2018-07-11

Sëmundjet që merren në pishina


E relaksuar buzë pishinës, teksa shijon rrezet e diellit! Kjo është shija më e zakonshme e fundjavës gjatë stinës së verës, kur temperaturat shënojnë më shumë se 30 gradë.


Por teksa qëndroni në shezllon duke lundruar në “Instagram”, për të mësuar trendet e veshjeve të banjës apo të pathënat e Vipa-ve, bëni mirë të lexoni të gjitha informacionet që ju duhet për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve nëpërmjet ujit të pishinave gjatë notimit.



Sëmundjet mund të përhapen gjatë gëlltitjes, frymëmarrjes, prekjes me ujin e ndotur të pishinave, bën të ditur Instituti i Shëndetit Publik. Një ndër sëmundjet më të zakonshme që merret në pishina, është ajo e diarresë.




“Në pishina mikrobet që shkaktojnë sëmundje janë eliminuar nga klori, por megjithatë klori nuk funksionon menjëherë pasi do kohë që të veprojë.


Duhet kohë që të eliminohen mikrobet, ndërkohë që ka disa prej tyre, që janë rezistente ndaj klorit dhe mund të jetojnë në pishina për disa ditë.


 Kjo është arsyeja pse edhe pishinat më të mira përsa i përket higjenës, mund të përhapin sëmundje. Ju mund të parandaloni përhapjen e mikrobeve në pishina në radhë të parë me sjelljen tuaj të shëndetshme.” – paralajmëron Instituti i Shëndetit Publik përmes një njoftimi në rrjetet sociale.


Ja si mund të parandalojmë sëmundjet:
Mos notoni nëse jeni me diare
Mos gëlltisni ujin e pishinës
Bëni një dush para se të notoni, si dhe lani duart pas përdorimit të tualetit ose ndërrimit të pelenave
Ndërroni pelenat shpesh
Ndërrojini pelenat e fëmijëve në tualet dhe jo në pishinë. Mikrobet mund të përhapen në sipërfaqet dhe objektet në dhe rreth pishinës duke përhapur infeksione.
Lani fëmijën tuaj me kujdes me sapun dhe ujë, para notimit.

No comments:

Post a Comment