Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresiste.: Beogradi po i përdorë serbët e Kosovës si instrument

Nenad Rashiq.
Zëri i serbëve të Kosovës është shuar dhe të gjitha mekanizmat janë vënë në shërbim të një grupi politik, Listës Serbe, që nuk po bën asgjë pozitive për popullin serb, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në mandatin e kaluar qeveritar, Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresiste. Ai thekson që Beogradi zyrtar po i përdorë serbët e Kosovës si instrument për pozicionim para dialogut, por edhe për arsye të tjera. Pavarësisht se të dyja palët janë në kurse të ashpra, Rashiq pret që së shpejti do të nisë faza përfundimtare e dialogut Kosovë-Serbi.

Zoti Rashiq, si mund ta përshkruani gjendjen në komunitetin serb në Kosovë, por edhe përfaqësimin e tyre politik në institucionet e Kosovës nga Lista Serbe, e cila merr pjesë në të dy nivelet e pushtetit, qendror dhe lokal?

Nenad Rashiq: Ajo që kanë bërë në vitin që po lëmë, nuk mund të matet në kuptimin pozitiv. Fatkeqësisht në kuptimin negativ, sepse janë shfrytëzuar si një mekanizëm, i cili në fund të fundit ka dashur, gjegjësisht, ka imponuar një politikë fatale për korrigjimin potencial, për ndarjen ose ndërrimin e kufijve, quajeni si të doni. Me vetë këtë ide, e ka dëmtuar dhe rrezikuar aq shumë serbët, sidomos në jug (të lumit Ibër), saqë tashmë po flasim për eksodin potencial që mund të ndodhë në qoftë se ajo ide fatale do të dalë në dritë apo të jetë në tavolinën e bisedimeve.


A po zbehet ideja për ndryshimin e kufijve?

Prandaj, fatkeqësisht unë nuk shoh madje as një shembull pozitiv nga Lista Serbe, por shoh plotë shembuj negativ dhe ky është problemi ynë më i madh. Ky është problemi më i madh në veri të Kosovës, ku zëri jonë është shuar dhe ku të gjitha mekanizmat janë vënë në shërbim vetëm për një grupacioni politik, i cili fundja nuk punon asgjë pozitive për popullin serb.



Në dy raste gjatë këtij viti kemi parë që përfaqësuesit politikë të komunitetit serb kanë bojkotuar institucionet e Kosovës. Në muajin mars Lista Serbe ka thënë se e ka braktisur Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, së fundmi 4 kryetarë të komunave veriore kanë dhënë dorëheqje. A kanë sjellë pasoja këto veprime?

Nenad Rashiq: Nuk e di se a mund të ketë kjo pasoja ligjore, por sa i përket pasojave politike, në këtë rast, me këta mekanizma, me një sistem të robëruar, i cili funksionon sipas një direktive që nuk është lokale, por më shumë është rajonale, mendoj që pasojat në këtë moment mund të jenë mjaft të kufizuara. Pse e them këtë? Fillimisht, pata thënë edhe më herët për atë se çfarë është më mirë, nëse e krahasojmë gjendjen e tanishme në Serbi - ku faktikisht të drejtat janë minimale - me atë këtu te ne (në Kosovë), ka qenë që këtu kemi pasur mundësinë që ta themi atë që mendojmë. Kjo ka qenë e lejuar dhe vazhdon edhe sot. Këtu ka ekzistuar mundësia për tu shprehur, për të folur. Ndërkaq, në rastin e tanishëm, fatkeqësisht, të gjithë mekanizmat, e sidomos mekanizmat sikur stacionet televizive dhe mekanizmat tjerë, shfrytëzohen pikërisht për të mbjellë bindjen që, për shembull, ndarja është gjëja më e mirë që mund të jetë për serbët e Kosovës.



A po mendoni që Beogradi, në këtë rast, po i shfrytëzon serbët e Kosovës si instrument për t’i krijuar vetes pozicion sa më mirë në dialogun e ardhshëm?

Nenad Rashiq: Absolutisht po dhe nuk është vetëm kjo vetëm për procesin e dialogut. I shfrytëzon edhe për shumë, t’i quaj gjëra me më pak rëndësi, sikurse ndikimi në sferën ekonomike në çfarëdo forme, në mënyrë që të përfitojnë që përfaqësuesit e Listës Serbe të jenë, më të afërt me ta. Shfrytëzohen aty ku Lista Serbe apo serbët e Kosovës mund të vendosen si mekanizëm vetëm për tensionimin e marrëdhënieve.




A prisni se do të ketë një qasje më të shpejtë drejt dialogut?

Nenad Rashiq: Mendoj që po. Pavarësisht që po duket që të dyja palët janë në kurse të ashpra, konsideroj që e gjithë kjo është me regji dhe se nuk është në esencë gjithçka ashtu. Edhe kjo letra e fundit që ka dërguar presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, flet për atë që mbase dikush atje po e humbë durimin që të luajë me ne me vite dhe me dekada. Prandaj, mendoj që kjo më shumë është e imagjinuar dhe se po bëhet më tepër për nevoja të brendshme dhe se në përgjithësi nuk është ndonjë pengesë që do të mund të ishte problem për vazhdimin e dialogut. Pra, kur të vlerësohet se janë pjekur kushtet për arritjen e një marrëveshje, ata shumë shpejt dhe lehtë do të ulen në tavolinë. Por, në këtë rast, do të jetë ndryshe nga takimet e tjera, për shkak se pres që në periudhën e ardhshme, kurdo që të caktohen takimet e ardhshme, ato do të jenë më të pakta në numër. Faktikisht, në rast se do të jenë një, dy apo eventualisht tri takime, në to do të bëhet një vendim. Përndryshe, nuk më pëlqen termi ‘marrëveshje finale', sepse nuk është e tillë, por mund të quhet ‘fillim i marrëveshjes finale’. Për finalizimin e marrëveshjes do të duhen disa vite.


I përmendët letrat e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që u janë dërguar të dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë, HashimThaçi dhe Aleksandar Vuçiq . Si i vlerësoni ato letra?

Nenad Rashiq: Në fakt, unë para katër muajsh kam qenë i pari që kam folur, duke u bazuar në përshtypjen që kanë lënë përmes “gjuhës së trupit” që ata (Thaçi dhe Vuçiq) tashmë kanë arritur marrëveshjen. Kështu më linte përshtypjen sjellja e tyre ndaj njëri-tjetrit, shtrëngimi i duarve, sikur të ishin marrë vesh për diçka. Në anën tjetër, nëse kjo është e saktë dhe nëse kam pasur të drejtë për këtë që thash, kjo do të thoshte që ata kanë biseduar në prapaskenë, larg syve të opinionit ose nuk i kanë dhënë opinionit asnjë informacion apo vetëm pak informacion.(REL)

16x9 Image

Bekim Bislimi

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.



Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri