Kadare dhe muzika...

Nga Prof. Dr. Klara Klara Kodra

Për veprën e Akademikut Vasil S. Tole, “Kadare  dhe Muzika”

“Arti i fjalës” dhe  arti i “mungesës së fjalëve”

 -“Studimi  i Vasil S.Toles është një  hap i vendosur në këtë drejtim që zbulon  një anë  të re  të një  vepre të gjerë dhe të fuqishme letrare  dhe njëkohësisht mundësitë e “artit  pa fjalë”, muzikës  të  ndërveprojë me “artin e fjalës”.

 - “Studiuesi arrin në përfundimin se  muzika popullore shqiptare në  llojet e saj të ndryshme është një element gjenerues dhe përbërës i brendshëm i artit të Kadaresë. Ky zbulim i tij e mundëson  të parit e këtij arti në një optikë  të re përtej mundësive  që jep shkenca letrare, po të kufizohet  thjesht  me mjetet e veta.”

-“Ky punim  ndërdisiplinor ka rëndësi përsa i përket  shkencave  tona  albanologjike, jo vetëm me arritjet e veta, që janë të ndjeshme, po si udhërrëfyes për punime të tjera, qoftë  kadarejane, qoftë  në përgjithësi historiko-letrare dhe kritike  që ndriçojnë  autorë të  tjerë”.

ps: lexo shkrimin e plotë të botuar në gazetë NACIONAL, datë 28 korrik, 2019

 Nga Prof. dr. Klara Kodra

Letërsia është quajtur për antonomazi “arti i fjalës”, ndërsa  muzika  përfaqëson  një gjuhë të një lloji  tjetër, “pa fjalë”.
Kështu në dukje, këto  dy arte  qëndrojnë në pole  të  kundërta.
Po ç’do  të ndodhte  sikur  studiuesi të merrte në analizë ato pika që i bashkojnë dy artet e sipërpërmendura?
Këtë udhëtim  eksplorues  në hapësirën  e dy arteve  guxon  ta bëjë studiuesi Vasil S.Tole në monografinë “Kadare dhe muzika” ku analizohet  vepra e një  shkrimtari  të shquar, ndofta  më të madhit shkrimtar bashkëkohor shqiptar në  lidhjet e tij  me lloje  të ndryshëm të muzikës shqiptare.
Ideja e vënë  në bazë  të kësaj monografie është e guximshme dhe origjinale, po s’bëhet fjalë për një origjinalitet të kërkuar, po për një  origjinalitet që ka rrënjët e veta objektive në terrenin e realitetit.
Shekulli i  nëntëmbëdhjetë  ka qenë  një shekull  specializimi  të disiplinave  shkencore në të cilin  morën tipare të qarta të tilla  lloje të  shkencës  letrare si historia e letërsisë  dhe teoria e  letërsisë, krahas shumë llojeve  të shkencave  të tjera, shekulli  i njëzetenjëtë, është një shekull  afrimi  të shkencave  që lind përherë e më tepër  studimet  ndërdisiplinore.
Ëndrra e romantikëve ishte shkrirja e arteve, studiuesit e sotëm zbulojnë  gjithnjë  e më tepër  pikat që i  afrojnë ato.
Studimi  i Vasil S.Toles është një  hap i vendosur në këtë drejtim që zbulon  një anë  të re  të një  vepre të gjerë dhe të fuqishme letrare  dhe njëkohësisht mundësitë e “artit  pa fjalë”, muzikës  të  ndërveprojë me “artin e fjalës”.
Para se t’i vihet  këtij  studimi të gjerë monografik  autori e ka analizuar  dukurinë  që merr  në shqyrtim  në mënyrë të pjesshme te autorë të  tjerë shqiptarë si Konica  dhe Migjeni.
Monografia është strukturuar në dymbëdhjetë kapituj ku vihen re kalime  nga analiza  te  sinteza dhe, në të kundërtën, nga sinteza  te analiza.
Ndofta  ky numër nuk është zgjedhur  rastësisht nga studiuesi meqenëse është  një numër tradicionalisht domethënës në poezinë tonë popullore.
Autori flet  për një  formim të  shkrimtarit, për një brumosje të tij që në fëmijëri nga këngët dhe vallet  tradicionale të krahinës së tij.
Në monografi hidhet  mendimi  kuptimplotë se pasqyrimi i traditës  muzikore  te Kadareja  është element i qëndresës, pra, mbrojtjes  së identitetit shqiptar që, siç dihet, përbën një  nga  temat qendrore  në krijimtarinë e Kadaresë, më aktuale se kurrë.
Pra, ndikimi i muzikës në krijimtarinë e Kadaresë shihet si shenjë e frymës shqiptare të kësaj krijimtarie.
Autori shkruan  me kompetencën  e muzikologut, po edhe  me shijen e lexuesit  të përgatitur  që përkthen  fjalën e shumëngjyrshme të Kadaresë në nota muzike, pra, sheh dy  “gjuhë” të veprës së tij që ndërthuren  dhe plotësojnë dhe gjithashtu fuqizojnë njëra-tjetrën.
Studiuesi veçon  karakteristikat  shqiptare të  lidhjes së  Kadaresë me muzikën dhe zbulon  gjithashtu veçori  të përgjithshme  që e bashkojnë këtë dukuri  me traditat  e popujve  të tjerë të cilat,  zbulohen  nga  Kadareja kritik si origjina e  tragjedisë nga  vajtimet, madje  një përgjigje origjinale e Kadaresë ndaj çështjes  homerike.
Vasil Tole e sheh, pra, Kadarenë në lidhjet  e tij të dyanshme me muzikën  si artist që e shkrin në  brendësi të artit të vet  dhe si  vëzhgues që e  kundron së jashtmi duke bërë zbulime  teorike.
Studiuesi arrin në përfundimin se  muzika popullore shqiptare në  llojet e saj të ndryshme është një element gjenerues dhe përbërës i brendshëm i artit të Kadaresë. Ky zbulim i tij e mundëson  të parit e këtij arti në një optikë  të re përtej mundësive  që jep shkenca letrare, po të kufizohet  thjesht  me mjetet e veta.
Ky punim  ndërdisiplinor ka rëndësi përsa i përket  shkencave  tona  albanologjike, jo vetëm me arritjet e veta, që janë të ndjeshme, po si udhërrëfyes për punime të tjera, qoftë  kadarejane, qoftë  në përgjithësi historiko-letrare dhe kritike  që ndriçojnë  autorë të  tjerë.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri