2018-06-07

Poetja Selvije Tërnava-Silva është krijuese e kohës që shkruan për dashurinë, atdheun, lirinë dhe njeriun shqiptar

Silva Ternava, poetja që vargëron me mall e dashuri për vendlindjen



Selvije Tërnava-Silva  u lind në Fushë Kosovë dhe kreu studimet në Universitetin Pedagogjik të Prishtinës. Është rritur në një familje me taban të fortë patriotik, ku qysh në djep është mëkuar me dashurinë e zjarrtë për Kosovën e pushtuar. Qysh e vogël ishte e dhënë shumë pas tregimeve e këngëve të trimërisë, që duke i dëgjuar të risin sigurinë, krenarinë në vetvete dhe të bëjnë të ndjehesh e fortë dhe e denjë për vendin ku ke lindur. Ashtu e urtë nga natyra, Silva merr lapsin qysh fëmijë dhe nis të shkruajë poezitë e para. Shkruante dhe dërgonte për botim në gazetat dhe revistat e kohës. Ka botuar te “Kosovarja”, “Zëri i Rinisë ” dhe revista të tjera. Letrat dhe shkrimet e saj janë mirëpritur dhe vlerësuar në atë kohë, e shumë prej tyre janë lexuar dhe në emisionet e ndryshme të Radio Prishtinës. Ësht fituese e disa çmimeve dhe pllakave muzikore që jepeshin si stimulim. Në moshën 17 vjeçare shkruan romanin e pabotuar kurrë, sepse dorëshkrimi i këtij libri, së bashku me shumë fletore tjera të mbushura me poezi e tregime, i rrëmbeu flaka e luftës. Tani vjen në rradhët e poetëve, me një debutim dinjitoz. Poezitë e saj pëlqehen nga lexuesi dhe ka vlerësime shumë inkurajuese, sidomos te Zemra Shqiptare. Jeton me familjen e saj si refugjate në New Zeland, me një zjarr dhe mall e dashuri të pashuar për Kosovën ku e ka shpirtin e saj. Është e martuar, ka dy fëmijë dhe ëndërron kohën kur të kthehet e të punojë e jetojë në Atdhe. Zonja Ternava defolon në faqet e Vargut në përjetësi me poezitë Dëbora e lagjes sime, Fëmijët e lagjes, Anita, Nëna ime, Amaneti i fundit, Vapë në Prishtinë, Udhëtimi në përjetësi (Kushtuar viktimave të Himarës) etj. Kjo biografi e Silveseshte botuar ne Antologjite poetike: " Keshtjella e Endrr ave" dhe"Vargu ne Perjetesi" nga poeti ynë i mirënjohur(Eduard M. Dilo)




Selvije Tërnava-Silva ,është poete e cila u bë zë i kohës,e cila vargëron me mjeshtri të rrallë,vargjet e së cilës sigurojnë vlera të njëmendta artistike,përmes të cilave diçka ndizet,flakëron,fisnikron,dhe si e tillë është shumë e mirëpritur tek lexuesit.Silva Tërrnavën e kam njohur në Koblenz të Gjermanisë,ditë më parë në themelimin e Kuvendit të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë(LKSHM);ku mendoj se arti ishte privilegji më i madh që na njeh me krijues,si është krijuesja jonë e mirëfilltë Silva Tërrnava.



Për lexuesit  e Agjencionit "Floripress" , botojmë një cikël të zgjedhur poetik nga Silva Tërrnava.



EJA ...



Eja të fal përqafimin

Të dhuroj ëndrrat

Në varkën e detit t’ëmbël

Te lundrojmë drejt pikëpjekjes

Ku s’na gjen njeri

Të harrojmë gagarisjet e kohës

Siluetë në skaj të botës...



Të strehojmë në shtrojer

Stinë aromëgjelbër

Te fluturojmë reve të bardha

E yjet mbledh n’shuplakë

Marshojmë shtigjeve flakë



Të mundim akrepat e kohës

Mes gjallimit e vdekjes!



PËRFULIME



Me vargje u përfëlita

në dallgë deti u qulla,

Maleve zhagitem

fushave përpëlitem

Penda ime ngjyrë gjaku

Përfulima pa ndalë

gjer në Krujë të Skënderbeut

në Butrintin antik

Gjirokastrës gurët ia lava

Syri kaltër pafundësi

ëndrra (s’)më fle n’Çamëri

koha kafshon dhembjen

e lumi rrjedhë prajshëm



Gjarpëron për Manastir

me plagë nën sqetull

ofshan Kala antike me sy kah Skupi-a

mbledh shkronjat

një bujtinë n’Hanin e Luginës

një copë diell prej Prishtinës



Ibri përlotet n’ Mitrovicë

Trepçës flaka i del

tymon deri n’Ulqin

mbi Kullën e Oso Kukës

në msojtoren e Pukës



përfulime në vapor

njelmësisë t’Adriatikut

Në Shkodrën e urtisë

Në qytetin e fikut

Në ullishten e magjisë

janë ijet e Etnisë…



SY MË SY



Derisa percillja ylberin

ç’ më doli një re e zezë

eh...

Shpërndau ngjyrat,

apo më trembën ca shqetësime

Sy më sy me kristalet

Ngjyrëplot shkëliqme



Me afsh mallkova rezezën

Që shprish akordin mrekullis

Më magjepsë

më bën të harroj qoftë për një çast

anagaramet e tërthorta

Perpiqem t’i shërbej shpirtësis

e vetmuar

pikturë në murë

freski ylberi gurrë...



O sa më pëlqen kjo freski ylberi

Në dritaren time t’ vetmisë

Më mbështjell trupin e njom

Fare pa pikëpyetje,

Pa pikë të çudisë

E më valvitë

Në djepin e dashurisë ...



Prag shtëpie…

Kalldrëmi im
i thepisur rënd
nën thundrën shekullore,
shkëputur fije, fije
vargje historie
të Aleksandërit
e Ilirie.

Para dere
ngjyrosur
me bojë toke
të mbylltë,
e pluhurosur,
ndryshkur
në pellgun e kohës
provë lashtësie

Aty ishte edhe një
GURË SHTËPIE



Lëvozhgë jete

Mbase jeta..!?
thash:
jam në brendinë,
rrugëtim shkëmbor,
gjakoi,
vështire,
shikoj mbrapa
me kot,
e vërteta,
lëvozhga e jetës
krisur ti e di …?!

Siç e di britmën,
lotët e dhimbjes …
qarë,
lumturi …
… vjen..
nesër …
a do të …!!!


Mos harro Kosovë!

Identitetin ta mohuan,
përtokë te shkelen
për Pazar,
të shkarraviten neper truall
të shqyen copë e grimë,
kartën, emrin, mbiemrin,
po dhe fotografitë,
të zhveshën
në të reshur të hodhën…
Lumi i mori,
i derdhi përtej oqeaneve
e ty të pajisën në karton të verdhë,
holokaust
në shekullin njëzet e një,
pa shkronjë,
pa ditëlindje,
pa orë,
vetëm me


TRE NUMRA …

me thonj të gjakosur
u zvarrite deri ne piedestale,
me gjoks të plagosur
të Bijave,
Nenave ,
Djemve,
për vetveten,
Idealin,
Kombin…



Klithje

sa me mungon sonte
sa shumë kam për te thëne
flas me veten…
s’me dëgjon njeri
zemra me digjet’
vetmia me djeg
prushe ne shpirtin e thyer
unë qaj…
lotët s’kanë te ndal
sonte te jam drejtuar
e dashura Nene
se me gërryen thellë
e skam si tju them
athua ka fjalë te shpreh
dhimbjen
shtrëngimin
qe ngullqon
e sme le dot
vullkan qe vlon
llava dhe une shtegun ta gjejme..




Pa Atdhe është mërgimtari
Pagëzuar me emër të ri
Kurbetqar tani më thërrasin
Edhe atje nga vij …

Veten dot se gjej
Rënd andej vështirë këtej
Shpresoj një ditë t’rifilloj jeta
Në vendin ku s’kam vend…

Dhe sogjoj nëpër shtegtime
Ashtu hiç pa kohë
Për çdo ditë nga agimi në muzg
Kërkoj prehjen t’plote …

Pyes diellin
Për rreze t’errëta
Vallë kalove n’ato male
Me shqiponja e sorkadhe?

Edhe zogut lart në qiell
Që fluturon me nxitim
I lutem të përcjellë
Ofshamë dhimbje për vendin tim.

Vendin tim braktisa
Jam sot refugjat…
Kaluar male dete e fusha
Migruar larg shumë larg…

Do fluturoj si dallëndyshe
Lajmëtare këtë pranverë
Lulëmimoze t’mos vyshket
Veç n’Atdhe kam erë.

Te kam!

Erën tuaj
n’lëkurën time bart

te kam
edhe kur s’te kam

Erën tende mbaj
te frymoje
në mendimet te ledhatoj

këtu je
edhe kur nuk je
Kurr s’do te të le!


Jeta Ime

( kujtim nga kurbeti )

kurrë s’pata frik nga nata
në terr kishte
xixëllonja
me zëra të bukur
kur dorë për dore
nëpër livadh numëronim yjet
plot shkëlqime
e kur ndonjë shuhej në lartësi
mbyllnim sytë
për një dëshirë
ti më je pasqyrë imja
dëshmitarë e sherrit e t’mirësisë
shoqërues në dashuri
buzëqeshje që më njeh n’vaje
shikues në vëllimet e mia
tutor në rrugëtim...
me rrënjë motra
me zemër shoqe
ti më je yll
fshihesh nën re
që gjithmonë më vjen pas
motra ime,
...Jeta ime.


NENA IME



Dua te fluturoj

Dua të shkoi

Atë shikim hyjnor prapë ta takoj

E di se diku është duke me pritur

Ashtu e dashur dhe e brishur

Atë shikim qe pash për herë te pare n’ketë jetë

Ti them se sa shumë e dua me fjale ketë here

Dhe shume te tjera qe si ka dëgjuar…

Dua ti them ati shikimi te mëshiruar



Ti je hyjneshë e mirësisë, qe solle paqen dhe dëlirësin

Ti mbushe zemrat me ngrohtësi,

Ti je frymëzime për rini

Edhe atëherë kur unë lozja e lazdruar

Buzëqeshja kurrë nuk te ka munguar

Ti je mjeshtër I rehatisë

Ti je buzëqeshje ne buzën me vaje

Ti je ilaçi I zemrës se vrarë

Ti je dielli ne dite me shi

Je dhe yll për udhëtarin ne vetmi

Ti je brumi I besueshmërisë

Ti je thesar mrekullisë



Dashuri lakuriq


shpirtin bardhe derdha
me germa zi
thjesht lakuriq
ne sofrën e dashurisë
bujare me traditë
buke përmbyset mos u be..


O ARSYE


hej
s’u ngope...?!
ego
injorancë

O arsye
humbe krenarinë
kushtrimi bie
mos luaj
mos për bukën e Zotit
se gjaku do te përcjell
as hijen tende s’do e kesh te lehte
këndellu
nen lutjen e Nanës
Motrës
gjuhës
Kombit



LOTI



Troket rigë shiu

natën e thellë

Hutini koordinon simfoninë

e hijeve...

Pika rrëshqet në dritaren pranë

Në harkun e kohës

Vallja e lotit vazhdon

unë fshij faqen...



Mulliri i Arteries


As koha,
as myku,
nuk të ngjyrosën me harresën,
aty ku mulliri i arteries nuk pushon së trokituri



KUR DASHURIA MBRETËRON


Kur dashuria mbretëron
dashuri shpërndanë
është dashuri e mbarë
me një vrullë ndër damarë

Kur dashuria mbretëron në mua
dashuri mbretëron në ty
largësia s’ka rëndësi
kësaj i thonë dashuri

Kur dashuria mbretëron
është burim i pashterrur
mos u brengos i dashur
nuk na duhet asgjë tjetër

Kur dashuria mbretëron
është krejt këtë që kemi
largësia s’ka rëndësi
Dielli ngroh pandërprerë

Kur dashuria mbretëron
dashuri në mua dhe në ty
janë petalet e trëndëfilit
në cepin e buzës së fryrë

Kur dashuria mbretëron
bulon mbi venat tona
dashuria shpirtebardhesi
largësia s’ka rëndësi

Kur dashuria është në mua dhe në ty




Fotografia e Silva Ternava



Poezitë e poetës Silva Tërnava , kanë ndjenjën- karakteristikën themelore të lirikës. Pasqyrimi aq ideor i ngjarjeve, në të cilat sigurisht, autorja rrëfen nga pika e fatit, si referim i saj i besueshëm, akte të përballjes normale, pika synimesh, kohë dhe shtrirje, emocione, kujtesë, gëzim, pak hidhërim që më pak zë e thotë hera-herës, mirëpo, si element më kyq, është durimi. Këmbëngulja e autorës për të duruar, sjellë notë proteste te lexuesi, sjellë brengë emocionale te lexuesi, pritje deri te durimi, pra, ashtu si autorja konfirmon durimin që e lidhë me pritjen, të njëjtën domosdo do ta bëjë dhe lexuesi- tash, këtu autorja paksa tenton imponim të mendimit të vetë, mirëpo nuk i referohet dhënies së elementeve, por marrjes së tyre, andaj edhe lexuesi këtu duhet t’i referohet secilit element të dojë vetë, ose marrjes, ose dhënies. E cilën do që e merr ai, kuptimi është i formësuar në atë mënyrë që te ketë alternativë!


Fotografia e Vlora Jakupi

Shtrirja në kohë, pikëpamje logjike

Poezia e Silvës, nuk është e lehtë të kuptohet, sepse ka elemente të bashkëkohores, ka gërshetim të elementeve që kthejnë vëmëndje kah e kaluara, shndërrohet herë pas herë në subjekt- kur komunikon me të tjerët përmes vetës, e në rrethana tjera, përpiqet të paraqes ngjarje të organizuar në poezi, gjë që e hasim rrallë edhe tek autorët, poetë që kanë renome. ( mirëpo nuk është renomea- vulë e dijenisë poetike, ngase rrallë bëhet tek ne kritikë e mirëfilltë, sepse filanokritika është berë degë e re e dhënies së mendimit sipas afërsisë dhe simpatisë )



Pikëpamjet logjike, të cilat i hasim në tekstin e kësaj poeteshe, tregojnë pjekurinë e saj në mendimin poetik, tregojnë ballafaqimin e saj, por herë pas here, autorja lë në gjysmë paksa shpjegimin duke vënë trepikëshin, që i ndëpretë rrugën lexuesit.
Silva ka përkushtim serioz, sidomos kur trajton ato tema, për të cilat lexuesi kujton se autorja është personazhi, ndërsa ana tjetër e kuptimit logjik të poezive të saj, jep të kuptojmë se autorja ka rrethana tjera të fatit të saj. Prandaj, kjo autore, është problematike të kuptohet në herën e parë të leximit. Megjithëse është i thjeshtë në dukje ndërtimi i poezisë së saj, kuptimi është jo aq i thjeshtë, do kujdes për të nxjerrë në masë elemente të pikës së reales.
Pse autorja nuk tenton të krijojë dyanshmëri në stilin e saj, teksa bën atë farë shtrirjen dhe zbërthimin e elementeve, të cilat i mbledhë gjatë kohës. Sigurisht, ajo, nuk kërkon të dalë jashtë vetvetës, as të imitojë të tjerët. Këtë gjë, sa duket e sheh tashmë si fazë të kaluar...
Autorja niset nga mendimi strikt, nuk heziton të jetë vetë zgjidhja, prandaj, nëse e analizojmë në tërësi poezinë “ Durimi “, hasim në një farë forme, një pjesë të fatit të jetës, të shprehur përmes poezisë lirike. Ta lëmë anash pjesën tjetër, dhe ta marrim shtruar vetëm strofën e fundit të poezisë në fjalë :

e varfër do isha pa ty
duet veç duet
thurim simfoni...?!

Simfonia është një lloj vepre muzikore, që autorja e përsonifikon me lidhje jete, prandaj, e vëtdijshme pranon një hise tjetër me të cilën bashkon fatin e vetë, për të krijuar një jetë tjetër… për të cilën ajo ka pritur durueshëm! Por, pak më tej, në një poezi tjetër “ Gjurmë dashurie “, gjëjmë një skenë aktrimi mjaftë profesionale. Prapë elementi është durimi dhe pritja, të cilat si duket janë formë e ndërtimit të shpirtit të saj. Përkujdesja për të krijuar ballafaqim me fatin, duket qartë si një sprovë interesante që nuk e mposhtë autoren assesi. Pse autorja zgjedh pritjen si armë të fitores së saj? Është pyetje që duhet të ketë pritje në kohë nga lexuesi. Dhe, a e shtyejnë lexuesin elementi PRITJE dhe Durim, që të hulumtojë biografinë e autorës? Them se po, ama nëse lexuesi nuk i referohet tash, atij elemenit që e kam cekë më lartë ( marrje-dhënie).


Krijimi i peizazhit

Loja me fugura stilistike, e ndihmon mjaftë shumë Silvën, të krijoj peizazhin. Kjo është gjë shumë e pëlqyer për lexuesin. Dhe thjeshtë, kjo është një lloj dije artitike, pa të cilën s’ka poetizëm. Por te kjo autore ne kemi të bëjmë edhe me shprehjen poetike, p.sh., “Në harkun e kohës, vallja e lotit vazhdon, unë fshij faqen “, tash pa i trajtuar ato pyetjet : pse po derdh lot njeriu këtu? Pse pret autorja?, etj., Ajo, në rast se është vetë personazhi këtu, haset e vetmuar duke dëgjuar melodinë e padëshiruar të Hutit ( shpend ), melodi të cilës ajo i fletë me vargje heshtur, dhe këto vargje i bëhen si strofa këngësh, e madje edhe refren ngjarjeje..! Loti në dritare dhe loti në faqe, janë dy elemente karakteristike, që ndjejnë thellë peshën e dhembjes kur shpirti nuk ndihet i qetë, trazuar tenton të fle...
Autorja, kur krijon atë që unë e quaj pikturë poetike, kujdesshëm formëson qëllimin e saj, për të bërë një pamje reale, me pikë referimi “ fiksim objektiv të syrit gjatë një intervali kohor “. Pamje të tilla, është vështirë të arrihen edhe nëse je poet, sepse ngjyrat duhet të shprehin emocion, duhet të flasin me ndjenja ato figura, prandaj, Silva, ka këto elemente, e për këtë gjë, arrinë të komunikojë fare lehtë me cilindo lexues, sepse ajo ka tashmë një stil gjuhësor.


Pesimizmi artistik dhe Egoja e autorës

Në disa poezi të Silva Tërnavës, hasim në një pësimizem jo dhe aq që sheh kah shpresa, por karshi kësaj, ajo e vë si element fortese të unit të saj, durimin. Ndërsa, te lexuesi, ngjallet interesimi për të kuptuar rrethanat e shtyrjes kah shkaku e situata, që autorja me përkushtim të madh e krijon, duke e harruar kujdesin ndaj besnikërisë që e ka te poezitë tjera. Vetmia, si burim jete, i gërshetuar nga rrethana fati, personazhin e saj të pështjellur me elemente të vetës së autores, arrin paksa ta dërmojë, mirëpo autorja tregon kogja mjeshtërisht durimin e saj dhe pritjen si rrugë të daljes nga situata, gjithësesi pa e anashkaluar tash vuajtjen ( shih poezinë “ Vetmi “ ).
Nëse i lexojmë tash, poezitë e Silvës në aspektin kronologjik të kalendarit shkrimor, gjithherë në bazë të publikimeve të saja, atëherë gjëjmë edhe Egon. Te Ego, autorja ka harruar të tregojë durimin e saj dhe ato elementet tjera shtesë që i kam përmendur më lartë. Por a nisë ego bashkë me poezitë që autorja shfaq durimin si pritë, jo, në bazë të paraqitjeve letrare ( poezive ), ego, fillon më herët. Pikërisht në ato poezi që kjo përpiqet të bëjë përshkrime artistike, pa i vënë theks jetëshkrimeve poetike. Ego është vështirë të kapet te kjo autore, por nëse bashkojmë elemente nga rrënja e kuptimit logjik, nga teoria letrare e saj, atëherë, me një gjurmim profesional, jo të thjeshtë prej lexuesi, gjindet ( ego ). E në fund të fundit, edhe kur gjindet nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, sepse vetëm kalohet nëpër veta gjuhësore.

Rezistencë e autores ndaj rebelimit të vargut

Autorja, me gjithëse herë pas here tregon shenja rebelimi në varg, arrinë ta ruaj komunikimin gjuhësor, duke mos pranuar të dalë jashtë vetvetës. E tash, kur kjo, nuk del jashtë vetvetës, edhe kur është rebeluar vargu i saj, atëherë nuk ka ndonjë gjasë që ta ndryshojë qëndrimin e saj zyrtar as poezia e saj. Kjo është bindeje e thellë, se Silva, e krijon poezinë dhe nuk pranon diktatin e rrethanës që personazhi e lyp. Kjo shihet më shumë si stil i saj.
Rebelimi në varg, paraqet qëllim, pavarësisht se autorja pak duket se është e përfshirë në atë krijim të situatës. Jeta, nuk t’i jep të gjitha gjërat, aq më pak, jo në një kohë. Ndodhë kur nevoja për pasje është e jashtëzakonshme, prandaj në rrethana të tilla, mund të jemi rebelues edhe ndaj krijuesit e krijimit, mund të jemi rebelues edhe ndaj shkakut, deri te një interval kur bindja tregon se ka gjëra që nuk mund të ndryshohen pavarësisht pretendimit. Silva është treguar e vetëdijshme në aspektin e tillë, prandaj, ka mbështetur ndjenjën e lënë peng për fatin.

Shumë poet dhe poetesha kanë shkrua dhe shkruajnë për dashurinë, atdheun, lirinë dhe njeriun shqiptar

Kështu që, po të lexohen poezitë si tërësi, ku shihet qartë se në përgjithësi poezia është shkruar si një dashuri e pafundme, me një stil të veçantë, që i takon poezisë bashkëkohore, për ta rikthyer kohën që nga zanafilla si e vetmja gjuhë jete që e rilind jetën me dashuri.

Jam i vetëdijshëm se kanë shkruar dhe shkruajnë shumë poet dhe poetesha për dashurinë, atdheun, lirinë dhe njeriun shqiptar, por të paktë janë ata si poetesha Selvie Ternava-Silva, që të shkruarën apo poezinë e bëjnë si gurra që buron nga shpirti i gruas për gruan që poezitë e identifikojnë si: të dashur, luftëtare, veprimtare, politikane, besimtare, krenare, fisnike, dhe mbretëreshë e jetës që e jeton. Pra, poetesha Selvie Ternava-Silva, me librin “Eshkë dashurie” shihet qartë se trajton tema dashurie ku femra është krijuese e kohës, në të gjitha kohët.

“Për kohën e ikur
të fal për gjykimin tënd,
se ti nuk ishe më....:

Megjithatë, nuk lejon që lexuesi ta dallon si të tillë, sepse ajo, dashurinë e sheh si një njohje në mes njerëzve për të ardhmen, që njeriu si njeri të jetë vetë dashuri për jetën.
Kështu që, libri me poezi “Eshkë dashurie”, i poeteshës Selvie Ternava-Silva, lirshëm mund të them se është një zë femre, gruaje apo nëne që mes shumë poezive dashurinë e shtrinë sa në kuptimin jetik, po aq edhe në ngjyra dheu e lirie, duke na mësuar se dashuria është: jetë, atdhe, liri, lumturi e të tjera. Fundja, mendoj se libri në fjalë do të flasë mes lexuesve më shumë se një shkrim shikuar nga një kënd. Dhe, thjeshtë, më mbetet të them se poetesha Selvie Ternava-Silva, dëshmon se është poezi, që do të dalë nga shpirti i saj për të folur me ata që ia do zemra.


Duke lexuar disa nga poezitë e Silvës, arrijmë në përfundimin se kemi të bëjmë me një pjekuri artistike, me një autore që krijon paanshëm.

Secila poezi e Silvës, ka një ngjarje, prandaj mund të thuhet, se poezia e saj, është një roman në vete.
Silva, e përkujdesur që të shtrojë para lexuesit risi të mendimit poetik, tregon forcën e shprehjes së saj, të mendimit të saj, krijimin e situatave të lloj-llojshme; e vetëdijshme se jeta ka vuajtje, ka ndarje, dhe këtë ajo e përcjellë te lexuesi si formë të porosisë ( mesazh ) artistike.


Poezitë e Silva Tërnavës, janë të arrira artistikisht, kanë vlerë dhe janë të qendrushme në raport me kohën.

Ajo ka arritur të krijojë një përfytyrim objektiv, një përfytyrim subjektiv, duke bashkuar elemente dhe ngjarje, për t’i dhënë kështu lexuesit një botë të saj.

Flori Bruqi

No comments:

Post a Comment