2018-06-30

Kongresit të Berlinit dhe çështja shqiptare


Mr. Sc. Safet Hasani

Para se të filloj të bëjë një analizë më të ndërlikuar të natyrës shkencore, do të mundohem ta trajtoj këtë çështje nëpërmjet fakteve dhe shkrimeve historike, për ta kuptuar rëndësinë dhe ndjeshmërinë e këtij Kongresi. Kriza Lindore parapriu Fuqitë e Mëdha për mbledhjen e Kongresit të Berlinit (13 qershor — 13 korrik 1878). E gjithë ajo manovër diplomatike ishte skenuar nga fuqitë imperialiste evropiane, për planin dhe hartimin e hartës së re të Gadishullit Ballkanik dhe të disa shteteve të tjera evropiane për zgjerimin e territore në kurriz të shteteve dhe kombeve të vogla. Kriza në Gadishullin Ballkanik ishte një problem i ndërlikuar, ku në rrethana problematike ishte shfaqur edhe Kriza Lindore e manifestuar edhe në Paqen e Shën Stefanit, e cila peshën e vetë e arriti me fuqizimin në Kongresin të Berlinit pikërisht me 13 qershor 1878.

136-vjetori i Kongresit të Berlinit dhe çështja shqiptare

Nga apetitet e disa shteteve evropiane dhe ballkanike pësuan disa nga popujt e Ballkanit. E gjithë ajo që mund të fokusohej në Kongresin e Berlinit ishte preokupimi që nuk do mund të kishte një zgjidhje të qëndrueshme pa arritur qëllimin e disa nga shteteve që kishin synime në zgjerimin e territoreve dhe depërtimin në Adriatik. Problemet Ballkanike ishin tejet të komplikuara, që kryesisht ishin të lidhura me ekzistencën e popujve të Ballkanit, e ndër to ishte edhe reagimi dhe Kryengritja e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por më e ndjeshmja ishte caktimi i vijave kufitare ku preken thellë interesat kombëtare të popullit shqiptar.

Ndoshta nuk është trajtuar apo hulumtuar sa duhet ky këndvështrim, por sipas shkrimeve që kam hulumtuar, del që Otto Von Bizmarku, në seancat plenare të Kongresit të Berlinit, deklaroi me një indiferencë se për të parën herë po dëgjonte se ekzistuaka një popull i quajtur shqiptar diku në jug të Gadishullit Ballkanik. Aq më e ironizuar qëndron fakti ku shkruhet se: u trondit kur dëgjoi për zërin, rezistencën dhe luftën e shqiptarëve për ta kërkuar dhe siguruar të drejtën e ligjshme për të qenë komb më vete dhe i barabartë me kombet tjera të Ballkanit. Këtu duhet të bëjmë një analizë të shkurtër ku mund ta interpretojmë me dy fakte:

1) Perandoria Osmane i ka trajtuar si popull otoman të gjithë ata që kanë qenë nën administrim Osman, ndër ta edhe populli shqiptar, dhe

 2) për interesa të fuqive evropiane dhe ballkanike, këtë rast Rusisë, Serbisë dhe Malit të Zi, nuk ka pasur leverdi t’i trajtoj shqiptarët si komb – popull ballkanas. Ndonëse për interesa vitale të fuqive të kohës pengesë kryesore ishte qëndrimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e formuar me 10 qershor 1878, tri ditë para se të fillonte Kongresi i Berlinit.

 Maturia politike dhe diplomatike e rilindësve shqiptar, përfaqësuesit dhe mbrojtësit e popullit shqiptar, drejtues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të cilët dolën hapur me kërkesat e tyre për autonominë e Shqipërisë, të paraqitura Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha. Kjo ishte kërkesa legjitime për zgjedhjen e çështjes së popullit shqiptar, duke u trajtuar me plot urtësi e dituri. Por, kërkesat e popullit shqiptar nuk përfillën nga shtetet evropiane dhe Porta e Lartë, të cilat ishin të drejta legjitime drejtën me të gjitha tiparet si komb: traditat, doket, zakonet, kulturën dhe të drejtën historike më të moçme në Ballkan për ekzistencë shtetërore.

Shtetet evropiane në Kongresin e Berlinit vendosnin fatin e kombeve në Ballkan, ata dinin që po gabonin në vendimet e tyre për vendosjen e fatit në Ballkan, por ata më tepër përpiqeshin për të ruajtur “statusquonë” në Ballkan dhe paprekshmërinë e Perandorisë Osmane për interesat e veta. Konferenca e Berlinit zgjati plot një muaj gjerë me 13 korrik 1878 ku edhe përfundoj zyrtarisht Kongresi. Pas shumë diskutimesh të arritura në Kongres filluan betejat dhe bisedime të ndryshme për interesat e shteteve të mëdha në zgjerimin e territoreve në dëm të shteteve vendore ballkanase siç ishte populli shqiptar. Vendimet e Kongresit ishin fatale dhe me shumë pasoja për popullin shqiptar. Ajo i hapi rrugë Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë, të cilave ua njohu të “drejtën” e zgjerimit territorial në dëm të popullit dhe trojeve shqiptare, maqedone, etj. E gjithë kjo u arrit duke trajtuar në mënyrë të njëanshme çështjen ballkanike në kuadrin e Krizës Lindore. Qëndrimi i udhëheqësve shqiptar ishte pozitiv sa i përket luftës së përbashkët me popujt e Ballkanit. Shqiptarët përkrahën themelimin e federatës ballanike, duke mos qenë, në parim, kundër saj. Shqiptarët u pajtuan me këtë ide vetëm nëse edhe popullit shqiptar do t’i sigurohej një status i barabartë me popujt e tjerë të Ballkanit. E kjo largonte idetë e shteteve imperialiste për uzurpimin e trojeve shqiptare. Interesat e Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi për zgjerimi e tyre në trojet e popullit shqiptar, maqedon dhe boshnjak i pengoj vendimi për njohjen e të drejtës Austro-Hungarisë për zgjerim në Bosnje e Hercegovinë. Ndarja e sferave të interesit u bë shkas për viktimizimin e popullit boshnjak për pavarësinë e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Austro-Hungaria për të penguar çlirimin dhe bashkimin e sllavëve të jugut, nën ndikimin e borgjezisë gjermane, përpiqej të ruante integritetin e Perandorisë Osmane, respektivisht të përfitonte territore nga ajo. Prandaj, Vjena orvatej të pengonte çlirimin e sllavëve të jugut dhe të rumunëve. E në anën tjetër Rusia cariste e konsideronte veten si mbikëqyrëse të lëvizjeve kombëtare të sllavëve të jugut. Rusia e cila e konsideronte veten fituese ndaj Perandorisë Osmane me vendimet e Paqes së Shën Stefanit, përpiqej që politika e saj të jetë dominante në Ballkan. Për lojërat politike dhe diplomatike të Evropës dhe Ballkanit Lidhja Shqiptare e Prizrenit reagoi në mënyrë kategorike kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit. Lëvizjen Kombëtare Shqiptare luftonte ta ruante integritetin e tokave shqiptare si me diplomaci dhe me luftë, duke respektuar të gjitha normat politike dhe diplomatike dhe duke iu qasur me përfaqësuesit e Kongresit. Lëvizjen Kombëtare Shqiptare i detyroi kabinetet e Fuqive të Mëdha që të korrigjonin vendimet e tyre e të mendojnë edhe ato për çështjen e popullit shqiptar. Problemi shqiptar nga diplomatet ndërkombëtar në seancat e Kongresit trajtohej vetëm sipas rasteve dhe momenteve. Tokat shqiptare më shumë shërbenin për kompensime territoriale në dobi të shteteve fqinje ndërluftuese me Turqinë, kurse populli shqiptar luftonte jo për të okupuar dhe aneksuar territore të huaja, por për të mbrojtur tërësinë e territoreve të veta. Vendimet e Kongresit të Berlinit i vënë në treg si monedhë këmbimi territoret e banuara me shqiptarë. Diskutimet e përfaqësuesit të Perandorisë Osmane në Kongres ishin përpjekje për përcaktimin e vijave kufitare në mes të shteteve ballkanike dhe Turqisë, e jo për ruajtjen e territoreve të shqiptarëve. Perandorisë Osmane bënte përpjekje për mbetjen edhe më tutje në Ballkan. I gjithë përqendrimi i diplomateve osman ishte i përkushtuar në çështjes kufitare me shtetet ballkanike dhe cek dëshirën që kufijtë ballkanikë mos të zgjerohen në dëm të Perandorisë Osmane, por duke mos i përmendur fare popullin shqiptar. Vija kufitare të trojeve shqiptare me Malin e Zi bënë që fiset dhe trojet shqiptare të Malësisë së Madhe (Plavë, Guci, Kuç, Kelmend, Drekalli, Hot, Grudë) të mbesin nën Malin e Zi. Pastaj, territori shqiptar i bregdetit shqiptar i kishte mbetur Shqipërisë, por Mali Zi pretendonte që Ulqini, Tuzi, Tivari t’i takonin asaj. E cila më vonë do të përcillet me varg luftërash dhe konfliktesh, ku akoma nuk janë të shëruara plagët e shqiptarëve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit kishte formuar ushtrinë e vet vullnetare për mbrojtjen e territoreve të banuara me shqiptarë, e cila kishte dal haptas përballë planeve antishqiptare, si të Fuqive të Mëdha, vendimeve të tyre, ashtu edhe kundër synimeve të borgjezive të shteteve ballkanike e Perandorisë Osmane.
Për realizimin e Marrëveshjes së Berlinit u takuan përfaqësuesit e Perandorisë Osmane dhe të Malit të Zi, për të përpiluar marrëveshjen e plotë në lidhje me kufirin nga ana midis viseve të Shkodrës dhe të Malit të Zi. Por vendimet e Kongresit shpesh herë ndërpriteshin për shkak revoltave të popullatës autoktone shqiptare, të cilët me forcë dhe me armë në dorë mbronin trojet nga malazezët dhe turqit osmanlinj, që synonin vendimet e marra në Kongresin e Berlinit duhet të zbatohen në mënyrë të saktë, pa kurrfarë lëshimi. Rusia me shtetet evropiane bënte presion të zbatohej marrëveshja e arritur në Berlin për zgjerimin e Serbisë në drejtimin e Sanxhakut të Nishit, duke bërë presion dhe terror mbi fshatrat shqiptare. Më pas arrin që t’i okupoj dhe uzurpoj mbi 700 vendbanime shqiptare, që njihen në histori si “muhaxhir”. Austro-Hungaria vazhdimisht kundërshtonte vendimet e Kongresit të Berlinit, e duke e marrë në mbrojtje popullin shqiptar duke iu drejtuar përfaqësuesve të Kongresit “nuk bën të mohohet një komb i cili me shekuj ishte autokton” . Në njërin nga deklaratat e diplomatit Austro-Hungarez citon “populli shqiptar ka një ardhmëri si popujt tjerë të Ballkanit, duke u mbështetur në pikëpamje etnografike dhe homogjene, por me religjione të ndryshme, popull i cili është e zonja ta qeverisë vetveten, shtetin Shqipëri”. Anglia kishte interesat e saja që, në Kongresin e Berlinit, kërkonte me këmbëngulje që në punën e Kongresit të merrte pjesë edhe Greqia. Ai këtë propozim e lidhte duke e cekur rivalitetin që ekzistonte midis grekëve dhe popujve sllavë, të cilin me një akt të tillë përpiqej ta evitonte. Zgjerimet e shteteve sllave dhe greke u kundërshtua vetëm nga përfaqësuesi diplomatik austro-hungarez, por edhe me një mënyrë nga diplomatet turq, duke iniciuar austro-hungarezet. Me përkrahjen e Rusisë dhe Anglisë Qeveria Serbia dhe Greqia siguruan të drejta që të dërgojnë mbikëqyrësit e tyre diplomatikë në Kongresin e Berlinit. Greqisë, kongresi çështjen e la të pazgjidhur dhe vendosi që kufiri ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Greqisë të caktohej sipas një komisioni që do të formohej nga të dy palët, ku si bazë do të shërbente edhe vija kufitare e përcaktuar nga lumenjtë Selemvrija në Thesali dhe Kallamas. Sipas këtij rekomandimi Greqisë do t’i mbeteshin jo vetëm qytetet Janina, Prevezë dhe Arta me rrethina, por edhe e tërë Çamëria. Shtetet Serbia dhe Mali i Zi, me ndihmen e diplomacisë evropiane, arritën të realizojnë një varg koncesionesh në Kongresin e Berlinit. Kështu deri sa Mali i Zi duke u mbështetur në Paqen e Shën Stefanit zgjeroi territorin e vet për 210 mila, me Kongresin e Berlinit atij iu zvogëlua territori në vetëm 80 mila, ku, sipas të dhënave, jetonin 50.000 shqiptarë. Në përgjithësi pas Kongresit të Berlinit, Mali i Zi disponon, sipas të dhënave të kohës gjithsejtë 165 mila territor, me 250.000 banorë. Me vendimet e Kongresit të Berlinit Serbia e fitoi pavarësinë e plotë shtetërore dhe njëherësh u zgjerua në juglindje me 210 mila dhe 280.000 banorë, me një popullsi me mjaft shqiptarë.
Krejt në fund mund të themi se Kongresi i Berlinit ishte hartimi i planeve hegjemoniste imperialiste duke shkaktuar trazire të një pas njëshme për interesa të shteteve të mëdha.

No comments:

Post a Comment