2018-07-03

ADEM ZEJNULLAHU : DERI NË FUND(Cikël poetik)



Në këto poezi frymon jeta ime. Vetë jam brenda tyre. Dashuria ime joshet për të bukurën dhe të amshueshmen. Ajo më frymëzoi dhe më mbajti drejt në rrugën e jetës. Jeta është poezi, poezia është jetë...



Cikël Poetik



ZGËRDHIM KOHE


Në këtë kohë pa kohë
Po shtohen mjekrat
Po humbin fytyrat

Në këtë kohë shurdhuese
Po mbillen flokët
Po avullohen mendtë

Në këtë kohë dhëmbërënë
Po hamë e flasim
Shije as kënaqësi

Në këtë kohë të rrokatur
Krijohet njeriu në njeri
Pa ndjenja e hirësi

I buzëqeshim kohës
Ajo zgërdhihet
Na zbardhen flokët...

25. 4. 2018

RRJEDH LUMI NË MUA


FJALË GURI


Shumë kohë u mundova
Të bluaj në mullirin e mendjes
Të mundurën dhe të pamundurën
Të gatuaj në magjen e rritës
Fjalën e shekullit
Që s’e shurdhojnë kambanat e kohës
S’e plakin motet e hirta
S’e heshtin daullet satanike
S’e lëkundin dridhjet e tokës

Atë fjalë diellore
Që zhdaravit mjegullën
Të shoh pas shtatë bjeshkëve
Ta kuptoj të panjohurën
Në qeshjen djallëzore
Ta vë poshtë të paarritshmen
Ta emërtojmë të pathënën
Në kremten që presim

Desha atë fjalë të rrallë
Që shëron dhembjen
Të pagojës i jep fjalë
Pavdekëson emrin

Desha atë fjalë guri
Që kthjellon lumin
Ngjyros ylberin
Që burrëron kuvendin
Urton rrufetë idhnake
Pushton kalatë
E kohëve të ngujuara

Kërkova atë fjalë urtie
Që ngre ura
Prej mendjes në mendje
Prej zemrës në zemër
Prej shpirtit në shpirt

Desha atë fjalë dashurie
Që peshon sa ari
E s’e mat kandari
Që brenda tokës e qiellit
Forca e saj
Të gjallët t’i varrosë
Të vdekurit t’i ngjallë


RRJEDH LUMI NË MUA


Në qenien time
Rrjedh një lumë
Që ka ngjyrë verdhësie
E zemër dashurie

Kur vërshon i turbullt
Shelgjet vajtuese
S’i buzëqeshin tokës as diellit

Kur rrjedh i qetë
Mbi guralecat e zallit
Dashurohen brigjet
Ka shpirt të bardhë
Fjalëheshtur

Ai rrjedh
Në pranverën e bleruar
E në verën e djegur

Kur erërat i tundin zilet
Hijet mbyten në lumë,
Lulëzojnë degët e thata
Në kremten e madhe

Rrjedh lumi në mua
Ikën në largësi
Bart ëndrrën e virgjër
Dhe lidh dy brigje
Me një urë
Dashuri e flijuar

Rrjedh lumi në mua
Bart këngën e përlotur
Dhe ngjyrën e gjakut tim

Lumi bie e hesht në det
Dhe ruan emrin e vet

1969


NJË RRUGË ME DY MUZE


Mua e sheshin na pagëzuan me një emër
Në tri kohë të ngatërruara
Në vitet e trëndafilta
Kur ëndrra bëhej zhgjëndërr

Dashuronim dhembjen e virgjër

Kur sheshi vuante nga pagjumësia
Më 30 Mars 1999
U nisem drejt yllit të padukshëm
Udhëkryqeve të dilemave

Rreth nesh ulërinin ujqërit e tërbuar

Tash ky shesh i qytetit tim diellor
Përballë ka muzeun e Kosovës
Me nënshtresa dhembjesh të pafjetura
Po unë jam muze i relievit tonë

Që ruaj kohë përtej kohëve

12.12. 2015


BIOGRAFIKE


Lindëm në tymin e armëve të shkrepura
Viti 1945 verdhësi
Luftohej për ta mundur vdekjen

U rritëm me fishkëllimën e kamxhikut
Pa aromën e bukës në sofër
Me shpresa të moteve të veremta

U burrëruam viteve pa diell
Ra shi e breshër pa ylber
Heu, na plakën rrufetë e vetëtimat


KOHË E PËRÇUDME


Çfarë kohe e praptë
Bishti u bë kokë
Koka bisht

Shitet dushk për gogla

Heronjtë u bënë tradhtarë
Tradhtarët heronj
Hijet shtihen rreze

Atdhedashësit duarthatë



KANDILAT MBI VARR


Ai që vdes vetëm njëherë
Harresa s’i përket
Kandilat i ndezën mbi varr
Ështrat i shndërrohen n’lule

Erëmimi merr dheun...



TOKA DHE KOKA


Dikur një plak më tha:
- Biro rrëzohu e çohu për toke!
Po mua
Në kërkim të saj
Shtatë parë dredhë m’i nxorën shpinës
Deri sa koka dhe toka
Morën emrin tim


SHPRESA PA MBARIM


Kurrë s’e kam ëndërruar këtë kohë
Të gjuaj rrufeja për s’ këthjellti,
Ta vras Kabili Habilin nga mëria
Të shëmtohet bardhësia e ditës.

Në këtë qiell të mbarsur mjegullash
Ylli i fatit ka humbur rrugë,
Në këtë tokë rrjeta merimangash
Bien fluturat shtohen krimbat.

Risku im s’i takon kësaj mynxyre
Djalli e shtriga luajnë valle,
S’po dimë kush jemi e kah vemë
Humnerë e hapur shpresë pa mbarim


Prof. dr. Adem Zejnullahu,është studiues i letërsisë gojore dhe i letërsisë së shkruar shqipe, shkrimtar, profesor universitar. Lindi në Banjskë, komuna e Vushtrrisë. Kreu shkollën normale, studimet e larta të gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës (1972); po aty studimet pasuniversitare, ku mbrojti doktoratën në shkenca filologjike (1986). Deri më 1982 punoi mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla të ndryshme të Prishtinës dhe në Mitrovicë. Prej vitit 1982-2010 punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në fillim hulumtues i pavarur, këshilltar shkencor dhe përgjegjës i degës së folklorit për disa vjet. I është kushtuar studimit të krijimtarisë gojore dhe prozës së shkruar, këngëve popullore historike dhe baladave popullore.

Ka botuar monografi dhe vepra studimore për folklorin dhe letërsinë shqipe.

Veprat artistike:

”Kur zgjohen ernat”, “Rilindja”, Prishtinë, 1969
“Mote hiri”, “Rilindja”, Prishtinë, 2000
“Zogu i stuhive” (vjersha për fëmijë), Prishtinë, 2001
“I vetëm me ëndrrën”, “Faik Konica”, Prishtinë, 2007
“E di vetëtima”, “Faik Konica”, Prishtinë, 2009
“Erërat e mbarsura me mjegull”, Prishtinë, 2011
“Dhembje shiu”, Prishtinë, 2012
“Njëqind fabula “, Prishtinë, 2012
“Me ty çel trëndafili” (vjersha për fëmijë dhe të rinj), Prishtinë, 2014
“Kush ia di udhën erës” (vjersha për fëmijë dhe të rinj), Prishtinë, 2017
“Deri në fund“, Prishtinë, 2018
Krijime alegorike në prozën popullore, Prishtinë, 2018

Veprat shkencore:

“Krijimtaria gojore dhe proza e shkruar shqiptare në Jugosllavi”, IAP, Prishtinë, 1987
“Disa venerime për poezinë popullore”, IAP, Prishtinë, 1996
“Hulumtime në letërsinë popullore”, IAP, Prishtinë, 2005
“Këngë dhe shkrime”, IAP, Prishtinë, 2009
“Vuajtja dhe qëndresa në këngë historike”, IAP, Prishtinë, 2010
“Këngë, ngjarje dhe vështrime”, IAP, Prishtinë, 2012
“Dhembja dhe flijimi në baladat popullore”, IAP, Prishtinë, 2014

Ligjëron lëndët letërsi gojore dhe letërsi për fëmijë në Universitetin e Prizrenit dhe të Gjakovës.


No comments:

Post a Comment