2018-07-11

Studiuesi Piro Misha: E kaluara mes shqiptarëve e serbëve është aty, të mendojmë për të ardhmen

Piro Misha: E kaluara mes shqiptarëve e serbëve është aty, të mendojmë për të ardhmen
Studiuesi Piro Misha do të kishte dashur që në konferencën ndërkombëtare të zhvilluar dje në Beograd, me temë “Serbët dhe shqiptarët – Në cilin drejtim?” të kishte edhe të ftuar nga Prishtina.

Konferenca u organizua nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, për të folur siç tha për shqiptarët dhe serbët dhe jo për Shqipërinë e Serbinë.

Duke marrë fjalën në këtë konferencë ndërkombëtare, studiuesi Misha vuri në dukje se ishte e pashmangshme që Kosova të zinte kaq shumë vend. “Por, gjithashtu ndihem keq që nuk ka asnjë këtu nga Kosova. Pra, unë flas nga Tirana për këndvështrimin e tyre. Do të kishte më shumë kuptim nëse do të flisnim për shqiptarët dhe serbët dhe jo për Shqipërinë, Serbinë… dikush duhej të ishte ftuar këtu nga Prishtina”, tha ai.

Misha duke vazhduar më tej theksoi se “është shqetësuese kur flitet kaq shumë për të kaluarën”.

“Sigurisht, e kaluara është aty, ne duhet të përballemi me atë. Por, duhet të mendojmë cili është interesi ynë tani dhe sigurisht për të ardhmen”, tha ai.

“Ndoshta brezi ynë është i pashpresë në këtë aspekt, besoj se jetojmë shumë në të kaluarën, por të paktën po shikojmë në të ardhmen”, tha ai.

“Por, më duhet të them se jam dëshmitar i një ndryshimi të madh. Mbaj mend emocionet që kisha kur erdha këtu, në një vend armik, si do të pritesha dhe tani, pas shumë vitesh kam shumë miq serbë dhe nuk jam i vetmi. Gjërat po ndryshojnë shumë, gjërat po ndryshojnë dhe duhet të them se jemi shumë kritikë me politikanët tanë. Por, në këtë aspekt, veçanërisht në vitet e fundit, besoj se po inkurajohet një lloji pragmatizmi dhe realizmi politik që po karakterizon në veçanti liderët tanë. Ajo që dua të them, është se ata e kuptojnë se duhen hapur kapituj të rinj në marrëdhëniet mes vendeve tona, pavarësisht ndasive”, theksoi Misha, duke shtuar se “mund të themi që pranojmë që të mos jemi dakord mbi çështjen e madhe të Kosovës”.

Sepse, tha ai, më parë Kosova ka qenë një bllok i madh në marrëdhëniet duke mos lejuar asgjë dhe sot shumë gjëra po ndodhin.

“Në fakt, kjo konferencë, ashtu si titulli i saj, tregon se njerëzit janë të ndërgjegjshëm tani se duhet të përballemi dhe të shohim se çfarë duhet të bëjmë për të vazhduar më tej në procesin e normalizimit. Ne ende jemi në procesin e normalizimit, gjërat janë shumë larg nga ajo që duhej të ishin sepse këto dy vende janë këtu, kanë qenë këtu prej shekujsh. Dua të them vetëm një gjë, kam qenë shumë herë këtu, dhe në Tiranë në konferenca që i dedikohen marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve, por kjo këtë herë është me një qëllim më të madh, serbët dhe shqiptarët. Të jem i ndershëm, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit janë të rëndësishme që të kontribuojnë në këtë çështje. Por, kjo çështje nuk mund të debatohet realisht nëse nuk diskutojmë për nevojën për normalizim mes Prishtinës dhe Beogradit. Marrëdhënia mes Tiranës dhe Beogradit nuk mund të zëvendësojë në asnjë mënyrë këtë përbërës shumë të rëndësishëm të këtij problemi nëse do të flasim për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, që është një çështje shumë më e madhe. Mendoj se është një nevojë, një nevojë historike pavarësisht gjithë historisë që kemi pas”, theksoi studiuesi Misha.

“Ne kemi tendencën që të jemi gjithnjë pesimistë, në një rajon që kemi arsye përse. Por, që kur filloi procesi i Berlinit dhe terreni i përbashkët në të dy vendet, që mendoj se nuk është vetëm në nivel politik por gjithashtu në shqetësimet kombëtare, këto dy vende po bëhen të rëndësishme tani në strategjinë tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e Europës. Por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk duhet vetëm sepse i pëlqen Brukselit apo Berlinit, por sepse na nevojitet neve, është në interesin tonë që të gjejmë mënyra për të bashkëpunuar, punuar së bashku. Shikoj se gjërat po ndryshojnë, gjërat po ndryshojnë, dy ditë më parë takova ambasadorin serb në Tiranë dhe e pyeta nëse ka shumë turistë serbë që vijnë në Shqipëri. Ai mu përgjigj, po! Kjo është mënyra më e mirë që njerëzit të njihen nëpërmjet kontaktit njerëzor. Kjo ka ndryshuar, në terren gjërat kanë ndryshuar, në nivelin politik sigurisht që gjithnjë do të jetë çështja e Kosovës, për problemet që kemi sepse ato janë aty. Por, në nivelin e jetës së përditshme gjërat kanë ndryshuar”, theksoi Misha.

Ai e mbylli fjalën e tij duke nënvizuar se media vazhdon të jetë një instrument i fuqishëm që përforcon stereotipet, klishetë, ndonjëherë persona gjithnjë nacionalist ose nacionalistë ekstremistë, si dhe ndan atmosferën e konfliktit.

“Kemi kujtimet e fundit të asaj që ndodhi në ndeshjen e futbollit që ishte shokuese për të gjithë sepse në fund të fundit ishte një ndeshje futbolli, por histeria që u shfaq në median e të dyja vendeve ishte habitëse, kështu që optimizmi ynë ndonjëherë është naiv. Por mendoj gjithashtu se ka arsye për të qenë optimistë”, përfundoi Misha.

No comments:

Post a Comment