Shkrimtarja “skandaloze” Sidonie-Gabrielle Colette

Colette, pseudonimi i Sidonie-Gabrielle Colette ka qenë një shkrimtare franceze, e cila konsiderohet ndër më të mëdhatë e gjysmës së parë të shekullit XX. E nderuar me titujt më të lartë akademikë, ajo ishte gruaja e parë në historinë e Republikës Franceze së cilës i janë kryer funeralet nga shteti. Colette ka qenë një protagoniste e madhe e epokës kur jetoi, një mit kombëtar: përveçse shkrimtare, ajo ka qenë edhe aktore e mjuzikëllave ku shpesh gjatë performancave të saj është shfaqur nudo në skenë, por ka qenë edhe autore e kritike teatrale, gazetare dhe kryeredaktore, skenariste dhe kritike e kinematografisë, estetiste dhe tregtare kozmetike. Pati tre bashkëshortë dhe një të dashur 30 vjet më të ri se ajo. Shumë herë ka qenë në qendër të skandaleve për shkak të marrëdhënieve të saj të çlirëta sentimentale me disa personalitete mondane të të dyja sekseve të shoqërisë së lartë franceze. Edhe pse nuk pati asnjëherë simpati për feministet e kohës së saj, jeta dhe vepra e saj letrare ishin dëshmia e një gruaje të lirë, antikonformiste dhe e emancipuar, që sfidoi bindjet dhe shtrëngimet morale të kohës dhe që kontribuoi në thyerjen e disa tabuve femërore duke nisur qysh prej krijimit të saj të parë letrar. Colette, u rrit në Borgogna në një liri të madhe dhe me një kontakt të ngushtë me natyrën. Ajo kalon një fëmijëri mjaft të lumtur të rrethuar nga dashuria e familjes. Qysh fëmijë ajo mëson të dojë librat dhe muzikën dhe është e lirë të lexojë gjithçka dëshiron. Në moshën 6-vjeçare kishte lexuar Honoré de Balzac, Alphonse Daudet, Prosper Mérimée dhe William Shakespeare. Colette, edukohet nga e ëma, një grua me një mentalitet modern e deklaruar ateiste dhe antikonformiste. Ajo i mësoi të bijës të vëzhgojë natyrën dhe i transmeton dashurinë për kopshtarinë. Në kujtim të së ëmës, Colette do të shkruajë romanin “Sido”. E regjistruar në shkollë publike, Colette i kalon shkëlqyeshëm të gjitha provimet. Në vitin 1891, për shkak të problemeve financiare, familja e saj transferohet në një qytet tjetër. Deri në vitin 1892 Colette i kushtohet thellimit të formimit të saj muzikor dhe teatror, duke u njohur dhe krijuar miqësi me Henri Gauthier-Villars, i quajtur Willy, i cili do të bëhej shumë shpejt edhe bashkëshorti i saj i parë. U martuan më 15 maj 1893. Willy e njohu të shoqen me Parisin mondan që e mahniste Colette, më shumë sesa e tërhiqte duke qenë se ajo ishte ende shumë e re dhe ishte mësuar të jetonte në qetësi. Willy e mbante veten për shkrimtar, por librat e tij i shkruanin të tjerët. Ndodhi pikërisht kështu kur i kërkoi të shoqes të shkruante një roman të ngjashëm me “Le petit Chose” të Alphonse Daudet, që asokohe ishte shumë në modë. Lindi kështu në vitin 1900, “Claudine à l’école”, shkruar nga Colette dhe që mbante emrin e Willy-t. Romani pati një sukses të madh njësoj edhe seria e “Claudine”. Por marrëdhënia e tyre nuk ishte e fortë edhe për shkak të tradhtive të vazhdueshme të tij. Në vitin 1905 ata u ndanë. Atëherë Colette lidhi miqësi me Mathilde de Morny të ashtuquajturën Missy, markezë e Belbeuf, dhjetë vjet më e madhe se ajo në moshë. Marrëdhënia mes tyre u shoqërua me mjaft thashetheme edhe pse të dyja nuk bënin absolutisht asgjë për të fshehur lidhjen homoseksuale që i bashkonte. Missy i dhuroi mikeshës së saj një shtëpi në Rozven, por lidhja e tyre përfundoi kur në jetën e Colette u kthyen edhe një herë personazhet