2018-06-22

Milori i dasmës "Po bëre mirë, do të gjesh keq"


BET'HOVEN

Tregim

Nga Përparim Hysi

Kur ia tregova një plaku myzeqar këtë tregim që është ndërtuar mbi një ndodhi të vërtetë, ai m'u përgjigj flakë për flakë:" Këtej nga anët tona,për këta ropë që të mirën ta kthejnë me të keq, themi:" Fukarait që nuk njeh të mirën, kur e sheh që bëhet me "dy kupa", thyeja njërën që mos të harrojë të kaluarën". Dhe them që miku im myzeqar ka shumë të drejtë,po të nisesh nga shumë ndodhi në jetë Edhe Gjeniu i muzikës,BET'HOVEN, e vuajti mbi supe mirësinë e tij,sa e la me shkrim si një testament me vlerë.
* * *
Gjyshi im nga nëna ishte i pasur. Askënd nuk grabiti apo shfrytëzoi. Kurrë nuk la pa përkrahur fukarenjtë dhe ca më shumë, të varfër që kishin qoftë dhe një pikë gjak në pemën gjenealogjike të familjes së tij. E bënte të mirën dhe kurrë nuk ta zinte në gojë atë. "Në i zë në gojë,ç'ke bërë për të, kot që e ke bërë,"-thoshte. Qe sa babaxhan, aq dhe impulsiv.
Me shtatin sa një lis, tërë energji dhe i kudogjendur për miq e farefis. U bë një baba i vërtetë,për dy jetimë nga fisi i tij dhe, njëri prej tyre, kur u rrit apo siç thonë në Myzeqe"kur i zuri dhëmbi bukë", i ktheu shpinën dhe bëri sikur nuk e njihte fare. Gjyshi,ngaqë fëmijët i kish të vegjël, punën e bënte duke pajtuar punëtorë të cilëve ua paguante hakën një për një.
Jo vetëm kaq: në shtëpinë e madhe të gjyshit, një dhomë rrinte me derëhapur për çdo muhaxhir që kalonte asaj ane.
Muhaxhir? Këtyre anëve (gjyshi im ishte skraparli dhe shtëpinë e kishte mu në rrëzë të "TËNDËS SË QYPIT") mund të kalonin o sharrokë,o kallaisësh enësh prej bakrri dhe kurrë nuk kish ndodhur që ta gëdhinin jashtë.Jo vetëm kaq: të ngrënë e strehim,falas. Sheh ZOTI dhe mban shënim,- thoshte Gjyshi.
* * *
Nazif,- i thirri gjyshi njërit prej barinjëve. Shko zërë atë "Milorin" e shëndoshë, vëre mbi samar të mushkës dhe zbrit nja dy orë më tej në fshatin N... Martohet ZENUN fukarai dhe mos turpërohet me miqtë. E ke peshqesh i thuaj dhe të trashëgohesh!Pastaj kish nxjerrë nga porotfoli dy napoleonë flori si dhuratë të veçantë. Dhe urdhëri i GJYSHIT as që diskutohej. U tha, u bë! Epo me trashëgime, more ZENUN!
* * *
Kjo martesa e Zenunit ndodhi para lufte dhe, për të thënë të drejtën, Zenuni kish kohë me partizanët dhe erdhi koha që të luftohej dhe tek"TENDA e QYPIT". Epo kush nuk e ka dëgjuar atë këngën:" Në Tëndën e Qypit, lufta seç u ndez/ komandant Mehmeti: sulm po thërret"... Gjyshi im në luftë nuk mori pjesë, po ca furrabukë për ata të"Tëndës së Qypit" i pat pjekur. Jo vetëm kaq:por me kohë,djali i madh i gjyshit kish shkuar partizan me Brigadën e shtatë sulmuese. Kur mbaroi lufta, djali i gjyshit,dajua im,Enveri, jo vetëm filloi punë në Polici, por e mbajtën në Tiranë. Atje u bë dhe anëtar partie. U bë dhe me familje në Tiranë, ndërsa Gjyshi atje në atë fshatin malor dhe nuk ia çonte keq.
Po,kur mendon se çdo gjë e ke broth e për së mbari, atëherë duhet t'i ruhesh ndonjë të papriture me pasoja të mëdha. Jo më kot në BIBËL shkruhet:" Mos u gëzo,o i gëzuar! Mos u hidhëro, o i hidhërruar!".
* * *
Ka ndodhur aty pragvitit '50-të të shekullit të kaluar. Në fshatin e gjyshit partia e pushteti popullor kishin vendosur që të ngrinin një shkollë. Shkolla do ngrihej me kontributet e fshatit dhe pushteti kish dërguar një kuadro për ta shtruar problemin para fshatit. Ç'është e vërteta, njerëzit qenë fukarenj dhe,sado që buxheti për t'u ndërtuar nuk qe kushedi sa,por,megjithatë,askush nuk u ngrit të mbeshteste thirrjen e partisë e pushtetit. Koha kalonte dhe gjyshi im e humbi durimin.
-Me leje,- tha. Sa harxhe duhen,domethënë sa lekë duhen për ta ndërtuar këtë shkollën?
I deleguari që mezi priste,i hodhi sytë mbi shkresën e preventivit të shpezimeve dhe tha:-E gjithë ndërtesa bën tetëdhjetë mijë lekë!
Mirë,- tha gjyshi,- a ke njeri tjetër për të marrë paratë?
-Po ku do t'i marrë?- pyeti i deleguari.
-Tek unë, po ku tjetër?
