2018-06-27

ODISEU IM : Më ike kaq papritur i dashur mik

Image result for avdullah zeneli


Abdullah Zeneli, lindi më 25 mars të vitit 1952, është poet, prozator dhe editor i shtëpisë botuese Buzuku, Prishtinë, Kosovë. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.

Nga viti 1973 ka punuar në shtëpinë botuese "Rilindja"

Shkrimin e parë letrar, poezinë 'Rrëfime kohe' e botoi në revistën letrare shqiptare 'Jeta e re' në kohën kur ishte nxënës i normales së Prishtinës (1967-1971).

Në shtypin dhe periodikun shqiptar i janë botuar rregullisht poezitë e Zenelit .

Botoi përmbledhjen me tregime 'Gryka e Drinit' - Rilindja, Prishtinë, 1990

Permbledhja e dytë me tregime Odiseu i Bjeshkëve të Nemuna - u botua nga ne Prishtinë më 1997
Më 2000 botoi një libër impresionesh nga jeta 100-ditëshe si refugjat në Korçë (prill-korrik 1999) me titull Toka shqiptare (Nositi - D.I.J.A. Poradeci, Pogradec, 2000) përkthyer edhe në rumanisht: Glia albaneză (Bukuresht, 2007).

Ka kontribuar shumë në veprimtarinë botuese shqiptare veçanërisht me shtëpinë e parë botuese postkomuniste Buzuku (themeluar më 1990), duke krijuar një klimë të re në fushë botimesh në gjithë hapësirën shqiptare. Poet ndijimesh të thella, kritik dhe polemist i pakursyer.

Ka në dorëshkrim dy romane (Zjarri i Marietës dhe Portreti i artistit në fluturim), dy drama (Nëna lutet për ne dhe Anabela), shumë tregime të shkurtra, poezi, vështrime kritike për libra të botuar tek Buzuku si dhe një mori artikujsh gazetaresk e intervistash në mediumet e shumta shqiptare.

Është  themelues i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, njëkohësisht koordinator i panairit të librit të Prishtinës, i cili që nga viti 1999 i ofron Kosovës dhe lexuesve të shumtë të saj të arriturat e fundit në fushë botimesh.

ODISEU IM - KUSHTUAR BEKIM FEHMIUT



Poezi nga ABDULLAH ZENELI



Më ike kaq papritur i dashur mik

Benedikti im plotni zgjuarsie

Aventurier i puplave të shpupurishura

Që zhdavarisin qiejt e pafundësisë



Fama s’është gjë para flijimit n’altarin e pleqërisë

Për kremator kemi kohë sa të duash

Mik i dashur qoftë ai edhe në Beograd

Rrugë e gjatë të ndoqi deri në frymën e fundit



Më flisje për Prizrenin Sarajevën Shkodrën

Prishtinën në kapërcim se qenë kohë të tjera

Nga Sartri në Kanë Romë e Nju-Jork

Metropole pa fund deri tek Saharaja përcëlluese



Po Itakën do ta ruaje për Fund Odiseu im

Ne si Penelopa po thurim e shthurim rezoluta shpallje dekrete

Sikur më thoje shpesh se në këtë botë s’mbetet asgjë sekrete

Ndaj i hyre shkrimit testament për rrugët e famës



"E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme" po është aventura

E artit të skenës e artit të celuloidit

Mik më ike mes kuqëlimit të qershive e aromës së blirit

Pak ditë pasi të nisa eletrën e mbramë



Nuk e dija se do të qe urimi i fundit miku im i shtrenjtë

Tani Lumbardhi pret urnën në paqe aty ku nise Lojën e Madhe

Nga hiri tek hiri miku im plot hire me atë deklamimin tënd mitik

"Kurrë më", "O flamur shkabë" dhe "Po, pasha bacën! Po!"

No comments:

Post a Comment