2018-07-15

Pesëdhjetë thënie të filozofit gjerman, Friedrich Nietzsche


Nietzsche187c.jpg
Friedrich Wilhem Nietzsche (sqt. Fridrih Niçe) lindi më 15 tetor 1844; vdiq më 25 gusht 1900. Është një nga filozofët më të shquar gjermanë i shek. të 19. Ai ka qenë një kritik i ashpër i Krishtërimit (dhe i fesë në përgjithësi), i idealizmit gjerman, i Feminizmit dhe i modernizmit në përgjithësi. Ai konsiderohet si një mjeshtër i vërtetë i aforizmave filozofike të krijuara në formë eksperimentale. Për këtë arsye, ai është urryer, adhuruar, keq-interpretuar dhe ndoshta mbetet edhe sot e kësaj dite filozofi më i vështirë për t’u kuptuar.
Nietzsche ka lindur me 15 tetor të vitit 1844 në Ryken të Lajpcigut, në Saksoni. Ai u rrit në gjirin e një familjeje protestante, ndërsa i ati ishte prift. Ky i fundit vdiq kur Friedrich ishte vetëm 4 vjeç, pasi vuante nga një sëmundje mendore. Së bashku me të ëmën dhe të motrën, Elizabeth, ai u transferua në Naumburg ku do të jetonte për tetë vite me radhë. Friedrich ishte një adoleshent tepër kurioz, një nxënës i shkëlqyer dhe në momentin e përballjes me besimin fetar, nisi të anonte nga ateizmi. Ai studioi filozofi në Universitetin e Lajpcigut ku do të njihej me veprat e Shopenhaurit, të cilat do të përbënin pikënisjen e frymëzimit të tij filozofik.

Në vitin 1865, në moshën 24 vjeçare, Nietzsche emërohet profesor në Universitetin e Bazelit dhe merr nënshtetësinë zviceriane. Një vit më parë, ai ishte njohur me kompozitorin Richard Wagner, me të cilin do të kishte një miqësi të gjatë, por kjo nuk e ndaloi ta kritikonte si përfaqësues të kulturës më dekadente në botë, asaj gjermane. Në këtë periudhë studion filozofinë antike greke, ne veçanti veprat e filozofëve para-sokratikë, Heraklitit dhe Empedokles.

Në vitin 1870 Nietzsche shërbeu si asistent mjekësor në Luftën Franko-Prusiane ku njohu nga afër traumat dhe mjerimin njerëzor, ku për më tepër u sëmur edhe vetë nga dizanteria dhe difteria. Pasojat e këtyre sëmundjeve ai i vuajti gjatë gjithë jetës. Pas rikthimit në Bazel, në vend që të pushonte, nisi të shkruajë pambarimisht, duke shfrytëzuar në maksimum fuqinë e tij mendore. Në vitin 1872 publikoi veprën e tij të parë të famshme Lindja e tragjedisë.

Në vitin 1879 braktisi mësimdhënien për shkak të problemeve shëndetësore dhe në dekadën në vazhdim e kaloi kohën në Venecia, Torino dhe Nisë.

Tre vite më vonë, bie në dashuri me Lou fon Salome, por kjo e fundit e refuzoi kërkesën e tij për martesë. Po në vitin 1882 Nietzsche nis të shkruajë kryeveprën e tij Kështu foli Zarathustra (Also spracht Zarathustra), e cila publikohet 3 vite më vonë.

Në vitin 1888 transferohet në Torino, ku dhe do të përfundojë veprat Perëndimi i idhujve dhe Ecce Homo – Si bëhet njeriu ai që është.

Filozofia e Nietzsches nis me trajtimin e filozofisë dhe artit të Greqisë Antike, në disfavor të klasicizmit, të cilin e vështronte si një afirmim të vizionit të arsyeshëm dhe për rrjedhimisht përfaqësues të dekadencës. Në veçanti tragjedia greke është interpretuar si një shprehje e impulsit jetësor, apo siç shprehet Nietzsche e "momentit dionisiak". Nietzsches kritikoi ashpër vlerat morale të shoqërisë dhe altruizmin, të cilat në fakt mohojnë vetë jetën. Sipas tij njeriu duhet të përjetojë edhe dhimbjen pasi "ajo çfarë nuk të vret, ajo të bën më të fuqishëm". Koncepti i njohur i Nietzsches "vullneti për fuqi" luan një rol kryesor në filozofinë e tij, duke u shprehur se "‘është esenca e ekzistencës njerëzore, sikur t’i thuash jetes po!", pra afirmimi i saj.

