Bardhyl Mahmuti : Origjina serbe e “Mini-Shengenit” dhe të pavërtetat e z.Edi Rama


Në samitet që u mbajtën në Berlin (28 gusht 2014), në Vjenë (27 gusht 2015), në Parisi (4 korrik 2016) dhe në Trieste (13 korrik 2017) përfaqësuesit më eminent të BE-së u përpoqën të mbanin të hapur perspektivën evropiane për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjë...

Featured image of article: Mini-Shengeni, ambalazh i ri i projekteve të vjetra

Bardhyl Beqir Berisha-Mahmuti
Është plotësisht e vërtetë se në përputhje me nivelin e takimeve, në të gjitha këto samite shteti i Kosovës është përfaqësuar me udhëheqësit e institucioneve të veta.

Në të gjitha këto takime u tha në mënyrën më të qartë të mundshme se “ardhmëria e shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është investim strategjik për paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet të Europës në tërësi”. Nga ky këndvështrim, “ata përshëndetën angazhimet që shtetet e Ballkanit Perëndimor të promovojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë regjional”.

Pjesëmarrja përfaqësuesve të institucioneve të shtetit të Kosovës në këto takime ka qenë në përputhje të plotë me orientimet politike të vendit tonë për integrim në BE. Të përmenden “darkat dhe drekat që udhëheqësit e Kosovës paskëshin ngrënë me përfaqësuesit e Serbisë gjatë këtyre takimeve”, ashtu siç bën z. Edi Rama dhe tellallët e tij /gazetarë që janë futur në paketën e “ligjit antishpifje”, janë manipulim i neveritshëm. Të gjithë ata që përmendin takimet paraprake, të udhëhequra nga BE-ja, dhe fajësojnë udhëheqësit e Kosovës se gjoja “kanë futur vendin në rrugë qorre dhe kanë izoluar Kosovën” pse nuk morën pjesë në tri takimet e “Mini-Shengenit” serb, janë vënë në shërbim të fshehjes së realitetit dhe përhapjes së gënjeshtrave.

Përhapja e gënjeshtrave dhe fajësimi i udhëheqësve të Kosovës për mospjesëmarrje në takimet që nuk kanë asgjë të përbashkët me procesin e filluar nga BE-ja nuk është asgjë tjetër pos strategji e shfajësimit të palës serbe.

E vërteta qëndron në faktin se iniciativat e BE-së për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor u minuan nga serbët e Bosnjës. Të rikujtojmë se edhe gazetarët që sot hungërojnë kundër “hipokrizisë së politikanëve të Kosovës”, më 6 korrik të vitit 2019 publikuan lajmin se “Për shkak të ‘ftesës denigruese’, Thaçi refuzon ftesën e Dodik për në Samitin e Sarajevës”. Në shkrimet që publikuan këtë lajm thuhet në mënyrë të qartë se “kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik ka thënë se Hashim Thaçi nuk është ftuar në cilësinë e Presidentit të Kosovës, në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që do të mbahet në Banja Llukë, por si përfaqësues i Prishtinës” dhe se “Dodik ia ka bërë të qartë Hashim Thaçit se ai duhet të kuptojë që Kosova është pjesë e Serbisë”.

Nuk ka turp më të madh sesa të fshihet ky fakt dhe të fajësohen udhëheqësit e Kosovës pse nuk marrin pjesë në takime të tilla.

As z. Edi Rama e as tellallët e tij nuk mund ta fshehin faktin se refuzimi i pjesëmarrjes në këtë samit nuk ishte futje e “Kosovës në rrugë qorre” nga ana e udhëheqësve të Kosovës, por qëndrim në përputhje të plotë me interesat e shtetit të pavarur të Kosovës. Të mos harrojmë se në atë kohë, edhe Kryeministri i Shqipërisë e refuzoi pjesëmarrjen në samitin e Banja Llukës dhe për këtë veprim askush nuk e akuzoi z. Edi Rama se “po e futë Shqipërinë në rrugë qorre”. Përkundrazi! Solidarizimi me Kosovën ngjalli një simpati të madhe te qytetarët e Kosovës.

Në të njëjtën periudhë kohore kur kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik i kujtonte Hashim Thaçit se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe e ftonte të merrte pjesë në samitin e Banja Llukës “si qytetar i Prishtinës”, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev doli me qëndrime të njëjta. Në intervistën dhënë “Kurir TV” të Serbisë, Zoran Zaevi mohoi gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët, deklaroi se gjoja “Kosova është zemra e Serbisë dhe se aty është historia e Serbisë” dhe përsëriti qëndrimin e vet kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Në përputhje të plotë me pikëpamjet e lartpërmendura, më 24 dhjetor 2019 Zoran Zaev deklaroi: “Kosova mund t’i bashkohet iniciativës, por Kosova dëshiron të ftohet si një shtet më vete, e cila nga ana tjetër është pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbinë, ku vendet e tjera nuk mund të ndërhyjnë”.

Ndryshimi i rregullave të lojës që ishin vendosur nga BE-ja dhe përpjekja për t’i imponuar Kosovës kushte të papranueshme është njëra anë e medaljes. Anën tjetër të medaljes e përbëjnë përpjekjet ruso-serbe për grusht-shtet në Mal të Zi dhe mbështetja e forcave maqedonase që janë kundër BE-së dhe kundër NATO-s. Strategji ruse ka për qëllim të krijojë zonën e saj të influencës në këtë pjesë të Europës Juglindore dhe ta kthejë në digë kundër BE-së dhe NATO-s.

Takimet në Novi Sad, në Ohër dhe në Durrës nuk janë vazhdimësi e samiteve që u mbajtën në Berlin, në Vjenë, në Parisi apo në Trieste. Madje edhe vetë z. Edi Rama e titullon publikimin si “Takimi i 3-të Rajonal për Ballkanin Perëndimor”.

Takimet që filluan në Serbi dhe që do të përmbyllen në Serbi nuk janë asgjë tjetër pos një ambalazh i ri i projekteve të vjetra. Për këtë veprim që nuk ka përkrahjen e fuqive të mëdha të BE-së dhe të SHBA-ve, në intervistën ekskluzive për emisionin “Stav” të TV O2, të datës 23 dhjetor 2019, Aleksandar Vuçiq deklaroi se “Edi Rama ka treguar një guxim që rrallë shihet te politikanët ballkanas. Unë e di sesa është e rrezikshme dhe aspak naive kur u kundërvihesh të mëdhenjve evropianë apo të tjerë”.

“Kushdo qoftë që e ka përmendur apo kërkuar bashkimin të Ballkanit dhe të ballkanasve, ai e ka pësuar. Edhe mbreti Alekdandar edhe Svetozar Markoviqi e kanë pësuar në mënyra të ndryshme (…) Mbreti Aleksandar Karagjorgjeviq ka qenë një njeri mjaft i dijshëm dhe jashtëzakonisht i guximshëm. E akuzojnë se ka vendosur diktaturën në kohën kur e ka shpëtuar shtetin që e ka formuar dhe ka mbrojtur të drejtën e serbëve që të jetojnë në një shtet. Ka rrëfimet, për të cilat nuk kemi fakte, se Zhorzh Klemanso (Georges Clemenceau) i ka thënë që ta vizatojë deri ku është Serbia e Madhe dhe ta marrë atë territor. Edhe pse një gjë e tillë nuk dëshmohet me asgjë, shumica e serbëve kanë qëndrim negativ ndaj mbretit Aleksandar Gjorgjeviq, pikërisht për këtë arsye. Ka qenë plotësisht e qartë se ka qenë e vetmja formë shtetërore që ka mundur të krijohet, ku serbët do të jetonin në një shtet. Dhe për herë të parà « një gjë të tillë ka arritur ta bëjë mbreti Aleksandar së bashku me serbët e asaj ana të Drinës dhe të Danubit (…). Dhe për atë e ka vrarë organizata ku kanë qenë ustashët si Ante Paveliqi, VMRO-ja por bullgare e Vlado Çernozemskit, shërbimet sekrete italiane, angleze dhe të vendeve të tjera. Si ka mundur të jetë i keq për Serbinë kur të gjithë kanë dashur ta likuidojnë?!”.

Në ndërhyrjen e gazetarit Milovan Jovanoviq se “kritikuesit e Mini-Shengenit thonë se ky projekt parasheh krijimin e Jugosllavisë së Re, në Prishtinë flitet se po bëhet Serbia e Madhe, ndërkaq në Serbi thonë se je duke bërë Shqipërinë e Madhe” Aleksandar Vuçiq deklaron në formë sarkastike: “Të gjithë e kanë kuptuar! Mendoj se ajo është mirënjohja më e mirë për iniciativën tonë”.

Po, po! Në Kosovë të gjithë kanë kuptuar se në kohën kur shteti serb u heq nënshtetësinë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjes, me qëllim që t’i shpallë si apatrid, presidenti serb Aleksandar, njëlloj si dikur mbreti serb Aleksandar, përpiqet të heq kufijtë e shteteve përreth, që serbët të jetojnë në një shtet. Në këtë kontekst, z. Edi Rama duhet të sqarojë pse pranoi të shkonte në takimin e Novi-Sadit në Serbi, atje ku nuk ishte ftuar Kosova, dhe pse ka pranuar të bëhet tellall i një projekti që Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë.

