ÇRREGULLIMET E PËRÇIMIT TË IMPULSIT NË ZEMËR


Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshem nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.


Zemra është një muskul i fuqishëm i cili luan rolin e një pompe që pompon gjakun në të gjithë trupin. Por që kjo pompë të punojë duhet një stimul ose një impuls, i cili lind në një pikë të caktuar të muskulit.

Kjo pikë ndodhet në atriumin e djathtë dhe quhet nyja kryesore ose nyja sinuzale.
Impulsi, më pas, kalon nëpër nyjen atrio-ventrikulare e cila ndodhet midis atriumeve dhe ventrikujve.
Ai shpërndahet nëpërmjet dy degeve kryesore, e majta dhe e djathta për secilin ventrikul, duke u degëzuar deri në fije shumë të holla në periferi të muskulit të Zemrës.
Kjo skemë në tërësi përfaqëson sistemin elektrik të Zemrës.
Në disa raste impulsi çrregullohet ose bllokohet për arsye të ndryshme. Kur kjo ndodh, kemi të bëjmë me çrregullimet e përçimit të impulsit dhe/ose bllokimin e tij në disa nivele në zemër. Këto çrregullime ose bllokime quhen blloqe të Zemrës dhe klasifikohen si më poshtë:
Blloqet e plota AV (Atrio-Ventrikulare) të Zemrës, ku vonohet ose bllokohet impulsi nga veshoret në barkushet: blloku i gradës të I-rë, të II-të dhe të III-të.

Blloqet e degëve:

Blloku i plotë i degës së majtë, i cili bllokon impulsin në ventrikulin e majtë.

Blloku i plotë i degës së djathtë, i cili bllokon impulsin në ventrikulin e djathtë.

Ankesat:

Marrje mendsh.

Lodhje.

Dobësi.

Rrallimi i pulsit – pothuajse nuk ndjehet fare.

“Gjëndja e të fikëtit” që shoqërohet me humbjen e ndërgjegjes për pak sekonda – quhet ndryshe gjëndje sinkopale ose sinkop.

Mund të ndodhin edhe konvulsione, kur sinkopi zgjat më shumë, për shkak të mungesës së furnizimit të trurit me gjak. Këto janë situata shumë të rrezikshme për jetën.

Diagnoza:

EKG

Elektrokardiograma ose regjistruesi i ritmit të zemrës i cili bën të mundur regjistrimin e një çrregullimi të momentit. Në këtë mënyrë mund të vendoset një diagnozë paraprake për çrregullimin.

EKG Holter

I njohur ndryshe si holter ritmi 24/h ose 48/h. Ky ekzaminim kryen regjistrime elektrokardiografike të vazhdueshme dhe në këtë mënyrë regjistron çrregullimet të cilat ndodhin gjatë ditës, natës, aktivitetit normal, aktivitetit fizik.

Prova Ushtrimore

Ekzaminim i zemrës gjatë sforcimit fizik duke përdorur tapet lëvizës ose biçikletë. Ky ekzaminim kryhet për të konstatuar nëse rrahjet e zemrës rriten paralelisht me sforcimin. Kryhet gjithashtu në rastet kur duam të marrim një informacion për furnizimin me gjak të muskulit të Zemrës, pra për Arteriet Koronare.

TTE

Ekokardiografi Trans-Torakale Triplex (2D, Color, Doppler) ose e njohur ndryshe si Eko e Zemrës. Ky ekzaminim kryhet për të përjashtuar sëmundjet e valvulave të Zemrës, si dhe Sëmundjet e Lindura, që shoqërohen me këtë çrregullim.

Trajtimi:

Në rastet kur kemi të bëjmë me Bllok te plotë AV, rekomandimi është vendosja e një Pace-Maker. Një aparat i cili ndodhet jashtë Zemrës dhe ka një bateri. Aparati lidhet me zemrën me anë të një sonde dhe imiton rrugën normale të përçimit të impulsit. Sonda është e përhershme, kurse bateria ndërrohet në bazë të konsumit.
Në rastet kur kemi të bëjmë me blloqet e degëve është e rëndësishme të përcaktohet koha e shfaqjes së tyre. Kjo do të bëjë të mundur lidhjen e këtij blloku me një sëmundje të caktuar (si p.sh. HTA). Nëse përcaktimi i kohës është i vështirë atëherë pacienti ndiqet në mënyrë periodike me EKG (Elektrokardiogramë).
Parandalimi:

Blloku i plotë AV mund të jetë i lindur dhe mund ta hasim që në fëmijërinë e hershme. Për këtë arsye ekzaminimet si EKG (elektrokardiogramë) dhe TTE (Eko të Zemrës) tek fëmijët e vegjël, për të përjashtuar këtë sëmundje por dhe sëmundje të tjera të zemrës, janë gjithmonë të këshillueshme.
Blloku i plote AV mund të shfaqet edhe si komplikacion mbas ndërhyrjeve kirurgjikale të zemrës, p.sh.pas vendosjes së valvulave artificiale brënda në Zemër. Për këtë arsye kontrollet dhe rikontrollet periodike tek Mjeku Kardiolog janë gjithmonë të këshillueshme.
Blloku i plotë AV mund të shfaqet edhe tek personat e moshës së tretë si rezultat i plakjes dhe/ose degjenerimit të sistemit elektrik të Zemrës.
Ekzaminimet e nevojshme janë:

TTE

EKG

EKG Holter 24/48h

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri