2018-06-28

RINGJALLJA E TIRANËVE NGA AT GJERGJ FISHTA: 28 NANDOR 1913

Përgatiti Fritz RADOVANI:

28 QERSHOR 2018... SI ME 28 NANDOR 1913...


RINGJALLJA E TIRANËVE

NGA AT GJERGJ FISHTA: 28 NANDOR 1913

Pervjetori i ngritjes së Flamurit të Pamvarsisë në vend që me kenë ditë gëzimi për Poetin asht ditë vaji e ankimi. Dasitë e anmiqsitë në mes të vetë jetës politike shqiptare e të krahinave të ndryshme, të shitunit e shumë e Shqiptarve propagandës së huej e deri luftat vëllaznore janë historia e atij viti. Një notë karakteristike malinkonije prandej e rrëmben Zanen e Fishtës, e cila ankon, mjerohet, brigon, nxitë e shpreson, për me mujtë me trandë e me prekë zemrën e Shqiptarve, tue i drejtue nga atdhédashunija e vertetë.

Oj Zanë, t’ këndojm...t’ vajtojm, deshta me thanun;
Pse sod ditë kanget s’ asht per mue e ty.
Po ç’ gzim kjo ditë né mundet me na dhanun,
Kur, qé, mbas nji motmoti q’ i u pelqye
Evropës Shqyptarin zot n’ shpi t’ vet me e lanun
E kuj, posë Hyut, m ’ketë jetë mos me i sherbye,
Shqyptari i dám prap me vetvedi gjindet
E shk’ asht ma zi, prej vedit edhe s’ bindet?....
1. E ku kjo punë kisht’ ndodhë posë se n’ Shqypni,
Qi ‘i popull, s’ parit dalun prej robnimit,
Per nji motmot të rrijë ai n’ anarki
E t’ bahet prralla e gazi i rruzullimit,
Ké i zoti s’ asht ai sod m’ u vue m’ hulli,
Edhe me u thanë anmiqve e t’ tanë njerzimit:
“Un ktu sundoj! M ’ketë shkamb mue m’ vuni Zoti
E kndej nuk luej, pa u shuemun stina e moti”!?
2. Ah! T’ mjerët na, t’ mjerët! E sod, me ‘i pecë të kuqe
E me ‘i orrl duem qi Shqyptarija e mjera
T’dalë vedit n’ dritë, si vedit çilë n’ bubuqe
Nji drandofille e njomë, kur kthen prendvera...
Jo, jo, Shqyptarë! Por banje flamrin duqe
E zhytnje n’ Dri t’ mos t’ a zhvillojë kurr era.
Flamri Kombtar nuk ka shka ban nder né,
Po kjé se dashtuni nuk kem’ p’ r Atdhé

4. E, drue dashtni p’r Atdhé nuk ka Shqyptari;
Me gjasë, s’ çan kryet Shqyptari per komb t’ vet,
As per njatë gjuhë t’ ambel qi i la i Pari,
As pse Shqypnija n’ vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje, ku xhixhillon ari
Pa frymë e tue dihatun vrap ai nget:
Si Krishtin shiti Juda Iskarjotë,
Drue Atdheu nder né po shitet p’r zallotë...
5 A thue mos fola keq?...Po lypi t’ falun;
Perse ktu vetë me fye nuk due kurrkendin.
E pse asht mirë fjalen n’ zemer t’ fryt m’e ndalun,
Por njai, qi të liruem me e pasë s’ do vendin,
A prej se s’ mundet vetë m’ shkamb t’ naltë me dalun,
A prej se tjervet s’ don m’ u a lshuemun rendin
A thue ai s’ asht Judë? Po, kambë e krye Iskarjota!,
E pra, ksi nipash ka‘dhe shum Kastriota...
6. E po p’r ata, qi, zyre e nderë harrue,
Qi, marre e turp kaherë flakrue mbas shpinet,
M’ visar t’ Atdheut me t’ huejë shkojn tue tregtue
(Kush ndyt mbas Frankut rrejtë, kush mbas Sterlinet
Kush pse Dinari teper i asht lakmue),
E Atdhén prej s’ huejësh me e qitun duen bashtinet,
Thue edhe per ta ndokuj do t’ i hijë çuda,
Kur thom, se nuk janë tjeter, veç se Juda?...
7. Po, Juda janë, e gjinde janë trathtarë,
Porsi njata, qi n’ mend prej s’ huejësh mahitun,
Varzat e djelmt, - e para uzdajë shqyptare –
Me ndjesi t’ hueja n’ shkollë i çojn me i rritun,
Tue lanë mbas doret t’ amblen gjuhë amtare,
Pa t’ cillen kombi s’ mundet n’ dritë me u qitun;
E me çakrrija t’ mbetna shkret mbas tregut,
E lanë me u rrejtë nipnin e Skanderbegut.
8. O Skanderbeg Kastrjota! O rrfé mizore!
Serbjani i mnishem, po ké votra pshtetun,
Nipavet t’ vet u flet m’ lahutë zatore,
Sa forcë e anmikut pit nen shpatë t’ ka mbetun:
Por nipat t’u n’ Shqypni sod nder msojtore,
(Ku gjuha shqype hin si fmij i gjetun...)
As emni, ndoshta, nuk e dijn si t’ quhet;
Pse tjerë fatosa aty me zanë u duhet.
9. Veç po, njat’ emen t’ and t’ bekuem, t’ madhnueshem,
Si t’ huejë, si nipa t’u, dijm me t’ a quejtun,
Kur ndonji lash dobijet fort t’ ngatrrueshem
Me té duem me zhgatrrue, e kur me vuejtun
Duem ndonji kundershtim, qi n’ vend t’ naltueshem
S’ na lên m’u kapë mbas dshirit t’onë të pruejtun:
Nen emen t’and, po, t’ gjith atëherë na strukmi,
Kur atdhetarë n’ sy t’ kombit duem qi t’ dukmi.
10. Ah! Jo; kangë gzimit sod, moj Zanë, nuk due!
Sod un due qi kah fjalët e mija t’ dalin,
Si rrkajë Vullkanit t’ shkojn tue gurgullue:
T’ shkojn tue therun, si thika qi thér djalin
E vetem ambel m’ prehen t’ nanës pushue:
T’ bumbullojn, po, si rrféja, qi trandë malin;
Pse teper keq Shqypnija e ngratë ka ngelun,
Teper pa nderë pse nami i saj asht shkelun.
11. Oh vaj! Oh kob! Oh marré e turp per né!
Sot sheklli mbarë prir synin prej Shqyptarvet,
Me pa si perkujdesmi per Atdhé;
E si u dishmojm’ me punë na kundershtarvet
Se jemi t’ zott me u lidhë me bésë e fé
Edhe vetë me sundue vendin e t’ Parvet:
E na, harû e si polipa deti,
Veç hapim syt me shkye ndoi ‘i send per veti!...
12. Shqyptarë! Shqyptarë! Ndigjoni, pashë Zotin!
Pa ju kurr s’ mundet n’ dritë me dalë Shqypnija:
A thue, pra, n’ terr po e lini m’e shkue motin,
Tash qi dergoi t’ bardhë fatin Perendija
Flamur me ngrehun n’ vedi? E Gjergj Kastriotin
E t’ Parët, a thue, kshtu do t’ korisë nipnija,
Ké shoq me shoq enè s’ kem’ ra na n’ fije?
Ké vémë fitimin para çdo Shqypnije?
13. Ah! Jo, Shqyptarë, jo; mos e lshoni doret
Shqypnin e mjerë, - ketë Atmè t’uej t’ bekueme
E cilla sod, pervujtë si vashë kunoret,
S’ parit po hin nder fise t’ qytetnueme.
A thue pse teper t’ ngushta i ka terthoret
M’e lanë me dnesë prap nen kambë t’ huej t’ poshtnueme?
Ma e vogel se Rusija pat kenë Sparta,
Por nami i saj asht shkrue me shkrola t’ arta.
14. Ah! Ktu, Shqyptarë, po, ktu, e m’ vorr t’ Kastrjotit
Per rreth Flamurit t’onë t’ gjith t’ bahmi ‘i vlla,
Edhe t’ apim shoshojt besen e Zotit
Se per Atdhé na kem’ m’u orvatë pa da.
Tue shkri per té të gjitha ditt e motit:
Se para t’ gjith në vorr na kem’ me u kja,
Se e lamë Shqypnin’ me e shkelë prap themra e huej.
Posë Zotit n’ qiell, s’ do t’ i sherbejm mâ kuej.

Shenim nga F.Radovani: Rikujtojmë nga “Konferenca Islamike” e deri tek droga...

“Pse e shoh se veç atje, ku xhixhillon ari
Pa frymë e tue dihatun vrap ai nget:
Si Krishtin shiti Juda Iskarjotë,
Drue Atdheu nder né po shitet p’r zallotë...”

■Po kurr mos harroni fatkeqsinë e madhe: Kur shtetin e drejtojnë qeveritarët e shitun!
Melbourne, 28 Qershor 2018.

No comments:

Post a Comment