2018-06-26

Kafja, qentë dhe “mamushi”


Image result for Petrit Malushi

Petrit Malushi


. – Shpirti u mërzite ? Nuk vonohem. Ja edhe llakun kam për të hedhur se nuancat I mbarova. I ke marrë syzet e diellit me vete? Do të verbohesh kur t’më shikosh ! – Po hë të shkretën se ngela si shtyllë semafori. The që s’do të vonoheshe shumë. Herë tjetër gjej ndonjë parukiere më të shpejtë. – Ua ! Ç’thua, kjo është flutur. Po dëgjo, zemra, ulu në ndonjë lokal aty afër dhe pi ndonjë kafe. Për mua porosit makiato. Futa telefonin celular në xhep dhe hodha një vështrim për të përzgjedhur kafenenë ku mund të ulesha sa të mbaronte gruaja punë te parukieria. Lokalet ishin seri. Kamarierët për të tërhequr, nuk t’i ndanin vështrimet ledhatore. Gara e vështrimeve dhe e buzëqeshjeve false këputej kur klienti ulej. Ishte e shtunë. Kishin kaluar njëzet minuta mbi orën dhjetë. Frekuentuesit e lokaleve për fundjavët ende nuk ishin dyndur. Këmbët më çuan te lokali i parë. Preferova tavolinën e dytë te rreshti I anës. Tingujt muzikorë të një melodie çjerrëse, që dilnin nga altoporlantët, këtu vinin pak më dobët. Me që s’kishte shumë njerëz në lokal, kamerieri, një djalë trupdrejtë, fytyrë hollë, me flokë të zeza, të qethura kare anash, deri te sheshi I kokës, mbërriti pa arritur të ulesha mirë. – Kafe ! – ia ktheva përshëndetjes së tij. Po kotesha në mendime, kur dy tavolina më tej u ulën tre zonja. Dëgjova që porositën katër kafe dhe një shishe ujë.

“Presin ndonja shoqe mendova, si puna ime që pres gruan”. Shërbimi qe I shpejtë. Pa kthyer shpinën kamerieri që më solli kafen, te tavolina nga ana ime e majtë u drejtuan dy vajza, tek njëzet e pesë vjeç. Të parës, me trupmesatar, flokë ngjyrë banane e papjekur mirë, vetulla bishtharkuar, që mbante veshur një fustan fushëblu e zambakë të bardhë, të varur me rripa mbi supet e zbuluar, I paraprinte një kone e bardhë me qime të gufuara. Shoqja, fytyrë vezake,me mollëza pak të ngritura, mbante një trastë plasmasi prej së cilës, sapo u ulën dhe ende pa dhënë porosinë, nxori një qese tjetër me shkopinj çibuku. Konija kërceu mbi prehrin e të zonjës dhe mbështeti kokën mbi gjoksin e saj. Të dyja klientet ia nisën me ledhatime sikur të kishin përpara një fëmijë. “Hajde bukuroshe hape gojën. Pa shiko ç’ushqim të ka zgjedhur mamushi sot ! Hopa ! Bravo ! Ja dhe uji…”. Katër duar që merreshin me një kone. Ushqe, ledhato, vër filxhanin e kafes midis buzëve të tyre. Vazhdoja të rrotulloja lugën me dorën e djathtë brenda filxhanit të kafes, për të shkrirë sheqerin e shkarkuar nga tableti, kur në tavolinën tjetër ngjitur u plandos një djalë I ri me trup muskuloz , mbuluar me tatuazhe në krahë e gjoks, kokërruar e me syze dielli të puthitura pas temthave. Pas vetes mbante një qen të zi, të shëndetshëm, kokëmadh, me bisht të prerë. Për qafore I kishte vënë një rrip të gjerë katër gisht, lëkure. Mbi të shndrinin hallkat e zinxhirit që fundin e kishte te dora e djathtë e djaloshit. Qeni dukej I mësuar me mjedise lokalesh. Zuri vend poshtë tavolinës ku u ul i zoti dhe kokën e mbështeti mbi dy këmbët e para. Vështrimin e drejtoi nga konija, e cila u kruspullos brenda prehrit të të zonjës dhe nuk po e hapte më gojën të copëtonte shkopinjtë e çibukëve.

Sapo shkëputa gishtat prej bishtit të filxhanit, nga I cili bëra thithjen e tretë të lëngut që mbante brenda, pas shpinës, tavolina që deri atëhere ishte bosh u plotësua me dy burra dhe dy gra. Jo, ata ishin pesë. Shoqëruesi i pestë i këtij grupi ishte një qenush me qime të gjata ngjyrë kafe, që thithe e nxirrte ajër me gojën hapur. Njëri prej burrave, të cilit I mungonte një dhemb nga ana e sipërme e gojës dhe fjalët i artikulonte “invalide”, bashkëbisedonte me qenushin duke ia ledhatuar kokën e rrumbullakët : “Hë Ç(Xh)ek th(s)i po të dh(d)uket lokali ?….” Shëtita vështrimin në të gjithë periferinë e lokalit dhe nga shtatë tavolina, në katër klientët pinin kafe me qen. Edhe tek tre zonjat e ulura të parat, që porositën një kafe tepër, e katërta shoqe kishte sjellë me vete një qen turi e trup ujk. Në një isha ulur unë. Dy të tjerat ishin ende bosh. “Mos kam gabuar lokal”,- mendova me vete. I përqendruar nisa të lexoj tabelat majtas, djathtas, para e prapa. “Mos këputni lulet !”, “Duhani dëmton shëndetin !”, “Ajri i pastër u shton energjitë !”, “Jo pije alkoolike nën moshën …”, “Në këtë lokal ka shërbim e pastërti shembullore !”… Bëra dhe një rrotullim të dytë, por nuk arrita të lexoj asnjë fjalë a fjali rreth asaj që kërkoja. Dy vajzat me kone dhe burri në tavolinën e grupit katërsh, jo ai me dhëmbë të rënë, gozhduan vështrimet mbi mua, sikur të isha mendjemangut, për t’më ofruar ndihmë. . Ngutshëm , me dy gishta të dorës së majtë, kapa filxhanin e ngrita pranë gojës dhe piva kafen e mbetur, si udhëtari ujin në shkretëtirë. I bëra shenjë kamerierit që të afrohej për të paguar. Në hundë mu përplas një duhmë ajri me aromën e vezëve të prishura. Xheku, po tundte bishtin majtas-djathtas. Ndërkohë që djaloshi po më kthente reston e pyeta me zë jo të lartë : ” Mos nuk duhet të ulesh te ky lokal pa pasur qen me vete ?! Ai ngathtësoi lëvizjen e duarve dhe më pa habitshëm tre-katër sekonda. – Si, të lutem, se s’të kuptova ?! Në trotuar vërejta një zonjë që ecte ngrehosur me një këlysh të vogël, të mbuluar me robdëshamër dhe me xhinxherka rreth qafës. – Alo ! – i lëshova zë gruas nga telefoni,- më prit ta pimë kafen aty. – Sa i pa duruar që je,- dëgjova ankesën e saj . – Ç’bëre deri tani ? Nuk pive kafe ? – Piva, por piva kafe qensh !

No comments:

Post a Comment