2018-07-12

Kroacia është finalisti i dytë i Kampionatit Botëror. Skuadra nga Ballkani është treguar më e fortë se Anglia duke e mposhtur me rezultat 2-1 pas vazhdimeve dhe në këtë mënyrë, ekipi aktual e ka shkruar emrin në librat e historisë.


Kroacia shkruan historinë, eliminon Anglinë dhe kualifikohet në finale

Rezultati i kësaj sfide u zhbllokua shumë herët. Që në minutat e para u bë një ndërhyrje në afërsi të zonës së kroatëve dhe u akordua gjuajtje e lirë për anglezët.

Përgjegjësinë e mori Kieran Trippier, i cili u tregua fantastik për ta mposhtur Danijel Subasicin (5′).



Kieran Trippier shënoi nga gjuajtja e lirë

Minutat e para të ndeshjes u takuan Tre Luanëve, të cilët ishin shumë të rrezikshëm. Me lojën e tyre të shpejtë dhe dinamike, anglezët arrinin shumë shpejtë në zonën kundërshtare.

Ndërkohë që kroatët e kishin të vështirë ta zhvillonin lojën e tyre në gjysmën e parë të kësaj gjysmëfinaleje.

Tjetër lojë zhvilloi skuadra ballkanike në gjysmën e dytë. Ata luanin me posedim të topit dhe krijim të aksioneve duke rrezikuar vazhdimisht portën kundërshtare.

Dhe pas një aksioni të organizuar mirë, Sime Vrsaljko harkoi në zonë, ndërsa Ivan Perisic shënoi me kokë (68′).



Ivan Perisic e barazoi rezultatin

Menjëherë pas, Kroacia e pati një tjetër rast fantastik për të kaluar në epërsi, mirëpo nuk u shfrytëzua. Ishte pikërisht një lëvizje e mrekullueshme nga Perisic, mirëpo topi e goditi vetëm shtyllën.

Të dyja skuadrat ishin të rrezikshme në minutat në vazhdim të lojës, por më afër golit ishin kroatët. Sidoqoftë, koha e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë dhe ndeshja shkoi në vazhdime.

Rastet nuk munguan në pjesën e parë të vazhdimeve nga të dyja palët, sidomos nga kroatët, mirëpo nuk pati ndryshim rezultati.



Mario Mandzukic përmbysi gjithçka

Në gjysmën e dytë të vazhdimeve, Kroacia e përmbysi rezultatin. Ivan Perisic e dërgoi një top me kokë në zonë, ndërsa Mario Mandzukic, edhe pse i lënduar, reagoi për ta mposhtur portierin anglez (109′).

Kroacia në finalen e 15 korrikut do të luajë kundër Francës, ndërsa Anglia do ta zhvillojë ndeshjen për vendin e tretë kundër Belgjikës (më 14 korrik).


******


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka publikuar një fotografi të përbashkët me presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic, me rastin e kualifikimit të Kroacisë në finale të Kampionatit Botëror.

Kombëtarja kroate e mposhti Anglinë dhe për herë të parë është kualifikuar në një finale të turneut më të madh botëror të futbollit.

Për t’i uruar kroatët për këtë sukses të madh, kreu i Qeverisë shqiptare e ka postuar një fotografi të përbashkët me Kolindan.

Dhe shqiptarët duke qenë ndër tifozët më të mëdhenj të Kroacisë, e kanë pëlqyer shumë fotografinë e postuar në profilin e tij në Facebook.

Fotografia e ditës: Rama poston një pozë të përbashkët me presidenten e Kroacisë

Imazhin e postuar e ka quajtur thjesht: “Fotografia e ditës”.

Për më pak se dhjetë minuta, imazhi i publikuar ka marrë dhjetëra mijëra pëlqime nga ndjekësit e kryeministrit shqiptar.

Në finalen e madhe të 15 korrikut, Kroacia do të luajë kundër Francë.

No comments:

Post a Comment