antikosovare, kundër sovranitetit territorial dhe Pavarësisë së Kosovës dhe realisht synonte ndarjen e saj, duke pretenduar që t’ia shkëpusë një pjesë të madhe të territorit të Luginës së Preshevës dhe bashkëngjitjen e pjesës perëndimore, dmth të terrenit më pasiv të Luginës së Preshevës, pa përfshierjen e Korridorit 10 në kuadër të saj.
Gjithësesi, shqiptarët e Luginës së Preshevës synojnë bashkimin me Kosovën, por jo me çdo kusht dhe kurrësesi jo në dëm të interesave të Kosovës dhe në kundërshtim me interesat tona kombëtare.
Por, shqiptarët e Luginës së Preshevës synojnë që kjo dëshirë dhe vullnet i tyre legjitim, i shprehur edhe në Referendum, të realizohet në koordinim dhe në harmoni me Kosovën, Shqipërinë dhe me faktorin ndërkombëtar, sipas parimit të reciprocitetit dhe duke i respektuar interesat e secilës palë, dmth pa i dëmtuar interesat vitale të secilës palë negociuese.
Pengesë të madhe në këtë drejtim paraqet imponimi i Planit Aksional Lokal (2017-2021) nga Serbia, për kolonizimin e Komunës së Preshevës me refugjatë serbë nga luftërat në Kroaci, Bosne dhe me serbë të ikur nga Republika e Kosovës, për shkak të krimeve ndaj shqiptarve, si dhe me refugjatë nga Siria, Iraku, Afganistani, etj., të hartuar nga Qeveria e Serbisë.
Ky Plan makabër e antishqiptar, mjerisht, ka hasur në mbështetje edhe nga APN, si parti politike shqiptare që në Komunën e Preshevës është në koalicion qeverisës me SNS-in e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe në mbështetje të plotë politike, financiare dhe institucionale nga Qevera e Serbisë.

No comments:

Post a Comment