Ra referendumi e të shihet llumi

Akademik Prof.Dr.Abdulla Mehmeti,Ph.D


Fushata e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni për referendumin e 30 shtatorit, sipas terminologjisë që përdorin drejtuesit e këtyre partive, është ofenduese dhe poshtëruese për qytetarët shqiptarë në Maqedoni. Kjo fushatë siç ka filluar, sipas folësve në tubimet e para me qytetarët, më tepër i ngjan një fushate parazgjedhore, se sa fushatës sensibilizuese për referendumin në lidhje me Marrëveshjen e Prespës dhe integrimin në NATO dhe BE.

Përderisa asnjë forcë politike, asnjë qytetar apo grupim i shqiptarëve nuk është deklaruar deri më sot kundër integrimit të Maqedonisë në strukturat evropane dhe euroatlantike, NATO dhe BE, nga del nevoja që këto parti kaq shumë t'i „japin kosës“ për këtë çështje?!

Si pjesë e qeverisë aktuale të Maqedonisë është e kuptueshme që edhe partitë politike të shqiptarëve duhet të organizojnë fushatë sensibilizuese, meqë edhe paguhen për këtë, por fryma që i japin kësaj fushate nuk përkon me qëllimin e saj, por me interesat e ngushta partiake, grupore dhe klanore, që më tepër bëjnë thirrje për forcimin e pozitave të tyre në pushtet, se sa për realizimin e interesave të përgjithshme të qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare, kulturore dhe gjuhësore, si dhe të orientimit politik e partiak të tyre, sidomos të qyterëve shqiptarë në këtë shtet.

Do të ishte mirë nëse drejtuesit e këtyre partive politike së paku kësaj radhe t'i kursejnë qytetarët nga kjo torturë psikologjike, duke pasur parasysh veprimtarinë e derisotme të këtyre partive, sukseset dhe dështimet, për të cilat qytetarët janë të informuar dhe të zhgënjyer.

Drejtuesit e këtyre partive politike prej nga i pollën gjithë këto të arritura dhe suksese, nganjëherë aq të pakuptimta dhe jashtë çdo logjike të shëndoshë, që krijojnë përshtypjen në disa raste sikur vetë këto parti t’i kenë krijuar edhe NATO-n dhe BE-në?!

Kur nuk ju pyet askush dhe për asgjë në këtë shtet, nuk keni qenë as pjesë e bisedimeve për Marrëveshjen e Maqedonisë me Greqinë, as për Marrëveshjen me Bullgarinë, as për ndryshimin e emrit të shtetit, kryeni në mënyrë të ndershme detyrat për të cilat paguheni dhe shpërbleheni, sipas nevojës bëni edhe argatin e mirë siç e keni bërë deri më sot, dhe uluni e mendoni për programet tuaja partiake të parealizuara, për Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare për të cilën jeni zotuar, dhe sa më pak dhunoni qytetarët me demagogjitë tuaja që nuk pushojnë për gati tri dekada me radhë.

Me këtë rast, ju përkujtojmë se:

- Shqiptarët në Maqedoni, me kontributin Tuaj, të dikujt më shumë e të dikujt më pak, ende trajtohen si pakicë kombëtare;

- Gjuha shqipe ende nuk është gjuhë zyrtare, as edhe sipas Ligjit të ri mashtrues për përdorimin e gjuhëve, me këtë edhe të gjuhës të cilën e flasin mbi 20% të qytetarëve, jo të gjuhës shqipe;

- Flamuri shqiptar mund të përdoret vetëm në komunat me mbi 50% shqiptarë, edhe atë, si flamur me përmasa për 30% më të vogla në krahasim me flamurin shtetëror, që këtë krim nuk e ka bërë as regjimi komunist;

- Stema dhe himni i shtetit të përbashkët të Maqedonisë, edhe pas 27 vjet pavarësi, nuk përmbajnë asnjë element nga historia, kultura dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve;

- Decentarlizimi i pushtetit nuk është realizuar as për së afërmi, përkundrazi është vendosur kontroll i dyfishtë i pushtetit mbi shqiptarët, përveç se nga pushteti qendror edhe nga klanet e partive politike të shqiptarëve në shërbim të gjithkujt, përveç se në shërbim të interesave të qytetarëve shqiptarë;

- Buxheti i shtetit ende nuk ndahet në mënyrë të barabartë për të gjitha rajonet dhe komunat, sidomos për vedbanimet shqiptare, edhe pas 27 vjet demokracie, pluralizmi dhe tranzicioni;

- Shkolla shqipe është shndërruar në shkollë eksperimentale, me plane dhe programe mësimore dhe me libra shkollore të përkthyera, siç nuk ka qenë as gjatë regjimit komunist, kur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore dhe të mesme kanë mësuar me tekste shkollore në gjuhën amtare të përgatitura në Prishtinë, për nevojat e të gjithë shqiptarëve nën ish Jugosllvi, si në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës.

Çfarë keni bërë ju deri më sot, e që nuk e kanë pasur shqiptarët para se të vini ju në skenën politike? Çfarë ka në Kushtetutën dhe ligjet aktuale në Maqedoni e që nuk ka qenë e shkruar në letër edhe para 30-40 vjetësh, që kurrë nuk është zbatuar në praktikë për shqiptarët, sepse udhëheqësit e regjimit të atëhershëm nga radhët e shqiptarëve kanë qenë kështu siç jeni ju sot, të korruptuar, demagogë, hajna, shumica shitës të interesave të shqiptarëve.

Thoni që keni ngritur institucione të reja të shqiptarëve në Maqedoni! Pse nuk thoni sa institucione i keni shkatëruar pas ardhjes tuaj në pushtet, sa prej tyre i keni shndërruar në ndërmarrje partiake dhe sa prej tyre i mbani në këmbë vetëm për punësimin e të afërmve tuaj dhe shpërlarjen e parave të vjedhura!

Thoni që keni punësuar shumë qytetarë shqiptarë dhe e keni zgjidhur çështjen e punësimit, çështjen ekzistenciale të shqiptarëve? Jo! Së paku këtë nuk e thonë statistikat. Sa shqiptarë ka pasur në marrëdhënie pune gjatë regjimit komunist dhe sa ka sot? A më shumë keni punësuar ju, apo më tepër shqiptarë janë „vetëpunësuar” në botën e jashtme për shkakun e qeverisjes suaj të keqe? Edhe ata që i keni punësuar, këtë nuk e keni bërë për parime dhe ideale, por për interesat tuaja, duke i shitur vendet e punës si në mallin e babës, për të siguruar sa më tepër ushtarë partiakë që t’u shërbejnë verbërisht përmes votës së tyre të manipuluar dhe shantazhuar që të mbeteni sa më gjatë në pushtet, për aq sa i duheni pushtetit dhe interesave të huaja!

Ka edhe shumë për të thënë, por këtë shpresojmë ta kuptoni ju vetë gjatë fushatës sensibilizuese për referendumin e 30 shtatorit, i cili duhet të jetë i sukseshëm edhe për një fakt, e që rrallëkush e përmend, të përfundojë me këtë sa më parë edhe përralla e juaj komuniste me tra-la-la pa mbarim

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit