2018-06-28

Një enciklopedi e mendimit shqiptar


Image result for eshref ymeri


Prof.dr. Eshref Ymeri

Një enciklopedi e mendimit shqiptar

Libri më i fundit, me titull "Triumfi shqiptar", i tridhjeti në serinë e botimeve të zotit Flori Bruqi, nxjerr në spikamë natyrën shumëdimensionale të krijimtarisë së këtij personaliteti të shquar të kulturës shqiptare. 

Në universin e kulturës shqiptare është i rrallë fakti që një krijues të dalë para lexuesve me autoritetin e admirueshëm të një shkrimtari, poeti, përkthyesi, publicisti, historiani, gjeografi, analisti dhe kritiku të talentuar. 

Tek lexon këtë vepër kaq interesante, që të rrëmben me tematikën e vet bukur të larmishme, nuk mund të mos ndiesh njëherazi kënaqësi dhe krenari për faktin që krijimtarinë e zotit Flori e përshkon tejendanë një frymë mahnitëse objektiviteti, humanizmi dhe optimizmi të pakundshoq. 

Mes rreshtave të kësaj vepre nuk është vështirë të kapësh tiparin më themelor të formimit intelektual të zotit Flori - dashurinë e tij të pastër për tokën amtare, respektin e lakmueshëm për këdo që është atdhetar dhe që e do me shpirt punën, si burim mirëqenieje dhe begatie për të gjithë.

Albert Kamy (Camus - 1913-1960) thotë:“Asgjë tjetër nuk mund ta frymëzojë kaq shumë njeriun, sesa vetëdijësimi për gjendjen e tij të pashpresë”.

Duke pasur parasysh këto fjalë të qëlluara të Kamysë, mendoj se të gjithë ata shqiptarë që popullojnë mbarë trojet tona etnike në Evropën Juglindore dhe që janë të kapluar nga pak nga ndjenja meskiniteti, smire, xhelozie, inferioriteti dhe zvetënimi të shpirtit njerëzor, pra, nga “vetëdijësimi për gjendjen e tyre të pashpresë”, është mirë ta lexojnë, me durim, veprën e zotit Flori, se nuk do të mbeten të zhgënjyer, nëse do të jenë në gjendje të zbulojnë brenda qenies së tyre një çikëz frymë objektiviteti. 

Kam bindjen se do të dalin të fituar, se vepra e zotit Flori shërben si melhem për qetësimin e shpirtrave që janë të infektuar nga mikrobi djallëzor i përçarjes njerëzore. Ne, shqiptarët, kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim prova boll të dhimbshme të përçarjes kombëtare, çka e kemi paguar shtrenjtë - me copëtimin e trojeve tona etnike.


Evropa na e ka njohur mirë dhe na e ka “yshtur” po aq mirë këtë mikrob të mallkuar, prandaj edhe trojet etnike na i bëri çarçaf.

Vepra e zotit Flori duhet të lexohet me shumë vëmendje sidomos në Kosovë, në mënyrë që njerëzit e infektuar nga mikrobi i përçarjes t’i thërrasin mendjes dhe të heqin dorë një herë e mirë nga sulmet që ndërmarrin kundër njëri-tjetrit nëpër faqet e internetit, ca sulme publike këto, me një fjalor të padenjë për stilin e komunikimit njerëzor, por edhe më shumë të padenjë për një komunikim intelektual.

Më gëzon shpirti dhe ndiej një kënaqësi të jashtëzakonshme kur lexoj këtë vepër të zotit Flori, që të mëson dhe të frymëzon që ta duash dhe ta respektosh njeriun, pra, ta duash dhe ta respektosh shqiptarin. Sepse në analizat e veta shkencore zoti Flori, tërthorazi, zbulon anët më humane të shpirtit njerëzor, ndikimin e tyre në plazmimin e vlerave krijuese dhe rolin që ato duhet të luajnë në shëndoshjen e shpirtit shqiptar me dashurinë e njeriut për njeriun.
Në gjykimin tim, mbarë krijimtaria e zotit Flori, për tematikën e gjërë që trajton dhe për objektivitetin e analizave shkencore që shpalosen në të, mund të vlerësohet pa drojë si modeli i një enciklopedie të mendimit shqiptar.

Santa Barbara, Kaliforni

19 qershor 2010

----------------------------

Reagim:

Ksenofon M. Dilo:

20.06.2010.

Ju falnderoj z. Prof. dr. Eshref Ymeri që na kini sjellë para syve me kete shkrim aq të goditur një burrë si zoti Flori Bruqi që në udhetimin e tij është “udheheqës i inteligjencës njerëzore shqiptare”, qe paraprin, me simbolet e shqipeve, udhërrëfyesit e rrugëtimeve të progresit dhe shkreptimave te endrrave të ndezura patriotike. Me veprat e tij z. Bruqi sjell freski në letërsinë shqipe. Ato janë pjesë e historise dhe e lavdise së Kombit tonë dhe i japin ketij një emër mjaft të nderuar.
Duke falnderuar zotin Bruqi për këtë vlerë që shton në thesarin e kultures shqiptare e, për kënaqësinë që na solli zoti Ymeri me këtë studim, i urojmë librit “TRUMFI SHQIPTAR”“udhë të mbarë” në bibliotekat e ç’do shtëpie nacionalisti dhe në zëmrat e shqiptareve dhe të miqve të tyre kudo që janë. I urojmë suksese te mëtejshme në hapësira të reja.
Me këtë rast, falnderoj zotin Ajet Nuro për mundësine që na jep të lexojme punime te tilla aq me vlera.

Eshref Ymeri:
22/06/2010 14:01:15

I nderuar zoti Ksenofon,

Ju falënderoj nga zemra që ju, si intelektual i mirënjohur, e vlerësoni kaq lart veprën e zotit Flori, i cili sot qëndron në vijën e parë të përpjekjeve të mundimshme për “humanizimin” e shoqërisë shqiptare, që, për fat të keq, tani është e parcelizuar nga partitë politike.

Prandaj njerëzit e sferës së kulturës, si ju dhe shumë të tjerë, e kanë për detyrë atdhetare që t’u japin vendin që meritojnë figurave të shquara të kombit shqiptar.

Më vjen shumë keq dhe më lëndon thellë në zemër fakti që vdekja e një artisti të madh të ekranit, siç mbetet Bekim Fehmiu, u kalua në heshtje në qarqet politike të Prishtinës dhe të Tiranës.

Bekim Fehmiu, pavarësisht se ku punoi dhe jetoi, pavarësisht se ku e dha kontributin e vet në artin e përkryer të kinematografisë, ai ishte dhe mbeti shqiptar deri në fundin e jetës së tij, çka e vulosi me testamentin që u përcolli breznive shqiptare. Për atë artist tëmadh, Tirana zyrtare, si kryeqendra e etnisë shqiptare në Evropën Juglindore, duhej të ishte kujtuar me kohë, për ta nderonte me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Edhe një herë ju falënderoj, i nderuar zoti Ksenofon.

Falënderoj nga zemra edhe zotin Ajet Nuro për organin e tij të shkëlqyer “Tribuna Shqiptare”, si vatër e mendimit të lirë për mbarë botën shqiptare.

Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni



From: Eshref Ymeri @gmail.com
To: Flori Bruci
; Flori Bruqi @yahoo.com
Sent: Thursday, 28 June 2018, 19:11:18 CEST
Subject: Urime nga zemra

I dashur Flori,
Ju uroj nga zemra për artikullin jubilar 20 000, të botuar në Portalin tuaj të nderuar "Agjencioni Floripress". Portali juaj ka shërbyer, shërben dhe do të shërbejë si një dritare rrezatuese, ku shfaqet si në ekran kulti i së vërtetës, ku gjen pasqyrimin e vet krenaria, lavdia dhe nderi i nacionalizmit shqiptar, ku është demaskuar dhe vazhdon të demaskohet shpifografia e grekosllavizmit, i cili ka investuar, investon dhe do të vazhdojë të investojë në Perëndimin evropian për falsifikimin e historisë së kombit shqiptar. Kam bindjen e plotë se me Portalin tuaj "Agjencioni Floripress" ju vazhdoni të qëndroni në pararojë të mendimit intelektual shqiptar në mbrojtje të shqiptarisë. Me rastin e botimit të artikullit jubilar 20 000, ju lutem ta ribotoni artikullin tim që po jua përcjell me attachment, me titull "Një enciklopedi e mendimit shqiptar", të botuar tetë vjet më parë, më 19 qershor 2010.
Jam në pritje të librit tuaj "Shtëpia e Verdhë".
Edhe një herë urime për artikullin jubilar 20 000.
Ju uroj shëndet dhe mbarësi familjare.
Eshrefi
Tiranë, 28 qershor 2018

No comments:

Post a Comment