Parazitët e letërsisë

Fotografia e profilit të Ag Apolloni
AG APOLLONI

Në relacion me artin, kritika ka karakter aposteriori. Si e tillë, ajo nuk mund t’i prijë artit, por mund ta përcjellë atë. Arti është mbreti, kritika është shpura e tij
Me lindjen e letërsisë ka lindur edhe nevoja për të folur për të. Dëshira për ta shpjeguar procesin e krijimit, ka sjellë tekstet shpjeguese dhe komentuese që njihen me emrin e përbashkët: kritikë. Fjala “kritikë” në greqishten e vjetër kishte kuptimin e “aftësisë për të gjykuar”, prandaj edhe ai që gjykonte (kritiku) konsiderohej, ashtu siç konsiderohet edhe sot: njeri kompetent për të gjykuar. Nëse përjashtojmë përgjithësimet teorike të Platonit (“Joni”, Republika” dhe “Kratili”), si kritik i parë në Evropë mund të konsiderohet Aristoteli me “Poetikën” (kritikë mbi tragjedinë), ndërsa në Azi si prijatar i kritikës mund të merret Bharata Muni me “Natya Shastra” (kritikë mbi teatrin). Përafërsisht në të njëjtën kohë, Aristoteli dhe Bharata Muni kodifikuan tekstet teatrore dhe potencuan funksionet e tyre (“katarsis” dhe “rasa”). Pas tyre, në Perëndim dhe në Lindje, kritika u zhvillua dhe u nda në shumë degë, derisa në shekullin njëzet pati një vërshimë të shkollave kritike: formalizmi, Humanizmi i Ri, Kritika e Re, psikanaliza, hermeneutika, kritika receptive, strukturalizmi, dekonstruksioni, kritika postkolonialiste, Historicizmi i Ri, kritika pragmatike, kritika ekscentrike (kritika LGBT), ekokritika etj.

Kritika zakonisht ka bërë punën e vet të natyrshme: ka përcjellë letërsinë. Vetëm kritika dogmatike (socrealiste) ka tentuar të ketë karakter apriori ndaj letërsisë, prandaj edhe ka dështuar bashkë me letërsinë që e ka prodhuar.

Kritika shqiptare

Natyrisht, në studimet letrare shqipe, që nuk datojnë para shekullit njëzet, nuk i hasim të gjitha shkollat kritike të lartpërmendura, madje mirëfilli nuk e hasim asnjë shkollë kritike. Kritika shqiptare, ndikimin më të madh e ka nga pozitivizmi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, parimeve të të cilit u janë përmbajtur, kush më shumë e kush më pak, të gjithë kritikët shqiptarë. Mirëpo, herë pas here ata janë ndikuar edhe nga shkolla të tjera, si: formalizmi, psikanaliza, strukturalizmi, kritika receptive, kritika e variantit dhe kritika pragmatike.

Edhe pse në kritikën shqiptare nuk e kemi asnjë kritik të vetëm që lidhet vetëm me një shkollë kritike, si themelues të kritikës mund të konsiderohen: Konica, Noli e Kuteli me shkrimet e tyre të shkapërderdhura nëpër periodikë, apo me parathënie librash; konsolidues: Qosja, Rugova e Hamiti, disa nga veprat e të cilëve janë kontribute kapitale të kritikës; atentatorë: Dh. Shuteriqi, K. Bihiku, R. Brahimi, D. Shapllo, K. Velça, të cilët, në vend se ta përcjellin, u përpoqën ta udhëheqin letërsinë; përfaqësues: Arshi Pipa, i cili me veprat e tij, shqip e anglisht, paraqet shembullin më të mirë të kritikut, aq sa pranë tij të gjithë kritikët shqiptarë duken si nxënës. Fatkeqësisht, për shkak se kritika e Pipës është shkruar kryesisht jashtë Shqipërisë dhe në gjuhën angleze, ai ende nuk është ulur në fronin që i takon. Kritika e tij është një gërshetim i kritikës evropiane (italiane, franceze, gjermane, angleze) me atë amerikane. Aty, pos të tjerash, gjejmë për herë të parë edhe kritikën e variantit, sigurisht nën ndikimin e Gianfranco Continit.

Nga letërsia te metakritika



Duke u nisur nga botimet e dekadës së fundit, mund të konsatohet se letrarët shqiptarë më shumë preferojnë ta studiojnë letërsinë sesa ta krijojnë atë. Këtë shembull e japin të gjithë ata që tash për tash janë më aktivë në jetën kulturore, duke u imponuar në radhë të parë me ese, recensione e kritika letrare, qoftë me libra të veçantë, qoftë me tekste nëpër gazeta dhe revista letrare. Shumë më pak janë shkrimtarët që merren intensivisht me shkrime fiksionale.

Gjithsesi, duhet pasur parasysh që letërsia postdiktatoriale shqiptare dhe kosovare është letërsi që po e krijon identitetin e vet me vështirësi, duke u munduar që herë pas here të sjellë risi nga modelet botërore, të hapet ndaj jetës dhe ndaj veprave të huaja. Kjo është një meritë e kësaj letërsie, ndërsa dobësi e saj është botimi i rrallë i romanit (me vlerë) dhe dominimi i letërsisë metatekstuale (kritikës). Në shekullin e ri, shumë flitet për letërsinë e pak bëhet letërsi. E, çka është edhe më keq, edhe ajo letërsi metatekstuale shpesh është rob i teorive të tejkaluara, si: pozitivizmi, formalizmi dhe strukturalizmi, metoda këto që po e kryqëzojnë letërsinë.

