2018-07-07

Bisedë më Havzi Nelën

REXHEP SHAHU

DUHET ME PASË BOLE ME QENË POET

I dashur Havzi, më pyete pse jam mërzitë.
Jo nuk jam mërzitë, por po detyrohem, po më detyrojnë me shkrue ca gjëra që nuk kam dashtë me i shkrue, Havzi. Po më detyrojnë me i shkrue. Po më nxisin. Po zgjojnë me përdhunë në mua inatin.
Unë nuk e kthej dot faqen tjetër Havzi. Edhe për inat të tyre përdori edhe fjalë që i quajnë të pista, si fjala bole. Që të thonë shokët e partisë e të birosë, shiko sa pa nivel dhe i pa edukatë që është ky Rexhepi.
Ata që të urrejnë ty Havzi, që më urrejnë mua, që urrejnë kryetarin e bashkisë Kukës Bashkim Shehun, që urrejnë shkrimtarët që erdhën e të nderuan në Kukës, që urrejnë gjithë autoritetet politike e morale që erdhen e të nderuan në Kukës, pra këta njerëz hije Havzi janë pak por dinë kanalet e sigurimit të shtetit dhe aktivizojnë gjithë spiunat e bashkëpunëtorët e dikurshëm të sigurimit të shtetit me përhapë helmin e tyre, injorancën e tyre, ligësinë e tyre.
Havzi, urrejtja ua ka erërsue sytë dhe nuk dinë ti shohin mirë njerzit që ishin në ceremoninë e inaugurimit të bustit tënd. Ceremonia ishte e lirë për qytetarët, e zbukuruan shkrimtarët, ishte dinjitoze, elitare, duhej të ishe meritor moralisht që të guxoje të merrje pjesë në atë ceremoni që e drejtova unë se më ka hije me e drejtue, di me e drejtue dhe di me u krenue qe di me e drejtue. Ndërsa sesionin përkujtimor me shkrimtarët në salle e drejtuam bashkë me poetin Agron Tufa, që ëshët i bekuar prej perendisë duke qenë poet, ëshët i përndjekur politik, kreu i Institutit të studimeve të krimeve të komunizmit me të cilin kemi konsultuar veprimtarinë.
Ata që të urrejnë ty Havzi nuk lejojnë as durojnë as pranojnë që ti të shpallesh shkrimtar. Pikë. Ky është thelbi i urrejtjes, shkaku i saj. Fjalët e tjera të llomta janë veshje koti.
Disa nga ata urrjetësit e tu, që të janë lëpi, janë fatkeqë sepse kujtojnë se të jesh poet është sëmundje ngjitëse, kujtojnë se ngaqë kanë ndenjur ndonjëherë më ty ti duhet t’ua kesh ngjitur si gripin poezinë, duhet t’i kesh bërë poet pse kanë thithë të njetin ajër me ty. Nuk është ngjitëse poezia as qenia as bërja poet. Është fat, privilegj hyjnor.
Unë tashmë jam bërë zëdhënës jo zyrtar i yti Havzi, pa dëshirën e pronarëve të tu. Dhe si zëdhënës i yti duhet të jem i qartë e të flas sa më shkurt. Por unë flas si dua e shkruaj çfarë dua dhe nuk jap llogari te partia se çfarë bisedoj me ty…
Ne akoma nuk u kemi treguar njerzve asgjë për Spaçin ku ishim bashkë para se të hypje në piedestal. As për historitë e tua në Spaç kur u the se nuk koritet Havzi Nela për dy pika gjak dhe ua shkele thikën me këmbë…
Ty Havzi të durojnë disident, antikomunist, antienverist, rrebel, të durojnë çfarë të duash ti, por nuk të durojnë poet, nuk mundesh e nuk duhet që ti Havzi Nela të jesh poet, të njihesh si i tillë, të të duan e të të pranojnë si të tillë shkrimtarët kryesorë të vendit, të vijnë në përurimin e bustit tënd shkrimtarët kryesorë të vendit, të flasin me konsiderata e ndjesa maksimale për ty shkrimtarët kryesorë të vendit, të artikulojnë me gojën plot “poeti martir Havzi Nela”, “poeti Havzi Nela”, “poeti i lirisë Havzi Nela”.
Kundërshtarët e tu si bolla në prush përdridhen nga urrejtja për ty. Ti Havzi nuk duhet të jesh poet sepse poeti është pavdeksia, ata e dinë, e vuajnë që nuk janë vetë dhe nuk tolerojnë të jesh as ti.
Havzi, po të mos ishe poet, ty do të të donin të gjithë, do të të pranonin të gjithë, ty poet nuk të duan, nuk të durojnë. Por ti je poet, çfarë të bëjmë, kjo është fati yt e fatkeqësia e atyre që të mallkojnë Havzi.
Havzi, të jesh poet, ti e din mirë tashmë, duhet me pasë bole. Ti ke qenë bolemadh Havzi se ke qenë poet në burg. Fjalët e tua në gjyq në Rreshen janë poezi madhështore. Duhej me pasë bole me i deklarue ato fjalë. Tani 30 vjet pas burgut edhe të tjerë thonë se do i kishim thënë, por nuk i thanë kurrë ato fjalë, nuk i shkruan kurrë ato poezi.
Të jesh poet duhet me pasë fuqi me dashtë, me dashtë shumë, duhet mos me pasë fuqi me urrye, duhet me qenë dashnor i madh. Ti Havzi ke dashtë shumë gruan tënde, i ke kushtuar shumë poezi të bukura, por edhe të kanë dashtë shumë vajzat dhe gratë. Ke qenë dhe je i bukur, shumë i bukur, shumë i zoti. Ti ke ditë me u djegë e përvëlue për dashurinë, për fjalën, për poezinë, ti e ke marrë shumë seriozisht poezinë, krijimtarinë.
Gjeografia e interesave të poezisë tënde është e jashtëzakonshme Havzi. Ti i këndove lirisë, burgut, izolimit, i këndove Helsinkut i pari, Kosovës, Drenicës, herojve, mallit, dashurisë.
Havzi, gjithë sjellja e jeta jote janë prej poeti. Ata që të urrejnë nuk e kuptojnë këtë gjë se nuk duan ta kuptojnë, nuk kanë inteligjencën ta kuptojnë, nuk i lejon urrejtja ta kuptojnë.
Ti Havzi ke qenë dashnor i madh i lirisë. Ti ke sakrifikue si askush për dashurinë dhe lirinë. Ti nuk ke shkrue letra spiunimesh as në burg as jashtë burgu, as gjykatës as Kuvendit popullor, ti nuk ke shkrue letra mëshire, por letra dinjiteti, letra dashurie, poezi dinjiteti, poezi dashurie.
Havzi ata që e dinë, e dinë, ata që s’e dinë, s’e dinë, të jesh poet është bekim e mallkim i bukur, është privilegji më i bukur që zoti mund ti japë robit në tokë. Ata që nuk e kanë këtë privilegj e besim të urrejnë ty e të mallkojnë Havzi. Poetët kanë fatin të kopjohen, të imitohen. Edhe nga drejtuesit politikë gjithmonë janë kopjuar se poetët janë zotat e tokës.
Ti e ke përjetuar apo jetuar Havzi ose e ke ndjerë atë që i thoshte Kadaresë Lazgush Poradeci se “Poeti përgjigjet për çdo gjë. Poetit i lejohet çdo gjë…”.
Shokët e tu Havzi që të kanë rivalizuar gjithmonë por veç kanë shpallë shëmtinë e tyre, i harxhuan lekët e burgut duke paguar njerëz që t’ua shkruajnë librat për tu shpallë e për tu bërë shkrimtarë, duke paguar gazetarë që t’ua shkruajnë librat, që t’ua shkruajnë poezitë dhe veç të shpallen poetë, ta fitojnë këtë privilegj hyjnor. Këto libra të porositur nga ata që të urrejnë ty Havzi, që shkruhen me pagesë më kujtojnë këtë shkrim të shkurtër të Gjergj Fishtës për librat pa vlerë ose për librat e dëmshëm, shkrim që po e vendos këtu Havzi që ta lexojnë poetët e shpikur që të rivalizojnë dhe që ta urrejnë edhe bustin:
“Me ditë me mbajtë penën në dorë, nuk do me thanë, me kenë i zoti me shkrue libra, vjersha, artikuj e revista të hijshme e të dobishme. Edhe kasapi e mban thikën në dorë e pret mish si kirurgu. Por “hanë” kasap e “hane” kirurg !”.
