Analizë e novelës “Një mall i pashuar” i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj

lybri

Fitim Haxhiraj, bashkëshorti i shkrimtares së mirënjohur Vilhelme Haxhiraj, erdhi në Tiranë dhe, në Kafe Evropa, në bisedë e sipër, nxori nga çanta dhe më dhuroi me autograf novelën e zonjës Vilhelme, me titull “Një mall i pashuar”. Këtë novelë e kisha lexuar një vit e gjysmë më parë, kur zonja Vilhelme ma pati dërguar me internet. Por tani e lexova përsëri, meqenëse leximi i librit të dalë nga shtypi, në krahasim me leximin e tij në kompjuter, të ngjall të tjera emocione, më të drejtpërdrejta dhe më mbresëlënëse. Shkrimtarët prandaj edhe na tërheqin me krijimtarinë e tyre, se, në dallim nga njerëzit e zakonshëm, ata nuk e zbresin përmbajtjen e tekstit deri në nivelin e lexuesit. Përkundrazi, ata e ngrenë lexuesin deri në nivelin e letërsisë. Shkrimtarja e shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj është mjeshtre e fjalës artistike dhe me krijimtarinë e saj në disa gjini letrare, ajo përcjell me art jetën shpirtërore të popullit shqiptar. Si një shkrimtare me talent të spikatur, ajo bën që gjuha shqipe të shfaqet si një zonjë hijerëndë nëpër faqet e veprave të saj letrare, në të cilat historia dhe kultura shqiptare pasqyrohen me tërë forcën dhe larminë e identitetit tonë kombëtar. Si një shkrimtare me një formim të admirueshëm intelektual, ajo operon përsosmërisht me të gjitha regjistrat e gjuhës shqipe. Në veprën e saj, si në tablonë e një mjeshtri të penelit, vijnë e ravijëzohen tiparet e veçanta të karakterit shqiptar, veçoritë e vlerave të tij morale, përfytyrimet për mirësinë, për bukurinë, për të vërtetën, për trimërinë, për dashurinë për punën, për besnikërinë. Kjo novelë dallohet për një subjekt qendërsynues dhe për një vijë kompozicionale të mirëravijëzuar. Autorja, përmes projektimit të një ngjarjeje dramatike nga jeta e dy të rinjve, e ngre rrëfimtarinë deri në lartësinë e poetizmit dhe zbulon skajshmërisht bërthamën e fabulës së novelës. Ajo e përmbledh materialin jetësor brenda fokusit të marrëdhënieve të dy të rinjve, të cilëve dikush ua vrau keq ëndrrën e dashurisë. Në këtë novelë, shkrimtarja ka nxjerrë në plan të parë fakturën figurative të rrëfimit, në të cilin zbulohet arti i fabulës në formën më të kulluar. Autorja ka pasqyruar mjeshtërisht kultin e lojës tragjikoironike të fatit në jetën e këtyre të rinjve, i cili vjen e shpërbën çuditërisht indin e përditshmërisë. Në këtë aspekt, kjo vepër të kujton krijimtarinë novelistike të autorëve të tillë të mirënjohur në letërsinë botërore, si Ernest Hofman (Ernst Theodor Amadeus Hoffmann – 1776-1822), Prosper Merime (Mérimée – 1803-1870), Edgar Po (Edgar Allan Poe 1809-1849) etj. Kurse me kthesat e papritura të fatit të dy heronjve kryesorë, me lojën e mistershme që luhet në jetën e tyre, autorja në këtë novelë ndjek gjurmët e novelistëve të tillë, si Gi de Mopasanit (Guy de Maupassant 1850-1893), të O. Henri(Olivier Henry1862-1910), Luixhi Pirandelo (Luigi Pirandello-1867-1936), Stefan Cvajg (Stefan Zweig- 1881-1942), Akutagava (Ryunosuke Akutagawa- 1892-1927), Anton Çehov (1860-1904), Ivan Bunin (1870-1953) etj. Në rrjedhën e shekujve njerëzit kanë shkuar në frontet e luftës, kanë lënë pas vendlindjen dhe kanë përballuar shumë stuhi shpirtërore në emër të dashurisë. Kësaj ndjenje hyjnore i janë kushtuar këngë, oda, vargje poetike, piktura, romane dhe filma artistikë. E megjithëse nuk ka asgjë më të fuqishme sesa dashuria, prapëseprapë edhe atë mund ta vrasin. Ekzistojnë shkaqe të ndryshme që çojnë në vrasjen e dashurisë së dy të rinjve. Të tilla mund të jenë tradhtia apo pabesia, prishja e drejtpeshimit të varësisë nga njëri-tjetri dhe mosrespektimi i caqeve të lirisë, pasioni i tepruar për të rrëmuar në të kaluarën e njëri-tjetrit, përshpejtimi i tepruar i ngjarjeve, mania për ta jetuar të sotmen në nxitim e sipër. Kjo për faktin se dashuria që ka në themel vetëm pasionet e çastit, nuk mund të ketë jetë të gjatë, sepse ua largon të rinjve shijen e emocioneve të shenjtëruara. Dashurinë, po ashtu, mund ta vrasin edhe huqet e dëmshme, dallimet e prioriteteve dhe të vlerave jetësore. Prandaj, që dashuria të rrojë sa më gjatë, ajo duhet të fshehë në vetvete diçka të pathënë deri në fund, diçka të magjishme deri në misteriozitet. Por në këtë novelë, autorja ka zbuluar mjeshtërisht një tjetër shkak të vrasjes së dashurisë: dallimet klasore në marrëdhëniet e dy të rinjve.Tragjizmi i pagjak i jetës së dy të rinjve të dashuruar që shpaloset në faqet e kësaj novele, është larg përfytyrimeve të pafajshme të brezit të ri të ditëve tona, të painfektuar nga mikrobi i mallkuar i luftës së klasave. Fabula e novelës bazohet në ngjarje reale. Historia e dy të rinjve vërtitet në vorbullën e fantazisë krijuese të autores, por dy heronjtë kryesorë të novelës janë realë. Autorja zbërthen individualitetin e dy të rinjve, çiltërsinë e zemrës, pastërtinë e shpirtit të tyre, vlerat e formimit rinor, pjekurinë e gjykimit mes emocioneve në rritje të dashurisë që nis të flatërojë në gjokset e tyre të dallgëzuara. Në linjën e fabulës së vet, autorja na rrëfen një histori të dhimbshme për fatin e një dashurie të vrarë, pa i idealizuar dy heronjtë e saj kryesorë dhe pa rënë në prehrin e urrejtjes për vrasësin e asaj dashurie të prerë në mes. Se vrasësi i asaj dashurie ishte duke kryer detyrën e vet,ishte duke kryer misionin e vet. Prapa figurës së këtij vrasësi të dashurisë, gjallon frikshëm hija e diktaturës. E asaj diktature mizore që pati hapur aq shumë humnera në monopatet e dashurive që mbetën si kujtime të dhimbshme në zemrat e sa e sa të rinjve fatgremisur. Njeriu në jetë nuk mund të marrë një vendim paraprak se kujt mund do t’ia falë zemrën e vet. Se mund të qëllojë që ai, i cili sot të duket kundërshtar i betuar dhe që mund edhe ta urresh me tërë qenien tënde, nesër, pa pritur e pa kujtuar, mund të shndërrohet në njeriun e vetëm, për të cilin ty zemra të rreh me dridhërimë. Se jo më kot, poeti i madh rus, Aleksandër Pushkini (1799-1837), në romanin e tij në vargje “Evgjeni Onjegin”, thotë:
“Çdo moshë i falet dashurisë”.
Dy të rinjve të kësaj novele u qëlloi të përjetonin një tronditje të rëndë shpirtërore që lexuesin e brengos thellë me dramatizmin e saj. Zemrat e tyre i kaplon trishtimi dhe për një kohë të gjatë ata enden në vorbullën e hamendjeve dhe të dyshimeve, për të cilat s’janë në gjendje të japin dot një shpjegim. E megjithatë, ata vazhdojnë ta duan njëri-tjetrin në heshtjen e tyre çiltërore, pa e ditur dhe pa u shkuar mendja fare se letërkëmbimi i tyre kishte rënë në kthetrat e diktaturës që rrinte në përgjim të jetës së çdo individi. Kur lexuesi, që ka jetuar vitet e luftës së klasave, e kthen kokën pas dhe ringjall në kujtesë dramat e dashurive të vrara, ai rri e përsiat në qetësi: megjithëse ato ngjarje, që mbartnin në vetvete paradoksin e një diktature absurde deri në marrëzi, zhvendosen tutje në vite, drejt mjegullnajës së historisë, prapëseprapë mbresat e njerëzve zemërplagosur që ato i përjetuan me brenga aq të thella në shpirt, vazhdojnë të mbeten të pashlyeshme deri në botën e amshuar. Dy heronjve të rinj që përkrkëdhelnin endrrat e tyre dashurore, u qe taksur të përballonin një provë të rëndë – ndarjen mizore, shkaku i së cilës ishte jo lufta jetëvrasëse apo vdekja tinëzare, por lufta e klasave, ky përbindësh gjëmëndjellës që hapi plagë aq të rënda në jetën e sa e sa njerëzve që s’gjetën dot kurrë përdëllim. Kjo është edhe arsyeja që përmbajtja e novelës përbën modelin e një përgjithësimi artistik. Pra, njëri nga tiparet karakteristike që mishërohet në figurën e Aurelit, si heroit kryesor të novelës, është vlera e saj përgjithësuese. Ky tipar i figurës artistike lidhet me faktin se ai mishëron në vetvete disa cilësi që janë karakteristike dhe që luajnë një rol të rëndësishëm në përshkrimin e elementit individual në jetën e tij. Dhe si vlerë domethënëse e figurave artistike të kësaj novele shërben fakti që emrat e dy heronjve kryesorë, të Aurelit dhe të Brikenës, nga të përveçëm, vijnë e kthehen në emra të përgjithshëm. Dhe sapo lexuesi njihet me ta, si dy heronj kryesorë të kësaj vepre, ata i sjellin në kujtesë menjëherë fatin e një morie aurelësh dhe brikenash, dashuria e të cilëve pati rënë viktimë e një lufte të marrë klasash që vazhdoi për disa dhjetëvjeçarë me radhë. Prandaj e tërë novela mishërohet në sinekdokën, si mjet artistik. Pra, përmes së veçantës, autorja, tërthorazi, e bën lexuesin të nënkuptojë të përgjithshmen. Në fatkeqësinë e dashurisë së Aurelit dhe të Brikenës, zbulohen brengat dashurore e të gjithë atyre brezave të rinjsh që lufta e klasave ëndrrat ua preu në mes. Fort prekëse janë faqet e librit ku skalitet bota e brendshme e nënës së Aurelit, e cila e mahnit lexuesin me ngrohtësinë e shpirtit të saj fisnik. Për babain e Aurelit shkrimtarja mjaftohet vetëm me heqjen e një peneli në tablonë e jetës së të rinjve. Ajo nuk e bën fajtor atë për ato që thotë e bën kundër dashurisë së të birit. Se ajo ia lë në dorë lexuesit të gjykojë për formimin e tij: ai është viktimë e indoktrinimit me luftën e klasave. Kjo novelë lexohet me frymën pezull për bukurinë e përshkrimeve lirike, në të cilat heroi kryesor i saj shtegton drejt botës së tij të brendshme. Në këto përshkrime ndihet aroma e lirizmit të prozës novelistike tëTurgenjevit (1818-1883), të krijimtarisë së Ernest Hemingueit (1899-1961), tëUiliam Follknerit(1897-1962),tëAlberto Moravisë (1907-1990), sidomosnë romanin e tij të parëme titull “Një banore nga Roma”, të botuar në vitin 1929. Përshkrimet lirike autorja i përdor për të nxjerrë në spikamë furtunat shpirtërore të Aurelit në çastet kur zemra e tij e ndien nga afër stuhinë e afsheve të dashurisë së parë që po ia pushtojnë zemrën cep më cep. Veçoria e përshkrimeve lirike qëndron në faktin se autorja i jep ato në formën e fluturimeve lirike, duke bërë kësisoj një ndryshim sa interesant, aq edhe të papritur në vijën kompozicionale të novelës.Por nuk mund të mos theksohet edhe fakti tjetër që përshkrimet lirike, për autoren e kësaj novele, përbëjnë një provë të vërtetë të shpërfaqjes së talentit të saj. Autorja e mbyll novelën me një paragraf me domëthënie filozofike: “Dashuria e vërtetë, me gjithë ngjyrat, zërat dhe forcën vitale të saj, jetohet vetëm një herë. Kjo është dashuria e pavdekshme që nuk shlyhet kurrë nga kujtesa, e cila lë pas veç brenga dhe mall… Një mall i pashuar! Kjo domethënie filozofike, me solli në kujtesë një aforizëm të shkëlqyer të pedagogut të shquar ukrainas Vasil Suhomlinski (1918-1970), në të cilën ai thotë: “Dashuria është më e madhe se Hyjnia. Ajo është bukuria dhe pavdekësia e amshuar e njeriut. Ne shndërrohemi në një grusht eshtrash, kurse dashuria mbetet e përjetshme”.

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit