2018-07-14

“Fjalori frazeologjik rusisht-shqip” i Prof.dr. Eshref Ymerit - vepër madhore e leksikografisë sonë dygjuhëshe



Prof.Dr.Hajri Shehu ka lindur më 10 qershor 1942 në fshatin Vlosh të qarkut të Dibrës. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Peshkopisë. Gjatë vitit 1961 ka qenë student i Istitutit të gjuhëve lindore në Moskë. Pasi Hrushovi i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me vendin tonë, ai u kthye në atdhe dhe në vitin 1965 i përfundoi studimet e larta në degën e gjuhës angleze të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në periudhën mes viteve 1965-1966 dhe 1968-1970, ushtroi detyrën e mësuesit të gjuhës angleze në qytetin e Peshkopisë. Meqenëse gjatë kësaj periudhe kishte shfaqur interesim të veçantë në lëmin e studimeve gjuhësore, drejtori i Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. Androkli Kostallari, u interesua në strukturat përkatëse shtetërore për ta tërhequr në Institutin në fjalë. Kjo u bë e mundur në vitin 1971, kur ai filloi punën në sektorin e leksikografisë të Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë pranë Akademisë së Shkencave. Në këtë Institut ai punoi vite të tëra (1971-1993, 1997-2010), deri sa doli në pension.(Floripress)



image


Nga Prof.Dr. Hajri Shehu


Image result for fjalori shqip rusisht i eshref ymerit

Kohë më parë doli nga shtypi “Fjalor frazeologjik rusisht-shqip”. Fjalori është vepër madhore e leksikografisë sonë dygjuhëshe (leksikografia është teoria dhe praktika e hartimit të fjalorëve) edhe për nga vëllimi, edhe për nga përmbajtja, edhe për nga ndërtimi e barasvlerësia (ekuivalenca) shqipe. Ai është rezultat i një pune të madhe shumëvjeçare të autorit dhe i një përvoje të gjatë si hartues e redaktor fjalorësh, si përkthyes me shkrim nga gjuha ruse në gjuhën shqipe e nga gjuha shqipe në gjuhën ruse, si pedagog i gjuhës ruse në Universitetin e Tiranës dhe si hartues tekstesh mësimore universitare të gjuhës ruse. Kësisoj, profesor Eshref Ymeri e njeh me rrënjë e me degë gjuhën ruse. Gjithë këtë përvojë e gjithë këtë njohje ai e ka vënë në shërbim të Fjalorit. Këtë e tregon çdo faqe e Fjalorit e çdo artikull i Fjalorit.


Image result for fjalori shqip rusisht i eshref ymerit

Akademik Prof.Dr.Eshref Ymeri 

Fjalori përfshin 25160 shprehje frazeologjike, fjalë të urta e proverba të gjuhës ruse. Barasvlerësit në shtyllën e gjuhës shqipe e tejkalojnë shumë këtë numër sepse autori ka dhënë shumë sinonime frazeologjike. Në parantezë: Ato mund të jenë një lëndë thuajse e gatshme dhe e sigurt për një fjalor frazeologjik sinonimik të gjuhës shqipe.

Ky është fjalori i parë frazeologjik dygjuhësh me gjuhën shqipe me këto përmasa e me këtë lëndë. Fjalori paraprihet nga një "Hyrje" e autorit, e cila është një studim i mirëfilltë shkencor në fushën e frazeologjisë e të pasqyrimit të saj në fjalorë. Ajo është ilustruar me shembuj për çdo rubrikë a çështje, çka e bën atë edhe një udhërrëfyes shumë të këndshëm për përdoruesin e fjalorit.


Nga një konsultim që çdo hartues fjalori mund ta bëjë me fjalorët e përgjithshëm shpjegues e frazeologjikë të rusishtes, del se në Fjalorin e prof. Eshref Ymerit, frazeologjia e gjuhës ruse standarde është dhënë në sistem e me të gjitha vlerat e saj. Nga lënda që pasqyrohet në Fjalor, shihet shumë qartë se autori ka qëmtuar e ka vjelë shkencërisht gjithë fondin frazeologjik të gjuhës ruse standarde dhe të gjuhës shqipe standarde. Më shumë se kaq, shihet qartë se autori ka qëmtuar e ka mbledhur shprehje frazeologjike të shqipes, siç mbledh bleta nektarin e luleve. Jo gjithkush mund ta bëjë këtë për një fjalor dygjuhësh, me shqipen si gjuhë përkthimore. Ky është mielli i situr në sitë mëndafshi. Domosdo, buka do të dilte shumë e mirë.