Aleksandar Vuçiq sqaroi qëllimet politike të “Mini-Shengenit” serb. Ndërkaq, propaganda për krijimin e të ashtuquajturës “zonë e lirë e qarkullimit të kapitalit” nuk është asgjë tjetër, pos zhurmë për të fshehur qëllimin e vërtetë të krijimit të një “zone” ku do të qarkullojnë lirshëm paratë e pista, ku “kapitali” i grumbulluar nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni do të shitet si “investim i jashtëm”.



***

Mohimi i gjénocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagéve në Kosovë!



Gjatë takimit me Aleksandar Vuçiq, Zoran Zajev dhe Milo Gjukanoviq dhe në konferencën me gazetarë që pasoi këtë takim, z. Edi Rama i quajti udhëheqësit e Kosovës “të paditur klasikë, që e kanë futur Kosovën në rrugë qorre, në rrugë pa rrugë dhe barrikadë qorrash” vetëm për arsye se nuk pranuan të ishin pjesë e sajesës që quhet “Mini-Shengen”, që atij i duket “i ngushtë”, sepse qenka mësuar me “maxi”!



Në këtë kontekst ai u mundua të mbajë një ligjëratë se si duhet të sillen politikanët e Kosovës në rrafshin diplomatik dhe kërcënoi se gjatë gjithë kohës që do të jetë në pozitën politike që ka, nuk do të lejojë askënd të cenojë të ardhmen e projektit në fjalë, që e prezanton si të ardhme të vetme të popujve të Ballkanit Perëndimor.



Përveç fyerjeve drejtuar udhëheqësve të Kosovës, z. Edi Rama i dha të drejtë vetes të fyejë të gjitha ata që u japin hapësirë mediatike qëndrimeve që nuk i pëlqejnë atijdhe i cilësoi se “mbllaçitin mediatikisht gënjeshtra”! Mungoi vetëm kërcënimi me ligjin antishpifje!



Së pari, është një e vërtetë e pakontestueshme se z. Edi Rama nuk është personi i duhur për të mbajtur ligjëratat se si duhet të sillen politikanët në rrafshin diplomatik. Përkundrazi. Ai është shembull se si nuk duhet të sillet një burrë shteti. Po marr një shembull konkret që ilustron këtë fakt. Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA Edi Rama i dha vetes të drejtë ta cilësojë “Donald Trumpin siturpii Amerikës”! Kur Donald Trumpifitoi, ai i “mbllaçiti” fjalët e veta dhe deklaroi publikisht: “Unë s’jam manual se si duhet të flasë një kryeministër”.Këtu Edi Rama kishte plotësisht të drejtë: deklaratat e tij të papërgjegjshme dëshmojnë se ai është “i paditur klasik” në fushën e diplomacisë.



Së dyti, edhe pse nuk është “manual se si duhet të flasë një kryeministër”, është e pahijshme ta cilësojë dikë si “gënjeshtar”, përderisa as vet nuk thotë të vërtetën.



Është tërësisht i pavërtetë pretendimi i Edi Ramës se gjoja ideja e “Mini-Shengenit” paskësh qenë ide e tij! Një numër i madh shkrimesh kanë nxjerrë në shesh rrënjët serbe të kësaj ideje dhe unë nuk do t’i përsëris. Nëse Edi Rama këmbëngul ta fshehë origjinën serbe të këtij projekti, atëherë do të jetë i detyruar të sqarojë pse takimi i parë i këtij projekti u mbajt në Serbi dhe pse në këtë takim, ku u përcaktuan rregullat e lojës, nuk u ftua askush nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës. Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës nuk mund të vinin të paftuar në atë takim, edhe pse Edi Rama, me përvojën e tij, do të kishte gjetur ndonjë kombinim si puna e asaj ftesës së “gruas së Bilalit”.



Për sa kohë që z. Edi Rama nuk e thotë të vërtetën lidhur me origjinën serbe të këtij projekti dhe për sa kohë pretendon se ai ka qenë ideator që takimi i parë të mbahet në Serbi, pa praninë e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, nuk duhet të çuditet nga reagimet që vijnë nga Kosova. Përkundrazi!Z. Edi Rama, të cilit i duket vetja i “gjithëdijshëm modern”, duhet ta dijë se për politikanët e Kosovës, sado të “paditur klasikë” që t’i duken atij, është tërësisht e qartë se projektet e sajuara në Serbi kanë ritmin e valles serbe, “Zhikino Kollo”, dhe nuk kanë nevojë për ftesat e siguruara nga Edi Rama, në stilin e “Bilalit”.



Së treti, përpjekja e z. Edi Rama për të krahasuar përvojat e popujve që kanë qenë në luftë dhe që kanë ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begatshme me kontekstin e Ballkanit Perëndimor është manipulim i pastër.