“Po të isha vetë kryeministër, po ju kallxoj të drejtën, se ma fort do të kisha ra në mendime për ekzistencën e shtetit prej botimit të një libri imoral, se sa prej një kryengritje sado mirë të organizume.
Pa moral, një moral të shëndoshë – të thotë ç’ka të thotë Ministria e Arsimit – s’mbahet shtet në kambë. Tash çfarë morali mund të thuhet, se ka një popull, në mes të të cilit dhuna, palavia, flligshtia ma të poshtra mbrrijnë me botue për përdorim të masës së re? Në atë popull jo veç se s’ka moral, por duhet thanë se ka hupë edhe kuptimi i moralit.”
Por kur të ka dënuar zoti që të mos jesh poet, të mos jesh shkrimtar, edhe po të harxhosh lekët e 100 viteve burg po deshe, edhe po të harxhosh gjithë të ardhurat e fëmijëve emigrantë, gjithë të ardhurat e familjes, nuk bëhesh dot kurrë shkrimtar, poet kur je bir i urrejtjes.
I dashur Havzi! Ti e di mirë se të bësh poezi nuk është si me mbjellë e me shitë duhan me kile. Me palue lapa duhani, me i tha e me i shitë nuk është njëlloj si me ba poezi. Ata që vajtojnë që s'janë poetë si ti, kështu kujtojnë. Dhe ata që nuk janë poetë duhen më shumë mes tyre, ata që nuk janë në fat asgjë ose janë dështakë në jetë, ata duhen më shumë mes tyre dhe urrejnë të suksesshmit…
Si parantezë Havzi, kisha nje pyetje: kur ishe i internuar në Arrën, pse nuk të dha partia autorizim me ble televizor. Se ato kohë televizori blihej me autorizim që ta jepte partia. Nuk kishte televizione për popullin dhe jepeshin me autoriozim për njerzit që donte partia edhe për të internuarit specialë që i donte partia e që i kishte xhan.
Të intrernuarve të zgjedhur që i donte partia u jepte autorizim me ble televizor. Po ty Havzi pse nuk të dha partia autorizim me ble televizor. Apo edhe kjo do të thotë se ti nuk ishe i internuar i zgjedhur i partisë, nuk të kishte xhan partia siç kishte të internuar xhan, të burglosur xhan që i shërbenin partisë me dinjitet dhe ajo u jepte autorizime ...
Po vlon kazani i urrejtjes kundër bustit tënd Havzi siç ka vluar urrejtja kundër teje 30 vjet.
Fajin e ke ti vetë që je poet, duroji flakët e ferrit. Po të mos ishe poet, do ishe si të tjerët. Ata që nuk janë poetë të urrejnë sepse kujtojnë se pse të kanë njohur, të kanë parë nga afër, ti duhej t'ua ngjisje poezine si gripin, si flamën, por të qenit poet nuk është ngjitese, nuk është sëmundje ngjitëse.
Havzi, ca njerëz që vuajnë dhe duan të jenë të lavdishëm e të famshëm si ti, kujtojnë se të jesh poet është zanat, është zeje si me ndërtue mur guri ose si me mbjellë e me shitë duhan. Të jesh bujk a tregtar duhani nuk do të thotë se je poet.
Në vargjet e tua pikon gjak shpirti Havzi, ne vargjet e atyre që duan të të ngjajnë, që i shkruajnë 30 a 40 vjet pas burgut vargjet e tyre, aty veç poezi nuk ka.
Hë, a të dha kush autorizim si i internuar i dalluar apo si i internuar që kujdesej partia, a të dhanë autorizim me ble televizor...
Duke mos u bërë dot i tillë, duke mos arritë me hy në sofrën e shkrimtarëve atëhere derdhet urrjetje ndaj teje Havzi. Po letrat e urrjetjes ndaj teje Havzi janë letërsi e keqe, nuk janë letra dashurie e letërsia është dashuri mbi të gjitha, dashuri për njeriun.
Urrejtësit e tu Havzi, ata që nuk të durojnë dot në piedestalin e nderit e të lavdisë, të dinjitetit e krenarisë, më kanë dëgjuar kur kam thënë duke cituar mikun tim Lazër Stani se ka ish president, ish kryeministër, ish kryetar, ish dreq po të duash, por nuk ka kurrë ish shkrimtar. Pra të jesh shkrimtar është më hyjnorja. Ata që të urrejnë nuk e kanë këtë cilësi, këtë fat, ti e ke Havzi dhe ndaj të urrjenë kaq egër e pa mëshirë.
Liliputëve që të urrjnë ty Havzi unë u them se ti nuk ua zë diellin, por janë të vegjël e dielli i lavdisë nuk i sheh, janë si morra dhe nuk i sheh dot dielli i famës së ëndërruar.
Ti Havzi nuk pengon askënd që të ndertojnë memoriale, shtatore, përmendore, “buste me libër në dorë”, “buste në këmbë”, “buste me dorë lart”… ti nuk pengon askënd që t’u bëjnë buste e përmendore e shtatore e memoriale gjithë të vdekurve e të gjallëve, gjithë spiunave të pushtuesve, sidomos spiunave të serbëve. Lejohen gjithë bustet përmendoret shtatoret memorialet për cilindo, veç për poetin Havzi Nela nuk lejohet.
Lejohen nga urrejtjësit e tu Havzi të bëhet përmendore buste a shtatore a memorial edhe për ata që kanë bërë krime monstruoze e masakra në fshatra ndaj të afërmëve të tyre, por nuk lejohet busti yt Havzi se je poet Havzi me vargjet e tua që i ke shkrue vetë në burg, që të kanë parë dhe e kanë ditur se je duke shkrue poezi, që nuk i ke dhënë lekë askujt me ti shkrue fletoret siç urrejtësit e tu paguajnë lekë që t’u shkruhen librat dhe veç vendosin emrin e tyre në kopertinë të librit që ua shkruan tjetër kush.
Ata që të urrejnë ty janë gati ta kallin botën pse të don ty, janë gati të fusin vrasje e  përçarje në mes njerzve të tu Havzi se këtë gjë kanë bërë 50 vjet kundër teje, 30 vjet pas varjes tënde. Janë gati të ndezin gjakmarrjen mes njerzve të tu që i kanë përça tmerrshëm.
Havzi, ti kishe në fisin tënd 46 njerëz të internuar në kampin e famëkeq të Tepelenës e të Beratit dhe familja jote nuk e kishte luksin e besimin e të qenit bazë e Nacionalçlirimtares...
Ti nuk hyrë në burg se ishe komunist apo djalë i dashur i partisë dhe partia nuk të çoi në burg që të bëhëshe djalë i mbarë i familjes që don partinë. Jo ti nuk e deshe partinë që në krye të herës dhe e provove me arratisje herët kur ata që të urrejnë ty i mbante partia në gji.
Mos ji poet Havzi që të të duan. Mos pengo njeri Havzi që të ndërtojnë buste e përmendore për të tërë. Mos pengo përçarësit të përçajnë ende njerzit e tu Havzi dhe lejomë mua që të fus në listën e shkrimtarëve ndonjë jo shkrimtar.
Sot në këtë shkrim Havzi nuk po e publikoj listën e shkrimtarëve të ftuar për ty në Kukës. Ata që janë ftuar e kanë ftesën që ua kam dërguar në emër të Bashkisë Kukës, nënshkruar nga kryetari i bashkisë, me e-mailin tim ose në inbox të Fb mesazhin tim ftesë. Do e publikoj ditë tjetër listën e shkrimtarëve të ftuar që ishin në Kukës. Ata që duan të shpallen shkrimtarë dhe që vuajnë mungesën e një ftese si shkrimtar, le të shohin ëndrra me shkrimtarë.

(fragment nga libri im në proces “Bisëdë më Havzi Nelën – shkrime të miat”)

No comments:

Post a Comment