Fjalorët bëhen edhe për të diturit, edhe për më pak të diturit. Dhe autori e ka pasur parasysh këtë. Prandaj struktura e Fjalorit të tij është e thjeshtë e për këtë arsye, edhe udhërrëfyese: Jepet fjala që është vatër e frazeologjisë. Vihet një katror i vogël si shenjë ndarëse. Pas tij vijnë shprehja frazeologjike, fjala e urtë a proverbi, përkthimi i drejtpërdrejtë në thonjëza, barasvlerësi në gjuhën shqipe dhe ndonjë e dhënë enciklopedike për motivimin a historikun e njësisë. Kur ka disa a shumë frazeologji që kanë një vatër kuptimore (a janë edhe sinonime), renditja bëhet alfabetikisht sipas fjalës së parë.

Frazeologjia jepet vetëm një herë, siç u tha, te vatra kuptimore. Përkthimi i drejtpërdrejtë fill pas frazeologjisë ruse përafërson njësinë e huaj, strukturën e gramatikën e shprehjes etj. Mbase, është dhe një mënyrë për t’i thënë përdoruesit se si mund ta futë në përdorim.

Në fund të fundit, është një ndihmë për përdoruesin e Fjalorit, sepse është njëherësh edhe përkthim i fjalëve të rusishtes, që përbëjnë frazeologjinë, fjalën e urtë a proverbin. Shpjegimet enciklopedike për historikun e kësaj a të asaj shprehjeje frazeologjike, fjale të urtë a proverbi janë, vërtet një informacion i gjerë kulturor.

 Fjalorët janë libra referimi. Por ky Fjalor është shumë më shumë se kaq. Ai mund të lexohet, madje, me shumë ëndje. Edhe për këto shpjegime enciklopedike.

Në teorinë dhe praktikën e hartimit të fjalorëve dygjuhësh gjithnjë bëhet fjalë për përkthim, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës nga gjuha burimore në gjuhën përkthimore. Një ndër rrugët e përkthimit dhe më kryesorja është gjetja e barasvlerësit frazeologjik. Është punë e vështirë. Edhe për fjalët ka vështirësi gjetja e barasvlerësit e jo më për frazeologjitë.

Vështirësia vjen sepse ka një lidhje të ngushtë midis gjuhës dhe kulturës dhe frazeologjitë janë simbole të kulturës (p.sh., frazeologjia djesjatnaja vina vinovata “faji i dhjetë është fajtor” lidhet me mënyrën e ndëshkimit me short në Rusi / 1693-1740). Vështirësia vjen edhe nga vetë natyra e frazeologjisë si njësi gjuhësore e figurshme, nga ndryshueshmëria e gjuhëve në strukturën fjalësore dhe kuptimore (krahaso, p.sh., utro vjeçera mudrenjeje në rusisht dhe ditë e re, nafakë e re në shqip), nga mënyra e motivimit të frazeologjive (shih, p.sh., në këtë Fjalor: villami na vadje pisano (shkruar me sfurk në ujë) dhe në shqip shkruar mbi rërë (akull); koshka, katoraja guljajet sama na sjebje(mace që shëtit në qejfin e vet) dhe në shqip njeri kokë më vete; koshkami pallaskat (e shpëlaj me kamxhik dikë) dhe në shqip ia bëj kurrizin (shpinën) më të butë se barkun etj.). Problemet përkthimore në fjalorët frazeologjikë dygjuhësh janë të ndryshme e më të ndërlikuara sesa në fjalorët njëgjuhësh, sepse këta të dytët hartohen për përdorues që e njohin kulturën që përshkruhet, kurse të parët hartohen për përdorues që nuk e njohin kulturën që përshkruhet e që dallon në përmasa të ndryshme nga kultura e tyre.

Kësisoj, te frazeologjitë, barasvlerësi i përputhshëm maksimal nuk është gjithmonë i mundshëm. Nuk është i mundshëm edhe për arsye se gjuha përkthimore ka mënyrën e vet origjinale të krijimit të mjeteve formale dhe përmbajtjesore, por është e ndërvarur nga gjuha burimore e prandaj, nuk është gjithmonë e lirë t’i zgjedhë këto mjete formale dhe përmbajtjesore. Por kjo nuk do të thotë që barasvlerësia frazeologjike është krejt e pjesshme dhe asnjëherë e plotë a e përsosur. Kjo mund të vërtetësohet me “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip” të prof. Eshref Ymerit. Shih, p.sh. zhivmja zhit = ngrin e mbin te dikush a diku, ngulet e s’shkulet prej dikujt a prej diçkaje; kak v kotle kipjet (varitsja) = më zien koka, s’kam nge të marr frymë; gadat na kafjejnoj gushçe = i bën petullat me ujë, sheh ëndrra me sy hapur (me sy çelur, në diell, në mes të ditës, zgjuar).