Nuk ka nevojë të jesh “i dituri modern”, për të qenë i pajisur me njohuritë, se ai që shohim sot si Bashkim Europian, nuk është asgjë tjetër pos një proces që u mundësua, pasi Gjermania pranoi përgjegjësitë e veta për Luftën e Dytë Botërore, u kërkoi falje të gjithë popujve që u kishte shkaktuar tragjeditë shumta dhe u angazhua të riparonte dëmet e kësaj lufte. Në Ballkanin Perëndimor është e kundërta. Serbia jo vetëm që nuk u ka kërkuar falje popujve ndaj të cilëve ka kryer gjenocid dhe nuk ka pranuar përgjegjësinë për krimet që ka bërënë Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë, porajo vazhdon t’i mohojëtë gjitha krimet e saj.



Sa i përket analogjisë ndërmjet Gjermanisë naziste dhe Serbisë së Millosheviqit, ministër i Informacionit i të cilit ishte miku i Edi Ramës Aleksandar Vuçiq, do të citoj intelektualin serb, Mirosllav Filipoviq: ““Është vështirë të gjendet institucion kombëtar, që të jetë munduar ta ruajë popullin serb nga kryerja e krimeve. Në veçanti është e vështirë të gjenden institucione që nuk e kanë nxitur popullin serb të kryejë krime. Ku ka qenë Akademia e Shkencave, ku ka qenë Kisha, ku ka qenë Universiteti, ku kanë qenë partitë politike? Çfarë ndodhi me Kishën, e cila paralajmëroi se do t’i hapë dosjet e krimeve serbe në Kosovë? Ku mbeti paralajmërimi i Kishës se në emër të popullit serb do të pendohet dhe do të kërkojë falje nga viktimat tona? (…) Në perëndim, Millosheviqinqë moti e kanë quajtur “Kasap të Ballkanit” dhe e kanë krahasuar me Hitlerin. Gjermania e kohës së para Luftës së Dytë nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve të ‘90. Kur Hitleri filloi të çartet dhe t’i ngjajë një kafshe të tërbuar, e braktisën një numër intelektualësh, shkencëtarësh dhe artistësh më eminentë të popullit gjerman. Edhe pse Serbinë e Millosheviqit e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin që me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijeninë e tij, çdo ditë “nga dora serbe” e pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë, do të thotë të kërkohet nga ata që ta pranojnë fajësinë e tyre”. (Miroslav Filipoviq, “Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet”).



Së katërti, takimi i Tiranës nuk ishte asgjë tjetër, pos një maskaradë e llojit të vet, që i mundësoi Aleksandar Vuçiqit, Joseph Goebbels-it të Ballkanit, të tallet në mënyrën më të rëndë të mundshme me popullin shqiptar.



Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët,sesa kur dëgjon të shprehë “keqardhje për “fëmijët mrekullueshëm durrsakë, për prindërit dhe për gjyshërit e tyre që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti”,një person që ka qenë pjesë e pushtetit që përgatiti, zbatoi dhe u përpoq të fshehë krimin e gjenocidit në Kosovë, gjatë të cilit u vranë 1392 fëmijë shqiptarë, 1739 femra shqiptare dhe mbi 10 mijë shqiptarë të të gjitha moshave.



Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, sesa kur dëgjon nga një person që ka qenë pjesë e pushtetit që gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë shkatërroi 100589 shtëpi shqiptarësh, 88101stalla dhe objekte ndihmëse, 358 shkolla, 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka, 220 objekte të kultit fetar (xhami, teqe, tyrbe dhe kisha) dhe që mohon krimet e bëra kundër shqiptarëve në Kosovë, të deklarojë se “Qeveria e Serbisë do të marrë një vendim për të ndihmuar me një vlerë domethënëse parash, që do t’u mundësojë 100 familjeve shqiptare të kenë një kulm mbi kokë”.



Në fund, z. Edi Rama duhet ta ketë të qartë se asnjë fizkulturë e gjuhës nuk mund ta fshehë diellin me shoshë: nuk është refuzimi për të marrë pjesë në një valle me ritmin e “Zhikino Kollos”, ajo që pengon ndërtimin e urave për një të ardhme të begatshme të Ballkanit Perëndimor, por mohimi i gjenocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagëve në Kosovë, si parakusht për ndërtimin e marrëdhënieve të reja në këtë pjesë të Europës.



Nëse vërtet do të zbatohej një “ligj i mirëfilltë antishpifje”, atëherë z. Edi Rama do të duhej të përgjigjej për shpifjet e rënda ndaj atyre që nuk pranojnë “ftesat e stilit të gruas së Bilalit” për të luajtur vallen e orkestruar nga Beogradi!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri