THASHETHEMET PËR 'LIDHJEN' E CAKAJT, REAGON FLUTURA AÇKA: A THUA ËSHTË BRENGA MË E MADHE SHQIPTARE.


Thashethemet për 'lidhjen' e Cakajt, reagon Flutura Açka: A thua është brenga më e madhe shqiptare...

Shkrimtarja Flutura Açka ka komentuar deklaratat e bëra nga ministri  për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili ka folur për ‘lidhjen’ që u përfol në media se kishte me vajzën e Linda Ramës, Rea Xhillarin si dhe akuzat që ngriti ndaj atyre që e kanë përhapur këtë lajm.
Me anë të një postimi në 'Facebook', Açka shprehet se mediat e bënë lajm nëse Cakaj fle apo nuk fle me thjeshtrën e kryeministrit sikur të ishte brenga më e madhe shqiptare.
Açka kritikon Cakaj kur tha se lajmi është përhapur nga armiqtë e kryeministrit.
Sipas shkrimtares, dikush duhet t’ia shpjegojë atij se në demokraci ka 'kundërshtarë politikë', pra njerëz me ide dhe qasje politike ndryshe nga të tuat, në diktaturë të këtillët quhen 'armiq'.
Statusi i plotë:
Sa keq, e gjithë media, të gjitha faqet online, e bënë lajm dyshimin nëse Ministri i Deleguar i Jashtëm i Shqipërisë, zoti Cakaj, fle apo nuk fle me thjeshtrën e KM. A thua se kjo është brenga më e madhe shqiptare. Ajo që më shqetësoi personalisht, ishte fjala “armik i KM”, “armiqtë e KM”, fjalë që ky djalë i ri përdori me aq shkujdesje.
Dikush duhet t’ia shpjegojë atij se në demokraci ka “kundërshtarë politikë”, pra njerëz me ide dhe qasje politike ndryshe nga të tuat, në diktaturë të këtillët quhen “armiq”. Madje sa më e ngjyrtë të jetë kjo shumëri hijesh politike, aq më e sigurtë është demokracia.
Ky lloj fjalori politik, i takon shkollës së vjetër politike, që për 30 vjet i ndau shqiptaret në palë betejash. Sigurisht, para një kundërshtari politik që shpesh sillet si armik, kjo qasje politike duket normale. Por politikanët e rinj e kanë për detyrë t’i largohen kësaj prirjeje, ata janë shpresa jonë për peizazh politik europian që po presim, dhe ata duhet ta kuptojnë këtë rol.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri