Zija Çela :"Ora e Zooparkut"; “Djalli komik”...




Nga Flori Bruqi

Zija Çela ka lindur më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje, ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpijake.
Zija Çela.jpg


 Megjithëse kaloi një fëmijëri dhe rini të vështirë (babai i vdiq kur ishte vetëm pesë vjeç), ai arriti të diplomohej në Universitetin e Tiranës për letërsi. 

Në atë kohë, u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit. Në këtë qytet të vogël verior punoi për shumë vite dhe, kur ishte bërë i njohur me librat e tij, e transferuan në kryeqytet.

Në Tiranë punoi redaktor në revistën letrare“nëntori”, ndersa nga 1984 – 1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Në vitet ‘90 kjo gazetë luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen intelektuale për përmbysjen e sistemit totalitar. 

Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm. 

Në vitin 2000 e gjejme kryeredaktor i të përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. 

Njëkohësisht që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë.

Si autor u bë i njohur shpejt nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. 

Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili per realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit. Autori është fitues i disa çmimeve letrare.

Në qershorin e vitit 2005, së bashku me bashkëshorten, Çela zhvendoset në Itali per t’i qëndruar te koka të birit, Dritanit, i cili sëmuret nga kanceri dhe mbyll sytë nëntë muaj më vonë. 

Duke pasur për protagonist të birin, i njohur gjerësisht në Shqipëri si përkthyes nga italishtja, kësaj ngjarjeje tragjike shkrimtari do t’i kushtojë librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. 

Opinioni e priti me interesim të veçantë dhe profesionistët e cilësuan si një nga librat më të mirë të këtij lloji (elegji në prozë) që janë shkruar në letrat e përbotshme. Ja një pasazh nga ky libër: “Thonë se vyrtytet dhe talentet janë xhevahirët më të shtrenjtë që zbukurojnë njeriun. 

Nëse është e vërtetë, atëherë mund të pohoj se xhevahiret e tij, gjithë kohën sa rrojti, Dritani i mbajti në mënyrën më të padukshme, nën këmishë. 

Vetëm një herë i shkëlqeu një diamant i zi dhe kjo ndodhi në mortin e tij. Por doli se, për këtë, edhe opinioni kishte qenë i gatshëm... 


O atlet i jetës, që e humbe betejën! Sa herë që vdes një njeri si ti, vdekja nuk ka mundur vetëm individin, por tërë njerëzimin.”

Tituj të veprave

1971 : Yje mbi lumë
1974 : Jeta në shtëpinë tonë
1979 : Pëllumbat e janarit
1979 : Një verë pa lamtumirë
1984 : Buletini i borës
1987 : Eklips dhe proza të tjera
1989 : Mali i tejdukshëm
1990 : Shtëpia e lepujve
1990 : Gjaku i dallëndyshes
1992 : Gjysma e Xhokondës
1995 : Një fjalë me lejen e Zotit
1996 : Monedha e dashurisë
1998 : Banketi i hijeve
2000 : Oborri i një tirani të fshehtë
2002 : Lëngata e hënës
2002 : Gjaku im i errët
2005 : Las Varrezas
2007 : Për dashurinë shkruhet pas vdekjes
2009 : SOS, një buzëqeshje
2010 : Goja e Botës
2011 : Apokalipsi sipas Shën Tiranës
2012 : Pika drite në Eklips
2012 : Buza e kuqe dhe Gjaku i errët
2014: Arkipelagu Spiritus
2016: Princi i Buzëqeshjes
2017: Ora e Zooparkut

Çmime letrare

Zija Çela ka marrë nëpër vite mjaft çmime letrare. Por autori i përmbahet bindjes se çmimet jo gjithnjë jane shenja të sigurta vlerash.

1984 : Çmimi i Republikës (“Buletini i borës”) ;
1996 : Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (“Monedha e dashurisë”) ;
1998 : Çmimi “Velija” për romanin më të mirë të vitit (“Banketi i hijeve”) ;
2002 : Çmimi “Buzuku” (Kosovë) për romanin më të mirë të vitit (“Lëngata e hënës”) ;
2006 : Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit (“Las Varrezas”) ;
2010 : Çmimi Kriterion ;
2012 : Çmimi "Petro Marko" për romanin më të mirë të vitit (“Apokalipsi sipas Shën Tiranës”) ;
2012: Çmimi “At Zef Pllumi” për prozën më të mirë të vitit (“Buza e kuqe dhe gjaku i errët”);
2013: Çmimi “Çmimi i PEN të Shqipërisë”;
2017: Çmimi "Rexhai Surroi" për romanin "Ora e Zooparkut".



“Ora e Zooparkut”, romani i Zija Çelës, është një vepër tjetër mjaft e vlerësuar, madje duke ardhur me zhvillime të reja autoriale. “Të ngjan sikur kjo ngjeshje, ky surpres narrativ, gjuhësor dhe emocional ka një burim të përbashkët. Mund të hamendësoj se autori është ndodhur në një gjendje tjetërsoj, më të zymtë, më të trishtë, në një nga ato gjendjet e trishtim-kllapisë që e afrojnë njeriun me të Vërtetën e thelbit dhe me krijimtarinë e madhe. Një rrëfim në vetën e parë, ashpërsisht realist, me trajektore gjithë zigzage kohore e hapësinore, por ku retrospektivat duken iluzionisht si vazhdim linear i rrëfimit. Romani “Ora e Zooparkut” është thellësisht modern, pa synuar që të jetë i tillë. Dhe ky është moderniteti i vërtetë.”, ka shkruar Rudolf Marku për këtë vepër.



zija celaaa

“Djalli komik”, Zija Çela na prezanton me universet paralele



Jo rrallëherë letërsia është lojcake. Ajo të merr në duar dhe të shtyn në rrjedha që as i ke menduar. Po aq zemërgjerë. Të ofron qindra lexime, duke qenë gjithnjë e re. Duket se kjo ka ndodhur edhe me romanin më të ri të Zija Çelës, “Djalli komik”, i cili sapo ka dalë në qarkullim nga shtëpia botuese “Toena”, e dje pati takimin e parë me lexuesin.



Për botuesen Irena Toçi, Zija Çela është një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, mendim ky që mbështetet nga të tjerë emra të letrave shqipe si Mehmet Kraja, Rudolf Marku, etj.. Dhe jo me pa të drejtë, pasi Zija Çela zgjedh të na flasë për raportin e njeriut me pushtetin, raportin e individit me shoqërinë, raportin me vetveten, përmes ca ngjarjesh të çuditshme, që duket se ndodhin në një tjetër botë, në një tjetër jetë, por që ka qëlluar të jenë edhe parashikime ngjarjesh në këtë bitin tonë të prekshme. Për ata të paktit, që kanë pasur fatin ta lexojnë që në dorëshkrim romanin më të ri të shkrimtarit, ai nuk është thjesht libri i radhës.

Zija cela1

Studiuesi Agron Gjekmarkaj do të ndalej në disa aspekte të shkrimit të Çelës, që nga ndërtimi i galerisë së personazheve, te kompozicioni i ndërlikuar, i cili është i ndryshëm dhe sfidues nga njëri tekst në tjetrin. Sipas Gjekmarkajt, duke e vendosur ngjarjen në një fshat të Fierit, në Shegan, Çela jo vetëm i bën nder këtij fshati, por zgjeron edhe gjeografinë letrare shqiptare. Por Gjekmarkaj vë re se ajo mund të ndodhte kudo, në Shqipëri dhe se është nga ato raste kur e vogla bëhet e madhe, bëhet universale. Duke iu referuar titullit të librit, por që mban edhe gjithë filozofinë e rrëfimit, studiuesi do të thoshte se djalli është komik, pushteti është komik, instikti, madje edhe kulti i injorancës.

“Në romanin e Zija Çelës, shoqëria shqiptare gjen sallën e kirurgjisë, por fatkeqësisht pacienti vdes në sallën e ‘Instagramit’”, u shpreh ai. Ndërsa shkrimtari Lazër Stani do të ndalej tek ai univers paralel që krijon Zija Çela dhe që nuk i bindet ligjësive të universit tonë, por që na çliron nga verbëria kolektive dhe sheh thellë e më thellë në raportin mes individit dhe shoqërisë. Sipas Stanit, duket sikur korpusi i krijimtarisë së Çelës është i plotësuar dhe se nuk ke se çfarë t’i heqësh e t’i shtosh, por çdo vepër e re duket sikur hedh farën për veprën e radhës.


Duke u ndalur shkurtimisht në fabulën e veprës, Zija Çela nuk mund të mos ndalej pak te gjykimet që u dhanë për veprën e tij. “Kritikët dhe studiuesit duhet të sqarojnë lexuesin dhe të trazojnë shkrimtarin. T’ju them të drejtën, Agroni më futi në ca trazime, sepse asnjëra nga problematikat që ka nxjerrë ai nuk më ka shkuar ndër mend kur e kam shkruar, por me sa duket ato kanë marrë udhë përmes ngjarjesh”, do të thoshte Zija Çela, duke shpalosur kësisoj misterin e procesit të krijimit dhe të vetë letërsisë.


****




Zija Çela, shkrimtar i majave letrare, përgjigje për pyetjen “PSE?”
-Secila dekadë shënon për autorin lëvizje të veçanta përpara, si në përkapjen e botës, ashtu edhe në përsosjen artistike dhe estetike të diskursit letrar Shkrimtari Zija Çela

Akademik Prof.Dr.Ali Aliu



Rrit madhesinë e shkrimit Zvogëlo madhesinë e shkrimit
Zija Çela është i veçantë dhe i papërsëritshëm pёr format shkrimore nё prozёn e sotme shqipe. Ai ështё krijues i dëshmuar i një bote letrare, që në vetvete ngërthen epoka të tëra të njerëzores dhe të njerëzimit. Pikërisht ky ngjyrim shpirtëror i letërsisë e bën krijimtarinё e Zija Çelës të jetë e dallueshme si për nga vlera artistike dhe ndjeshmëria krijuese, po ashtu pёr vizionin jetësor e filozofik.
Të gjitha veprat e Zija Çelës shpalosin urtësinë se rrugët, ku ecën krijuesi, çojnë drejt sё bukurёs, drejt përsosmërisë, që ёshtё cak i paarritshёm, prandaj të gjitha ato udhëtime mbeten peng i ëndrrave për majat e papushtuara.

E më pas nuk mbetet tjetër, përpos t’ia fillosh rishtazi udhëtimit, çka Zija Çela e bën me çdo vepër, si një fillim i ri që ndërthuret me ato të mëparshmit dhe që, së bashku, përbëjnë një udhёtim madhёshtor drejt shijimit të jetës, shijimi që ngёrthen nё vetvete të gjitha shfaqjet jetësore, bukuritë, shëmtitë, dramën, komiken, dhembjen, gёzimin, egoizmin, patjetër humanizmin.
Veprimtaria krijuese e Zija Çelës ka tё pranishme nё vete njё dimension të pashtershëm, njё bёrthamё të veçantë: të vërtetën se njerëzimi asnjëherë nuk ka qenë bosh, në mjegull, pa vizion, pa vizionarë. Duke lexuar veprat e Çelës, e kupton se asnjë epokë nuk ka mbetur pa Homer, pa Dante dhe Shekspir, pa Da Vinç dhe Betoven... Arti i Çelës i ndien dhe i parasheh të gjitha rrugët e mundshme të shpirtit e të mendjes.

Qytetet e tij metaforike apo me emra realë, e sjellin botën shqiptare në pamje nga më të ndryshmet dhe, siç ka vërejtur me të drejtë kritika, përbëjnë atdheun e tij shpirtëror. “Nëse dikund në letërsinë shqiptare do të gjente zbatim thënia e G.G. Markesit se Makondoja e romaneve të tij më parë se vend gjeografik është gjendje shpirtërore, atëherë pikërisht Mamaci dhe Barabia e romanit “Banketi i hijeve” të Zija Çelës, para se vendbanime, janë gjendje shpirtërore, të cilat në kontekstin e ngjarjeve në roman arrijnë të kuptimësohen. Ky roman është model letrar i përkryer për t’u ngritur në lartësi metafore mbi përmasat devijante të psikologjisë kolektive.” (Ismail Syla, Rilindja, qershor 1997)

Mbështetur mbi prejardhjen dhe ecurinë e kësaj bote, Zija Çela krijon botën e fiksionit, fantazisë, shtigjet e së mundshmes, të asaj që vjen dhe troket nga larg. Depërtimi në thellësi i intuitës dhe imagjinatës krijuese, shikuar nga kjo perspektivë, del i një dhuntie përmasash madhore. Secila dekadë shënon për autorin lëvizje të veçanta përpara, si në përkapjen e botës, ashtu edhe në përsosjen artistike dhe estetike të diskursit letrar. Zija Çela krijues e vuan rëndë krizën e vlerave shpirtërore.

Kur nuk u mungon hapësira për të qenë të lirë, përkundrazi, pikërisht kur janë të lirë, lavidanët Fifarës (romani “Goja e Botës“) nuk dinë t’i japin vlerë lirisë, përkundrazi e gërryejnë nga themeli qytetin e tyre, e bëjnë model abuzimi, arenë tregu të egër, ku lufta për pushtet e pasurim, metodat mafioze, grykësia e bërrylave dhe stërkëmbësave janë brutalisht marramendëse dhe vënë çdo gjë në lëvizje. Modeli i lirisë shqiptare e trondit shkrimtarin që, sa më tepër e vuan bjerrjen e vlerave shpirtërore të qytetit të vet, po aq e acarojnë veprimet e protagonistëve. Dhe, me synimin si nëntekst që të ndryshojnë, merr penën-kamzhik për t’u mëshuar dhe për t’i mëshiruar njëherësh, ashtu si në romanet e këtij cikli që, së bashku me “Arkipelagun”, shkrimtari Mehmet Kraja i ka cilësuar si "saga alegorike më e madhe e letërsisë shqipe“.

Edhe në nivel të diskursit narrativ, ky autor i veçantë është i formatit të madh. Turbulencat e brendshme, të kontrolluara e të artikuluara me mjeshtëri, janë tharmi estetik i kësaj poetike. Rrëfimi i Zija Çelës të mban përherë zgjuar, meritë edhe e ritmit të gjallë të detajeve, të nxit kërshërinë për atë që sjell fjalia, pasusi i radhës, ritmi i situatave që rrjedhin pandërprerë. Në këtë diskurs narrativ, tërë personazhet e korpusit të madh janë në lidhje e raporte të gjalla komunikimi me njëri-tjetrin dhe lexuesi bën kujdes të përqendruar për statusin e tyre, karakterin, filozofinë, anën njerëzore.

Ja përse, siç kemi argumentuar edhe më parë, besojmë se Zija Çela është shkrimtar formati me qëndrim dhe vizion qartësisht të formuar ndaj njeriut dhe botës. Është përditshmëria, kërkimi dhe vetëkërkimi dramatik i saj që e nxisin dhe e shqetësojnë këtë shkrimtar, tema që e ndjell dhe përthith ndjeshmërinë e frymëzimit të autorit; është vizioni i tij ndaj realitetit të sotëm shqiptar dhe përtej këtij realitetit, si kapërcim i kohës reale; janë fuqia dhe origjinaliteti i ekspresionit narrativ, perceptimi dhe filozofia origjinale mbi gjithësinë; janë rezonancat e kumteve të forta dhe fryma gjithëherë e pranishme e dashurisë përballë urrejtjes, e jetës përballë vdekjes, që e bëjnë shkrimtar të madh Zija Çelën.

Mund të thuhet se tërë proza tregimtare dhe romanore e autorit përbën librin e tij unik, atë me shumë kapituj, në përputhje me natyrën dhe rrugën krijuese konsekuente që në hapat e parë të krijimtarisë së tij. Të gjithë përbërësit e poetikës narrative, personazhet, perspektivat e narratorit, koha, hapësira metaforike dhe konkrete, të kurorëzuara në bukuri rrëfimi, në romanet e Zija Çelës rrezatojnë fuqi tërheqëse, magjike, edhe për faktin se vizioni i shkrimtarit shpërfaqet qartë në tekst, deri edhe si thurje fjalësh, si intonim e ngjyrim, si figurë, si imazh dhe komunikim.

Pikërisht për marrëdhënien e tekstit me lexuesin, L. Tahiri arrin në këtë cilësim në një studim të saj: “Ashtu si veprimtaria e Ismail Kadaresë, që e ka mundësuar lirinë e mendimit në kohën e diktaturës më të egër, proza e Zija Çelës e ushqen kreativitetin e leximit në epokën e sotme të kulturës së popullarizuar të konsumit, ndoshta duke vërtetuar kështu faktin se letërsia ka qenë tradicionalisht mjeti më efikas i shqiptarëve për t’u rezistuar ideologjive totalitare, çfarëdo qofshin ato. Me veprën e tij, Zija Çela arrin të krijojë një autoritet të ri, atë të lexuesit, duke iu kundërvënë jo vetëm dogmës së realizmit socialist, që synonte të parandalonte çdo shkëndijë të mendimit kritik te lexuesi, por duke u shkëputur edhe nga realizmi komercial, që e shndërron në konsumator pasiv lexuesin.

Një përqasje e këtillë e autorit i shkon për shtat edhe raportit modern të lexuesit me letërsinë.” GSH 2002. Ëndërrimi i Zija Çelës për mirëkuptim dhe harmoni mes njerëzve shquhet si tundimi më prekës, më i bukuri në veprën e madhe të tij. Dhe, kur komunikohet me tundimet e botës krijuese të Zija Çelës, mbase arrihet të kuptohet më përafërt struktura e botës shpirtërore të autorit, hapësira e trualli ku lind dhe rritet letërsia e tij. Është dhunti kjo e një shkrimtari të madh, i cili jeton prore nën tundimin e sinjaleve, të porosive që pandërprerë vijnë nga thellësitë e qenies dhe të ekzistencës së njerëzimit.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri