2018-06-14

Mbresa letrare për fesivalin ndërkombëtar „Drini poetik“

Drita Lushi: Mbresa nga FNP "Drini poetik", 2018

KUR NË SKENË NGJITEN POETËT

Teksa shkoja drejt bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani”, ku do të zhvillohej dita e parë e festivalit ndërkombetar “Drini poetik” i LSHK-së, ndër të tjera, i thashë mikut tim Azem Osmani (i cili na shoqëroi gjithë atë ditë mua dhe poeteshën Lumturi Ymeri në Prishtinë) se biblioteka ishte shumë e veçantë dhe e bukur. Ai më shpjegoi se ndërtimi i saj ishte mbështetur në tabanin kombëtar dhe po ta shihje nga lart, kishte formën e disa plisave, me kupola të bardha si qeleshja, një simbol i bukur i burrërisë shqiptare.
Pranova ftesën e LSHK-së me kënaqësinë dhe dëshirën për të parë zhvillimin e një aktiviteti letrar në Prishtinë, për të njohur krijimtarinë e poetëve brenda këtij harku kohor të vënë në dispozicion,për t’u takuar nga afër me vetë poetët dhe njerëzit përtej kornizave virtuale,për të këmbyer libra, për të biseduar, për të arritur ose krijuar opinione të reja.
Në fund të fundit, kjo është dinamika e bukur e jetës, aq më shumë e një aktiviteti të tillë, që ka në qendër poetë e krijues, ku lirshmëria dhe poezia janë kryefjala e aktivitetit!

Të rezistosh përmes poezisë

Hapjen e bëri prof.dr. Blerim Latifi, në emër të kryeparlamentit të Kosovës, z. Kadri Veseli, në patronazhin e të cilit mbahej festivali, ku mbajti fjalën ”Të rezistosh përmes poezisë”.
Kryetari i LSHK-së, prof. dr. Shyqri Galica, pasi uroi mirëseardhjen, i lë radhën aktivitetit, që mbahej në 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të 550-vjetorit tëvdekjes së Skenderbeut, u mbajtën disa kumtesa nga Prof. dr. Emin Kabashi, Nikola Spathari, mr. Migena Arllati, mr. Areben Veselaj etj.
Pastaj u përuruan librat e rinj të disa autorëve për të vazhduar me pjesën e tretë “Lira magjike”.
Aktiviteti përkoi edhe me panairin e librit në Prishtinë, të cilin s’mund të lija pa e vizituar.
“Lira magjike” ngjiti në foltore poetë të ndryshëm nga Shqipëria, Kosova dhe Gjermania. Nën tingujt e muzikës ajo sallë e vogël dhe e madhe do të ndriçohej nga fjalë shpirti, të bukura, që vetëm poetët dinë të shkruajnë dhe thonë. Në ndryshim kur në foltore ngjiten politikanë, ajo mori ngjyrën e luleve, të barit, të pemëve, të dashurisë, të atdhetarisë, të shpresës dhe të besimit, sepse natyra u ka dhënë krijuesve një shqisë të veçantë ndjeshmërie.
Ky festival, i konceptuar në tri pjesë poetike, “Lira magjike” “Ora e Lidhjes” dhe “Valët e Drinit”, do të zhvillohej në tri qytete, në Prishtinë, në Prizren dhe në Kukës, të tria në funksion të idesë që poezia dhe fjala bashkojnë qytetet, njerëzit dhe thyen kufinjtë!
”Lira magjike”, që nisi në Prishtinë, shoqëroi me muzikën e ëmbël dhe vargjet e poetëve, që konkurronin me poezi të reja të pabotuara askund.
Tematika nga me të ndryshmet krijonin një atmosferë emocioni, lirshmërie dhe bukurie në sallë.
Pas aktivitetit munda të prezantohesha me autorë dhe miq nga Kosova, me te cilët qëllonte që mund të ishim të shqëruar edhe në rrjetet sociale.
Takova aty Albina Idrizin (nënkryetare e LSHK-së), e ëmbël dhe e bukur, Migena Arrllatin, prof. dr. Shyqri Galicën - kryetar i LSHK-së, poetin Xheladin Mjeku, dr. Flora Brovinën, Adem Zaplluzhën, Atdhe Gecin, Flori Bruqin, Maxhun Osmanin, Bedri Zyberin, poezia dhe interpretimi i të cilit më lanë shumë mbresë. Aty ishte Bedri Halimi, Naxhije Kastrati, Agim Desku etj.
Disa i njihja më parë, virtuliasht i kisha lexuar, kisha pasur bashkëpunime letrare dhe tani ishte çasti t'i jepnim dorën sho-shoqit, të këmbenim libra, të shkrepnim foto dhe bisedat të ktheheshin shpejt në hullinë e miqësisë dhe humorit të lirshme, të sinqerta dhe të bukura.
Edhe nga Shqipëria, Anila Qirjazi Mihali vinte nga Përmeti, e takoja për herë të parë. Ishte gjithashtu prof. Fatmir Musai nga Elbasani, Lumturi Ymeri Bersava, Nikolla Spathari etj.
Ndërsa poeti Vladimir Avdulla Allmuça u nderua me Mirënjohje me rastin e 70-vjetorit të lindjes!
Ishte ideuar nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës që shumica e të ftuarve të ishin për herë të parë, sepse kjo i jepte dhe në fakt i jep larmi aktivitetit.
Nga Gjermania kishte mbërritur shkrimtari dr.Reimer Eilers, anëtar i Kryesisë së Shoqaës së Shkrimtarëve Gjermanë.
Po atë ditë, Krysia e LSHK-së më besoi që të isha një ndër pjesëtaret e jurisë, së bashku me piktoren dhe poeteshën Miradije Ramiqi dhe poetin Ramë Oraca.
Në mëngjesin e së nesërmes një shëtitje në Prishtinë, që akoma flinte nën pushtetin e dëshiruar të pushimit (ishte e diel), më ndihmoi t'i përshëndetja me vëmendje disa pjesë të saj.
Natyrisht, ka shume për të bërë e për të rregulluar, madje dhe në gjërat më jetësore, gjelbërimin dhe pastërtinë, që janë jeta dhe frymëmarrja e një qyteti, aq më shumë një kryeqyteti.
Prizreni festonte 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe shkrimtarët e potetët u vendosën të dielën pikërisht aty, për të shënuar këtë përvjetor dhe për të thënë bukur vargjet e tyre.