Letërsia shqipe pothuajse është kthyer nga letërsi fiksionale në letërsi metatekstuale (kritike), ndërsa dominimi i metatekstualitetit mund ta kthejë atë në metakritikë (kritikë mbi kritikën). Një “zhvillim” i tillë mund ta kthejë mbrapsht letërsinë, mund t’i injorojë krijuesit dhe mund t’i shtojë parazitët.

Hermeneutika dhe erotika

“Ai që nuk mund të bëhet artist, bëhet kritik”, ka thënë Gustav Flaubert. “Kritika është hakmarrja e intelektualit ndaj artit”, ka shtuar Susan Sontag. Megjithatë, shkrimtarë dhe studiues të tjerë mundohen të mos jenë kaq kategorikë në relacionin kritikë – art. Kështu, ata e shohin kritikun si person që flet me kompetencë për artin (letërsinë). Kritiku konsiderohet si një ndërmjetës mes librit dhe lexuesit. Ai herë pretendon ta orientojë lexuesin, herë sugjeron një alternativë leximi.

Në kritikën shqiptare, Konica në mënyrë arbitrare ia ka bërë të qartë lexuesit që letërsia dhe patriotizmi nuk duhet të përzihen. Dikush që është patriot, s’është e thënë të jetë patjetër dhe shkrimtar i mirë: “Naim Benë si atdhetar e kam kurdoherë lëvduar dhe ngritur në qiell; si shkronjëtor s’qe gjë”. Duke e lëkundur nga piedestali shkrimtarin më të madh kombëtar, Faik Konica shokoi lexuesin e kohës së tij dhe ndikoi në formimin e vetëdijes letrare.

Në anën tjetër, Noli me kritikat e tij sociologjike, kërkonte që nëpërmjet veprave botërore të sulmonte politikën shqiptare. Ai nuk e shkruante parathënien për ta orientuar lexuesin drejt tekstit, por për ta udhëhequr atë në një kontekst tjetër socio-politik. Prandaj, kritika e tij është kritikë tendencioze.

Kuteli, edhe pse shpesh tregohej lirik në kritikë, zotëronte metodën formaliste, duke manifestuar në shkrimet e tij një kulturë të madhe gjuhësore dhe teoriko-letrare. Po ashtu, Çabej, edhe pse shkroi pak për letërsinë, krijoi konturat e përgjithshme të letërsisë nga fillimi deri te romantizmi. Kompetencat e tij nuk shkonin përtej kësaj periudhe.

Skënder Luarasi me shkrimin mbi letërsinë moderne në Shqipëri, krahas vlerësimeve objektive, është i pari që hetoi mundësinë e shterimit poetik të Lasgushit, hipotezë kjo që u vërtetua vite më vonë. Ndërsa, Krist Maloki është i pari që e vuri në dyshim vlerën poetike të Lasgushit.

Në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, kritika në Shqipëri u bë dogmatike, kurse në Kosovë u formuan individualitete, mes të cilëve edhe tre autoritete: Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova dhe Sabri Hamiti. Qosja kodifikoi romantizmin shqiptar dhe, duke kritikuar “Dasmën” e Kadaresë, hodhi poshtë realizmin socialist; Rugova vuri themelet e metakritikës (“Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983”); Hamiti mbrojti me konsekuencë kritikën eseistike, që arsyeton subjektivitetin dhe nëpërmjet saj kodifikoi letërsinë nga Buzuku e këndej. Derisa dy të parët hoqën dorë nga kritika në vitet ’80, i treti u bë më aktiv dhe dominoi pas viteve ‘80.

Në shekullin e ri, në Shqipëri, pos ardhjes së kritikës së Arshi Pipës në shqip, nuk pati ndonjë risi, ndërsa në Kosovë risitë nuk munguan, por besimi në kompetencën e kritikut është zbehur.

Megjithatë, as ngecja, as zhvillimi i kritikës nuk e ndihmuan letërsinë, së cilës “më shumë se hermeneutika i duhet erotika e artit” (S. Sontag).



Letërsia e kërrusur

Në vitin 1967, John Barth shkroi manifestin e postmodernizmit, “Letërsia e shterimit”, të cilin shumë studiues e lexuan si tekst apokaliptik për letërsinë, si “vdekje të romanit”. Për ta shmangur këtë keqkuptim, më 1980 ai shkroi “Letërsinë e rimbushjes”, ku theksoi kombinatorikën si teknikë të domosdoshme që shpie drejt asaj që Derrida e quan “diskurs brikolar”.

Në letërsinë shqipe këto ese nuk kanë sjellë ndonjë shqetësim, apo ngushëllim. Letërsia shqipe nuk është as e shteruar, as e rimbushur. Ajo është letërsi e kërrusur, e kërrusur nga kritika, e cila për nga natyra është parazite.

Kritika sot, si edhe në kohët e lashta, bazohet mbi fiksionin, pra, ka status aposteriori. Ajo e ndjek krijimtarinë, por nuk e dikton. Si e tillë, nëpërmjet metodave të ndryshme, ajo përpiqet ta kuptojë atë me të cilën merret. Por nëse nuk krijohet letërsi, çfarë mund të synohet të kuptohet?

Letërsia shqipe, prandaj, është letërsi në rrezik. Nëse nga kurrizi i saj nuk largohen një grumbull parazitësh gjykues e paragjykues, apo nëse vazhdon shtimi i tyre dhe mungon ardhja e individualiteteve të letërsisë artistike, atëherë së shpejti do të kemi një letërsi pa kurriz, që do të jetë letërsia metafiksionale, e cila më shumë do të lexohet si nekrologji sesa si kritikë.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri