2020-01-07

Akademik Prof.Dr. Abdulla Mehmeti (1962-)


Akademik Abdulla Mehmeti

Abdulla Mehmeti u lind në Shipkovicë të Tetovës, më 2 janar 1962. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme katërvjeçare në Gjimnazin e Tetovës e ka kryer në afat prej tre vjetësh. Arsimin e lartë e ka kryer në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Filologjisë - Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. 

Njëkohësisht ka studiuar me korrespodencë edhe në Fakultetin Juridik të po këtij Universiteti. Studimet pasuniversitare i ka ndjekur në Universitetin e Shkupit, për kulturologji në fushën e letërsisë. Ka kryer edhe kurse e specializime të tjera në fushën profesionale.

Gjatë kohës së studimeve në Prishtinë, ka marrë pjesë aktive në lëvizjen studentore dhe demonstratat e vitit 1981. Për bindjet e tij politike është dënua me burg dhe është privuar nga gjithë të drejtat qytetare për shkollim të mëtejmë, punësim dhe zhvillimin e veprimtarive publike.

Me fillimin e proceseve demokratike, në vitin 1990, bashkë me intelektualë të tjerë dhe ish të burgosur e të përndjekur politik e ka udhëhequr këshillin rajonal të aksionit popullor për pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive mes shqiptarëve në fshatrat e Malësisë së Tetovës.

Në janar të vitit 1990 e ka përgatitur Programin, e ka formuar dhe udhëhur Këshillin nismëtar për themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, kuvendi themelues i së cilës është mbajtur më 19 gusht 1990, në Shipkovicë të Tetovës. 

Pushteti i atëhershëm në Maqedoni themelimin e kësaj organizate kulturore dhe atdhetare e luftoi me të gjitha mjetet dhe në të gjitha format, duke përdorur kërcënime dhe procese gjyqësore të montuara për nismëtarët dhe aktivistët e saj.

Në vitin 1991, në kuadër të Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e ka ngritur iniciativën për mbajtjen e manifestimit të parë shkencor në Maqedoni, me përmasa kombëtare, Simpoziumin shkencor "Shqiptarët e Maqedonisë", i cili i ka zhvilluar punimet në Medresenë "Isa Beu", në Kondovë të Shkupit, më 20, 21 dhe 22 dhjetor të vitit 1991. 

Kontributet shkencore të këtij Simpoziumi kanë shërbyer si Platformë e vetme për zhvillimin e veprimtarisë politike, kulturore, arsimore dhe veprimtarive të tjera shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, në përpjekjet e tyre për liri dhe barazi, si dhe për ndërtimin e një shoqërie demokratike.

Në dhjetor të vitit 1993 e ka përgatitur Platformën për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, e cila është miratuar nga kryesia e Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni, në të cilën janë përfshirë strategjia, taktika dhe aktivitetet e parapara për themelimit dhe ngritjes së këtij institucioni të rëndësishëm për arsimin e lartë në gjuhën shqipe të shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë. 

Pas një sërë aktivitetesh disamujore kjo ide u kurorëzua me sukses në Kuvendin themelues të Universitetit Shqiptar në Maqedoni (nga themelimi: Universiteti i Tetovës, sipas selisë së tij), i cili u mbaj më 4 qershor 1994, në sallën solemne të Komunës së Tetovës.

Gjatë viteve 1994 - 1998, ka iniciuar dhe organizuar me dhjetëra manifestime shkencore, arsimore, kulturore dhe artistike, si simpoziume, tribuna shkencore, debate, tryeza të rrumbullakëta, festivale artistike dhe letrare, ekspozita, akademi për ngjarje dhe personalitete të shquar të historisë dhe kulturës kombëtare, si dhe ka nxitur dhe botuar një varg veprash të rëndësishme shkencore dhe letrare nga autorë të njohur shqiptarë, përmes edicionit të botimeve të Bashkësisë Kulturore Shqiptare.

Gjatë kohës së regjimit komunist iu ndalua punësimi dhe zhvillimi i çdo veprimtarie publike, por edhe gjatë periudhës së mëvonshme, duke mos u pajtuar me filozofinë e veprimit të partive politike shqiptare që vepronin gjatë kësaj periudhe, do të mbetet anësh rrjedhave politike, si veprimtar, studiues dhe krijues i lirë, deri në vitin 2002, kur për herë të parë u punësua si profesor i gjuhës dhe komunikimit në Shkollën e mesme për kuadro të ekonomisë "Mosha Pijade", në Tetovë. 

Vetëm pas një viti do të largohet nga puna për shkaqe të motivuara nga politika ditore dhe qarqet armiqësore në radhët e disa partive politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Në vitin 2007, me përkrahjen e disa profesorëve nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës, të cilët atë kohë kanë qenë të angazhuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, u punësua në marrëdhënie të rregullt pune në këtë Universitet, me detyrë ta themelojë dhe organizojë Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në kuadër të këtij Universiteti. 

Në cilësi të Sekretarit të këtij Seminari, vetëm pas disa muajve e inicioi zyrtarisht themelimin e këtij Seminari, i cili u pranua si njësi akademike e Universitetit, dhe po këtë vit i mbajti punimet për herë të parë në qytetin e Ohrit, me pjesëmarrje të studiuesve më të mirë shqiptarë të albanologjisë nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga bota e jashtme.

Deri më tani ka publikuar me qindra punime shkencore dhe publicistike, artikuj, analiza politike dhe studime për kulturën, historinë, gjuhën dhe letërsinë shqipe, në shumë gazeta, revista dhe publikime të tjera. 

Ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore, simpoziume, tribuna dhe manifestime të tjera shkencore, në vend dhe jashtë vendit.

Nga viti 1990 deri më sot, ka përgatitur dhe publikuar disa programe dhe platforma për punën dhe veprimtarinë e institucioneve të ndryshme kulturore, arsimore dhe shkencore, si dhe memorandume, rezoluta, deklarata dhe akte të tjera për çështjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe çështjen shqiptare në përgjithësi.

Është autor i dhjetëra veprave shkencore dhe publicistike. Së shpejti pritet të publikohet edhe kompleti i veprave të zgjedhura të këtij autori në 25 vëllime, ndër të cilat edhe monografia për Universitetin e Tetovës, në tri vëllime, me fakte e dëshmi të papublikuara deri më sot, si dhe monografi të tjera shkencore dhe vepra publicistike, për historinë, gjuhën, kulturën, jetën shoqërore dhe lëvizjen politike të shqiptarëve në Maqedoni, dhe jo vetëm.
Ka qenë kryetar i disa asociacioneve kulturore dhe shkencore shqiptare në Maqedoni: kryetar i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, kryetar i Forumit kombëtar Forcat e Bashkuara, është edhe anëtar i organeve drejtuese të disa asociacioneve kulturore dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit, ku merr pjesë aktive në organizimin e punës dhe veprimtarisë së tyre.

Në shkurt të vitit 2016 është zgjedhur kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave edhe Arteve, me seli në Shkup.
Aktualisht jeton në Tetovë dhe punon në Universitetin Shtetëror të Tetovës.


F.B

No comments:

Post a Comment

Zekë S. Sinanaj (1957 - )

                                                            Zekë S. Sinanaj u lind më 2 korrik 1957 në fshatin Isniq të Deçanit. Ka mbar...