2018-07-06

EULEX: Gjykimet e reja penale do të kryhen nga autoritetet e Kosovës

Image result for eulex
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, që nga mesi i qershorit  të 2018-tës siç dihet ka mandat të ri këshillëdhënës, por, megjithëkëtë, në raste të caktuara, mund të ushtrojë edhe funksion ekzekutiv.

Në EULEX thonë se institucionet kosovare janë të gatshme të kryejnë punën e tyre. Një gjë të tillë e tha për Radio Kosovën edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Misioni i EULEX-it, i ardhur në Kosovë para dhjetë vjetësh për të ndihmuar vendin në fushën e rendit dhe të ligjit, që nga mesi i qershorit ka ndryshuar mandatin.

Lidhur me mandatin e ri të EULEX-it, për të cilin shpesh u tha se do të luftojë “peshqit e mëdhenj”, flet për Radio Kosovë zëdhënësja e këtij misioni, Donika Berisha – Rizaj, sipas të cilës mandati aktual i EULEX-it, nuk është vetëm monitorues.

“Në kuadër të mandatit aktual, Misioni i EULEX-it, do të zhvillojë aktivitete të monitorimit si dhe do të ketë funksione ekzekutive të kufizuara. Të gjitha këto do të zbatohen përmes njësisë për monitorim dhe asaj operative”, tha Berisha – Rizaj.

Sipas zëdhënëses së EULEX-it, edhe pse tashmë të gjitha hetimet dhe gjykimet e reja penale do të kryhen nga autoritetet e Kosovës, në raste të caktuara, e në rrethana të jashtëzakonshme rastet mund t’u caktohen prokurorëve apo edhe gjyqtarëve të EULEX-it. Por, në këtë mision, besojnë se institucionet kosovare tashmë janë të gatshme të kryejnë punën e tyre. Njëjtë mendon edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Konsideroj se ne jemi të përgatitur mjaftueshëm që proceset e tilla t’i implementojmë vetë, pa pasur nevojë të kemi prokurorë, gjyqtarë apo policë përbrenda sistemit tonë, qoftë prokurorial apo gjyqësor. Ne jemi ata të cilët do të arrijmë t’i përmbushim obligimet tona si institucione.”

Sipas ministrit Tahiri, sistemi kosovar i drejtësisë nga EULEX-i ka përfituar mjaft shumë. Por, përderisa në EULEX thonë se ky mision ka arritur rezultate konkrete në Kosovë, puna e tyre shpeshherë është kritikuar nga shoqëria civile.

Për Ehat Miftarajn, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, EULEX ka dështuar të përmbushë misionin e tij.

“EULEX-i fatkeqësisht e ka tradhtuar besimin e popullit të Kosovës por edhe të institucioneve, të cilët kanë pasur pritje jashtëzakonisht të mëdha. Ky mision fatkeqësisht nuk ka arritur të përmbushë mandatin dhe misionin e tij”, tha Ehat Miftaraj.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, në Kosovë është vendosur në vitin 2008 dhe kishte për synim të ndihmojë vendin në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Nga 14 qershori ky mision nuk ka mandat ekzekutiv, por vetëm monitorues. EULEX me mandatin aktual në Kosovë do të jetë   deri më 14 qershor 2020.

No comments:

Post a Comment