meshkuj. Në vitin 1910, romani i Colette “La vagabonde” për pak fitoi çmimin prestigjioz “Goncourt”. Në vitin 1912 ndërron jetë e ëma dhe dy muaj më vonë ajo u martua me Henry de Jouvenel, bashkëdrejtues i gazetës “Le matin”. Një vit më pas nga kjo martesë lindi edhe një vajzë që e quajtën Colette. Në 1914-n shpërtheu edhe Lufta e Parë Botërore. Colette shkoi të takonte bashkëshortin në front, në Verdun, për t’i çuar ushqime, por edhe kjo lidhje mes tyre përfundoi. Pak më vonë në jetën e saj hyri edhe djali që kishte lindur nga martesa e parë e Henry. Bertrandi ishte 16 vjeç, ndërsa Colette 47. Lidhja zgjati për pesë vjet dhe u konsumua mes udhëtimeve dhe takimeve klandestine në një apartament të vogël të marrë me qira nga Colette. Në vitin 1925, Colette u njoh me Maurice Goudeket, që dhjetë vite më pas do të bëhej edhe bashkëshorti i saj i tretë. Ai ishte 15 vjet më i ri se ajo. Colette vazhdonte suksesshëm ndërkaq aktivitetin e saj letrar që jo rrallëherë konsiderohej edhe skandaloz. Në vitin 1932 del në qarkullim romani “I pastri dhe i papastri” që u përcoll me diskutime të shumta. Në vitin 1927, Walter Benjamin e intervistoi për një gazetë gjermane në lidhje me feminizmin dhe ajo tha: “Kur gratë fitojnë pushtet, janë absolutisht të tmerrshme. Janë më keq se burrat dhe jo vetëm kaq. Edhe pse njoh mjaft gra inteligjente, që mund të ishin fantastike si gjykatëse apo ministre, gjithsesi ato kanë ciklin çdo muaj. Dhe dihet që nuk mund të marrin vendime kur janë gjatë atyre ditëve”. Në fund të viteve ’20, e përfshirë nga kriza e përgjithshme nis të interpretojë në skenë nudo, e më pas çel një parfumeri për të cilën kujdesej personalisht. Në vitin 1935 bëhet pjesë e Akademisë Mbretërore të Belgjikës. Me Luftën e Dytë Botërore, kur nazistët hynë në Paris dhe nisën të merrnin hebrenjtë për t’i çuar në kampet e përqendrimit, mes tyre ishte edhe Maurice. Colette, megjithatë, arriti ta çlironte të shoqin falë njohjeve të saj influence edhe pse ai doli nga kjo eksperiencë i rrënuar fizikisht. Në vitin 1943, shkrimtarja franceze nisi të vuajë nga artroza, sëmundje e cila do ta paralizojë tërësisht. Megjithatë, fama e saj ishte gjithnjë e në rritje gjatë këtyre viteve. Ajo u zgjodh unanimisht në akademinë “Goncourt”. “Gigi” është kryevepra e fundit e shkruar nga Colette në letrën e kaltër të cilën e preferonte. Romani u interpretua më pas në ekranin e madh nga aktorja Audrey Hepburn. Ishte një sukses botëror. Ajo ndërroi jetë në 3 gusht të vitit 1954. “Unë dëshiroj… Unë dëshiroj… unë dëshiroj të bëj atë që dua! Dua të interpretoj pantomimat, edhe komedinë. Dua të vallëzoj nudo nëse kostumi im më ngjitet dhe poshtëron plastikën tim, dëshiroj të tërhiqem në një ishull nëse do dua kështu, ose të frekuentoj zonja që jetojnë falë hirit të tyre, mjaft që të jenë të gëzuara, të çuditshme, e deri edhe melankolike dhe të urta siç janë shumë gra në jetë. Dëshiroj të shkruaj libra të trishtë dhe të thatë ku nuk ka peizazhe, lule, trishtim, krenari, dhe ku të jetë sinqeriteti i kafshëve tërheqëse që tremben nga njeriu… Dëshiroj t’u buzëqesh të gjitha fytyrave miqësore dhe të largohem prej njerëzve të shëmtuar, të pisët dhe që mbajnë erë të keqe. Dëshiroj të dashuroj ëmbëlsisht ata që më duan dhe t’i jap gjithçka kam në këtë botë: trupin tim rebel ndaj fatit, zemrën time kaq të ëmbël dhe lirinë time… unë dëshiroj!”, shkruante Colette

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri