2018-07-06

Aurel Plasari: As Enveri nuk shkatërroi dje si ç’po bën sot Edi Rama


Mjafton që, si një heqje nervi, t’ia shkulësh një shoqërie kujtesën historike që ta kthesh atë në barbare. “Mjerë ai popull që e ka humbur kujtesën historike!”, psherëtihet atëherë. Mirëpo, “atëherë” domethënë vonë. Asgjësimin e kësaj ekzistence të dytë të qenies shqiptare synon kazma që është ngritur kundër një monumenti shumëfish historik, – të historisë kulturore, të historisë artistike, të historisë sociale, të historisë së albanologjisë, të historisë politike të shtetit shqiptar, – siç është ish-kompleksi emërmadh “SKANDERBEG”, i thjeshtuar sot në trajtë të aktualizuar si “Teatri Kombëtar”.


U duhet treguar saktë bashkëqytetarëve se për çfarë monumenti shumëfish historik bëhet fjalë, ndonëse betejën për mbrojtjen e tij po e zhvillojnë më së shumti njerëz të teatrit. Ata paçin faqen e bardhë për këtë betejë! Dhe nuk do të m’i keqkuptojnë pohimet e këtushme, së paku ata që e dinë se, për ç’i takon historisë së teatrit, jam rritur në rreth familjar njerëzish të lidhur me teatrin qysh prej viteve ’30. Por, meqë kazma e sapongritur synon një rrënim shumë më “kompleks”, duhet shtyrë pak dera e së kaluarës për të parë të ardhmen para se krimi të kryhet.

Monumenti në fjalë është konceptuar, projektuar dhe realizuar pikërisht si një kompleks. I përfunduar së ndërtuari më 1940, në Shqipërinë e aneksuar në të njëjtën “perandori” me Italinë fashiste, kompleksi emërtohej saktësisht “Qarku italo-shqiptar SKANDERBEG”. Në botimet enciklopedike të një kalorësi të mbrojtjes së kujtesës së kryeqytetit, dr. Spiro Mëhillit, mund të gjeni të dhëna ndër më kërshëroret për unicitetin e kompleksit në fjalë. Të dhëna plotësuese, kush të dëshirojë, mund të qëmtojë në botimin “Historia e shtetit shqiptar 1912-2005: Organizimi shtetëror, jeta politike, ngjarjet kryesore, të gjithë ligjvënësit, ministrat dhe kryetarët e shtetit shqiptar” (2006), të historianit të vështruar vëngër Kastriot Dervishi. Dëshmi dokumentare me vlera unikale figurative u shtohen atyre nga arkivat e Institutit “LUCE” dhe ata të ATSH-së sonë. Do të ishte dhunë që historia e këtij monumenti shumëfish historik të Shqipërisë të mëvishej me çaprashitje ndërtimesh “të përkohshme”, për asqerhane italiane a për eglenxhehane.


Mjafton që, si një heqje nervi, t’ia shkulësh një shoqërie kujtesën historike që ta kthesh atë në barbare. “Mjerë ai popull që e ka humbur kujtesën historike!”, psherëtihet atëherë. Mirëpo, “atëherë” domethënë vonë. Asgjësimin e kësaj ekzistence të dytë të qenies shqiptare synon kazma që është ngritur kundër një monumenti shumëfish historik, – të historisë kulturore, të historisë artistike, të historisë sociale, të historisë së albanologjisë, të historisë politike të shtetit shqiptar, – siç është ish-kompleksi emërmadh “SKANDERBEG”, i thjeshtuar sot në trajtë të aktualizuar si “Teatri Kombëtar”.

U duhet treguar saktë bashkëqytetarëve se për çfarë monumenti shumëfish historik bëhet fjalë, ndonëse betejën për mbrojtjen e tij po e zhvillojnë më së shumti njerëz të teatrit. Ata paçin faqen e bardhë për këtë betejë! Dhe nuk do të m’i keqkuptojnë pohimet e këtushme, së paku ata që e dinë se, për ç’i takon historisë së teatrit, jam rritur në rreth familjar njerëzish të lidhur me teatrin qysh prej viteve ’30. Por, meqë kazma e sapongritur synon një rrënim shumë më “kompleks”, duhet shtyrë pak dera e së kaluarës për të parë të ardhmen para se krimi të kryhet.

Monumenti në fjalë është konceptuar, projektuar dhe realizuar pikërisht si një kompleks. I përfunduar së ndërtuari më 1940, në Shqipërinë e aneksuar në të njëjtën “perandori” me Italinë fashiste, kompleksi emërtohej saktësisht “Qarku italo-shqiptar SKANDERBEG”. Në botimet enciklopedike të një kalorësi të mbrojtjes së kujtesës së kryeqytetit, dr. Spiro Mëhillit, mund të gjeni të dhëna ndër më kërshëroret për unicitetin e kompleksit në fjalë. Të dhëna plotësuese, kush të dëshirojë, mund të qëmtojë në botimin “Historia e shtetit shqiptar 1912-2005: Organizimi shtetëror, jeta politike, ngjarjet kryesore, të gjithë ligjvënësit, ministrat dhe kryetarët e shtetit shqiptar” (2006), të historianit të vështruar vëngër Kastriot Dervishi. Dëshmi dokumentare me vlera unikale figurative u shtohen atyre nga arkivat e Institutit “LUCE” dhe ata të ATSH-së sonë. Do të ishte dhunë që historia e këtij monumenti shumëfish historik të Shqipërisë të mëvishej me çaprashitje ndërtimesh “të përkohshme”, për asqerhane italiane a për eglenxhehane.

“Qarku italo-shqiptar SKANDERBEG” përbëhej nga dy ndërtesa paralele, të ndara nga një gjysmëpatio e organizuar si mjedis relaksimi: me një pishinë në mes dhe përfund me një palestër model për kohën. Bëhej fjalë për konceptime me parametra bashkëkohorë të ndërtimeve të epokës së njohur si “il Ventennio”, fashist për komplekse të atilla.

Ndër dy ndërtesat, ajo majtas emërtohej në fillim “Kinema-teatër SAVOJA”. I konceptuar si për projektime filmash, ashtu edhe për shfaqje teatri, koncerte artistike etj., në kohën e vet u klasifikua si “i cilësisë së parë”. Por të vihet re: i përshtatur edhe për veprimtari ndër më të rëndësishmet politike, përfshirë ato të krerëve të shtetit, pavarësisht regjimeve politike. Hyje dhe aty të priste një atrium, kurse mbas tij një sallon për publikun para shfaqjes ose gjatë antrakteve me pushime. Salloni kishte një gardërobë nga njëra anë dhe nga ana tjetër shërbimet e tualetit. Fotot e LUCE-s i dëshmojnë ato shërbime të një cilësie ende sot të lakmueshme, d.m.th. krejt ndryshe nga sa ankohet ndonjë “ndërtues” nga ata të specializuarit për të ndërtuar qenefe allaturka të modelit të diktaturës. Dyshemeja e sallonit ishte shtruar me pllaka mermeri të kombinuara bardhë-e-zi. Përkundrejt çeleshin dyert për në sallën e shfaqjeve, të dubluara me perde të rënda kadifeje. Ato çonin në platenë, kurse në të dyja anët çeleshin dyert për t’u ngjitur në të dyja katet e lozhave. Kati i parë i tyre përbëhej nga ndarje të veçanta, kurse kati i sipërm shërbente si galeri për publikun me bileta më të lira; galeria ka funksionuar deri kur kam qenë vetë fëmijë.

Në atë kinema-teatër, që cilësohej “e cilësisë së parë” në Shqipëri, spektatori shqiptar u njoh “nga afër” – madje duke rënë në dashuri me ta – me aktorë të shkëlqyer të artit kinematografik: Greta Garbo, Alida Valli, Anna Magnani, Lorenz Oliver, Amadeo Nazzari, Vittorio de Sica, me dhjetëra. Jo vetëm kaq, por po në atë mjedis kulturor-artistik nisën e u organizuan në kryeqytetin e Shqipërisë vargu i koncerteve të muzikës klasike: Scarlatti, Cherubini, Corelli, Vivaldi, Boçherini, Cimarosa, Paganini, Rameau, Schumann, De Gallot, Schopin etj. Kushedi sa artdashës i ndiqnin për së pari herë! Deri edhe spektaklet me pjesë nga repertori i zgjedhur operistik aty u praktikuan: nga Verdi, Bellini, Donizetti, Rossini etj., përfshirë edhe një Mascagni të përsyshur dikur si “bolshevik” nga Mussolini gazetar.

Dhanë aty koncerte edhe yjet shqiptare të muzikës lirike, që nga Tefta Tashko-Koço dhe Kristaq Antoniu, nga Jorgjia Filçe dhe Marie Kraja etj. Aty dha shfaqje të vetat edhe Grupi Filodramatik i Radio-Tiranës, siç quhej, “Strazivari”, “Peshku në det”, “Osman Opingaxhiu” të Viktor Eftimiut etj., çfarë do të thotë që aty u shfaqën Mihal Popi, Behije Çela, Xhevat Serezi dhe të tjera figura që do t’i jepnin sharm edhe Teatrit të ardhshëm Kombëtar. Ja një arsye më shumë se përse rekomandoj t’i kaloni njëherë për duarsh enciklopeditë e dr. Mëhillit. Nga 9 më 12 prill 1940 u përurua aty ai që do ta meritonte të quhej i pari festival i këngës popullore shqiptare. Përpos zonjave Marie Kraja dhe Tefta Tashko, si dhe mjeshtres Lola Gjoka dhe mjeshtrit Tonin Guraziu në piano, në atë sallë u shfaq për së pari në publik rapsodi magjepsës Gjergj Pllumbi. Edhe ekspozita të arteve figurative u organizuan në sallonin e atyshëm; ndër to u shënua për mbresat që la ajo e motrave piktore Androniqi dhe Sofia Zengo. Duhet të jesh përnjëmend i pacipë që të guxosh e ta përshkruash një mjedis të tillë, i cili prej majit 1941 riemërtohej “Kinema-teatër KOSOVA”, si ngrehinë “të përkohshme” për asqerhane italiane a për eglenxhehane.

Ceremoni të tyret, ndër më të rëndësishmet politike, i kryen po aty edhe kryeministra dhe ministra të Shqipërisë së pushtuar, duke përfshirë edhe vetë Zotërinë e Tij, Françesco Jacomoni di San Savino, mëkëmbës i mbretit në Shqipëri. I veshur e i mbathur gjithë sqimë, kokë e këmbë në të zeza, vetë senatori Mustafa Merlika-Kruja mbajti aty, në prag të përvjetorit të parë të pushtimit të Shqipërisë, ligjëratën “Shqipnija, shtet i bashkuem me Italín në suazën e Perandorís së Romës”: njëfarë leksioni që do të delte herët jashtë modës politike. Sikundër delte edhe ai i 22 nëntorit 1942, me titull “Në hullí të histories”, prej të cilit u mbajt mend thirrja që u bëhej shqiptarëve për të rënë në gjunjë e për t’i puthur çizmen ushtarit të Rajhut të Tretë. Pjesë të historisë politike të shtetit shqiptar përbëjnë, pa pikë dyshimi, edhe këto.

Nuk ka sesi të harrohet sakaq ndërtesa tjetër paralele, ajo në të djathtë. Në të u vendosën strukturat e mirëfillta të fondacionit “SKANDERBEG”. I menaxhuar prej një bordi të përbërë prej emrash të nderuar të kohës, si Gjergj Bubani, Odhise Paskali, Vangjel Koça, Bahri Omari, Kristo Kono etj., fondacioni do të punonte nën motto-n “PRO CULTURA”. Tek ajo ndërtesë e dytë qe vendosur edhe tanimë i njohuri në historinë e albanologjisë si “Instituti i Studimeve Shqiptare”. Përkrah ndonjë emri italian pa peshë u mblodhën e punuan në atë Institut kontribuues shqiptarë që u vinte era shkencë e kulturë: Dhimitër Berati, Aleksandër Drenova (Asdreni), Karl Gurakuqi, Anton Harapi, Etëhem Haxhiademi, Kolë Kamsi, Sotir Kolea, Xhevat Korça, Nikollë Lako, Bernardin Palaj, Lasgush Poradeci, Odhise Paskali, Vincenc Prennushi, Ilo-Mitkë Qafëzezi, Namik Resuli, Justin Rrota, Eqrem Vlora, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej etj. Aty i patën zyrat, bibliotekat dhe sallat e mbledhjeve. Po aty, dhe jo kund tjetër, u organizua e u mblodh nga 9 më 13 prill 1940 “Ma i pari Kuvend i Studimevet Shqiptare”. Fatmirësisht janë publike punimet e tij, në të cilat u hodhën bazat e projekteve: për një Fjalor të madh të gjuhës shqipe, për një Enciklopedi shqiptare, për një korpus të botimeve dokumentare për historinë e Shqipërisë “Albania diplomatica”, për fillimin e botimit të kolanës së Folklorit shqiptar etj., deri te projekti për një muze të Shkencave të natyrës. Sa pllaka përkujtimore do të duheshin vendosur në atë ndërtesë të dytë, që një frotë të papërgjegjshmish guxojnë të na e përshkruajnë si ngrehinë “të përkohshme” për asqerhane italiane a për eglenxhehane?



Fill mbas fitores hitleriane të “Fushatës Ballkanike” (Balkanfeldzug) në ato zyra të fondacionit “SKANDERBEG” u hartua njëri ndër dokumentet më sfidues të historisë politike shqiptare: platforma për një “Shqipëri Tjetër”, po e quaj kështu, dokument pothuaj i panjohur i “rivendikimeve shqiptare”. E riprodhuar si tekst në dagerrotip prej 113 faqesh dhe e nënshkruar më 3 maj 1941 (viti XIX) prej autorëve Fejzi Alizoti, Mustafa Merlika-Kruja, Xhemil Dino, Dhimitër Berati dhe Tahir Shtylla, ishte ajo që iu dorëzua në Romë ministrit Ciano të Punëve të Jashtme për “bashkimin e tokave shqiptare”.

“Gjethet ranë”, siç e tha bukur Mitrush Kuteli për vjeshtën e fashizmit shqiptar, por edhe kur erdhi “gjermani me makina të mëdha” – ashtu ia kënduan në Labëri – kompleksi “SKANDERBEG” vijoi të funksiononte si qendra e jetës artistike, kulturore, shkencore, madje shpesh edhe politike e kryeqytetit të Shqipërisë.

Në kinema-teatër “KOSOVA”, propaganda naziste mbase u bezdiste kryet kryeqytetasve me Wehrmachtbericht-et e saj, d.m.th. me dokumentaret me lajme të fitoreve të ushtrisë së Rajhut të Tretë. Por po aty vijonin koncertet me pjesë të zgjedhura operistike, tanimë nga “Tannhauser”, “Lohengrin”, “Tristani dhe Isolda” të Wagnerit. Për të “paqtuar” inteligjencën kryeqytetase u shtuan si risi të quajturat “Variétés”: ndër to muzika shkartisej me deklamimet poetike. Aty, për shembull, e recitoi Vedat Kokona poemën e tij antifashiste “7 Prilli”, që në regjimin vijues as do të guxonte ta përmendte. Qenë muajt kur emërmadhi Rajh e kishte marrë rrokopujën, kjo ishte e vërtetë, por kjo nuk donte të thoshte që në kinemateatër “KOSOVA” të mos vijonin koncertet Merita Sokoli, Liza Vorfi, Behije Çela etj., të shoqëruara nga orkestra e mbetur italiane nën dirigjimin e maestros Fiori. Ndër botimet enciklopedike që rekomandova, mund të gjeni jo vetëm datat e sakta të shfaqjeve e koncerteve, por edhe çmimet e ndryshme të biletave.

Në ndërtesën përbri ishte anëtari fatkeq i “Këshillit të Naltë”, At Antoni Harapi, që u kujdes ta konvertonte ishInstitutin e Studimeve Shqiptare në Institutin Shqiptar për Studime e Arte. Jo vetëm u shtuan në të anëtarë të rinj nga personalitetet e padëshiruara prej fashizmit, veçan Fan S. Noli e Mit’hat Frashëri, por u përpunua edhe një platformë e re veprimtarie e njohur dhe e botuar si “Programi i ‘Seksionit Kosova’ (1944)”. Në sallën e “KOSOVËS”, tanimë “Shkëlqesa” Harapi ngriti zërin me ligjëratat e veta patetike për “pajtimin” dhe “bashkimin kombëtar”. Ndërsa ishte vonë. Vetëm disa muaj më mbas, po në atë sallë, do t’i duhej të përgjigjej para “Gjyqit Special”, duke u shfajësuar me fjalinë tronditëse që shqiptoi: “Nuk e kisha dijtë që do t’u dedhte kaq gjak…”.

Tek ajo sallë, gjatë një ceremonie të qeverisë kuislinge, kreu aktin heroik një çunak antifashist, pothuaj i harruar historie. Kishte zënë vend lart në galeri dhe priste të fikeshin dritat e sallës, siç ndodhte zakonisht gjatë shfaqjeve, që të hidhte mbi publikun tufat e trakteve. Nuk e dinte që në të tilla ceremoni qeveritare dritat e sallës nuk fikeshin. Megjithëkëtë, që lart nga galeria, ai i flakëroi ato tufa traktesh mbi sallë, ia doli të kapërcente shkallët me vrap, të çante nëpër sallonin në konfuzion e sipër dhe t’i shpëtonte kontrollit të rojave në atrium. Por u pikas e u ndoq nga patrulla naziste, që ruante ceremoninë qeveritare. Vrapoi nëpër rrugën “Abdi bej Toptani”, por, teksa merrte kthesën aty tek sot ndodhet hotel “Plaza”, i doli përpara tjetra patrullë naziste dhe çunaku përfundoi përdhe, në një pellg gjaku, i ekzekutuar nga dy palë breshëri automatikësh. Quhej Qazim Vathi, ishte 15 vjeç.