-Po cili je ti që paske gjithë këto para?
-Jam Hekuran Pëllumbi,- tha gjyshi.
-Po qysh? Të gjitha?
-Të gjitha dhe dërgo këtë policin të vijë me mua.
Tërë fshati sikur u çlirua nga një barrë e rëndë dhe,ndërsa polici ndiqte gjyshin pas,i deleguari u bë zok me pendë,se ia kish arritur qëllimit.
* * *
Sa mbrritën në shtëpi, gjyshi e futi policin atje tek "dhoma" e tij (atje nuk futej kush tjetër). Në murin e dhomës ishte një kasafortë nga ato që kanë bankat. Por gjyshi "bankën" e kish ngritur me djersën e tij dhe, babaxhan siç qe nga shpirti, në sytë e mysafirit, nxori nga "vendi sekret" çelsin dhe hapi kasafortën. Tërhoqi pakon e parave dhe ia numëroi policit.
Ky,pasi mori paratë, kur po i dorëzonte, tha:- Ai, HEKURAN PËLLUMBI, e kish kasafortën dingas me para dhe zor se ka banka aq lekë sa ai.
Fjala? Po kot nuk thonë:-Doli fjala nga dhëmballa, mori 27 mëhalla! E kush nuk mori vesh për paratë e gjyshit tim të mirë. E kish marrë vesh dhe ai,Zenuni i"Milorit". Se Zenuni pas lufte qe ngritur me detyrë e kishte pushtet. Po veç luftës,Zenuni qe edhe vital dhe më kish bërë,kur thonë në Myzeqe,një qerre me fëmijë. E dëgjoi Zenuni dhe bëri si bëri, kur takoi gjyshin tim,e kish falnderuar për kontributin dhe, pak me terezi, i kish qarë hallin. Se vërtet qe zyrtar,po ja nuk ia dilte dot në kut dhe, nëse kish mundësi ky,"miku i tij" (është fjala për gjyshin tim), që t'i "huante" aty nja dyqind napolona. Natyrisht, që gjyshi ia dha si"hua" ato dyqind napolonat Zenunit,se nuk është turp të marrësh hua,-thoshte gjyshi. Hua merr dhe mbreti dhe jo Zenuni,- tregonte ai. Mirëpo kjo"huaja" e Zeunit u bë si ajo"qemania e Nastradinit" që avazin e kishte nga prapa. Pa u"ftohur pilafi i huasë së Zenunit", në shtëpinë e gjyshit tim ra mandata:gjyshin tim e shpallën kulak. Ia morën ç'kishte në kasafortë dhe e ngarkuan me taksa të rënda. Të birin që kishte në Polici në Tiranë, thirrën tek ministri dhe i thanë:- Babai yt nga sot është kulak.I ka pirë"gjakun popullit" dhe ty po të bëjmë thirrje:- Je me partinë apo me baban?
Unë,- paska thënë dajua,- po nuk desha babanë, nuk kam se si ta dua partinë?!!!
Ashtu, ë?!!! NGa sot, bëj dorëzimet dhe mbathja me gjithë familje tek babai-kulak. Babagjyshi nuk e duroi dot këtë"njollë" që për kohën të bënte pis. Iu kujtua Zenuni që,për kohën, qe goxha i madh për këto punërat e qeverisë.
Tani Zenuni qe në rreth tjetër, po ku pyet për rreth një mik?- mendonte gjyshi.
Shkoi, e gjeti dhe Zenunin i "Milorit", e priti me këmbët e para.
-Pse ke ardhur?- pyeti rëndë- rëndë.
-Po, ja,- kish folur gjyshi,- ndoshta e ke marrë vesh që më kanë shpallur kulak, pa të drejtë.
-Ashtu,ë? Pa të drejtë,- kishte shkërbyer fjalët e gjyshit,Zenun"PUNËRËNDI",- ti që më ke një bankë më vete atje në shtëpi dhe, ky pushteti i popullit, të të bëjë sehir,ë? Jo more?
Një më një do të t'i marrim ç'të kesh e mos të shoh më këtyre zyrave! Kjo përgjigje e vrau shpirtërisht gjyshin tim, ashtu siç ndodh që një vetëtimë shkrep për së kthjellti. Nuk kishte zhgënjim më të madh. Tri vjet me radhë,kulaku Hekuran Pëllumbi, pagoi atë që nuk kishte. Edhe,kur ia hoqën kulakllëkun, u pa me syrin e njerkës. Nga 15 fëmijët e dy djemëve të tij,asnjëri nuk u lejua të shkollohej.
Megjithatë, gjyshi im rroi gati 100-vjeç dhe ne, të gjithë nipërit dhe mbesat e tij, ishim gati ta mbaninm në krah.Kur e"ngacmoja" për"Milorin" dhe,veçanërisht,për"huanë e Zenunit", më thoshte:- I kam lënë"shahit" Zotin dhe unë nuk vdes pa e parë që t'I ndodhi ndonjë gjëmë. Sado pak paradoksale, por, kur gjyshi im, ish në vitet e fundit të jetës,këtij Zenunit të"MILORIT" i ndodhën dy gjëma njëra pas tjetrës. Dy djem të tij,humbën jetën aksidentalisht. Këtë gjëmë,- tha gjyshi,- nuk ia doja,se në fund të fundit, paratë letër janë dhe vihen prapë. Por ZOTI,- thoshte gjyshi,- lart është dhe poshtë shikon: të goditë atje ku të dhembë më shumë!.

*Çdo përkim me emrin Zenun është veç rastësi.

No comments:

Post a Comment