2018-07-06

NGA ROZENHAJMI NË LOXHË TË PEJËS


Përvjetor lavdie

Image result for bedri tahiri

Akademik prof. Bedri TAHIRI



Image result for lumni surduli rrustem bruqi dhe alaj


NGA ROZENHAJMI NË LOXHË TË PEJËS

Në kilometrin e njëmbëdhjetë, në lindje të Vushtrrisë së lashtë, në një luginë rrethuar më kodrina gjysmë të zhveshura, shtrihet një vendbanim i lashtë, i cili që nga viti 1893 njihet me emrin Samadrexhë (sot Lumkuq, sipas lumthit që e përshkon). Ai përbëhet nga lagjet: Bunjakët, Surdullët, Shala, Bashollët, Malokët, Selacët, Sopjanët, Zabërgjët, Merovcët, Rashanët, Krasniqët, Tikollët, Bajgorët (Musa), Kaçanollët (Hyseni) etj.

Përmbi fshat gjenden gjurmë të një vendbanimi të vjetër iliro-dardan me emrin Gradina- Gjyteti. Gjatë LDB shumë burra të këtij fshati iu bashkuan radhëve të luftëtarëve të Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës. Më të njohurit ishin Hashim Basholli dhe Osman e Shaban Bunjaku. Edhe në luftën e fundit çlirimtare lumkuqasit nuk ngelën prapa. Ai që bëri emër në histori qe oficeri dhe luftëtari i UÇK-së, Lumni Musë Surdulli.

Kadeti shembullor

Ndër familjet më të njohura të Lumkuqit janë edhe ato me mbiemrin Surdulli. Edhe Musë Surdulli me të shoqen Hatemen nga Skroma përbënin një familje që dallohej për të mirë. Ata patën këta fëmijë: Aliun, Lutfiun, Lumniun, Ferkiun, Ismetin, Sanijen dhe Bahrijen.
Lumniu ishte djali i tretë i këtyre dy bashkëshortëve. Ai erdhi në këtë botë më 24 janar 1969, atëbotë kur veçse ishte shuar zjarri i demonstratave të 68-së dhe në trojet tona kishte zënë të shkëlqente një fije shprese për ditë të bardhë. Djaloshi hafif, por shumë i zgjuar dhe mendjemprehtë, herët u godit nga jeta hileqare. Që në klasën e tretë të shkollës fillore në vendlindje, mbeti pa dashurinë e ngrohtë të nënës. Si fëmijë, këtë zbrazëti, u përpoq ta mbushte me dashurinë ndaj librit, ndaj mësimeve, ndaj shokëve, ndaj mësuesit. Lexonte shumë dhe çka i binte në dorë, por më së shumti i pëlqenin krijimet e zjarrta e përplot patetizëm të rilindëseve tanë dhe rrëfimet për të bëmat e heronjve tanë. Pasi kreu shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm u regjistrua në Gjimnazin e Vushtrrisë- drejtimi gjuhësor.
Dhe, pasi përfundoi klasën e parë, gjendja e ekonomike e ngushtoi së tepërmi. Për të vazhduar më tutje u shtrëngua të kërkonte ndihmë tek organet komunale. Për çudi, në vend të një burse, ata i propozuan dhe ia afruan mundësinë për t’u regjistruar në shkollë ushtarake. Ai, pa hezituar fare, pranoi të bëhej kadet dhe ta mësonte artin luftarak, për të cilin kishte më së shumti nevojë Kosova. Kështu, më 1984 regjistrohet në shkollën ushtarake-teknik i aviacionit në Rajllovc të Bosnjës, të cilën e mbaroi me sukses të lartë në afat, në vitin 1988. Fill pas diplomimit, mori gradën e rreshterit dhe u caktua të punonte në aeroportin ushtarak të Batajnicës së Beogradit.

Në frontet kroate

Jeta ushtarake e kaliti edhe më shpirtin liridashës të oficerit të ri me ëndrra të mëdha. Aty, nga afër, pa dhe përjetoi padrejtësitë që bëheshin nga eprorët zemërkatil serbë ndaj të tjerëve, veçan ndaj ushtarëve shqiptarë. Ishte kohë mjaft e vështirë, kur shumë të rinj shqiptarë që shërbenin në ushtrinë jugosllave ktheheshin në arkivole ose përfundonin prapa grilash me gjyqe të montuara.
Këtë barbari mesjetare serbe më së miri e vërtetoi kur plasi lufta në Kroaci. Gjatë luftës serbo-kroate ai u gjend në detyrën e eprorit ushtarak. Aty përjetoi atë që ndoshta kurrë as që e kishte menduar. Në pabesi, në një komplot të organizuar me finokëri, ia vranë shokun e ngushtë, kroatin Franjo. Që nga moment u bind se asgjë nuk kishte të vërtetë në ato frazat boshe që reklamoheshin në të ashtuquajturën ushtri jugosllave. Dhe, me mish e me shpirt, duke bërë edhe të pamundurën, i ndihmoi ushtarët shqiptarë për të dezertuar nga ajo ushtri mizore. Vetë, duke rrezikuar edhe jetën, ua mësoi shtigjet e labirinthet dalëse përtej telave, i dërgonte në banesën e një hasjani, i cili ua siguronte rrobat civile dhe i niste për rrugë, qoftë për Kosovë, qoftë për mërgatë. Kur nga ajo kazermë u largua edhe ushtari i fundit shqiptar, edhe vetë ia mbathi, duke ua lënë kurthin e ngrehur për likuidim gjakpirësve...

Nga Rozenhajmi në Loxhë të Pejës

Lumni Surdulli vetëm gjatë vitit 1991 qëndroi në Kosovë, sepse policia serbe e nuhaste kudo. Thënë të drejtën edhe ato ditë më shumë i kaloi në Strofc, tek e motra, Sanija, e cila ishte e martuar me Adem Aliun. Aty gjeti strehim të sigurt dhe, pos tjerash, edhe Qyqavicën legjendare e kishte më afër. Në kërkim të tij, edhe familja pësoi, shumë herë u keqtrajtua ati, Musa, të cilin e donte shumë. Njëherë, kur ia pati përmend fejesën ai ia kishte kthyer: “Babush (ashtu e quante) njëherë t’ia marrim Kosovës nusen LIRI e pastaj mua”!
Pra, koha që kaloi në Strofc paraqet një kaptinë të veçantë në jetën e këtij dëshmori. Për këtë më së miri flet vetë Adem Aliu, njëri nga luftëtarët e shquar të kësaj ane, sot epror në TMK:
...Ishte viti1992 kur Lumniu dezertoi nga ushtria sllave. E shfrytëzoi rastin kur sollën trupin e pajetë të pilotit shqiptar, Raif Miftarit nga Prishtina. Tre muaj (maj, qershor e korrik), qëndroi në shtëpinë tonë, në Strofc, rrezë Qyqavicës. Me vete kishte revolen me 500 copë fishekë dhe e kishte ndarë mendjen të mos dorëzohej për të gjallë. Për fat edhe rrethi ynë qe i mirë dhe i sigurt, kurrë askush asnjë fjalë për të. Një natë qe mërzitur shumë për shtëpinë dhe për babë Musën, të cilin e donte pa masë.U nisëm këmbë, nëpër ara e kodrina, dhe arritëm në Lumkuq, ku gjithë natën u çmall duke llafosur me të afërmit e vet. I ati, nga frika se mos po na rrethonin policët, gjithë natën nuk vuri gjumë në sy. Më 7 korrik 1992, vdiq babai ynë, Hazir Aliu. Në varrim erdhi vëllai im, Musa, që përkohësisht gjendej në Gjermani. Ai, me dokumente falso e mori Lumniun dhe e kaloi në Gjermani, ku qëndroi derisa hyri në Kosovë për të luftuar ku dhe ra për të mos vdekur kurrë...
Më 22 korrik të vitit 1992, ilegalisht arrin të depërtojë në Gjermani, ku e fitoi azilin politik. Kur qe nisur për andej u kishte thënë në shtëpi: Mos u bëni merak se e para pushkë që kërcet në Kosovë, unë do të jem këtu!
Tashmë ai ishte burrëruar dhe ishte i përgatitur shpirtërisht e fizikisht për t’u përballur me të gjitha sfidat e jetës. Personaliteti i tij ishte brumosur me të gjitha vetitë e një atdhetari të flaktë e sypatrembur. Në damarët e tij rridhte gjaku i gjyshit, Ali Surdulli, bashkëluftëtar i dalluar i Shaban Polluzhës. Me një luftë të organizuar mirë shkaun e zi mund ta shporrim jashtë trojeve tona!- thoshte me optimizëm dhe kurrë nuk ndalej së vepruar për çështjen madhore kombëtare. Kontaktet me atdhetarë të ndryshëm që vepronin në mërgatë e sidomos në Gjermani, si: Sami Berisha, Gëzim Behrami, Besim Rama, Bashkim Demolli, Suzanë Kadriu, Sokol Halili, Ruzhdi Bajrami etj. ia sforconin deri në ideal të pashuar ndjenjën liridashëse. Ata, vetëm fizikisht ishin atje, sepse me mendje e me zemër ishin në Kosovë, ishin në frontet e luftës, ku po mbëltohej L I R I A...Edhe Lumniu ishte i tillë. Familjen e kishte lënë mënjanë, për të kujdesej i vëllai, Aliu, që gjithashtu ishte në Gjermani.
“Unë jam i vetëdijshëm se familjen po e lë keq, por unë kam vendosur të kthehem. Ju e shihni se serbët vijnë nga Vojvodina, Serbia dhe luftojnë në Kosovë në emër të gjoja disa kishave të tyre të shenjta. Po ne shqiptarët, ne ku po mbesim? Pse të mos jemi të gatshëm për me i dalë Zot vendit tonë, pse mos me qenë të gatshëm me vdek për tokën tonë, për varret e të parëve tanë, për LIRINË tonë.
Çdo njeri që ka lind ka me vdek. Nuk ka njeri të pavdekshëm e për mua nuk ka gjë më të shenjtë dhe më mirë se njeriu kur vdes duke i dalë në mbrojtje Popullit dhe Atdheut të vet.