Me çlirimin e Shqipërisë, qeveria e re e vetëshpallur “demokratike” nuk bëri më shumë se t’i konvertonte pjesët e ndryshme të strukturave të kompleksit “SKANDERBEG”. Kinema-teatri vijoi të quhej edhe për një copë kohë “KOSOVA”, ndonëse emërtimi “SKANDERBEG” u zhduk si me magji. Tani do të shfaqeshin aty, qysh në fillim të 1945-s, jo vetëm të parët filma sovjetikë, por edhe i pari film i ri anglez, i pari film i ri amerikan etj. Qenë shfaqje, në të cilat merrnin pjesë si misionet e huaja, ende “aleate”, edhe anëtarët e qeverisë së re “demokratike”. Aty, dhe jo gjatë paradës në bulevard, sikurse është përshkruar ndonjëherë gabimisht, ndodhi incidenti i Enver Hoxhës me znj. Sara Blloshmi. I ulur në lozhën qendrore të kinema-teatrit “KOSOVA”, ai e trajtoi si provokim që në lozhën ngjitur, në të cilën, në të vërtetë, ishte ftuar misioni ushtarak anglez, u shfaq duke shpalosur hiret e veta Sara Blloshmi. Acarimi i beftë i diktatorit të ri, duke lëvizur nga vendi, ka mbetur i pashpjeguar.

Ç’qe më e rëndësishme, përpos filmave të “aleatëve”, po aty filluan në mënyrë të organizuar shfaqjet e para të atij që në krye u emërtua si “Teatri i Tiranës”, mandej si “Grupi Teatral Profesionist i Shtetit”, me emra aktorësh që tanimë kanë bërë histori të teatrit shqiptar: Mihal Popi, Lazër Filipi, Andon Pano, Melpomeni Çobani, Nikolla Panajoti, Prokop Mima, Besim Levonja dhe Behije Çela, Drita Kripa (Pelingu), Andrea Malo etj., deri kur më 24 maj 1945 struktura e re të emërtohej “Teatri Profesionist i Shtetit”. Çmimet e biletave, si për lozhat, edhe për platenë, konsultojini, në qofshi kureshtarë, po te regjistrimet që rekomandova të dr. Mëhillit. Do të vini re që e shumta e të ardhurave të para shkonte për mensa të të pastrehëve nga Lufta, për ndihma sociale, për Kryqin e Kuq. Edhe grupet teatrore të Shkodrës, të Korçës etj. filluan të sillnin po aty shfaqjet e veta. Nuk qe fjala rëndom për pjesët e Maksim Gorkit, por edhe për drama të Ibsenit (“Zonja Ingra e Ostrotit”, “Armiku i Popullit”), të dramaturgut francez Marcel Pagnol (“Topazi”), deri edhe të amerikanit bashkëkohor Eugene O’Neill (“Përtej horizontit”) etj. Gjithnjë aty, qysh në muajt e parë të ‘45-s, rifilluan koncertet artistët e mëdhenj lirikë: Tefta Tashko-Koço, Kristaq Antoniu, Jorgjie Filçe-Truja, Giuseppina Kosturi etj., të shoqëruar prej orkestrës së Radio-Tiranës nën dirigjentin Umberto Oscari, si dhe koncertet vokale të drejtuara nga mjeshtri Kostandin Trako. Ishte pak a shumë ajo situatë paradoksale, së cilës një koleg yni ia ka qëlluar në shenjë me konceptin “Orkestra e Titanikut”: kur paralelisht salla historike do të fillonte të përdorej edhe për ndonjë nga më të rëndësishmet procese të “Gjyqit Special”.

Në ndërtesën paralele, ish-”Qarku italo-shqiptar SKANDERBEG” riorganizohej, në të njëjtën kohë, nën emërtesën e re “Shtëpia e kulturës”. Për fat të mirë, arkivi dhe pothuaj e gjithë baza materiale dokumentare, përfshi edhe tekstet e gatitura për botim, e ish-dy Instituteve të Studimeve Shqiptare (të 1940-s dhe të 1943-shit) qenë ruajtur. Mbi atë bazë u themelua më 1946 “Instituti i Shkencave” me disa degë, të cilat do të shërbenin më mbas si themelet e reja të instituteve të Historisë, të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të Arkeologjisë, të Folklorit. Të sotmes Akademi të Shkencave të Shqipërisë, e cila ngre në piedestale emrat e saj të mëdhenj, si Çabej, Buda, ndoshta nesër Zamputi, Domi etj., i bie të jetë e vetëdijshme që aty, në ato mjedise, i ka zanafillat e veta të punës: në ato mjedise, mbi të cilat është ngritur sot kazma.