Tri çmime "Metafora"

Foltores i mungonte një mikrofon dhe kjo bëri që të mos dëgjoheshin poezitë e interpretuara nga vetë poetët dhe që ishin në konkurrim, por gjithsesei ata nuk humbën.
I humbur doli Prizreni (dhe ata që i larguan mikrofonat!), që s’i dëgjoi dot këta njerëz paqësorë.
Pas drekës po në këtë qytet, vijuam në qytetin e Kukësit ku do të mbahej pjesa e tretë, “Valët e Drinit”, në të cilin poetët u mblodhën në pallatin e kulturës për të paraqitur krijimet e tyre.
Juria vendosi që çmimi "Metafora I" t’i jepej poeteshës Sanije Ahmeti - Dubova, për poezinë “Aura e qytetit tim”, "Metafora II", t'i jepej Lumturi Ymerit Bersavës, për poezinë “Midisje gruaje” dhe "Metafora III" Atdhe Gecit, për poezinë “Gruaja perandorake”.
Çmime ikurajuese pati për poetin Hamdi Hysuka, që iu dhurua një komplet librash të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Ganimete Thaçit kompleti i librave të Adem Demaçit.
Kukësi ishte stacioni i fundit i këtij aktiviteti, por natyrisht mbresat do të vazhdonin dhe pas këtij festivali.
Gjithnjë këto aktivitete sjellin anë të mira, pozitive, sociale, argëtuese, sjellin në vëmendje dhe inkurajim poetët që janë shtresa më e varfër e shoqërisë, por që pasurojne dhe gëzojnë shpirtrat dhe zemrat e njerëzve!
Andaj, duhen përkrahur nga shteti, organet e pushtetit lokal dhe nga çdo njeri që beson në fjalën e bukur dhe në art!

Drita LUSHI
Poete, prozatore
Tiranë, 12 qershor 2018

No comments:

Post a Comment