Ju e dini mirë se unë kam shërbyer disa vite në APJ dhe kur filloi lufta në Slloveni, Kroaci e sidomos në Bosnjë e Hercegovinë kam pasur provokime dhe e kam pas jetën në rrezik, kam mundur me vdek në uniformë të vrasësve tanë, por duke ju falënderuar Zotit e gjakftohtësisë, sot unë jam gjallë.
Jam i lumtur nëse arrij edhe njëherë i gjallë ta shkelë Tokën e Kosovës, për t’u bërë ushtar i popullit tim... Shkolla ushtarake e kryer do të kishte vlerën zero po nuk i dola ndihmë Popullit të Kosovës. Unë për këtë ditë kam jetuar!
Këto ishin fjalët e Lumniut, thënë shokëve, para se të nisej për në Kosovë..
Falë punës dhe angazhimit të Lumniut, shumë të rinj braktisën luksin perëndimor, jetën e rehatshme në Gjermani dhe ia mësynë fronteve të luftës në Kosovë. Ata, pasi ushtronin nëpër poligonet ushtarake shqiptare të Shqipërisë mëmë, kapërcenin kufirin e mallkuar dhe kacafyteshin me bishat serbe. Nuk vonoi, dhe një ditë, edhe vetë u vu në krye të një grupi vullnetarësh dhe u nis drejt Alpeve Shqiptare, ku qëndronin shqipet e lirisë. O Zot, sa ishte i gëzuar, sa nuk fluturonte! Kjo qe dita më e gëzuar në jetën e tij. Përkrah kishte edhe trimin e Isniqit, Rrustem Bruçin, i cili la gruan dhe fëmijët, sepse e grishte zëri i atdheut të gjymtuar. Me ta ishin edhe Rrustem Berisha, Agim Ramadani etj. Pas përgatitjeve dhe ushtrimeve të nevojshme në Burrel, kaluan gjarprin e mallkuar që kishte ndarë trupin tonë përmes dhe u futën në tokën që po digjej flakë. Një tufë rrezesh u lëshua mbi Dukagjin. Fillimisht u sistemua në Jasiq, paskëtaj në Prapaçan.
Edhe falangat serbe vinin duke u tërbuar. Betejat nuk kishin të ndalur.
Erdhi edhe 6 korriku i vitit 1998. Vapa përcëllonte si saç i skuqur. Re të zeza vërshuan mbi Loxhë, katund afër Pejës, i cili po mbrohej me plot sukses nga UÇK-ja trime. Çlirimtarët tanë kishin bërë benë: o sot, o kurrë! Dhe, bam-bum e bam-bum. Lufta nisi ashpër, gjoks më gjoks e fyt më fyt. Pozicionet e UÇK-së ishin kthyer në bedena të pamposhtur kalaje dhe u përballonin sulmeve të të gjitha armëve të armikut. Lumniu ishte komandant Batalioni, në kuadër të të cilit vepronte edhe Njësiti “Komandosët” të Brigadës 134 të Zonës Operative të Dukagjinit. Sakaq, rreth orës 14 e 30 minuta, edhe gjaku i lirisë skuqi tokën mëmë. Ra bashkëluftëtari i tij më i ngushtë, Rrustem Bruçi! Pa të nuk më duhet jeta!-tha trimi i Lumkuqit dhe u turr andej nga shtëpia ku kishte ngelur trupi i tij i pajetë. Dhe, pas pak, edhe vetë e fitoi përjetësinë...Tutje edhe trimi tjetër, Enver Alaj i Drenocit të Deçanit...Tri lule shkëlqenin atë ditë të nxehtë korriku në Loxhën heroike...

Varrimi, rivarrimi, përjetësimi

Rënia e dëshmorit Lumni Surdulli që një humbje madhe për forcën tonë çlirimtare, për familjen, për kosovën, për shqiptarinë.
“Lumniu e deshi Kosovën më shumë se vetveten, dhe nga kjo rrugë askush nuk e ndau, u nis për t’u bërë rreze dielli, lule në pranverë, u nis për të mos u kthyer kurrë më. Kur u fut në Kosovë, u gjunjëzua, e puthi dheun dhe tha: Shokë tash edhe nëse vdes nuk më dhimbset jeta, po e shkeli tokën e Kosovës pas gjashtë viteve”- shkruan Sherif Doda në “Zërin e Kosovës” të datës 6. 07. 1999.
Trupat e pajetë të dëshmorëve Lumni Surdulli, Rrustem Bruçi dhe Enver Alajt me nderime të larta ushtarake u varrosën në fshatin Isniq.
Më 1 shtator 1999, dëshmori Lumni Surdulli, është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë të Vushtrrisë
Lavdi për jetë e mot!


















No comments:

Post a Comment