Pjesa tjetër e mjediseve iu la në dispozicion, për “Club”, shkrimtarëve dhe artistëve. Sepse do t’u duhej edhe atyre ta përjetonin ndërkohën alegorike të “Orkestrës së Titanikut”, që u përmend. Lidhjes së tyre, të sapothemeluar më 1945-n, iu dhurua për seli ish-vila e Musa Jukës, ndërtesa në të cilën vite më vonë do të vendosej ambasada e “Republikës Popullore të Polonisë”. Por “Club”-i vijonte po aty tek e kishin konceptuar për pushim e dëfrim arkitektët italianë. Të parat mbledhje kinse-demokratike, ku merrnin pjesë edhe ata që vetëm pakëz më vonë do të viheshin në hekura: si Mitrush Kuteli, Vinçenc Prennushi, Arshi Pipa e me radhë, aty u patën zhvilluar. Në atë “Club” i lëshonte shpotitë e holla, tek gjerbte kafen, Lasgush Poradeci: duke mbajtur me njërën dorë filxhanin, ndërsa me tjetrën pjatëzën nën të: ashtu ishte mësuar në rininë e vet austriake. I pamposhtur moshe e i zdërgjahur në kolltuk, aty vijonte t’u hidhte romuze të ëmbla “femrave letrare” i pakorrigjueshmi Ali Asllani, sikurse mund të keni lexuar nëpër kujtime. Por sidomos aty, në atë “Club”, zhvilloi disa nga polemikat e tij trimërore me autoritetet e politikës së re kulturore të Shqipërisë, kundër zhdanovshçinës në letërsi dhe arte, një Skënder Luarasi.

Por ç’të vijohet më përkëtej?

Kanë treguar sa e sa edhe të tjerët, madje mundet që u teprua duke përmendur kaq fakte, kaq emra, kaq ngjarje, kaq vepra, kaq histori me një peshë që çudi sesi ai kompleks e mban përmbi. Nuk më shkon të them që fatkeqësia e këtij monumenti shumëfish historik paskësh qenë mungesa e ndonjë basorelievi me mbiemrin e njohur të një skulptori, mbiemër që do të mund t’ia ndalte dorën atij që ka ngritur kazmën për rrënim. Nuk më shkon, sepse edhe për artin e skulptorit në fjalë e ruaj atë pjesë respekti që i takon. Shkrova për të kryer detyrën që kryej prej kohësh: d.m.th. për t’i bërë pakëz frymëmarrje artificiale kujtesës historike. Si dhe për të përfunduar me pyetjen: A na tregoni dot, në historinë 100 e pak-vjeçare të këtij shteti tonë, një monument kaq shumëfish historik – të historisë kulturore, të historisë artistike, të historisë sociale, të historisë së albanologjisë, të historisë politike etj. – si ky monument? Pikërisht si ky monument, kundër të cilit është ngritur, me kaq ngërmesë, kazma e rrënimit? Dhe përse është ngritur? Me shfajësimin e nevojës për një “teatër të ri”.

Jo një teatër i ri: dhjetëra teatro të rinj i duhen Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Për artistët po që po, por më së pari për publikun, i cili ka nevojë për to. Kërkesa për një të tillë teatër në Tiranë nuk është gjë e re, ajo ka qenë formuluar qyshkur, ta mësojnë edhe ata që nuk e dinë kur bie qyshkuri. Por ngritja e kazmës ndaj një monumenti shumëfish historik, si ky që u përshkrua, nuk ka kurrfarë lidhjeje me dëshirën e bukur për teatër të ri: as se nuk po e mban karabinaja, as se po i bie karasuvaja, as se po e bren karanxhaja. Edhe sikur një fatkeqësi natyrore, një tërmet disaballësh, ta kishte rrënuar një monument të këtillë, detyra e një shoqërie të qytetëruar do të ishte që atë ta rindërtonte. Edhe sikur atë ta kishte hedhur përtokë një bombardim nga aviacioni armik, – me rreziqet e tij na stërvitnin një herë e një kohë, – ai do të duhej ringritur në këmbë, sikurse i ringriti Varshava e rrënuar nga lufta ngrehinat e veta historike, gjithë përkushtim ndaj kujtesës së kryeqytetit.

Kazma, ç’është e vërteta, i vinte për dore edhe Enver Hoxhës. Me të imitoi, fjala vjen, Revolucionin Kulturor Kinez për dhunën ndaj institucioneve të fesë. Mirëpo, për institucionet kulturore – e vërteta është e vërtetë! – e mbajti dorën. Brezi im i fëmijërisë e kujton se ku ndodhej dikur “Opera”, atje tek patëm fatin të ndiqnim qysh fëmijë “Princeshën e çardashit” ose “Madamën Baterflaj”. Mirëpo, për të bërë një teatër të ri opere, sikurse u bë, diktatori nuk prishi sallën e integruar në kompleksin që iu la Akademisë së Arteve. Për të përballuar mbingarkesën e fondeve të Bibliotekës Kombëtare, kur u ndërtua një bibliotekë e re si pjesë e kompleksit të Pallatit të Kulturës, diktatori nuk rrënoi “bibliotekën e vjetër” të Rrugës së Elbasanit: ajo funksionin ende sot e riorganizuar si bibliotekë e “Librit Europian”. Për të ndërtuar një stadium të ri të sportit – dy të tillë madje – diktatori nuk rrënoi stadiumin ekzistues, atë të arkitektëve italianë, dhe qe ai që vijoi të funksiononte si i “kategorisë së parë”.

Duhet ngulmuar për t’ia kujtuar publikut, të cilit i përket monumenti shumëfish historik, – i historisë kulturore, i historisë artistike, i historisë sociale, i historisë së albanologjisë, i historisë politike të shtetit shqiptar, – kazmën që tanimë mbi të është ngritur. Së paku atij publiku, të cilit i funksionon mekanizmi i kujtesës historike, përndryshe do të ishte fjala për ndonjë publik që nuk i ka në rregull “letrat” e qytetarisë. Kujtesën historike, sidomos në një shtet që sapo ka kaluar të 100-tat, nuk e bëjnë vetëm luftëra dhe revolucione, fitore dhe humbje me zallamahi gjakderdhjesh a vëllavrasjesh. E bëjnë edhe ngjarje e ndodhí si këto që u numëruan, regjistrime pjesëmarrjesh e pjesëdhëniesh në jetën qytetërimore të një shoqërie, në të mirë dhe në të keq. Apo mos do t’u katandiskemi të na e përbëjnë kujtesën historike ato që miku ynë i quajti hidhur “pordhët e ambalazhuara” të politikanëve? Kujtesa historike është pronë e të gjithëve. E të gjithëve, pa asnjë përjashtim. Nuk më besohet të ketë individ që të mos e ndiejë, sikur dhe gjatë një grime të vetme të ekzistimit të tij, që i takon qoftë edhe një thërrime nga kjo trashëgimi, kundër së cilës kazma e ngritur mund të ulej



Aurel Plasari (1956, Tiranë) është profesor, studiues, shkrimtar, përkthyes.


Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s.(21 shtator 2014)
Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli.

Ka filluar të botojë përkthime nga letërsia botërore qysh në moshën 17-vjeçare, gjatë viteve të shkollës së mesme. Pas shkollimit të mesëm ka kryer shërbimin e detyruar ushtarak dhe, duke qenë se për disa vite i mohohej e drejta e studimeve të larta për shkaqe “biografie”, e ka filluar punën në nivelet më të thjeshta të shtypit, si korrektor në shtypshkronjën “Mihal Duri”. Nga viti 1982 ka punuar korrektor letrar në revistën “Nëntori”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Me përfundimin e studimeve të larta më 1989 ka punuar redaktor i letërsisë së përkthyer po aty, ndërsa nga 1990 sekretar i Kolegjiumit të redaksisë në po të njëjtën revistë.

Prej vitit 1990 u ftua si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitet të Tiranës. Pasi kreu më 1991 specializimin pasuniversitar në Universitetin “Alcalá” të Madridit (Spanjë), më 1992 kaloi pedagog ordinar në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, UT, ku ka kryer edhe detyrën e zv.dekanit. Ka dhënë si lëndë ordinare “Histori e estetikës” dhe “Bazat e estetikës”, ndërsa si kurse speciale: “Hyrje në narratologji”, “Teori e receptimit” etj. Më 1994 është doktoruar në fushën e Letërsisë së Krahasuar, e para doktoraturë e kësaj fushe në vend. Nga 1995 më 1996 ka qenë lektor i ftuar në INALCO (Institut des Langues et Civilisations Orientales), Paris. Prej vitit 1996 ka vijuar detyrën në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, UT, për t’u shkëputur më 1998, kur është ftuar të drejtojë Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, detyrë që e vijon ende sot. Në Masterin e Nivelit të Dytë të Shkencës së Bibliotekave, organizuar për herë të parë në sistemin arsimor shqiptar, ka dhënë lëndën e rikonceptuar “Hyrje në albanologji”. Ndërsa më 1995 kishte kryer habilitacionin për “Profesor i asociuar”, prej vitit 2010 mban titullin “Profesor”.

Nga 1990 deri më sot ka marrë pjesë në veprimtari shkencore-akademike kombëtare dhe ndërkombëtare: në USA, Kosovë, Itali, Francë, Spanjë, Rumani, Greqi, Austri, Bullgari, Poloni, Hungari, Çekosllovaki, FYROM etj.

Ka drejtuar edicionin e ri të revistës kulturore “Hylli i Dritës” prej vitit 1993 deri më 1997 (kur u mbyll), si dhe ka qenë dhe vijon të jetë i pranishëm në shtypin e lirë shqiptar, përfshi edhe gazetën “Rilindja Demokratike” prej numrit të saj të parë, me shkrime dhe artikuj të fushave të ndryshme të kulturës, por edhe të politikës. Nga 1990 disa përmbledhje autorësh në zë të traditës, si Fishta, Merxhani, Harapi, Beduli etj. janë përgatitur prej tij, po ashtu ka qenë drejtuar prej tij kolana “Intelligenda” (shtëpia botuese “55”), me kontribues të albano-balkanologjisë, si Jorga, Jirecek, Gelchic, Suliotti, Londres, Konica, Nadin, Xhufi etj.