Gjetja dhe zgjedhja e barasvlerësve në gjuhën shqipe ka qenë detyra kryesore e hartuesit të Fjalorit. Siç u tha, frazeologjitë bëjnë pjesë te njësitë kulturore. Në raste të tilla mund të pranohet njëfarë përshtatjeje. Autori nuk ka gjurmuar përshtatjen. Ka gjurmuar dhe ka gjetur barasvlerësin, që e mbulon plotësisht kuptimisht e stilistikisht njësinë e huaj në një fjali a kontekst të shqipes. Autori ka analizuar shterueshëm e me kujdes të madh përmbajtjen e frazeologjisë ruse, për të dhënë barasvlerësin e saktë e për t’i vënë në kontekste ligjërimore shqipe.

Shih, p.sh, shkojnë (venë) si macja me miun – barasvlerësi në shqip ka përputhje të plotë kuptimore me njësinë frazeologjike ruse zhit kak koshka s sobakoj dhe e zëvendëson plotësisht atë në një kontekst përkthimor shqip; po kështu, edhe pikë e dobët e dikujt a e diçkaje me sllaboje mjesto kavo-çevo; rrjedhje e trurit me utjeçka mozgov (umov) etj. Ky është treguesi i barasvlerësisë maksimale. Përmbajtja kuptimore kombëtare e rusishtes ka ardhur me përmbajtjen kuptimore kombëtare të shqipes.

Kjo do të thotë që në Fjalor nuk ka përkthim të fjalëpërfjalshëm, përveçse, siç u tha, në rastin kur autori ka dashur të motivojë kuptimisht a historikisht njësinë. Nëse një përkthyes nga gjuha ruse do të këshillohej me këtë Fjalor, nuk do të kishte probleme e pasaktësi përkthimi në punë frazeologjish.
Në një fjalor frazeologjik dygjuhësh nuk mund të mos ketë kalkime kuptimore e edhe strukturore (kalkimi është përkthim një për një i pjesëve përbërëse të një shprehjeje frazeologjike, sidomos kur njësia frazeologjike është ndërkombëtarizëm ose huazim / tipi shtet brenda shtetitpër gosudarstvo v gosudarstve).

Por, edhe në raste të tilla, autori i Fjalorit ka bërë të gjitha përpjekjet për ta dhënë kalkimin sa më shqip e më shumë se kaq, për të dhënë barasvlerësin maksimal shqip; shih, p.sh., “dasmë minjsh” te Dantov ad; “mish në mashë” te v kostjume Adama;“e filloj te lind e te perëndon, ia nis që nga lisi me dega” te naçinat (naçat) s Adama etj.

Në “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip” të Eshref Ymerit ka edhe një barasvlerësi zgjedhjesore krahas barasvlerësisë së njëmenjëtë. Është barasvlerësia me sinonime frazeologjike.

Tri argumente vlerësuese në punë të sinonimeve:

a) Sinonimet i japin përdoruesit shprehje të ndryshme për variacion stilistik.

b) Meqë sinonimet kanë ngjyrime kuptimore ose stilistike, sa më shumë sinonime që të jepen, aq më i pasur është informacioni.

c) Me sinonime i jepet përdoruesit të Fjalorit një mundësi e pakufishme për njohjen e pasurisë frazeologjike të shqipes e të sistemit të saj stilistik dhe sigurisht, për ballafaqimin me frazeologjinë e rusishtes e përkthimin e saj në tekste e kontekste ligjërimore të gjuhës shqipe.

Mund të ketë edhe mendim tjetër: të shmanget grumbullimi i sinonimeve (për shkurtësi etj.).

Autori e ka zgjidhur problemin (e grumbullimit) duke i dhënë përparësi sinonimit të parë. Në Fjalor ka vargje sinonimike frazeologjike me shumë njësi. Shih, p.sh., për zrja zhit, me kuptimin “jeton kot”: bën pallë, dredh (tund) tespihet (zinxhirin), e kalon gjumë e brumë, hap gojën e shikon qiellin, i bie jongarit, është ndiz e shuaj, kërcet gishtërinjtë, kruan thonjtë, luan (tund) derën, ngroh vezë, ngrohet në shullë, numëron (vret, zë) miza, numëron yjet, ruan erërat, rri me duar kryq, rrokullis gurë, tredh qentë, vret kohën, zë (shtyp) pleshta etj.; për rastjekatsja mëislju po drjevu: rrëfen për dasmën e mizave, bën si çakalle mulliri, bën si turtull etj.; për sorvat pup: lë kockat (leshtë, lëkurën, rruazën), më hollohen kikëzat, më bien (më këputen) gërbet; etj.

