2018-07-09

Erdogan - Sulltani i parë i Turqisë moderne


Pasi presidenti Erdogan të bëjë betimin në Ankara të hënën (09.07) Turqia kalon nga sistemi parlamentar në sistemin presidencial. Të dielën me dekret ai liroi nga detyra më shumë se 18.600 nëpunës të shtetit, mes tyre 9000 policë, rreth 6000 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 199 akademikë. Ky është ndoshta dekreti i fundit para heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme që pritet pas ngjitjes së tij në post.
Erdogan - Sulltani i parë i Turqisë moderne
Kanë kaluar 13 vjet që kur AKP dhe themeluesi i saj, Erdogan erdhën në pushtet. Fillimisht dukej sikur ishin vitet e demokracisë, lirisë së mendimit dhe paqes shoqërore. Por tani Turqia po i jep kompetenca të jashtëzakonshme një presidenti autoritar, me tendenca gjithnjë e më shumë islamiste dhe nacionaliste. Me shfuqizimin e funksionit kontrollues të parlamentit ai merr pushtetin e vetëm për të vendosur mbi ekzekutivin. E përmes kompetencës së përcaktimit të anëtarëve më të lartë të aparatit të drejtësisë, ai do mund të kontrollojë kështu edhe drejtësinë.

Pa krahasim me SHBA dhe Francën

Ersin Kalaycioglu nga Qendra Politike e Universitetit Sabançi të Stambollit thotë se nuk është ende e qartë, si do të ndryshohet sistemi. "Deri më tani sistemi i ri është diskutuar me ne vetëm në vija të trasha. As opinioni publik dhe as studiuesit nuk i njohin detajet."

Erdogan ka përsëritur shpesh se edhe demokraci të tjera kanë sistem presidencial. Por sistemi presidencial i Turqisë ndryshon nga ai francez apo amerikan. Kështu për shembull në SHBA presidenti nuk e ka kompetencën të shpërbëjë kongresin. Erdogan mund ta bëjë këtë dhe të shpallë zgjedhje të reja. Në Francë i përcakton parlamenti anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, në Turqi përkundrazi i merr presidenti vendimet që prekin këtë gjykatë të rëndësishme.

Studiuesja Ersin Kalaycioglu kujton tiparet autokrate të sistemit presidencial në Turqi. "Si në sistemin amerikan ashtu edhe atë francez kemi një shoqëri të mirëformuar civile. Këtë ne nuk e kemi."

Po ashtu Erdogani në të ardhmen mund të operojë edhe me dekrete presidenciale. Deri më tani ai lejohej ta bënte këtë vetëm në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme. Por tani Erdogani mund ta minojë në çdo kohë judikativen. Duket e pamundur që të funksionojë një sistem i pavarur dhe jo partiak i drejtësisë. Sipas politologut turk, Dogu Ergil ndarja e pushteteve dhe pavarësia e drejtësisë, kaq të rëndësishme për demokracinë janë faktikisht të shfuqizuara me sistemin e ri.

Rreziku ultranacionalist

Ende nuk dihet, nëse aleanca që Erdogani mbylli me partinë nacionaliste, MHP do t'i shtojë tensionet në vend. Shumë vetë mendojnë, se qëndrimi i ashpër i MHP sidomos në çështjen kurde dhe refuzimi i disa vlerave demokratike, do të krijojë një atmosferë edhe më nacionaliste në Turqi. Erdogan ka nevojë për MHP për të siguruar shumicën në parlament. Kjo mund të kthehet në pengesën kryesore për zgjidhjen e problemit kurd dhe afrimin e Turqisë më Bashkimin Europian.

Interes të madh paraqet edhe e ardhmja e zhvillimit të marrëdhënieve me Perëndimin. Në vitin 1999 Turqia ka shtruar zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në BE, në 3 tetor 2005 filluan negociatat. Por në 13 vitet e fundit nuk është arritur ndonjë progres për t'u shënuar. Dhe me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme para dy vjetësh, ato faktikisht janë ndalur.

Kriza e re Turqi-SHBA

Kati Piri, raportuese e Parlamentit Europian për Turqinë është shprehur për një ndalimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit. Në një kohë që marrëdhëniet BE-Turqi rrezikojnë të ngrijnë, një krizë tjetër është shfaqur edhe në marrëdhëniet me SHBA. Ka disa pika që i rëndojnë ato: Fetullah Gülen, që bëhet përgjegjës për puçin ushtarak nga Erdogan jeton në SHBA. Uashingtoni punon me krahun e armatosur kurd të Sirisë, YPG, por që nga Turqia shihet si organizatë terroriste. Turqia po ashtu kërkon të blejë raketa S-400 nga Rusia, megjithë anëtarësinë në NATO. Të gjitha këto çështje i kanë futur në qorrsokak marrëdhëniet SHBA-Turqi.

Politologu Dogu Ersil i referohet edhe një sondazhi të fundit në Turqi: Sipas tij, SHBA është në Turqi më e papëlqyer se në Iran. Në shoqëri po përhapet një qëndrim gjithnjë e më armiqësor ndaj SHBA dhe BE, thotë Ergil, pavarësisht politikës së Erdoganit.(DW)


*****


Floripress:




Kush është Rexhep Taip Erdogan?



Rexhep Taip Erdogan është lindur më 26 shkurt 1954 në Stamboll është politikan turk, kryetari i Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit dhe presidenti i Turqisë.

Erdoani ishte futbollist gjysmë-profesionist dhe ka luajtur për Klubin Sportiv “Kasımpaşa”, në vitet 1969–1982.

Pas Grushtetit më 12 Shtator 1981, Erdogani u bë pjesë e Partisë Refah.

Në vitin 1994 Erdogani ishte kandidat për Kryetar Komune të Stambollit, ku në këto zgjedhje, u zgjodh Kryetar Komune të Stambollit.

Gjatë kohës së qeverisjes së tij si Kryetar Komune të Stambollit, ai luftoi për asgjësimin e kontrabandave në Stamboll.

Në vitin 1998, ai u shkarkua nga detyra dhe u dënua me 10 muaj burgim, pasi ai recitoi një poemë fetare në Sirt.

Duke braktisur politikën e hapur islame, Erdogani në vitin 2001 themeloi Partinë e Drejtësisë dhe Zhvillimit, me të cilën arriti që në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura pothuajse pas një viti, të fitoj afro dy të tretat e vendeve në parlamentin turk.

Ndërsa gjatë viteve 2003 -2014 ka shërbyer si kryeministër i Turqisë.

Me të ardhur në pushtet, Erdogan ka shprehur haptas Politikën e Turqisë për Bashkimin Evropian. Ka nënshkruar disa marrëveshje me Bashkimin Evropian, dhe ka bëre ndryshime ligjore në favor të bashkëjetesës sociale dhe kulturave. Insistimet e Turqisë për të anëtarësuar në BE, bëri një përshtypje të re që Turqia u orientua kah Perëndimi.

Marrëdhëniet e Qeverisë së Erdoganit me Izraelin ishin të tensionuara, mbasi Izraeli vazhdonte një politikë kundër Palestinezëve. Në Panelin e Davosit të mbajtur në vitin 2009, Shimon Peres, President i Izraelit duke u drejtuar Erdoganit tha “Çfarë do të bënit ju, në qoftë se çdo natë ne Stamboll do të bëhej sulm me raketa”.

No comments:

Post a Comment