Në fushën e veprimtarive të kulturës ka drejtuar disa juri kombëtare, si dhe ka marrë pjesë si anëtar në juri kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin jubilar 2012 ka qenë anëtar i Komitetit Ndërministeror të Festimeve të 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

Libra të botuar

Don Kishoti zbret në Shqipëri, Tiranë 1990;
Vija e Teodosit rishfaqet, Tiranë 1993; T. 1995;
Letërsia dhe muret, Tiranë 1993;
Anton Harapi Redimensus, Tiranë 1994;
Kuteli midis të gjallëve e të vdekurve, Tiranë 1995;
Fishta i dashuruari, Tiranë 1996;
Plani i fshehtë për një Internacionale të re, Tiranë 1996;
Përballë një kulture të vdekjes, Tiranë 1997;
Biopolitika: a ekziston në Shqipëri? Tiranë 1999;
Fenomeni Voskopojë, Tiranë 2000;
Dhjetë ditë që nuk tronditën botën (arlekinadë), Tiranë 2001;
Lufta e Trojës vazhdon, Tiranë 2002;
Rrëmbimi i Europës, Tiranë 2005.
Alfabete në Bibliotekë, Tiranë 2008;
Skënderbeu: një histori politike, Tiranë 2010.
Në gjuhë të huaj
Saint Jerôme - fils d’Illyrie, Tirana 1990;
La linea di Teodosio torna a dividere, Bari 1998; Bari 2000;
The Line of Theodosius reappears, New York 2001;
Il ratto dell’Europa, Bari 2009.

Përkthime

L. Hughes: Lumi i vrerit, T. 1976;
J. L. Caragiale: Një letër e humbur, T. 1977;
H. Smirnenski: Të bëhet dritë, T. 1977.
Këngë të popujve, T. 1978 (bashkëpërkthyes);
A. Jozsef: Shoku pyll, buçit, T. 1979;
Muzat në vitin e luftës, T. 1980 (bashkëpërkthyes);
Poetë francezë, T. 1980 (bashkëpërkthyes);
A. Mizkiewicz: Vjersha dhe poema, T. 1980 (bashkëpërkthyes);
F. García Lorca: Jerma, T. 1982;
F. García Lorca: Dasmë gjaku, T. 1985;
Tregime e novela të shek.XX, T.1983 (bashkëpërkthyes);
Antologji e poezisë së re greke, T. 1986 (bashkëpërkthyes);
G. García Márquez: Gjethurinat, T. 1986, Prishtinë 1988;
Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë, T. 1986, Prishtinë 1988;
Një histori me paskuinë, T. 1986, Prishtinë 1988;
Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar, T. 1986, Prishtinë 1988; T. 1999;
Esé dhe shkrime të tjera kritike, T. 1988 (bashkëpërkthyes);
J. Cortázar: Autostrada e Jugut, T. 1988, Prishtinë1989;
F. Dostoiewski: Net të bardha, T. 1990, T. 1995; T. 1999;
Poetë spanjollë të shekullit XX, T. 1991;
M. Sorescu: Një flatër dhe një këmbë, T. 1993;
J. Cortázar: Armët e fshehta, T. 1999;
O. Fallaci: Mllefi dhe krenaria, T. 2001;
A Ahmatova: Përzitje, T. 2003;
A Ahmatova: Poezi, T. 2009;
I. Montanelli: Shqipëria një dhe njëmijë, T. 2003; T. 2005;
C. Malaparte: Teknika e grushtit të shtetit, T. 2006

Çmime dhe nderime

2012, Mirënjohje e Kuvendit të Shqipërisë, në 100-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
2010, Çmimi “KULT”, për përkthimin “Poezi” nga Anna Ahmatova, Akademia “Kult”.
2009, Dëshmi e Mirënjohjes. Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.
2008, "Ordine al Merito della Reppublica Italiana”. Presidenti i Republikës Italiane.
2005, Çmimi “Best Practice”, edicioni I, Për drejtimin e Bibliotekës Kombëtare. Junior Chamber Italiana / Junior Chamber International.
2003 Çmimi “Serembe”. Për librin “Lufta e Trojës vazhdon”. Fondacioni “Serembe”.
2000 “Penda e Argjendtë”. Për përkthimin e librit “Armët e fshehta”, Julio Cortazar; Ministria e Kulturës.
1993, Çmimi “Përkthimi më i Mirë Letrar”. Për librin “Një flatër dhe një këmbë”, Marin Sorescu. Ministria e Kulturës.
1989, Urdhri “Naim Frashëri” “Për kontribut të veçantë e me nivel të lartë artistik në fushën e përkthimeve letrare”. Presidiumi i Kuvendit Popullor.

No comments:

Post a Comment