Është e rëndësishme të theksohet se frazeologjitë sinonime renditen alfabetikisht sipas vatrës kuptimore (shih shembujt e mësipërm). Një punë, vërtet e mundimshme, por me shumë vlera shkencore. Një zgjidhje shumë ndihmëtare për përdoruesin e Fjalorit.

Një pasuri tjetër e Fjalorit te barasvlerësia shqipe është variantësia frazeologjike. Siç dihet, si edhe për fjalët, kufiri i variantësisë së njësive frazeologjike është njëjtësia (identiteti) e kuptimshmërisë dhe e figurshmërisë.

Më tipike është variantësia fjalësore; p.sh: dredh tespihet /zinxhirin; shtroj rosën / vë rosën të ngrohë vezë; ia bëj jetën ferr / skëterrë; e bëri fërtele /lakër / lakror / pelte dikë etj.).

Siç dihet, pjesa më e madhe e frazeologjive, përveç kuptimit të tyre themelor objektiv, kanë edhe ngjyrim shprehës-emocional. Ngjyrimi shprehës-emocional e shoqëron gjithnjë kuptimin e frazeologjisë.

Madje, është shprehësia e veçantë (e njëherësh, figurshmëria) që e fuqizon përdorimin e frazeologjive në gjuhë.

Ky ngjyrim kuptimor është dhënë mjaft mirë në Fjalor për frazeologjitë e rusishtes me shënimet stilistikore (shak., iron., keq. etj.).

Edhe shënimet ligjërimore (libr., vjet. etj.) janë vënë mjaft mirë. Për përdoruesin e Fjalorit ato janë shumë të dobishme sepse tregojnë përdorimin stilistik dhe ligjërimor të njësive.

Te sinonimet frazeologjike në shqip, diferencimi stilistik i mbetet sigurisht, përdoruesit të Fjalorit sepse nuk ka qenë detyrë e hartuesit.

Ky diferencim mund të bëhet, siç dihet, duke vëzhguar jo vetëm përmbajtjen kuptimore, por edhe ngjyrimet shprehëse-emocionale e stilistike, madje, mundësisht, edhe dendurinë e përdorimit në ligjërim.

Çdo fjalor parakupton një gramatikë (morfologji dhe sintaksë) të gjuhës dhe hartuesi i fjalorit duhet ta njohë mirë atë. Në fjalorët dygjuhësh ka dy gramatika.

 Autori i këtij Fjalori i njeh dhe i zbaton shumë mirë të dyja gramatikat. Kësisoj, ky Fjalor shërben edhe si një udhërrëfyes gramatikor për përdoruesin. Shih, p.sh., dallimet formale (strukturore-gramatikore) në shtyllën e rusishtes, kur jepet në frazeologji folja në aspektin e kryer dhe në kllapa, në aspektin e pakryer (tipi sovljekat / sovljeç, otdavat / otdat etj.).

Thonë që fjalorët janë librat më të mirë që mund të shkruhen për të tjerët. Nga këto pak përshkrime tonat, besojmë që del se ky Fjalor është libri më i mirë që është shkruar deri tani në fushën e frazeologjisë dygjuhëshe me kolonë të dytë shqipen.

Në Fjalor, shqipja ballafaqohet denjësisht me një gjuhë të madhe e të lëvruar si rusishtja. Fjalori mund të shërbejë si model për fjalorë të tjerë dygjuhësh (me shqipen si gjuhë përkthimore ose burimore) për mënyrën e hartimit, por edhe për lëndën që mund të vilet nga shtylla shqipe.

Fjalori është për pedagogët dhe studentët e gjuhës ruse, për pedagogët dhe studentët e gjuhës shqipe në Shën Petërburg etj., për studentët shqiptarë që studiojnë në Rusi, për të gjithë ata e për të gjitha ato që kanë mbaruar studimet e larta në ish-Bashkimin Sovjetik, për përkthyesit nga gjuha ruse në gjuhën shqipe, për albanologët e ballkanologët, për hartuesit e fjalorëve dygjuhësh dhe për këdo që është i interesuar t’i njohë më mirë gjuhën ruse e frazeologjinë e saj dhe barasvlerësinë e saj në shqip.



Siç dihet, shprehjet frazeologjike, fjalët e urta dhe proverbat janë të rëndësishme jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si burim të dhënash shoqërore për kulturën materiale e shpirtërore të një populli.

 Për këtë arsye, “Fjalori frazeologjik rusisht-shqip" i prof. Eshref Ymerit është me interes jo vetëm për gjuhëtarët shqiptarë e rusë, por edhe për folkloristët, etnografët, historianët, sociologët etj.
Fjalori është botuar nga "Bota Shqiptare", një shtëpi botuese me emër. Gjithçka që ka të bëjë me shtypshkrimin, është e përkryer. Kjo ia shton edhe më vlerat Fjalorit.

No comments:

Post a Comment