Nietzsche mendonte se udhëheqësit fetarë e përdorin besimin dhe moralin për të skllavëruar njerëzimin. Sipas tij, koncepti ‘fuqia e vullnetit’ lejon tejkalimin e njeriut jo eliminimin e tij, pra braktisjen e idhujve dekadentë dhe shpresës për një jetë në botën e pasvdekjes dhe pranimin e jetës ashtu siç është ajo. Pra ndryshe nga keqinterpretimet e filozofisë së tij, mbinjeriu nichean nuk është një njeri i gjithëfuqishëm, por një qënie që duhet të zhvillohet lirshëm për të tejkaluar vetveten ("..njeriu është një urë dhe jo një qëllim." – kjo është edhe ideja thelbësore e Zarathustrës.

Pikërisht këtë ide e keqpërdori ideologjia naziste. Shkrimet e tia përsa i përket fuqisë, dobësisë, feminizmit dhe fesë u bënë aksioma të nazizmit në hartimin e doktrinës së tyre totalitare, ndërkohë që vetë Nietzsche ishte kundër anti-semitizmit dhe dënimit me vdekje. Nietzsches i përket një nga thëniet më të famshme në histori, ‘Zoti ka vdekur’, por kuptimi nuk është aspak ai i supozuar. Nietzsche flet për bashkëkohësit e tij, hipokrizia e të cilëve le të kuptohet se ata në fakt jetojnë "sikur Zoti të kishte vdekur". Sipas Nietzsche "... ka ekzistuar vetëm një i krishterë i vërtetë, dhe Ai vdiq në Kryq".



Me 3 janar të vitit 1889, teksa ndodhej në Sheshin Karlo Alberto, në Torino, Nietzsche pësoi krizën e parë nervore duke shfaqur mendime delirante dhe duke u vetë-quajtur Krishti apo Dionisi, perëndia greke e dëfrimit. Sëmundja e papritur e tij është debat më vete. Disa mendojnë se ai e trashëgoi sëmundjen nga babai i tij, dhe ka mendimi të ndryshme se si dhe sa ndikoi kjo sëmundje në krijimtarinë e tij filozofike.

Fridrich Nietzsche i kaloi 2 vitet e fundit të jetës së tij në errësire mendore dhe nën përkujdesjen e së motrës, Elizabeta. Filozofi i madh u nda nga jeta me 25 gusht të vitit 1900, në Vajmar.


Filozofia e Nietzsches ka ndikuar në formimin dhe veprën e disa prej figurave më të shquara të shekullit të 20-të, përfshi Thomas Mann, Andre Gide, Hermann Hesse, Sigmund Freud, Martin Heidegger apo Emil Cioran. Fatkeqësisht rreth viteve 20, filozofia e tij u interpretua në mënyrë barbare nga nazizmi gjerman dhe fashizmi italian, dhe për më tepër të ndihmuar nga e motra e cila falsifikoi disa nga dorëshkrimet e tija. Tragjedia e vërtetë niçeane qëndron në faktin se këto interpretime të gabuara vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot e kësaj dite.

Titujt e veprave

Krijimtaria letrare e Nietzsches
Shkrime dhe filozofi
Aus meinem Leben, 1858 (Mbi jetën time)
Über Musik, 1858 (Mbi Muzikën)
Napoleon III als Praesident, 1862 (Napoleoni III si president)
Fatum und Geschichte, 1862 (Fati dhe Historia)
Willensfreiheit und Fatum, 1862 (Liria e Shprehjes dhe Fati)
Kann der Neidische je wahrhaft glücklich sein?, 1863 (Mundet xhelozi të jetë vërtetisht i gëzuar?)
Über Stimmungen, 1864 (Mbi besimet)
Mein Leben, 1864 (Jeta ime)
Homer und die klassische Philologie, 1868 (Homeri dhe filologjia klasike)
Über die Zukunft unserer Bildungsanstalten (Mbi të ardhshmen së edukimit tonë)
Fünf Vorreden zu fünf ungeschriebenen Büchern, 1872 e përbërë nga:
Über das Pathos der Wahrheit (Mbi pathosin e së vërtetës)
Gedanken über die Zukunft unserer Bildungsanstalten (Mendime mbi të ardhmen e Institucioneve tona arsimore)
Der griechische Staat (Shteti grek)
Das Verhältnis der Schopenhauerischen Philosophie zu einer deutschen Cultur (Marrëdhënia midis filozofisë Schopenhaueriane dhe kulturës gjermane)
Homer's Wettkampf (Kundershtimi i Homerit)
Die Geburt der Tragödie, 1872 (Lindja e tragjedisë)
Über Wahrheit und Lüge im aussermoralischen Sinn, 1873 (Mbi të vërtetën dhe falsitetin në një kuptim më moralizues)
Die Philosophie im tragischen Zeitalter der Griechen (Filozofia në periudhën tragjike të grekëve)
Unzeitgemässe Betrachtungen (Meditimet përfundimtare) e përbërë nga:
David Strauss: der Bekenner und der Schriftsteller, 1873 (David Strauss: Rrëfyesi dhe shkrimtari)
Vom Nutzen und Nachtheil der Historie für das Leben, 1874 (Mbi përdorimin dhe abuzimin e Historisë për Jetën)
Schopenhauer als Erzieher, 1874 (Schopenhaueri si edukues)
Richard Wagner in Bayreuth, 1876
Menschliches, Allzumenschliches, 1878 (Njerëzor, tepër njerëzor)
Vermischte Meinungen und Sprüche, 1879 (Opinione të përzjera dhe aksioma)
Der Wanderer und sein Schatten, 1879 (Udhëtari dhe hija e tij)
Morgenröte, 1881 (Agimi)
Die fröhliche Wissenschaft, 1882, 1887
Also sprach Zarathustra, 1883-5 (Kështu foli Zarathustra)
Jenseits von Gut und Böse, 1886 (Përtej së mirës dhe së keqes)
Zur Genealogie der Moral, 1887 (Mbi gjenealogjinë e moralit)
Der Fall Wagner, 1888 (Çështja Wagner)
Götzen-Dämmerung, 1888 (Perëndimi i idhujve)
Der Antichrist, 1888 (Antikrishti)
Ecce Homo, 1888 (Ecce Homo. Si bëhet njeriu ai që është)
Nietzsche contra Wagner, 1888 (Nietzsche kundër Wagnerit)
Der Wille zur Macht, publikuar për herë të parë në vitin 1901 (Vullneti për fuqi, një koleksion i përzgjedhur dorëshkrimesh, publikuar pas vdekjes së autorit)
Filologji
De fontibus Laertii Diogenii
Über die alten hexametrischen Nomen
Über die Apophthegmata und ihre Sammler
Über die literarhistorischen Quellen des Suidas
Über die Quellen der Lexikographen
Poezi·
Idyllen aus Messina (Marrdhënie nga Messina)
Dionysos-Dithyramben, shkruar 1888, publikuar 1892 (Ditirambe për Dionisin)
Vepra të përkthyera në shqip
Kështu fliste Zaratustra, ,,Rilindja,, Prishtinë
Njerezor, teper njerezor/ Human, All Too Human (A book for free spirits), Friedrich Nietzsche, UEGEN
Lindja e tragjedise / The Birth of Tragedy (philosophy) Friedrich Nietzsche, UEGEN
Filozofet / The Philosophs (philosophy), Frederik Nietche , APOLLONIA
Ecce Homo / How to Become What One Is (philosophy) Nietzsche, KONICA, 2001
Udhetari dhe hija e tij/ The Wanderer and His Shadow F. Nietzsche,BARGJINI, 2001
Shnderrmi I te gjitha vlerave/ The Reevaluation of All the Values (philosophy),Friedrich Nietzsche ,UEGEN
Perendimi i idhujve/ The Twilight of The Idols (or how to philosophise with a hammer),F. Nietzche, BARGJINI
Pertej se mires dhe se keqes/ Beyond Good and Evil, Friedrich Nietzsche,PLEJAD
Agu I mengjesit: mendime mbi paragjykimet morale/ Daybreak: Thoughts on Moral Prejudices,Friedrich Nietzsche ,UEGEN






Filozofi gjerman, Friedrich Nietzsche, ka qenë një prej mendjeve më të mëdha që ka jetuar ndonjëherë mbi planet. Idetë e tij filozofike transformuan botën e filozofisë, duke e ngritur një nivel më lartë.

Nietzsche vdiq më 25 gusht 1900, në moshën 56-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi shkrimesh të shkëlqyera, pasojat dhe ndikimi i të cilave doli në dritë vetëm në shekullin XX. Jeta e tij qe e mbushur me kontraste të thella. Ndonëse gjyshi dhe babai i tij ishin priftërinj luteranë, ai u bë lajmëtari i mendimit se “Zoti ka vdekur”. Ai u edukua në një mjedis të mbisunduar kryesisht nga femra e, megjithatë, mbrojti filozofinë më mashkullore, atë të mbinjeriut.

Ai vuri në diskutim pothuajse të gjithë siguritë e epokës së tij: besimi tek Zoti, besimi në progresin e shkencës dhe respektin për vlerat e moralit. E gjithë kjo, thoshte, është një iluzion: bota ecën përpara pa kuptim, në mënyrë kontradiktore dhe irracionale. Vlerat e të mirës dhe të keqes janë një shpikje dhe nuk duhen respektuar. Përkundrazi, njeriut duhet të bëhet protagonist i jetës së tij, duke ushtruar vullnetin e tij të lindur, duke përfshirë dominimin mbi më të dobëtit.

“Zoti ka vdekur”. Këtë pohim e shprehu me zërin e një personazhi që e quajti “I çmenduri” dhe më vonë në gojën e një karakteri tjetër “Zarathustra”. Megjithatë, kuptimi i vërtetë i shprehjes shpesh ngatërrohet për një pohim ateist. “I vdekur” është metaforike në këtë kontekst, do të thotë se besimi në Perëndinë e krishterimit është i lodhur, i ka kaluar koha dhe në rënie. Perëndia ka humbur si qendra e jetës dhe burimeve të vlerave.

Më poshtë janë 50 prej citimeve më të fuqishëm të Nietzsches, që shërbejnë për të hapur mendjen dhe për të parë gjërat nga një këndvështrim krejt tjetër:

• Nuk ka fakte, vetëm interpretime!

• Njerëzit kërkojnë liri vetëm kur nuk kanë pushtet!

• Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet!

• Duhet ta konsiderojmë të humbur, çdo ditë gjatë të cilës nuk vallëzojmë të paktën një herë!

• Nuk është mungesa e dashurisë, por mungesa e miqësisë, që i bën martesat të palumtura!

• Gjithmonë ka nga pak çmenduri në dashuri. Dhe gjithmonë ka nga pak arsye në çmenduri!

• Ndonjëherë njerëzit nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën, sepse nuk duan që t’u shkatërrohen iluzionet e tyre!

• Kushdo që lufton monstrat, duhet të bëjë kujdes, që ndërkohë të mos shndërrohet edhe vetë në një monstër. Dhe nëse ia ngul sytë për një kohë të gjatë humnerës, edhe humnera do të t’i ngulë sytë ty!

• Duhet të kesh kaos brenda vetes, për t’i dhënë jetë një ylli që vallëzon!

• Ti ke rrugën tënde. Unë kam rrugën time. Sa për rrugën e drejtë, rrugën e duhur, dhe rrugën e vetme, ajo nuk ekziston!

• Pa muzikë, jeta do të ishte një gabim!

• Dhe ata që u panë të vallëzojnë, u menduan se ishin të marrë, nga ata që nuk mund ta dëgjonin muzikën!

• Në parajsë, të gjithë njerëzit interesantë mungojnë!

• Fjalët janë vetëm simbole për marrëdhënien e gjërave me njëra-tjetrën dhe me ne; ato nuk prekin askund, të vërtetën absolute!

• Individit i është dashur gjithmonë të luftojë, për të mos u vënë poshtë prej fisit. Nëse e provon, do të jesh shpesh herë i vetmuar, dhe ndonjëherë i frikësuar. Por, asnjë çmim nuk është asnjëherë shumë i lartë, për privilegjin e zotërimit të vetvetes!

• Ajo që nuk na vret, na bën më të fortë!

• Nuk jam i mërzitur që më gënjeve, jam i mërzitur se nga tani e tutje, nuk të besoj dot më!

• Ah gratë. Ato i bëjnë lartësitë më të larta dhe ultësirat më të sheshta!

• Mashkulli i vërtetë do dy gjëra: rrezikun dhe lojën. Për këtë arsye ai do gruan, si lojën më të rrezikshme!

• Mënyra më e mirë për të korruptuar një të ri është ta udhëzosh të ketë mendim më të lartë për ata që mendojë si ai se sa ata që mendojnë ndryshe!

• Çfarë është djallëzi. Çfarëdo që del nga dobësia!

• Shumë janë kokëfortë në kërkim të rrugës që kanë zgjedhur, pak në kërkim të qëllimit!

• Arma më e mirë kundër një armiku është një tjetër armik!

• Avantazhi i një kujtese të keqe është se mund të shijosh disa herë të njëjtën të mirë si për herën e parë!

• Nuk vritet me zemërim, por me buzëqeshje!

• Jeta mbaron aty ku fillon “mbretëria e Zotit”!

• A është njeriu një prej gabimeve të Zotit, apo është Zoti një prej gabimeve të njeriut?!

• Një shëtitje e rastit në pavionin e të çmendurve tregon se besimi nuk provon kurrgjë!

• Në dashurinë e vërtetë është shpirti që përqafon trupin!

• Nëqoftëse të gjitha lëmoshat do të jepeshin për mëshirë, të gjithë të uriturit do vdisnin urie. Shpërndarja me e madhe e lëmoshave ndodh për shkak të frikës!

• Më mirë të biesh në duart e vrasësit se në ëndrrat e gruas epshore!

• Kush ka një “SEPSE” kalon çdo “SI”!

• Kujtesa më thotë se unë e kam bërë këtë gjë, krenaria më thotë se s’e kam bërë: më në fund kujtesa lëshon pe!

• Koha ime nuk ka ardhur akoma, disa lindin para kohe!

• Gjithçkaje ia dimë çmimin, asgjëje vlerën!

• Nuk ka njeri më komik se filozofi i martuar!

• Martesa, kështu quaj dëshirën e dyshes që dëshirojnë të shndërrohen në një, por do të bëhen më shumë se dy!

• Njeriu gjithmonë ka dhe mund të bëjë punë më të rëndësishme se sa të martohet!

• Rrëfimi. E harrojmë gabimin kur i rrëfehemi dikujt, zakonisht ai dikushi nuk e harron!

• Ndëshkimi është bërë për të përmirësuar atë që ndëshkon!

•–Gruaja duhet të jetë lodër, e pastër dhe e lëmuar si guri i çmuar, e ndriçuar me të gjitha virtytet e një bote që ende nuk është këtu!

• Gruaja është enigmë, qëllimi i saj është fëmija!

• Ai që pranon gabimin, tregon se sot është më i mirë se dje!

• Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq!

• Kur virtyti ka qenë i fjetur, ai zgjohet më i freskët!

• Ne duam jetën, jo ngaqë jemi bërë për të jetuar, por sepse jemi bërë për të dashur!

• “Bindjet janë armiqtë e të së vërtetës duke qenë më të rrezikshme se gënjeshtrat!

• Njeriu ka nevojë për pjesën më të keqe brenda vetes që të arrije te pjesa më e mirë!

• Për të fortin asgjë nuk është më e rrezikshme se mëshira!

• O diell, po të mos ishin njerëzit që i ngroh e u jep jetë, ç’kuptim do të kishte lindja jote?!


Përgatiti:Flori Bruqi

No comments:

Post a Comment

Letër publike e Kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuçi, drejtuar Kryeministrit,zt.Ramush Haradinaj

Ndalo punimet e paligjshme që degrafojnë rrjedhën e lumit “Ereniku i vogël”! I Nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ram...